1
1
2
POLITIKË

Luftë për të hyrë në qeveri

Muhamed Halili

Zgjedhjet parlamentare të këtij viti në Republikën e Maqedonisë i trazuan gjakrat midis partive politike, votuesve dhe simpatizantëve të tyre që në fillim të fushatës parazgjedhore, ku u manifestuan edhe disa incidente në zona të caktuara të vendit. Këto zgjedhje kanë qenë të një rëndësie të posaçme kësaj radhe për Maqedoninë, sepse nga (mos) suksesi i organizimit të tyre varej vendimi që Komisioni Evropian duhet ta japë diku nga fillimi i nëntorit për caktimin e datës së fillimit të negociatave, fill pasi ajo e fitoi statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian.
Me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe në veçanti të përfaqësuesit të BE-së zotit Fuere dhe ambasadores amerikane, zonjës Millovanoviq te liderët e partive politike shqiptare, situata u qetësua dukshëm dhe ditën e votimit, më 5 korrik, u zhvilluan zgjedhjet, ndoshta më të qeta parlamentare prej fillimit të pavarësisë së shtetit e këndej. Të qeta... por megjithatë u manifestuan vende-vende parregullsi, të cilat i kanë karakterizuar gati të gjitha zgjedhjet deri më tash, siç është votimi për shumë persona, mbushja e kutive nga aktivistë partiakë, agjitime dhe presione ndaj zgjedhësve. Vlerësimet e organizatave ndërkombëtare që i monitoruan zgjedhjet ishin si zakonisht: zgjedhjet në përgjithësi i kanë përmbushur kriteret e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe janë organizuar sipas standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës me manifestim të parregullsive në zona tradicionale shqiptare.

Në elektoratin shqiptar me programet dhe ofertat e tyre politike u paraqitën gjashtë parti politike dhe një koalicion, ai i BDI-PPD. Në dallim nga zgjedhjet e vitit 2002, ku grupit të partive të mëdha iu bashkangjit edhe një parti e vogël ( PDK) me një deputet, kësaj radhe partitë e vogla arritën vetëm të fitojnë një numër simbolik të votave dhe në skenën politike shqiptare , njëlloj si në atë maqedonase,- ngelën përfundimisht dy parti të mëdha: PDSH dhe BDI. Këtë cikël zgjedhor e karakterizoi numri i vogël i votuesve në zonat shqiptare. Të gjitha partitë politike shqiptare fituan rreth 180 mijë vota që është më pak se 35 mijë vota nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 kur shqiptarët fituan 23 deputetë. Sikur atëherë të ishte sistemi i tashëm proporcional i zgjedhjeve partitë shqiptare do të kishin 32 deputetë e jo 28 ,sa fituan tash. Kur të bëhet një krahasim me numrin e votuesve shqiptarë që BDI e shpalli (rreth 130 mijë) se e votuan kandidatin për president shteti, zotin Cërvenkovski para tri vjetësh, me numrin e votave që kjo parti i fitoi para disa ditësh, del se BDI fitoi 20 mijë vota shqiptare më pak se kryetari Cërvenkovski! Rezultatet zgjedhore treguan se sikur të ishte në fuqi sistemi i mëparshëm i zgjedhjeve ku kriter ishte dalja e më tepër se e gjysmës së votuesve në zgjedhje, në zonat shqiptare zgjedhjet do të duhej të shpalleshin të pasuksesshme,dhe pse me të gjitha parregullsitë e theksuara më parë, rreth 53% e shqiptarëve nuk dolën në zgjedhje. Por me rregullat ekzistuese të lojës koalicioni BDI-PPD fitoi më tepër mandate në parlament. Shkaqet e këtij abstenimi gati masiv të shqiptarëve duhet analizuar rrënjësisht jo vetëm nga ana e institucioneve përkatëse, por edhe nga ana e partive politike. Nga cikli i votimeve nuk doli ajo që pritej. Edhe pse kësaj radhe numri i votuesve për t`u zgjedhur një deputet ishte më i vogël se në vitin 2002, partia qeveritare BDI, fitoi dy deputetë më pak se atëherë, ndërsa PDSH katër vende më tepër ose një rritje përafërsisht 60% në krahasim me atë vit. Një rritje minimale prej një vendi në parlament shënoi edhe PPD, por si pjesë e koalicionit me BDI-në.

