[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Muzikë


Eli Fara:-Amerika s'është fushë me lule
Gruas me një berretë në kokë, me flokë të zinj e të gjatë, sy të ëmbël që shprehin çiltërsinë e një artisteje nuk i duhet të hedhë asnjë vështrim joshës për të tërhequr vëmendjen e njerëzve të ulur në një nga kafet e kryeqytetit. Madje nuk ndihet e bezdisur as nga pëshpërimat e njerëzve aty e as edhe nga vështrimet e tyre. Të duket se kësaj gruaje të bukur i mungojnë të gjitha këto.

E çuditshme kjo por mund të bindesh se është e vërtetë që këngëtares së bukur korçare prej muajsh i mungojnë pëshpërimat pas krahëve: “ej! Eli Fara!. Atje në Amerikën e largët tërheq vështrimin e ndonjë kalimtari por jo se është Eli Fara. Këtë emër ia ofron vetëm Shqipëria. Ndodhet në Tiranë për pak ditë, ashtu sa për t’u çmallur me miqtë e saj e për t’u kujdesur që të shfaqet tek adhuruesit e saj së shpejti me një album të ri. E ndërsa këtu vjen për të shkundur pluhurin e harresës, që për një artist është më shumë se sa vdekja, Eli thotë se Amerika nuk është një fushë me lule. Madje atje, kjo këngëtare e njohur dhe e bukur në tokën e saj, është një kalimtare e rastësishme në metropolin newyorkez. E ndoshta për këtë, (një artist kurrësesi nuk mund të jetë i rastësishëm) Eli vjen herë pas herë në Tiranë për t’u shfaqur sa herë që e thërrasin nëpër spektaklet e skenës shqiptare. E në një ndër këto ardhjet e herëpashershme mundëm dhe ne të shkëpusim ca të vërteta të jetës së saj në Amerikën e largët.

Keni ardhur në Tiranë vetëm për të takuar miqtë?
Edhe për të takuar miqtë por edhe për të parë se si do të shkojnë punët me albumin që së shpejti do të hedh në treg. Gjatë muajit kam punuar gjatë për këtë album dhe shpresoj që këto ditë adhuruesit e muzikës sime do ta kenë në duar. Në këtë album padyshim që përfshihen këngët e vendlindjes time dhe për këtë kam bashkëpunuar me Edmond Zhulalin, Shpëtim Saraçin dhe me Jorgo Papingjin. Shpresoj që të kemi realizuar diçka të bukur.

Përse u larguat nga Shqipëria?
Në janar të këtij viti unë jam vendosur në New York, menjëherë pas spektaklit të Vera Grabockës. Jetoj atje me vajzën time, por dua të them se arsyeja kryesore e largimit tim nga Shqipëria është për hir të vajzës e cila studion atje.

A patët vështirësi në nxjerrjen e dokumenteve?
Jo për fat të mirë. Them kështu sepse është fat të bësh dokumentet në Amerikë Ata kanë një status të veçantë për artistët dhe dokumentet për mua, si duket, ishin në përputhje me këtë status gjë që siguruan qëndrimin tim në Amerikë.

Po muzika?
Atje organizojmë shumë koncerte dhe kemi aktivitet sepse shumica e artistëve janë larguar nga Shqipëria dhe ndodhen në Amerikë. Duke filluar që nga Merita Halili, Gëzim Nika, Anita Bitri, Morena Reka. Dhe këngëtarja më e arritura në Shqipëri, Aurela Gace ndodhet atje. Në një farë mënyre mua më vjen pak keq që zërat më të mirë të skenës shqiptare janë detyruar të largohen duke i munguar jo vetëm publikut por edhe që kanë krijuar boshllëqe në muzikën shqiptare.

Takoheni shpesh me njëri-tjetrin?
Takohemi posi. Ndërmjet nesh ekziston një bashkëpunim i mirë dhe marrim pjesë në të gjitha koncertet dhe mbrëmjet që organizon komuniteti shqiptar. Po më së shumti kam marrëdhënie me Aurelën që është ndër miket e mija. Kjo për faktin se shtëpia e saj është shumë afër meje. Po ashtu jo rrallë këndojmë bashkë në të njëjtin restorant.

Nga eksperenca juaj që këndoni për një auditor të huaj, cili është reagimi i tyre për muzikën shqiptare?
Sigurisht që muzika e huaj është e preferuar për ta por unë mendoj se kënga jonë është e mrekullueshme aq sa edhe ne vetë këngëtarëve na bën shumë përshtypje. Muzika jonë është e larmishme, specifike nga qyteti në qytet. Pra, ky vend që është kaq i vogël ka një larmi muzikore të çuditshme që nuk e kanë shumë vende. Dhe tek të huajt krijon efekt të cilët nuk e anashkalojnë pa i kushtuar vëmendje.

