“Status i ri për shqiptarët në Malin e Zi”
Flet Nazif Cungu, kryetar i partisë më të re të shqiptarëve të Malit të zi, “Forca e Re Demokratike- FORCA”, prentendente serioze në zgjedhjet e 10 shtatorit
“Tuzi dhe rrethinat të jenë komunë më vete t’i marrim, më shumë Podgoricës si shpërblim për rolin përcaktues të Shqiptarëve në fitoren e “PO”-së në referendum.”
Konteksti i zgjedhjeve të 10 shtatorit, konteksti i bërjes politikë, tanimë në shtetin e ri të të pavarur të Malit të Zi ndryshon kryekëput nga më parë, kur problematika ishte tjetër. Në kërkim të kësaj politike të re janë qytetarët e Malit të Zi, janë shqiptarët e Malit të Zi dhe forca jonë politike, pretendon t’i japë zgjidhje të besueshme kësaj problematike të re.
Në duam të vendosim kontaktet me mediat e Tiranës, për të cilat ka një uri të madhe në Ulqin, unë do të kontaktoj shumë drejtues mediash dhe do të përpiqem që gazetat e Shqipërisë dhe mediat elektronike të kenë redaksitë e tyre në Ulqin dhe të shihen e lexohen nga ulqinakët dhe shqiptarët e Malit të Zi.
- Cila është gjendja aktuale e shqiptarëve në Malin e Zi dhe cili është opinioni juaj për prespektivat që hapen për statusin e tyre tanimë në shtetin më të ri të Europës dhe cila është domethënia e këtyre zgjedhjeve?
- Këto janë zgjedhjet e para në Republikën e Malit të Zi, e cila tanimë ka një statusin e një shteti të pavaruar. Në këtë kontekst zgjedhjet e 10 shtatorit , të cilat në sistemin politik malazes, janë zgjedhje njëkohësisht për kreun e Komunës së Ulqinit, zgjedhje për Këshillin e Komunës dhe zgjedhje me sistem proporcional për parlamentin republikan, ku shqiptarët kanë një kuotë prej 5 vendesh, janë ndryshe nga më parë.
Ka dhe një të re tjetër: Për herë të parë kryetari i Komunës së Ulqinit, komuna me shumicë shqiptare, do të zgjidhet drejtpërdrejt. Kjo do të thotë se dhe konteksti i fushatës, konteksti i bërjes politikë, tanimë në shtetin e ri të të pavarur të Malit të Zi ndryshon kryekëput nga më parë, kur problematika ishte tjetër, me rastin e debateve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për çështjen e statusit të Malit të Zi. Në kërkim të kësaj politike të re janë qytetarët e Malit të Zi, janë shqiptarët e Malit të Zi dhe pikërisht forca jonë politike, pretendon t’iu japë zgjidhje të besueshme kësaj problematike të re. Ne e kemi analizuar këtë kontekst mjaft mirë në partinë tonë dhe në përputhje me këto rrethana kemi ndërtuar strategjinë dhe taktikën tonë elektorale.
- Zoti, Cungu ju kryesoni një parti të re të shqiptarëve në Malin e Zi, që quhet “Forca e Re Demokratike – FORCA”.A mund të shpjegoni ju lutem kontekstin e lindjes së kësaj force të re politike për Shqiptarët e Malit të Zi.
- Forca e Re Demokratike, është krijuar në tetor të vitit të kaluar, si një bashkim vullnetar i shumë faktorëve me potencë politikë, kulturore, ekonomike e shoqërore, në Komunën e Ulqinit dhe në krejt faktorin shqiptar në Malin e Zi, të cilat janë të lodhur nga përfaqësimi pa shumë efektivitet i forcave politike të vjetra, të lodhur nga kompromiset e paprincipta të tyre më Podgoricën në interes personal të tyrin dhe aspak në interes të shqiptarëve në këtë Republikë. Kjo është dhe simbolika që kemi tentuar ta përdorim edhe në emërtim, e mëpastaj edhe në program; tamam “Forca e re Demokratike- Forca”.