Grindja e vërtetë mes partive fituese shqiptare lindi kur lidershipi i partisë fituese maqedonase VMRO-DPMNE zoti Nikolla Gruevski ,opinionit i kumtoi se pjesë e qeverisë së ardhshme do të jetë partneri strategjik i saj Partia Demokratike Shqiptare. Ky vendim i mandatorit e hidhëroi tej mase lidershipin e BDI-së zotin Ahmeti, i cili u kërcënua se qeveria e re do të ketë probleme me partinë e tij dhe elektoratin shqiptar sepse gjatë krijimit të qeverisë nuk është përfillur parimi i Badenterit, që është normë e Kushtetutës maqedonase. Por, zoti Ahmeti, këtë nuk mund ta përdorë si argument sepse parimi i Badenterit nuk parasheh mënyrën e formimit të koalicioneve qeveritare. Ky i mbron shqiptarët nga majorizimi në parlament kur kemi të bëjmë për çështje që e prekin identitetin kombëtar të shqiptarëve. As argumente të tjera të cilat i përdor këto ditë BDI-ja nuk janë bindëse. Ata thirren lidhur me faktin se Maqedonia është shtet multinacional me karakteristika federative, ndërsa e kanë pranuar faktin që Kushtetuta ta përcaktojë atë shtet unitar dhe gjatë veprimit të tyre politik katër vitet që shkuan gjithnjë të thirren me unitarizëm . ``Të jetë e keqja më e madhe që një funskionare e lartë e BDI-së, para katër vjetësh lançoi një filozofi të re (të papranueshme!) politike të kësaj partie për krijimin e kombit politik, që opinioni shqiptarë e hodhi poshtë si të papranueshme dhe të rrezikshme për shqiptarët... Sipas kësaj teorie të gjithë qytetarët e Maqedonisë duke përfshirë këtu edhe shqiptarët) do te thirren maqedonas! Një argument tjetër po ashtu i rëndësishëm që nuk është në anën e atyre që thonë se janë janë trajtuar në mënyrë të padrejtë, është deklarimi i përsëritur i krerëve të kësaj partie se partia e tyre nuk është parti e spektrit nacional shqiptar, por e spektrit qytetar. Siç dihet BDI-ja ka disa degë të saja ( dhe këshilltarë komunal) në Maqedoninë Lindore dhe me të drejtë hidhërimin e tyre për ridefinimin e partisë e shprehen anëtarët maqedonas, duke u shprehur se aderimi i tyre në këtë parti bazë e ka pasur përcaktimin socialdemokrat e jo atë nacional të partisë.

