T R E G I M E

Beqir ELSHANI: Dy tregime rrëqethëse

NGJARJE TRONDITËSE NË KATUND

Në krye të fshatit duken muret e larta me të vetmin oxhak, janë muret e shtëpisë së djegur. Këtë shtëpi, qysh vitin e kaluar e dogjën fashistët serbë. Tani jemi në pranverë dhe zogjtë fare nuk fluturojnë në fshat. Kjo ndodh për shkak të shkrumbimit që kutërbojnë shtëpitë e djegura dhe të karbonizuara. Në përrua, ku dikur vazhdimisht laheshin patat dhe gagaritnin në kup të qiellit, janë dy lopë me një viç të ngordhur pranë. Viçi i ka ngritur këmbët në drejtim të qiellit, kurse koka i ka mbetur nën gjinjtë e lopës, mëmës së vet. Matanë shpatit gjinden dhjetëra varreza të fshatarëve të vrarë nga fashistët serbë. Kjo të përkujton "Gernikën" e piktorit spanjol, megjithëse Gernika spanjole është episod e tragjedisë në krahasim me tragjedinë e tmerrshme të Kosovës. Papritmas një krismë ushtoi dhe dy kuajt e fshatarit që po lëronte në arën buzë xhadesë, u shkundën nga frika.
Është krismë e ndonjë mine që ka shkelur një fëmijë tek po luante me top. Pas pak ambulanca e fshatit mbushet me pacientë të vegjël të plagosur nga shpërthimi i minava, që dikur i ka vendosur ushtria kriminale serbe, nergut për këtë qëllim, në mënyrë që sa më shumë fëmijë shqiptarë të vriten. Doktrina serbe për shfarosjen e shqiptarëve gjindet dikund në arkivat e Beogradit, të cilën aeroplanët e NATO-s nuk arritën dot ta asgjësojnë. Një fëmijë kishte vdekur në vend, kurse tre të tjerë janë plagosur. Kuptohet që për këtë lajm, kriminelët serbë i ngërdheshin fytyrat, meqë ata dëshirojnë që sa më shumë fëmijë shqiptarë të shkelin në mina dhe të vriten. Dëshira e popullit shqiptar bie në kundërshtim me dëshirën e popullit serb, meqë shqiptarët më shumë ua dëshirojnë vdekjen kriminelëve serbë që e kanë përgjakur Kosovën. Ushtari rus i KFOR-it mban dëgjimin e radios në vesh, sipas ritmit të muzikës luhat kokën dhe as që don të dij për çunat e vrarë nga minat serbe. Nëna klith, nga tronditja don t´i shkulë flokët prej kresë; sepse djali i vetëm i saj që kishte shpëtuar nga lufta vitin e kaluar, u vra nga minat serbe. Bashkësia Ndërkombëtare gënjen se liria u fitua, derisa minat serbe vazhdimisht vrasin shqiptarë, që do të thotë se lufta verbale serbe vazhdon. Kjo vrasje minash i pëlqen vetëm serbit dhe rusit. Nëna fatkeqe ofshan dhe i shan sojin e stërsojit të serbit dhe rusit. "Mjera unë, e mjera! - mallëkon nëna, - më vranë burrin, fëmijët, vëllezërit dhe motrat… tani kam mbetur porsi oxhaku i vetëm mbi atë shtëpi të djegur". Vjehrri i gruas së ve të mbetur me duar në gji u vra në atë shtëpi me të vetmin oxhak pa çati. Vjehrri nuk deshi t´a braktiste shtëpinë dhe të shkojë në Shqiperi, ku i detyronte ushtria serbe.