Në Amerikë a është e vështirë jetesa për një artiste shqiptare?
Është e vështirë sepse nuk mund të gjesh në Amerikë aktivitetin që mund të kesh në Shqipëri. Sepse atje nuk ka institucione, nuk ka televizione, të mungon adhurimi i publikut tënd, gjëra këto që nuk duhet t’i mungojnë një artisti. Mirëpo ne mundohemi të përshtatemi me kushtet e një metropoli të vërtetë siç është New Yorku.

Ju përmendët një sërë artistësh që jetojnë në Amerikën e largët, përse ky eksod?
Jo vetëm për mua por them se për të gjithë artistët që ndodhen atje, mendoj se janë arsyet financiare shkaku i largimit nga Shqipëria. Mendoj se arsyet që i kanë larguar artistët por edhe çdo shtetas të kësaj toke është mbijetesa.

Nëse këtu do të kishit një vlerësim, a do të zgjidhnit një shtet tjetër, apo Amerikën për të kënduar?
Jo, jo. Patjetër që do të isha këtu. Unë dhe gjithë të tjerët që kanë shkuar atje.

Si ndiheni kur këndoni atje, a jeni si para publikut në Shqipëri apo ka shumë ndryshim?
Patjetër që ka ndryshim. Është krejtësisht ndryshe. Në Amerikë nuk ndihesh dhe nuk përfton emocione të tilla siç i merr përballë publikut në Shqipëri apo edhe në Kosovë. Atje është se mbetesh në vend, të themi tek lokalet që këndon. Ndërsa këtu ke kontakt me televizionin, me radion, mund të bësh një incizim të ri. Një album tjetër, merr pjesë në një spektakël, gjëra të cilat atje nuk i realizon dot. Fatkeqësia është se mbetesh në vend në qoftë se se nuk vjen këtu ta bësh një gjë të tillë. Për këtë vij shpesh në Tiranë për t’u shfaqur përballë publikut tim.

Përse thoni që në Amerikë është vështirë të bëhesh i njohur?
Nuk them se artistëve shqiptarë iu mungon talenti por që të bëhesh i njohur në një metropol të tillë duhet të kesh fat, duhet të të jepet rasti. Rasti ose një shans për t’u shfaqur por për artistët shqiptarë është një fatkeqësi që nuk krijohet ky rast. Ne nuk kemi një menaxher, domethënë unë di të këndoj këngën, por nuk di të bëj menaxhimin.. Kjo ne na mungon këtu në Shqipëri dhe mendo sa e vështirë është në një botë të huaj sa mundësi do të kesh për të realizuar shumë gjëra.

Ju thatë se vini nga Zvicra. A mund të na thoni se cila ishte arsyeja që ndaluat atje?
Ishte një surprizë edhe për mua ftesa e bërë nga Bexhet Pacolli, i cili organizonte një ceremoni për Krishtlindjet. Aty ndodheshin shumë artistë ku patëm rastin të diskutonim dhe projektet tona në të ardhmen që shpresoj se do të realizohen. Njëri prej tyre që i përket vitit të ardhshëm është realizimi i një CD me këngët më të njohura shqiptare në gjuhe të huaja. Mendoj se në qoftë se shqiptarët flasin gjithmonë për të bërë Shqipërinë një vend të njohur, të bukur, duhet t’i kthejnë sytë edhe nga arti,

Përveç këngës si e kaloni pjesën tjetër të kohës në Amerikë?
Amerika është e madhe, të ofron shumë mundësira dhe mund të përfitosh prej tyre. Por them se nuk jam aq e zonja për të përfituar. Domethënë që një pjesë të mirë të ditës e kaloj në shtëpi. Më pëlqen të gatuaj dhe këtë e bëj mirë.

Jetoni vetëm me vajzën?
Po. Vetëm me të, dhe kjo gjë më pëlqen.

Jeni e bukur, dhe vetëm?
Po.

Momenti juaj më i vështirë?
Momenti im më i vështirë nuk di kë të zgjedh. Kam patur shumë momente të vështira por do të them se unë nuk jam një person që e kthej kokën pas tek e kaluara.Jetoj me të ardhmen

Urreni?
Unë nuk di se çfarë është urrejtja. Nuk kam forcë të urrej.


 

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]