KUR NISA TË FLAS ME GJUHËN E HESHTUR TË
SHPIRTIT
Përhumbshëm ndodhem në një fluturim
të heshtur mendimesh,
Ku ëndrrat dhe realiteti: dy skaje të një
litari të gjatë jete,
Me të cilin njerëzit në vënd që
të lidhin zemrat e tyre,
Mbytin qetësinë e të tjerëve.
Malli mori rrugën e bardhë të shpresave,
Dhe e qëndisi botën me një dritë
kaltëroshe,
Që më ftoi ta hedh tej këtë monotoni,
Dhe të mbush me mall këtë zbraztirë
komode.
Kam mall për botën,
Ndonëse në rrumbullaksinë e saj fsheh
hipokrizinë,
Kam mall për jetën, ndonëse mes psherëtimash,
Ma tkurr rininë.
Kam mall për ndjenjën, ndonëse prej
saj blova dhimbje dhe vetmi,
Malli më bën ta hedh tej fatalitetin,
Të dua gjithçka, Botën, jetën
njerëzit, përjetësinë,
Të jem përherë dhe më shumë
njeri.
FILOZOFI E VITEVE
Të fluturosh deri në fundin e një ëndrre
të çmëndur,
Do të thotë të mos kesh frikë
nga mohimi, nga pohimi, nga asgjë.
Të kuptosh se materialja dhe imaterialja janë
gishtërinjtë e të njëjtës
dorë,
Që na përkëdhel në heshtje,
Dhe se për shpejtësi të pamatshme,
Koha është një flluskë transparente
që pëlcet në ankth.
Të fluturosh deri në fundin e një
dëshire të zjarrtë,
Do të thotë të mos kesh frikë
nga hapësira, të mos kesh frikë as
nga vdekja.
Të kuptosh vetëm me një prekje se
gjithshka në botë,
Eshtë ndërtuar si në trupin tënd,
Me rremba gjaku mishi dhe kocka të qëndrueshme.
Ah, kjo është një filozofi e vjetër
por fatkeqësisht e harruar prej kohësh.
Të fluturosh deri në fundin e zemrës
tënde,
Do të thotë të mos kesh frikë
nga dashuria, dhimbjet dhe brenga e pafund,
Të mos kesh frikë nga jeta,
Qoftë dhe sikur të të të duhet
të urrehesh me vetë vdekjen.
Të fluturosh deri në fundin e zemrës
tënde,
Do të thotë të kesh krahë të
plumbta dhe sy të qelqtë,
Dhe gjak gjithmonë të nxehtë në
damarë.
Do të thotë gjithashtu,
Të ecësh i vendosur në rrugën
midis zjarrit dhe akullit,
Pa lënë asnjë shteg të fshehtë
që të mund të tërhiqesh kurrë.
Në të kundërtën, zemra, si një
gotë kristali,
Në një çast që nuk duhet, do
të thyhet,
Dhe ti kurrë nuk do të mundësh,
Të mbledhësh copat e saj të humbura
nëpër terr.
Të fluturosh deri në fundin e zemrës
tënde,
Do të thotë të dish të qëndrosh
si një pemë në furtunë,
Dhe kur rrënjët të janë tharë
prej kohësh nga dhimbja.
MË NDIHMO TË ËNDËRROJ
Më ndihmo të lutem, më ndihmo të
ëndërroj,
Që gjithë këtë hapësirë
komode nga shpirti ta largoj.
Të pushtoj gjithë hapësirën e
detit dhe të qiellit,
Dhe gjithshka të kaltër ta mbledh në
sytë e mi,
Dhe ndër to me një varkë të bardhë,
Si në një det të qetë, të
lundrosh ti lumturi.
Deti le të prehet për një çast
në breg,
Dhe qielli sytë e kaltër le t'i mbyllë
njëherë.
Më ndihmo të lutem të bëhem më
e mirë,
Të varros gjithçka që e vdes njeriun
në shpirt,
Dhe të dashuroj gjithçka që atë
e rilind.
Ashtu siç fle fëmija, mbështjellë
me ëndërr të bardhë,
Ashtu le të flë dhe trishtimi i kësaj
bote brengëshumë,
Strehëve të kaltra të horizonteve të
ëndrrave,
Le të prehemi për një çast lumturi,
ti dhe unë.
VETËM
Natë...
Dhe drita e fundit u shua atje larg.