Duke vështruar degradimin e forcave rivale, dhe mbështetur mbi projektin dhe përkushtimin tonë ne pretendojmë jo thjesht të jemi sfidantë kryesorë për komunën e Ulqinit, por dhe për një përfaqësim dinjitoz në parlamentin e Malit të Zi. Të jeni të bindur që këtë do ta konfirmojë rezultati i 10 shtatorit.
- Dihet se vota e shqiptarëve, që e përkrahën në masën mbi 90 për qind pavarësinë e Malit të Zi ishte vendimtare për fitoren e “PO” në referendumin e pavarësisë. A arritën shqiptarët ta “përdorin” me efektivitet votën e tyre për ta përmirësuar më tej statusin e tyre në republikën e re.
- Para fushatës kur jemi takuar si përfaqësi e shqiptarëve me autoritetet e lartë të Malit të Zi, të cilët ishin për “PO”, sa i përket opcionit të pavarësisë, unë i kam deklaruar atyre: “Ne jemi, jo për kthimin e shtetit që Mali i Zi e ka patur deri në traktatin e Versajës, por për themelimin e një shteti të ri, në fillim të shekullit të 21, me principet dhe normat e një shteti demokratik bashkëkohor”.
Këtij parimi ne i përmbahemi si forcë politike dhe duhet thënë se në nivel qëndror ne do të ndjekim me vendosmëri të madhe ecurinë e përmirësimit të statusit të shqiptarëve në Malin e Zi. Në nivel qendror, të shtetit të Malit të Zi, përmes deputetëve tanë, listë që kryesohet nga Genc Nimanbegu, ne i kemi shpallur objektivat tonë, për të përmirësuar ndjeshëm statusin dhe pozitën e shqiptarëve në Malin e zi. Duhet dhe do t’i marrim më shumë lëshime Podgoricës si shpërblim për rolin përcaktues të Shqiptarëve në fitoren e “PO”-së në referendum.”
Ne do të bëjmë çdo përpjekje që Konventat dhe standardet ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, për Vetëqeverisjen Lokale të debatohen në Kuvendin e Malit të Zi dhe të bëhen pjesë e legjislacionit të shtetit të ri.
Decentralizimi i pushtetit duhet të vijë duke rritur kompetencat e Komunave do të krijojë mundësi që ne vetë të vendosim se në çfarë mënyre duhet të zhvillohemi. Do të bëjmë çmos që të mbrohen pronat dhe që pa pëlqimin e komunës të mos bëhet asnjë privatizim apo investim nga qeveria qendrore, pa u pyetur qeverisja lokale dhe vetë qytetarët e këtyre zonave.
Në kordinimin dhe me faktorë të tjerë politikë shqiptarë në Kuvend dhe në nivel qëndror do të luftojmë që Tuzi, rrethinat e tij bashkë me Malësinë, të marrin sa më parë statusin e Komunës më vete.
Me përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe në administratën publike, do të ngulmojmë fort që të rritet numri i shqiptarëve të punësuar në këto organe në mënyrë që dhe ne shqiptarët të kemi njerëzit tanë në ekzekutiv.
- Ku ka çaluar sipas jush përfaqësimi politik i shqiptarëve në Malin e Zi dhe në komunën e Ulqinit, që qeveriset nga shqiptarët dhe a mund të thuhet se në Malin e Zi ndihet nevojë për një elitë të re politike përfaqësuese?
- Është një problematikë e gjerë, por shkurt do të thoshja se drejtuesit e deritashëm kanë dështuar krejtësisht në menaxhimin komunës së Ulqinit dhe në përgjithësi të problematikës së popullit shqiptar në Malin e Zi. Së pari, ka qenë plotësisht e mundur që dhe Tuzi me rrethinat e tij dhe Malësinë, të fitojnë statusin e Komunës dhe jo të jenë pjesë e komunës së Podgoricës. Mosaktivizimi i faktorit politik shqiptar derimë tash dhe interesat kompromentuese kanë bërë që ne sot të mos kemi ende një njësi të dytë të vetqeverisjes vendore me shumicë shqiptare.
