|
Elsa Lila-Këngëtarja shqiptare Elsa
Lila, do të këndojë në Festivalin
e Sanremos një këngë të Xhixhi
D'Alesio.
Këngëtarja shqiptare Elsa Lila e cila
u përzgjodh me pikët maksimale (80 pikë),
në spektaklin "Destinazione Sanremo",
për të marrë pjesë në
Festivalin e Sanremos, do të prezantohet
në këtë festival, cilësuar
si më tradicionali për këngën
italiane, me një kompozim të kantautorit
italian Xhixhi D'Alesio. Kantatutori i njohur
i cili këtë vit nuk ka preferuar të
këndojë në këtë festival
i cili do të organizohet në qytetin
e Luleve nga 3-5 mars, është shprehur
optimist për zërin dhe interpretimin
e këngëtares Elsa Lila, e cila sipas
tij , "ka një zë të mrekullueshëm
dhe që i përshtatet frymës së
Sanremos". Elsa Lila, e cila ishte e ftuara
speciale në Dhjetor të vitit të
kaluar në Tiranë në Festivalin
tradicional të këngës së lehtë
në Radio-Televizion, mbas një interpretimi
të shkëlqyer u shpreh për publikun
se, "ju premtoj se do t'ju përshëndes
përsëri me shumë dashuri nga skena
e teatrit Ariston në Sanremo".
"Fakti që unë jam shqiptare është
një fakt pozitiv dhe negativ", tha Elsa
Lila, në një intervistë dhënë
Televizionit Publik Shqiptar. "Pozitiv se
kjo ngjall kuriozitet tek publiku italian dhe
negativ për vetë imazhin e shqiptarëve
sot". "Por Shqipëria përfaqëson
për mua identitetin tim, kujtimet dhe mbresat
më të bukura", tha Lila, 21 vjeç,
e cila e nisi karrierën e saj në muzikë
që kur ishte fëmijë, ndërsa
u bë 'pronare' e çmimit të parë
të Festivaleve në Radio Televizionin
shqiptar për dy vjet rresht. Ishte viti 1996,
kur ajo fitoi çmimin e parë me këngën
"Pyes lotin" me muzikë të
Valentin Veizit, ndërsa në Dhjetor të
vitit 1997-të ajo preku zemrat e shumë
artëdashësve me këngën e saj
"Larg urrejtjes" shkruar nga Alqi Boshnjaku
dhe muzikë të Valentin Veizit, ku u
nderua sërish me çmim të parë.
Në vitin 1998-të ajo fitoi vendin e
dytë në "Discovery '98-të
festival" në Varna, ndërsa nderohet
me çmim të dytë në konkursin
"Voice of Asia".
Me pjesëmarrjen e saj në "Fidof
for Peace and Friendship International Festival"
që mbahet në Los Anxhelos në Kaliforni,
emri i saj u radhit midis finalistëve. Në
vitin 1999-të, nga një sondazh i Televizionit
Shqiptar, ajo "ishte këngëtarja
shqiptare e shekullit, ndërsa mori pjesë
në çmimin "Skanderbeg" në
Zvicër, ku shfaqet pranë këngëtares
Ana Oxa me ftesë të Bexhet Pacollit.
Në vitin 2001, Presidenti i Republikës,
Rexhep Meidani i dha Elsa Lilës, titullin,
"Ambasadore e Muzikës Shqiptare në
botë". Aktualisht këngëtarja
shqiptare Elsa Lila me nështetësi italiane
vazhdon studimet në Romë për arkitekturë.
Momente kujtese ...
Vajza shqiptare ka përsëritur suksesin
e dikurshëm të Celin Dion. Ka marrë
pikët maksimale në konkurs dhe është
duke punuar për këngën me të
cilën do të konkurrojë në
Sanremo. Kompozitori i këngës do të
jetë italian, dhe menjëherë pas
festivalit do të hedhë në treg
albumin e saj të parë muzikor.