Një këngë e harruar zogu u shkërrmoq
ngadalë dhe fare pa zhurmë,
Si një kështjellë e vogël rëre,
e harruar në bregun e detit.
Dhe unë sonte fare e vetmuar...
Ditët dhe netët kalojnë fare qetësisht
Dhe kur ne nuk i jetojmë.
Por ne rrallherë arrijmë të kuptojmë,
Se është jeta jonë, kjo që vjen
dhe ikën kaq pabesisht.
Vjen...dhe ikën...
Pabesisht,
Ashtu si uji i zi i detit në ditët e ftohta
pa hënë,
Që fundos ngadalë anijen e vjetër dhe
të lodhur nga dallgët e jetës,
Në fundin e tij të palëvizshëm
dhe të qetë.
Por tani unë jam tepër e lodhur, nuk mundem
më,
Shpeshherë dëgjoj nëpër terr hapa
që nuk e di se nga vijnë dhe ku shkojnë.
Trasparencë e tmerrshme e territ.
Unë e di se ato hapa që jehonizohen pafundësisht
çdo natë,
Ma afrojnë vdekjen vazhdimisht,
Dhe unë nuk kam asnjë dorë të
ngrohtë pranë,
Që ta shtrëngoj me timen për të
mos patur frikë.
Sonte dallgët e lodhura shtrihen pafundësisht
në plazhin e gjatë,
Dhe ti nuk je pranë meje.
Diku atje larg,
Një njeri i panjohur,
Luan një melodi të ëmbël dhe të
trishtuar me heshtjen e natës,
Si me një firzamonikë të vjetër
dhe të munduar.
Oh mjaft më ti mik i panjohur dhe i largët,
Unë i di fjalët që ke dashur të
më thuash me këtë muzikë plot
pikëllim,
Por tani është gjithshka e kotë.
Është më mirë që njeriu ta
heqë në vetmi, vuajtjen e tij.
NETËVE TË ÇMENDURA TË VERËS
Sa herë në netët e çmëndura
të verës,
Kemi ëndërruar për gjëra që
kurrë nuk do t'i arrijmë.
Sa herë në netët e çmëndura
të verës, kemi ecur nëpër rrugë
të magjishme,
Që treteshin me shkumë pas hapave tanë,
Sa herë kemi shëtitur lakuriq nën
shiun xixëllues të yjeve,
Netët e çmëndura të verës.
Të kujtohet kur flinim bashkë ato netë
të mrekullueshme?
Puthjet e nxehta që ngjanin si petale mbi trupat
tanë,
Gishtërinjtë e lodhur nga eksaza, që
diçka kërkonin nën gjunjët e
dashurisë,
Mushkëritë e mbushura plot me ajrin e kristaltë
të përjetësisë së panjohur,
Dhe troku i lodhur i yjeve, që ndihej diku larg
nëpër natë,
Gjithmonë dhe më i ngadalshëm, më
i ngadalshëm më i ngadalshëm...
Ah ato netë,
Kemi prekur gjëra të magjishme dhe tabu,
Nën dritën e argjendtë të hënës,
Jemi shtrirë në bregun e detit,
Dhe e kemi lënë atë të na përqafojë
me dallgët e ebanozta,
Që të mundnim të kuptonim misterin
e pfund të vdekjes.
Sa të frikshme,
Por dhe sa të ngrohta, të magjishme,
Transparente dhe shkëndijore ato përqafime,
Të ndiesh se brënda trupit tënd,
Fshihet një shpirt i heshtur por i gjallë,
Që merr frymë me shpejtësi dhe padurim
nga ankthi i të panjohurës,
Të ndiesh se brënda zemrës tënde
fle një zemër tjetër,
Akoma më e madhe dhe mrekullisht e bukur,
Që rreh vetëm në çastet e mistershme
të dashurisë dhe të ringjalljes,
Të ndiesh se jeta nuk ka vetëm formën
tënde,
Ajo ka formën e heshtjes, yllit,
Ose të fijeve të barit, që mund të
jesh dhe ti nesër,
Dhe sido që të ndodhë, ti do të
jesh i pavdekshëm.
Të mundesh të kuptosh të gjitha këto
dhe të buzëqeshësh,
E pastaj të shtrihesh e të flesh me çiltërsinë
e një fëmije,
Duke u bërë gjithmonë dhe më i
pastër, më i thjeshtë e hënor,
Si një flutur e madhe e kristaltë.