Së dyti: centralizimi i pushtetit, sidomos grumbullimi i kompetencave dhe mjeteve financiare në Podgoricë, prej vitesh me radhë zvogëlon autonominë dhe vetëqeverisjen lokale, e cila deri tani nuk ka kompetencat që i nevojiten për t’i shërbyer shumë më mirë qytetarëve. Ata që kanë qenë në pushtet nga shqiptarët nuk kanë luftuar sa duhet për këtë autonomi. Së treti: Privatizimi dhe kthimi i pronave çalojnë rëndë dhe ato po bëhen kundër interesave të ligjshme ekonomike të shqiptarëve të Malit të Zi. Papunësia e madhe në mes të popullsisë shqiptare, ka sjellë rënien e përqindjes së popullatës shqiptare nga afro 7% në 1991 në 5% vitin 2003.
Së katëti: Politika kulturore dhe ajo e arsimit, nuk korrespondon me dëshirën tone që të ruhet tradita, të forcohet identitetit dhe rritet niveli i arsimimit tone për të ecur drejt rrjedhave moderne, për të përgatitur nxënës e profesionistë të aftë. Objektet tona historike, Kalaja e Ulqinit dhe Shasi, për të cilat ia vlen të krenohemi në Ballkan, janë të lëna pas dore E gjithë kjo gjendje, ka nevojë për ndryshim, ka nevojë që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur dhe unë së bashkë me FORCEN do të punojnë energjikisht për këtë ndryshim real në Malin e Zi.
- Cili është vizioni juaj për zhvillimin e Ulqinit dhe propozimet tuaja për statusin e shqiptarëve në Malin e Zi.
- Unë që prej viteve 80 kam eksperiencë në administratën lokale dhe e njoh dhe kam prekur problematikën e komunës sime me detaje. Unë do të luftoj për një Ulqin modern, siç i ka hije një qyteti turistik, të paktën në rivierën malazeze. Shikoni, ne tani nuk e kemi planin rregullues te detajuar dhe kjo ka sjellë shumë ndërtime pa leje, prishjen e fizionomisë urbanistike të qytetit. Nga ana tjetër, dua të jap vetëm një shembull: nëse komuna e Ulqinit mbledh sot rreth 3 milionë euro taksa, Tivari apo Budva janë disafish deri në dhjetëra fish. Kjo është domethënëse.
Ka nevojë për konsolidimin e administratës lokale, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve e jo si deri tash ku qytetaret me dite humbin kohën neper zyret e komunes dhe prapë nuk i kryejnë punët që kanë. Administrata do të mbledhë shumë më shumë taksa, që do të thotë më shumë investime për komunën.
Ndertimi i urës së leverdisshme mbi Bunë në vazhdim të Plazhit te Madh, i cili me nje autostradë cilësore do ta shkurtojë rrugën për në Tiranë për më shumë se 40 km, do të bëjë lidhjen e zones turistike të Velipojes dhe Plazhit të Madh . Çështja e legalizimit eshtë e ndërlidhur me miratimin e planeve gjenerale urbanistike dhe planeve detaje urbanistike, gjëra për të cilat do të preokupohem menjëherë sapo të marr mandatin.
- Cilat janë kontaktet tuaja më politikën e Tiranës dhe cili mendoni se do të duhet të jetë roli i ri i Tiranës zyrtare në raport me shqiptarët në Ballkan, në kushtet kur kemi zhvillime krejt të reja, kemi pavarësinë e Malit të zi dhe së afërmi statusin final të Kosovës?
- Në jemi gati të miratojmë politikën e matur të Tiranës për çështjet Ballkanike, politikë që i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne kemi instaluar kontakte me partitë shqiptare në Kosovë, kemi zhvilluar atje një takim me partinë “Ora” të Veton Surroit dhe jemi duke përpunuar kontaktet me parti të tjera. Nga ana tjetër, në Tiranë unë do të jem për një seri takimesh dhe kontaktesh me politikën e Tiranës.
Ne po ashtu duam të vendosim kontaktet me mediat e Tiranës, për cilat ka një uri të madhe në Ulqin. Unë do të kontaktoj me shumë drejtues mediash dhe do të përpiqem që gazetat e Shqipërisë dhe mediat elektronike të kene redaksitë e tyre në Ulqin dhe të shihen e lexohen nga ulqinakët dhe shqiptarët e Malit të Zi.
|