Ai u kthye në shtëpinë e tij kala të fortë. Mblodhi arin - stolitë e rejave të tij dhe u ul në qyshe të odës tradicionale shqiptare. Oda ishte e bukur, e shtruar me qilim persian dhe dukej sikur plaku po priste dasmorët shqiptarë. Në prehër mbante shportën me bomba, por të mbuluar me ari dhe stolitë e rejave. E dinte që serbët lakmojnë dukatin, sepse shkaktare e të gjitha tmerreve ishte dukati i Trepçës. "Për dukat serbi po lufton", - mendonte plaku, - ndaj kështu do ta pres hasmin". E kishte mësuar përvoja e luftës vite me radhë, por edhe historia e trimit legjendar, Oso Kuka, në Kullën e Vraninës. Kriminelët serbë kur kishin parë shtëpinë e bukur me dhoma të pajisura, fluturimthi kishin hyrë për të plaçkitur. Posa e panë plakun në qyshe të odës iu kërcënuan për ta vrarë, mirëpo shkëlqimi i arit dhe stolive ua mori sytë, dhe me dhjetëra serbë iu vërsulën për t´ia gllabëruar nga duartë. Pas një çasti shtëpia, siç ishte e bukur me shumë dritare dhe kulmin e lartë, i doli flaka në drejtim të qiellit. Kjo grua kishte parë flakën mbi shtëpinë e vet tek po largohej nga fshati në drejtim të kufirit shqiptaro-shqiptar. E dinte qëllimin konspirativ të vjehrrit dhe bërtiti: "Lavdi të qoftë, vjehrri im! Emni yt u bëftë dritë! Së shpejti do kthehemi dhe do të vejmë kurorë mbi varrin tënd. Ti hyre në mitin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! SHTËPIA E GURIT Në tokën e djegur, porsi oaza në mes të shkretëtirës ka nisur të bulojë bari i ri. Ndonëse është stina e pranverës, pemët i ka prekur bryma e shkaut, në to nuk ka asnjë gjeth. Pemët nuk kishte mundur t’i thajë as thatësia më e madhe midis verës me diellin prush.
Mirëpo flaka e shtëpive të katundit gjatë luftës i kishte shkrumbuar me themel. Një mjek me stetoskop mundohet të dëgjojë frymëmarrjen e pemës në oborrin e tij plotësisht të djegur, dukej se ishte çmendur. Serbët ia kanë masakruar gruan dhe djalin, kurse vajzën ia kanë dhunuar. Kontrollon nëse pema ende jeton; sa për kurorën, pema bulon përsëri, tha mjeku me flokë të shprishura. "Jo!" – jehoi zëri i plakut që ishte afër, - sepse aty ku prek dora e shkaut, nuk mbin më barë." Plaku i dinte zullumet e shkaut, kishte lindur dhe ishte plakur nën flakën e barotit. Një shtëpi e gurit, skaj katundit, i ka shpëtuar djegjes. E vetmja shtëpi që nuk e ka prekur flaka e luftës. Në vend të erës së gjelbrimit pranveror, në katund kundërmon era e shkrumbit. Të gjithë fshatarët kanë hapur tendat, ndaj familja e shtëpisë së gurit nuk kishte nevojë të hapte tendën. Fqinjët e kishin përgëzuar plakun për shpëtimin e shtëpisë së tij nga djegja.
Një javë fjeti plaku me familjen e tij në këtë shtëpi të gurit, të fortë si shkëmb graniti. Gurët e shtëpisë ishin gurë të shkëmbinjve shqiptarë, ndërtuar nga duartë e mjeshtërve vendës. Plaku i kishte kaluar netët me ankth dhe me shqetësim. Shumë njerëz ishin vrarë, edhe bagëtia, edhe shpezët, por edhe gjelbrimi ishte zhdukur nga faqja e dheut. Ëndërronte se si shtëpia vajtonte që ka mbetur pa shoqe, prandaj donte që edhe ajo të digjej, kështu e paramendonte plaku ëndrrën e tij të tmerrshme. Kjo gjendje shpirtërore e shqetësonte më së shumti, sepse e dinte që dora e shkaut digjte, jo vetëm gurët, por edhe hekurin. Në agimin tjetër zbardhi drita, ishte qetësi, meqë kaherë ishin zhdukur pëllitja dhe blegërima e bagëtisë. Vetëm gurgullima e lumit dëgjohej, atë nuk kishte mundur ta zhduk dora e shkaut.
Tani ky lumë së bashku me dritën e diellit do t’i jep jetë tokës, në mënyrë që të bulojnë bari dhe lulet, të mbijnë gruri dhe misri. Lumi nuk ndalet dot së rrjedhuri, prandaj as jeta nuk do të ndalet, vetëm lindje do të ketë në Kosovën martire. Paprtitmas plaku nxori jashtë të gjithë robët e shtëpisë. Fqinjët dyshuan për ndonjë granatë të pashpërthyer brenda në shtëpi. Pas pak plaku hyri brënda dhe ia futi flakën shtëpisë. Të gjithë fshatarët vrapuan kur panë flakën mbi shtëpi. Thanë se plaku është çmendur, dhe u përpoqën të fikin zjarrin, mirëpo i zoti i shtëpisë pengonte ndërhyrjen e tyre. Më vonë erdhi një gazetar dhe e pyeti për pasojat dhe rrethanat e ndezjes. „Kurrkush nuk ma dogji shtëpinë, unë vetë me këta duar ia futa flakën," - tha plaku duke shtrirë duartë përpara gazetarit. Plaku nuk donte që shtëpa e tij të ndahej nga shoqet, që i kishte djegur dora e shkaut, ndaj kishte bërtitur: „Digju, oj shtëpia ime, mos më ndaj nga fqinjët! A nuk kam luftuar edhe unë kundër shkaut, që na masakroi dhe na shkrumboi krejt katundin!" Ndërkohë një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte parë flakën e shtëpisë dhe me një frymë kishte mbërrijtur në vendin e ngjarjes. Pa plakun duke soditur shtëpinë që po digjej. "Unë e shpëtova këtë shtëpi pa u djegur. Në çastin kur krimineli serb po i vënte flakën tërë katundit, e vrava me këtë pushkë," – tregoi ushtari i UÇK-së me pushkë në dorë. Plaku qau, ashtu siç qajnë çunat dhe ushtari e përqafoi duke e shtrënguar me gjoks. „Ne do ta ndërtojmë fshatin më të fortë dhe më të bukur. Shtëpiat tona do t’i bëjmë kështjella përballë armikut," – kumboi zëri i djaloshit ballëlart.