Ah, ato netë të çmëndura të
verës.
NËN SHI
Një natë kam qënë e trishtuar,
E fshehur në një pus të errët.
Atë natë ti nuk ishe me mua.
Të prita.
Gjithnjë dhe më e dendur rrjeta e trishtimit
në sytë e mi,
Gjithnjë dhe më të kuqe gjethet që
binin.
Të prita.
Nuk erdhe.
Shiu binte e binte papushim,
Thoje se qindra xhuxhmaxhuxhë të vegjël
suitjanë,
Nga qielli i ftohtë,
Derdhnin kovat e tyre mbi fytyrën time të
ngrirë.
Pastaj lëkura e pemëve u bë e bardhë,
Pastaj dhe bari,
Pastaj dhe frymëmarrja ime u bë e bardhë,
e bardhë,
Sikur të isha në një natë të
mallkuar fantazmash gotike,
Ardhur nga ëndrrat e frikshme.
Ora kaloi,
Ti nuk erdhe.
Xhuxhmaxhuxhët ikën të trembur,
Zogjtë u futën në foletë e tyre
dhe ranë të flenë pranë e pranë.
Në ikje, shiu binte mbi supet e mia, i rëndë,
i rëndë...
KUR EMËR DHE MBIEMËR KE EMIGRANT
Vallë në ç'shteg jete mbeti shoqëria
jonë,
Ku perëndoi shikimi i syve miqësorë,
plot çiltërsi,
U shpërndamë si dallandyshet në shtegëtime,
Por a do të mblidhemi më dot një ditë,
se di.
Ishte vetëm një çast, një çast
plot lot malli,
Që i copëtoi eshtrat e hirta të harresës,
Kur mijëra kujtime më zgjuan këto nota,
me trishtim arratie,
Që koha i gëlltiti, i bëri veç
ëndrra rinie.
Dhe notat arratiseshin plot ankth nga pentagramet,
E pasqyroheshin në ndërtesat që në
bark të globit vareshin të ftohta,
Sillnin tek unë pëllumba të brishtë
kujtimesh,
Sillnin plot ankthe dhe trishtime të ngrohta.
E çdo notë pikonte dhimbje në shpirtin
tim,
Se ju se dini o njerëz, ajo ishte muzika jonë,
E dëgjonim të përzier me shushërimën
magjepëse të detit,
Ishte emblema e brishtë e shoqërisë
sonë.
Por koha ka hapur gojën e madhe e të pamëshirëshme,
Dhe po i gëlltit kujtimet tona, po i bën
pluhur ëndërrimi,
Po i mëson alfabetin e harresës, gjuhën
e vdekjes.
O trishtim i përjetshëm i pendimit,
Më ndihmo të nge prapë urën e
besimit.
PRITJA
Më ka marrë malli për ty,
Më ka marrë malli për fjalën tënde,
heshtjen tënde,
Dhe ëndrra ime ka veç fytyrën tënde,
Dhe flokët e mi kërkojnë gishtërinjtë
e tu,
Gishtërinjtë e dridhshëm të dashurisë,
Dhe drita e syrit, të kërkon veç
ty,
Nga druri i kujtimit çelën gjethe ëndrrash,
Ëndrrash dashurie me ngjyrë të kaltër
për ne të dy.
Nga pritja e gjatë u lotuan sytë e dashurisë,
Dhe ëndrrat, kujtimet, nisën të thinjen
nga pritja e gjatë,
Kaltërsi e ndjenjave u zbeh duke të pritur
ty,
Dhe stoli ynë i trishtuar mbeti pa ne të
dy.
Në kodrën e dhimbjes
(Eneas)
Ashtu si Migjeni dhe unë po them në këtë
natë të errët: "Ah sikur të
kisha një grusht të fuqishëm, t'i bije
mu në zemër këtij mali që s'bëzan".
Dhe unë do të doja të kisha një
grusht të fuqishëm, por nuk e di se kë
do të qëlloja me të. Ndoshta fatin,
ndoshta këtë mal dhimbjeje që zbardh
para meje. Unë endesha përmes bardhësisë
së mermertë të varreve, e vetme, e
tmerruar, përmes heshtjes ngjethëse e të
mistershme. Vështroja emrat, datat ndërsa
fytyrat e tyre çuditërisht të qeshura
nga fotografitë më flisnin, më flisnin...