Është e para shqiptare që do të
prekë skenën gjigante Ariston
të Festivalit të Sanremos. Elsa Lila
pritet të shkelë tapetin e kuq të
Sanremos, në gjurmët e emrave më
të mëdhenj të muzikës italiane
dhe asaj botërore. Ajo ka nisur të hedhë
hapat e parë duke u konsideruar si një
nga këngëtaret më të pëlqyera
në Itali, edhe pse nuk është italiane.
Mbrëmja e datës 29 nëntor
do të jetë nata finale që do të
vendosë gjithçka. Pasi të shikojmë
rezultatet e kësaj nate, do të punoj
me impenjim për këngën me të
cilën do të prezantohem në Festivalin
e Sanremos,-rrëfen, Elsa Lila, shqiptarja
që ka magjepsur me zërin e saj italianët.
Ajo ka kënduar në netet maratonë
të parafestivalit Destinazione Sanremo,
perla të muzikës botërore, duke
sfiduar emra të mëdhenj të muzikës.
Ka kënduar dy këngë, një në
gjuhën italiane titulluar La porta
del silenzio, që ka mundësi të
jetë edhe titulli i albumit të saj të
ri, si dhe suksesin e Celin Dion The power
of love. Italianët nuk kanë rreshtur
së duartrokituri. Vajza me zërin kristal,
ka ndryshuar totalisht imazhin e shqiptarëve.
Gjithçka është fashitur që
natën e parë të konkursit kur Lila,
është prezantuar në festival me
këngën e saj të parë në
gjuhën italiane dhe spikerët e kanë
anonçuar atë si një këngëtare
që ka ardhur nga përtej detit. Brenda
pak minutash, Elsa ka marrë duartrokitjet
e para nga publiku italian dhe përgëzime
nga konkurrentët e saj moshatarë. Në
edicionet përzgjedhëse ajo ka fituar
pikët maksimale dhe është renditur
e treta mes këngëtarëve që
do të shkojnë në finale. Profecia
për pjesëmarrjen e Elsës në
Sanremo është ndier që vitin e
kaluar. Një prej shqiptarëve më
të njohur në Zvicër dhe Itali,
Bexhet Paçolli, ka premtuar se në
edicionin e 53-të Elsa Lila do të marrë
pjesë në festivalin e Sanremos. Dhe
profecia është plotësuar. Nuk
kam vendosur ende se cila do të jetë
kënga më të cilën do të
prezantohem. Por jemi ende duke punuar. Jemi duke
mbledhur materiale dhe këngë, të
cilat më pas do të përzgjidhen
dhe do të vendoset se cila do të jetë
më idealja për tu prezantuar në
festival. Jam duke punuar me shtëpinë
time diskografike B.G.M.,-rrëfen Elsa.
Pa dashur ta lërë mister kompozitorin
e këngës me të cilin po punon për
Sanremon, Lila thotë se ai është
italian, por gjithçka do të vendoset
pas kualifikimit të natës finale tek
Destinazione Sanremo më 29 nëntor.