Nuk ka dilema se gjatë qeverisjes së saj në koalicion me Lidhjen social demokrate të Maqedonisë ( pasardhëse e ish-Lidhjes Komuniste) BDI-ja arriti disa çështje nga spektri i kërkesave kombëtare t`i realizojë. Këtu duhet përmendur zyrtarizimi i Universitetit shtetëror të Tetovës, edhe pse me mangësira të dukshme dhe disa të arritura të vogla në përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucionet e administratës publike, përkundër faktit se këtij fenomeni ata i dhanë me pa të drejtë karakter kryesisht partiak.Kjo parti e lindur nga konflikti ushtarak i vitit 2001 në zgjedhjet parlamentare të atij viti fitoi shumicën absolute shqiptare ,jo pse pati ndonjë platformë të mirë zgjedhore, por pse lindi pikërisht nga lufta,e cila u përkrah masivimisht nga gjithë shqiptarët dhe ata pritnin që partia do të jetë e drejtë ndaj të gjithëve e jo ta mbajë anën e anëtarësisë partiake. Dështimi kryesor i kësaj partie ndodhi në stafin ministror. Aty pati ministra që i korruptoi ish-qeveria e Georgievskit dhe ministra me dije të ulët dhe të papërvojë fare. Ata në shumicën e rasteve nuk e dinin se çfarë vendime ka sjellë qeveria në seancat e së cilës edhe vetë kanë qenë të pranishëm, kështu që gabimet e tyre shpesh i korrigjonte lidershipi i tyre duke i vizituar kancelaritë e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shkup. Ndodhi që një person në afat prej dy vjetësh të kalojë në katër poste qeveritare në kohën kur shqiptarët në Maqedoni kanë kuadro të mjaftueshme për çdo post. Për mos efikasitetin e stafit ministror zotit Ahmeti mori një kartelë të verdhë publike edhe nga zoti Solana por edhe ajo nuk mjaftoi sepse ai vazhdoi me të vjetrën.
Megjithatë padrejtësia më e madhe iu bë familjeve të bashkëluftëtarëve të konfliktit 2001: derisa komandantët e tyre rrinin në parlament e qeveri dhe merrnin rroga të mira dhe privilegje të ndryshme, këto familje luftonin me jetën për ta siguruar ekzistencën e tyre .

Dhe përkundër premtimeve dhe mashtrimeve, qeveria e tashme në dorëheqje nuk arriti të sjellë ligj të ngjashëm si për ushtarët maqedonas që morën pjesë në konflikt. Gjimnastika politike e zotit Ahmeti me grumbullimin e fshatrave dhe qyteteve që të krijojë mazhorancë etnike për t`i dhënë karakter zyrtar gjuhës shqipe doli e pasuksesshme ,sepse me të nuk u realizua përcaktimi i Marrëveshjes së Ohrit për përdorimin e gjuhëve, por një përcaktim i një ligji të mëparshëm për decentralizim ku shkruhej se shqipja do të jetë gjuhë zyrtare atje ku shqiptarët janë shumicë. Në anën tjetër qeveria sot e kësaj dite nuk e solli ligjin për përdorimin e gjuhëve si pjesë përbërëse e Marrëveshjes së Ohrit edhe në dy vjetët e para te marrëveshjes, ndërsa ministri i drejtësisë ishte shqiptar. Sipas po kësaj marrëveshje sot e kësaj dite nuk është sjellë edhe ligji për policinë, si një ndër segmentet kryesore të decentralizimit të pushtetit qëndror. Kur gjithëkësaj t'ia shtojmë faktin se te punësuarve që udhëtojnë për në Shkup, u paguhet vetëm një e treta e shpenzimeve te rregullta të rrugës, atëherë situata bëhet krejt e qartë, sa shqiptarët mund ta rrisin përfaqësimin e tyre ne institucionet qëndrore.

Po qe se me kujdes dhe gjakftohtësi i analizojmë të gjitha rrethanat del se me kotë nxehen gjakrat, pse mandatori Gruevski në qeveri e ftoi PDSH-në si parti më me pak mandate, e jo BDI-në dhe zëri patetik i dy intelektualëve i ngritur këto ditë, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë patën privilegjet e partisë qeveritare më duket jo shumë i arsyeshëm. Kjo ndodhi edhe në vitin 1998-të kur PPD-ja mbeti opozitë, por atëherë opinioni publik (edhe pse PPD-ja ishte fitimtare) ,ishte në krahun e PDSH-së. Dhe nuk ndodhi shkatërrimi i botës siç pretendojnë disa tani..

*Autori është ish-ministër i qeverisë së Maqedonisë

 

adi@rtvzik.com

Radio Zëri/winampRadio Zëri/mediaRadio Zëri/real
v
Numri i vizitorëveI
free web counter
multi
adi

MIQËT
BDSH
ALBANUR.NET
E SHTUNA MAGJIKE
RADIO FOCUS
RADIO DASHURIA
RADIO SHARRI
RADIO FAMA
©2003-2005 RTV "ZIK"
Të Gjitha të Drejtat e Mbrojtura