Fshehja prapa patriotizmit
Berat Buzhala
Unë i dua shqiptarët e Maqedonisë, por më shumë se ata e
dua të vërtetën. Mirëpo, në këtë rast para se më çështje kombëtare më duket se kemi të bëjmë me çështje biznesi.
Nga Maqedonia dy ditët e fundit erdhën disa reagime në
lidhje me komentin "Lopez Obrador dhe Ali Ahmeti", që
e shkrova para tri ditësh. Të shumtën reagimet ishin negative
dhe plot me emocione. Akuzat kryesore që më
bëheshin janë se unë me komentin tim jam pozicionuar
në radhët e analistëve maqedonas. Ndoshta edhe kanë të
drejtë. Por çka është edhe më keq, ndoshta edhe analistët
maqedonas kanë të drejt në analizat e tyre për mënyrën
se si po sillet Bashkimi Demokratik për Integrime dhe lideri
i kësaj partie Ali Ahmeti. Një fatkeqësi tjetër në ketë
proces duket të jetë edhe oportuniteti që kanë treguar
analistët shqiptarë të Maqedonisë karshi ish komandantit
të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Kjo ka ndikuar mandej
që të krijohet përshtypja se vetëm maqedonasit e
përkrahin koalicionin VMRO - PDSH, ndërsa shqiptarët
atë me BDI. Sipas këtij konspiracioni del që PDSH është
antishqiptare, kurse partia e vetme që i përfaqëson interesat
kombëtare është BDI dhe prapashtesa e saj PPD.
Së këndejmi edhe ata dhjetëra mijëra veta që kanë votuar
për Arbën Xhaferin nuk janë shqiptarë - ose janë antishqiptarë.
Të gjitha këto janë aludime primitive që nuk
kanë kurrfarë peshe në parlamentarizëm. Befasisht ngjashëm
aludon edhe zëdhënësja e BDI-së, në reagimin e
saj. Ermira Mehmeti në substancë nuk demanton asgjë,
pos që i shton disa kualifikime të panevojshme. Kështu
ajo thotë se BDI-i nuk po provon që të futet me çdo kusht
në Qeverinë e re maqedonase, por kërkon që të respektohet
votuesi shqiptar, sipas të cilit parim partia më e madhe
shqiptare duhet të futet në koalicion. Kurse partia më
e madhe shqiptare është BDI-ja. Pra i bie që BDI-ja kërkon
të futet me çdo kusht në Qeveri. Dhe këtë po e kërkon
duke organizuar protesta në rrugë. Kanë kërcënuar gjithashtu
se nuk do t'i njohin institucionet e shtetit. Apo jo znj.
Mehmeti? Pra jeni në gjendje të shkoni deri në padëgjushmeri
qytetare vetëm e vetëm për të qenë pjesë e kabinetit
qeveritar. A nuk është kjo kërkesë që të futeni me zor në
një kabinet që nuk ju dëshiron, por që e dëshiron një tjetër
parti shqiptare që gjithashtu ka marrë një numër të konsiderueshëm
të votave. A nuk është kjo pazakonshme për
një shtet centralist në kuptimin e organizimit formal - juridik.
Jo që është e pazakonshme por është qesharake. Ju
flisni për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në
fakt nuk tregon asgjë për formimin e qeverisë. Ose ndoshta
është edhe një marrëveshje e Ohrit vetëm për nevoja
të BDI-së që ne të tjerët nuk kemi të drejt qasjeje në të.
Normalisht se nuk është edhe një marrëveshje e dytë,
sepse po të ishte moti do t'i mësonim përmendesh secilin
nen dhe paragraf që flet për modalitetet e formimit të koalicioneve
qeveritare, në të cilat partia më e madhe shqiptare
gjithmonë do t'i kishte dyert e hapura. Po të ishte kështu
atëherë do të duhej parë me kujdes mënyra se si kanë
funksionuar deri më tash shtetet. Bota do të duhej të përgatitej
për ndryshime rrënjësore. Mirëpo, kjo nuk do të
ndodhë, sepse kështu siç është duke funksionuar, parlamentarizmi
ka treguar rezultate të mira.
Por meqë ju insistoni se dy shumicat, pra ajo maqedonase
dhe ajo shqiptare duhet ta qeverisin vendin, çfarë
do të ndodhte sikur ta zëmë, për shkak të dallimeve parimore
BDI edhe pse është partia më e madhe shqiptare
nuk do të pranonte të bëhej pjesë e kabinetit të Nikolla
Gruevski. Dëshiroj të besoj që megjithatë BDI do t'ia kishte
vënë vetes një kufi se deri në çfarë mase e pranon ose nuk
e pranon një koalicion. Çfarë do të ndodhte në ketë rast?
A do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme
sepse partia më e madhe shqiptare nuk e ka pranuar koalicionin,
apo partia fituese maqedonase do të mund të
shkonte të negocionte me ndonjë parti tjetër shqiptare?
Janë këto dilema që presin përgjigje, sepse gjitha këto
mund të ndodhin në të ardhmen. Praktikisht nëse funksionon
parimi i pjesëmarrjes në koalicion të dy partive
më të mëdha shqiptare dhe maqedonase atëherë në rastin
e parë që njëra prej partive refuzon marrëveshjen kjo e
çon vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo nuk ka kurrfarë
logjike, siç nuk ka kurrfarë logjike as insistimi i BDI
të jetë në qeveri të Gruevskit. Madje sa për informimin
tuaj praktika parlamentare jep shembuj kur as partia më
e madhe në nivel nacional nuk arrin të formojë qeverinë
dhe detyrohet t'ia lëshojë rendin partisë së dytë më të
madhe. Pra askush nuk e ka me tapi vendin në qeveri.
Të vetmin shpëtim partitë shqiptare në Maqedoni, për
të mos ardhur në situata të tilla, e kanë nëse arrijnë që me
partitë maqedonase të bëjnë koalicione parazgjedhore.
Kjo do të ndihmonte t'i pastronin që më herët hesapet
me partnerët maqedonas dhe të mos i konkurrojnë njëra
- tjetrës në pazar. Sidomos kjo bëhet e dhimbshme kur
pas ndërrimeve qeveritare mbesin disa pazare të pambyllura.
Kjo shkakton më së shumti nervozë dhe insistim
për të qenë edhe më tutje pjesë e aparatit shtetëror.
Krejt kjo të çon drejt përsëritjes së asaj klishesë së mërzitshme
të Platonit se e do mësuesin e tij Aristotelin, por
më shumë të vërtetën.
Unë do të thosha se i dua shumë shqiptarët e Maqedonisë,
por më shumë se ata e dua të vërtetën. Mirëpo në
këtë rast para se më çështje kombëtare më duket se kemi
të bëjmë me çështje biznesi.
Berat Buzhala
berat.buzhala@gazetaexpress.com |
|