MJEKËSI |
MJEKËSI |
| |
|
| Për herë të parë, mjekët po përpiqen ta trajtojnë sëmundjen e parkinsonit me terapi gjenetike, një mënyrë e re eksperimentale. Terapia gjenetike nuk është përdorur ndonjëherë më parë për trajtimin e parkinsonit, një sëmundje që karakterizohet nga dridhje gjymtyrësh, bllokim muskujsh e vështirësi në të ecur. Sëmundja shkaktohet nga veprimtaria e tepruar në një zonë të vogël të trurit. Një grup mjekësh në New York zbatoi këto ditë një metodë të re kundër kësaj sëmundjeje. Mënyra e terapisë gjenetike që ata po ekserimentojnë nuk synon të kurojë sëmundjen e parkinsonit por vetëm ta trajtojë atë duke zbutur pasojat e saj. Procedura kryhet duke injektuar një virus në zonn e prekur të trurit. Virusi përzihet me qeliza gjenetike për arsyes se vetë qelizat nuk mund të hyjnë në tru veçse duke u përzier me virus. Mjekët zgjodhën një virus i quajtur AAV i cili është i padëmshëm për njeriun. Doktor Mathew During, profesor i mjekësisë molekulare në universitetin e Auklandit në Zelandën e Re bën pjesë në ekipin e mjkekëve që kryen eksperimentin. Ai shpjegon se terapia me gjene synon ta qetësojë veprimtarinë e tepruar në zonën e trurit prej së cilës shkaktohet parkinsoni. Ai thote se në rastin e sëmundjes së Parkinsonit, kjo pjesë e trurit punon me një shpejtësi të jashtëzakonëshme dhe jashtë çdo kontrolli. Synimi ynë është që duke injektuar gjenin kjo pjesë trurit të qetësohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparëshme. Nathan Klein është pacienti i parë që iu nënshtrua kësaj terapie. Ai është një njujorkez 55 vjeçar që vuan nga parkinsoni. Eksperimenti u krye më 19 gusht në një spital të New Yorkut ku mjekët së pari i injektuan atij virusin e përzier me gjen në pjesën e trurit të quajtur subthalamik nucleus ku shkaktohet sëmundja. Një ditë pas operacionit, zoti Klein, dukej i qetë megjithëse në simptoma nuk vinte re ndonjë ndryshim, krahu i djathë i tij vazhdonte të dridhej herë pas here, shenjë e sëmundjes së parkinsonit. Zoti Klein thotë se trajtimi me gjene është një përvojë e re për të. Ditën pas operacionit, mjekët u inkurajuan kur analizat e zotit Klein dolën mirë dhe nuk tregonin ndonjë dëmtim të trurit si rrjedhim i injektimit të gjenit. |
Por terapia gjenetike nuk është pa probleme. Vitin e kaluar një i ri në Pensilvania vdiq gjatë terapisë eksperimentale me gjen, ndërsa në Francë, mjekët e ndërprenë procesin kur disa fëmijë që po trajtoheshin me këtë lloj metode për kurimin e çrregullimive në sistemin imunitar, filluan të shfaqnin shenja të ngjashme me sëmundjene leukemisë. Trajtimi gjenetik i sëmundjes së Parkinsonit është eksperimentuar me qindra minj e majmunë në laborator. Disa ekspertë shqetësohen se ekserimentet tek majmunët nuk kanë të mjaftueshme për të provuar se kjo terapi do të jetë e suksesëshme tek njerëzit. Ata thonë se ekziston një rrezik i mundshëm që duke injektuar së bashku me gjenin edhe viruse, këto viruseve mund të përhapen në të gjithë trurin ose të krijojnë reaksione që mund të pengojnë qelizat e trurit në dërgimin e impulseve apo sinjaleve të tyre. |