Pas Sanremos, me një album
Këngëtarja 21-vjeçare ndërkohë
jeton në Itali me familjen e saj dhe rrëfen
për revistën se menjëherë
pas festivalit të Sanremos do të prezantojë
albumin e saj të ri i cili do ta identifikojë
atë më shumë në rrethet italiane
të muzikës dhe artit. Ajo shprehet se
puna për albumin e saj të ri do të
fillojë që në momentin që
ajo do të marrë vesh rezultatin e parafestivalit
Destinazione Sanremo. Ai titullohet
La porta del silenzio dhe shtëpia
e daj diskografike është duke punuar
për të, por siç thotë edhe
Elsa, dorën e fundit do tia japë
pas evenimentit muzikor. Që kur Elsa Lila
është zbuluar si një talent në
muzikën shqiptare nuk ka punuar për
një album. Mësohet se albumi i saj i
ri pritet të ketë këngë të
kënduara nga ajo në edicionet e festivaleve
kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkohë
që mbeten ende surprizë, këngët
e reja të cilat do të zënë
vend në albumin e ri të vajzës
shqiptare. Në lidhje me vlerësimin që
i është bërë asaj në
procesin e përzgjedhjes, këngëtarja
shprehet se i janë dhënë pikët
që meritonte nga juria. Nuk jam ndier
aspak e veçuar nga konkurrentët e
tjerë, përkundrazi unë kam qenë
pjesë e grupit të të rinjve që
kanë kënduar në këtë
spektakël dhe nuk kanë vënë
re asnjë lloj paragjykimi që unë
isha një shqiptare që konkurroja për
në Sanremo,-thotë Lila. Ndërsa
në lidhje me jetën e saj të re
në Itali, ajo shprehet se është
duke studiuar në universitet. Gjatë
kohës kur ajo ka studiuar në shkollën
e mesme në Itali, është vlerësuar
me disa çmime që janë ndarë
në shkollë për nxënësit
e talentuar. Kam një javë të
zënë me provime dhe më duhet të
mendoj edhe për festivalin. Por besoj që
në fund të javës do të arrij
të përfundoj provimet dhe të impenjohem
totalisht për natën finale të Destinazione
Sanremo. Kjo është ngjarja më
e rëndësishme e jetës sime, prandaj
duhet shumë punë,-tregon këngëtarja.
Prej tre vjetësh ajo ka fituar shtetësinë
italiane dhe jeton aty me familjen e saj. Në
lidhje me shtetësinë që ajo ka
fituar, rrëfen se dokumenti që e prezanton
atë si italiane është vetëm
një copë letër dhe nuk do të
mund ta ndryshojë atë nga të qenit
shqiptare. Unë do të mbetem e
tillë, sepse kam lindur dhe jam rritur në
Shqipëri dhe ajo që më bën
të jem akoma më shqiptare është
sepse unë jam në vetvete e tillë,-tregon
ambasadorja e muzikës shqiptarë në
botë. Ajo rrëfen se mes miqve të
saj prezantohet gjithmonë si shqiptare, madje
edhe në rastet kur paraqitet në publikun
italian. Këngëtarja rrëfen se gara
për të shkuar në Sanremo është
e fortë. Drejt natës finale këngëtarja
shqiptare do të konkurrojë me Maria
Pia një vajzë italiane e konsideruar
gjithashtu e talentuar nga media italiane. Maria
Pia, është një nga fitueset e spektaklit
Saranno Famosi, që është
transmetuar nga Kanali 5 në Itali dhe është
prezantuar nga Maria de Filipi. Nga sondazhet
e zhvilluara për momentin në Itali,
është vënë re se dy debutueset
e reja Lila-Pia mbeten rivalet kryesore. Në
një sondazh që është bërë
në lidhje me lookun më të mirë
të debutuesve në Destinazione
Sanremo, Elsa Lila dhe Maria Pia kanë
fituar përqindjet më të larta.
Ndërsa në një sondazh tjetër
popullor që ka zhvilluar rrjeti televiziv
Italian RAIDUE, për debutuesit më të
mirë Lila dhe Pia mbajnë vendet e para.
Zbulimi, Elsa Lila
Këngëtarja me zërin kristal, ka
bashkëpunuar ngushtë me kompozitorin
Valentin Veizi, me të cilin kanë fituar
disa çmime. Puna ka nisur si fillim në
kishën protestane Rilindja në
kryeqytet. Elsa dhe Valentini kanë qenë
të dy besimtarë në këtë
kishë. Veizi merrej me kompozimet e këngëve
të adhurimit në kishë, ndërsa
Lila ka kënduar në disa raste në
grupin e adhurimit. Besimtarët e kishës
tregojnë se në disa raste Elsa ka qenë
e para që ka kënduar kompozimet e Valentinit.