Kaq e kaq jetë të groposura, kaq e kaq
mendime, ëndërra, dhimbje. Këtu vdekja
paraqitej me fytyrën e saj të vërtetë,
të ftohtë dhe mizore. Më dukej se në
në çast, të gjithë rrasat e
bardha do të lëviznin, dhe të gjithë
Konstandinët do të ngriheshin nga varri.
Të gjithë kishin lënë diçka
të paplotësuar në jetë, të
gjithë e kishin dashur jetën, kishin thurur
ëndrra për të, por tani i kishin marrë
me vete, e në netët pa hënë, ato
i ndriçonin për në botën e njerëzve.
E unë endesha nën këtë diell
përvëlues mbi supe, e me këtë
ftohtësi mermeri në shpirt. Diçka
kërkoja. Kërkoja një varr, një
grumbull ende të shkrifët dheu me një
emër sipër. Në duar shtrëngoja
lulet, ndërsa vështrimin e humbisja në
atë kodër të bardhë. Nga sytë
më rridhnin rrëke dhimbjesh dhe tek endesha
nën këtë labirinth, dhe vetë qënia
ime ishte bërë dhimbje.
Një çast u lodha, u tmerova. Duke u rrotulluar
rreth vetes shikoja vetëm varre të bardhë
dhe ëndrra të kaltra që vozitnin mbi
to. Selvitë e larta shponin qiellin sikur donin
t'i shkaktonin dhe atij sadopak nga dhimbja që
mbante kjo kodër. Ndërsa ëndrrat e
kaltra mbi degët e pemëve shndërroheshin
në këngë të mrekullueshme por
pakëz të trishtuara për të qetësuar
shpirtërat e vrarë.
Po unë, unë ç'kërkoja në
këtë mbretëri të bardhë?
Deri sot e kërkoja në botën e të
gjallëve, në fytyrat e njerëzve që
për çudi më ngjasonin me fytyrën,
me buzëqeshjen e tij. Prisja që ai të
vinte. Unë e dija se ai ishte ende larg, por
shpejt do të vinte, do t'i binte fort ziles dhe.....
Por zilja nuk po binte. Ndaj dhe unë tani po
e kërkoj në këtë mbretëri
të ftohtë. Më thanë që është
këtu, por unë nuk po e gjej dot. Mos vallë
të më kenë gënjuer? Ah sikur.
Do të ishte e para gënjeshtër që
do të më pëlqente në jetë.
S'e ka kaq ditë që më ka pëlqyer
ta besoj. Por mua më ka marrë malli, ndaj
po e kërkoj me shpresën se nuk do ta gjej.
Doja ta thërrisja fort. Ai nuk e din se po e
kërkoj. Po ta dinte do të më thërriste:
"Geni jam këtu".
Këmbët më çuan në një
rrugicë dhe ja unë e pashë atë.
Oh, jo atë, por një pirg dheu. Por nuk mund
të gënjehesha se kryqi dhe kurorat mbanin
përsipër emrin e tij.
O Zot qënka e vërtetë. Nuk më
paskan gënjyer. Ai ishte aty nën atë
dhe të rëndë. Doja të bërtisja,
të ulërija, t'i thoja se duhej të dilte
se nuk kishte se ç'të bënte aty,
se më kishte marrë malli shumë shumë....
Në çast m'u duk se po çmëndesha.
Ah sikur... Të çmëndurit nuk e dinë
se ç'do të thotë të të
dhëmbë shpirti. Pas meje po ndieja disa
zhurma. Prita që dy duar të më mbyllnin
sytë dhe një zë i dashur të më
pyeste: "Kush jam?"
Por asnjë mrekulli nuk po ndodhte. Jo duhej
të ngrihesha, duhej ....
Vura lulet mbi dheun e tharë dhe putha atë
copë dërrasë me emrin e tij dhe sapo
ktheva shpinën nisa të vrapoja me sa mundja.
Prapa lija varre, varre, varre...
Tek porta e varrezave u ktheva dhe përfshiva
me një vështrim të gjithë kodrën
e skalitur në të bardhë. Në çast
do të doja që të gjithë ëndrrat
e tyre t'i mblidhja dhe t'i ktheja në një
këngë të mrekullueshme e t'ia këndoja
për t'i qetësuar shpirtërat e tyre
të plagosur, pse jo dhe shpirtin tim.