| INVA MULA ÇDO
VIT NË BUTRINT KËNDON PËR TË
MAGJEPSUR SHQIPTARËT

Pas dy vjetësh ajo rikthehet sërish
në teatrin antik të Butrintit ku dha
një koncert madhështor me datën
5 korrik të titulluar “Inva live në
Butrint". Sopranoja e njohur shqiptare Inva
Mula ka ideuar një tjetër koncert të
saj në këtë vend. "Kam dëshirë
ta vazhdoj këtë koncert veror që
nisi si një aventurë e vogël dhe
u kthye në domosdoshmëri të planeve
të mia artistike" ka thënë
ajo.
Sopranoja e njohur këndoi live gjatë
gjithë koncertit. Ariet e përzgjedhura
për këtë koncert qenë 'ajka'
e veprave që pëlqehen nga publiku dhe
që i përshtaten një skene në
qiell të hapur. Koncerti u çel me
një uverturë festive të kompozuar
nga Nikolla Zoraqi.
Një nga të veçantat e koncertit
ishte dhe arieja e Avni Mulës “Agimet
shqiptare”. Këtë herë Mulën
e shoqëroi një kor prej 24 vetash i
përbërë nga artistë të
Akademisë së Arteve të Bukura dhe
liceut artistik “Jordan Misja”. Mula
ka sjellë në greqisht “luleborën”
e Shkodrës në koncertin e saj. Kënga
është interpretuar nga Inva Mula dhe
tenori i famshëm grek Mario Frangulis me
kompozim të Simon Gjonit. Ai ndërkohë
u ftua në këtë koncert të
interpretojë krijimtarinë muzikore të
Mitis Teodorakis, një emër i njohur
i muzikës klasike greke.
Megjithëse soprano shqiptare thotë
se ka qenë vetëm një eksperiencë
e mëparshme, që ka patur me këtë
këngëtar, edhe pse jehona e të
cilit nuk ka mbërritur ende në Shqipëri,
ai ka mundur të ketë emër internacional.
Dhe kjo është një nga arsyet që
ajo vendosi të bashkpunojë me këtë
këngëtar.
Në këtë koncert të dytë
të saj në Butrint, Mula u shoqërua
nga Orkestra Filarmonike e Teatrit të Operas
dhe Baletit dhe dirigjenti francez Zherom Pilmo.
Dirigjenti i njohur thotë se "Kënaqësia
dhe emocioni i artistit është të
shkojë një një teatër të
njohur dhe Butrinti është një nga
më të bukurit e botës, dëshirë
të cilën arrita ta realizoja nëpërmjet
këtij koncerti të madh të sopranos
shqiptare".
Në 27 Qershor Inva Mula dha një koncert
të madh në Zyrih (Zvicër), ndërsa
një ditë më vonë ajo u nis
drejt Tiranës, duke refuzuar gjithë
ofertat e tjera. "Për koncertin që
u zhvillua në Butrint kam lënë
dhe mjaft vende të tjera si Italinë
dhe Francën", - shprehet Mula duke shpjeguar
të gjitha shkaqet e anullimeve të këtyre
ofertave. "Gjithçka e bëra vetëm
se publikut të jugut të Shqipërisë
dhe atij të kryeqytetit i duhej një
koncert veror”. Sopranoja e njohur mendon
që të kthehet live vit pas viti në
Butrint duke krijuar një traditë të
re në teatrin e ndërtuar 3400 vjet para
Krishtit duke e “pushtuar” atë
me kryeveprat operistike botërore dhe shqiptare.
|