Në lidhje me kompozitorin me të cilin
ajo fitoi dy çmime në festivalin kombëtar
të muzikës, Elsa Lila shprehet se nuk
ka asnjë kontakt për momentin me Valentin
Veizin, por ka dëgjuar nga miqtë e saj
se ai ndodhet në Amerikë me familjen
e tij. Nëse do të mendoj për
një rikthim të afërt në Shqipëri
atëherë do të kërkoj për
të bashkëpunuar edhe me kompozitorë
të tjerë, pasi Shqipëria ka mjaft
kompozitorë të tjerë të aftë.
Nuk është e thënë që
duhet të bashkëpunoj vetëm me Valentinin,-tregon
Elsa Lila. Ndërsa në lidhje me mospjesëmarrjen
e saj si konkurruese në festivalin e dhjetorit
ajo shprehet se ishte e impenjuar me Festivalin
e Sanremos dhe nuk kishte hapësirë që
të punonte edhe për një festival
tjetër. Por ajo premton se do të kthehet
në dhjetor në Shqipëri dhe do të
marrë pjesë në evenimentin më
të madh muzikor të vitit si e ftuar,
duke përshëndetur festivalin që
i hapi asaj rrugën e suksesit. Unë
nuk kam asnjë lloj kufizimi nga kontrata
që kam lidhur me shtëpinë time
diskografike, për të marrë pjesë
në festivale të ndryshme apo dhe për
të kënduar si e ftuar në aktivitete
të tjera muzikore,-përfundon Elsa
Lila.
Curriculum Vitae
Rrjedh nga një familje artistësh. Ka
lindur në Tiranë në vitin 1981
dhe tashmë ka fituar qytetarinë italiane.
Rritet mes provave në teatër, mes aktorësh,
balerinësh dhe muzikantësh. Që
këtu vihet re një pasion i fortë
për artin. Ndjek kursin e kantos dhe të
recitimit. Fillon të ngjisë një
nga një shkallët drejt suksesit. Që
në vitin 1995 fillon të marrë pjesë
në festivalet ballkanike për fëmijë,
eksperienca këto që e ndihmuan atë
të krijonte marrëdhënie të
forta me publikun. Është e aftë
të përballojë emisione direkt në
radio dhe televizione. Nga statistikat e medias
italiane Elsa ka marrë pjesë deri tani
në 80 emisione televizive dhe 300 radiofonike
të drejtpërdrejta. Në dhjetor të
vitit 96 fiton çmimin e parë në
Festivalin Kombëtar të Këngës
në Shqipëri si dhe çmimin e publikut.
Një vit më pas, përsëri në
festivalin e dhjetorit, ajo triumfon sërish
me këngën Larg Urrejtjes.
Në shkurt të vitit 98, është
fituese e festivalit ndërkombëtar në
Varna të Bullgarisë Discovery,
me këngën Lahutari, ku morrën
pjesë 14 shtete dhe Elsa përfaqësonte
Shqipërinë. Në gusht të po
këtij viti, fiton çmimin e dytë
në Festivalin Ndërkombëtar Voice
of Asia (Zëri i Azisë), ku morrën
pjesë 17 shtete. Në vitin 1999, nga
një sondazh popullor që është
mbajtur nga Televizioni Shqiptar, Elsa Lila, cilësohet
si këngëtarja shqiptare e shekullit.
Në shkurt të vitit 99 vajza e
talentuar shqiptare ftohet në Zvicër
nga Paçolli për të debutuar në
ceremoninë e çmimit Skanderbeg,
ku bashkëpunon me këngëtaren me
origjinë shqiptare Anna Oxa. Në vitin
2001, presidenti Rexhep Meidani, i jep Elsa Lilës
çmimin Ambasadore e Muzikës
Shqiptare në Botë. Me këngën
Mall merr pjesë në Festivalin
Ndërkombëtar FIDOF (Për
Paqen dhe Miqësinë) në Los Angeles
të Kalifornisë ku dhe bëhet anëtare
e këtij festivali. Menjëherë pasi
ka fituar në sërë çmimesh,
këngëtarja shkon në Itali ku ndoqi
studimet në një shkollë të
mesme, ku ka fituar çmimin e dytë
dhe çmimin e publikut në festivalin
kombëtar të talenteve të reja.
Dritare
Hap pas hapi me Destinazione Sanremo
Çfarë është Destinazione
Sanremo. Është parafestivali përzgjedhës
i të rinjve, i cili zhvillohet në Itali,
për të gjitha moshat e reja që
duan të konkurrojnë në kategorinë
e këngëtarëve të rinj të
muajin shkurt në festivalin e Sanremos. Përzgjedhja
e të rinjve është bërë
nga një juri e specializuar dhe për
herë të parë këtë vit
ajo është organizuar në formë
spektakli. Talentet e reja të muzikës
prezantohen me 300 debutime , prej të cilave
u zgjodhën 46. Pasi të kalojnë
procesin e përzgjedhjes së të rinjve
më të talentuar, fituesit hyjnë
kategorikisht në garën e madhe të
festivalit të Sanremos dhe kanë të
drejtë të konkurrojnë njëlloj
me pjesëmarrësit e tjerë më
të vjetër të këtij festivali.
Direkt nga teatri i famshëm Ariston
bëhet përzgjedhja e këngëtarëve
të rinj. Pritet që në edicionin
e 53 të Festivalit të Sanremos të
debutojnë edhe të rinjtë e talentuar
mes të cilëve është edhe këngëtarja
e shqiptare Elsa Lila. Ka qenë këngëtarja
me origjinë shqiptare Ana Oksa e para që
ka ka shkelur në tapetin e famshëm të
teatrit Ariston. Procesi fillestar
i përzgjedhjes po bëhet nën kujdesin
e rreptë të Akademisë të Sanremos
në formë spektakli duke u prezantuar
nëpërmjet kanalit televiziv shtetëror
RAIDUE. Nga vlerësimet e deritanishme, pritet
që në muajin shkurt të shkelë
për herë të parë në historinë
e Festivalit të Sanremos edhe një shqiptare.
Deri tani këngëtarja shqiptare ka fituar
gjatë procesit të përzgjedhjes
pikët maksimale, duke u kualifikuar e para
për natën finale të Destinazione
Sanremo.
Mediat Italiane për Elsa Lilën
Elsa Lila është një vajzë
shqiptare 22 vjeçe me një zë
të paarritshëm. Është qytetare
italiane, shumë e famshme dhe e dashur në
vendin e saj të origjinës dhe tani po
tenton të depërtojë në vendin
që e adoptoi. Il Messagerio Përfundoi
nata finale e spektaklit Destinazione Sanremo,
me dy goditje, e para ishte eleminimi i Filipo
Gracianit, djali i të madhit Ivan, dhe e
dyta triumfi i Elsa Lilës që i befasoi
të gjithë. ANSA Publiku
italian e ka duartrokitur fuqishëm Elsa Lilën,
duke vërtetuar me zërin e saj të
fuqishëm se ajo i meriton vlerësimet
që i janë bërë atje si Ambasadore
e Muzikës në Botë
Edicioni i lajmeve të RAIDUE
Klasifikimi për natën finale
Elsa Lila 2135
Maria Pia & SuperZoo 2047
Patrizia Laquidara 2042
Verdiana 2038
Sondazhet italiane e vlerësojnë Elsa
Lilën
Artisti me lookun më të mirë :
Zurawski 24%
Maria Pia 23 %
Elsa Lila 14 %
Artisti më simpatik :
Maria Pia 22 %
Fortunato Zampaglione 11 %
Elsa Lila 10 %
|