[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Intervista

Kastriot Haxhirexha:
Rregullimi federal i Maqedonisë – domosdoshmëri, realitet dhe ardhmëri e vendit
PDK brenda këtyre dy vjetve theu shumë tabu-tema.- Nga dita në ditë PDK jo vetëm që e gjen veten ne "skenën e re " politike ( e them në thojza sepse duket se shumëçka është e vjetër ), por nga dita në ditë krijohet hapësirë gjithnji e më e madhe për këtë parti dhe programin e saj. – PDK pati qëndrimin e saj kritik ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe atë marrëveshje e shihte si dokument të mirë për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur, por jo edhe si dokument me të cilin zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet politike shqiptare-maqedonase. Nga nënshkrimi i asaj Marrëveshjeje ka kaluar më se një vit e gjysëm, është vlerësim i përgjithshëm se implementimi i saj po shkon me një intenzitet shum të ngadaltë, për çka vërejtje kanë edhe faktorët ndërkombët.- Për punën e Qeverisë: Mendoj se është obligim i çdo partie në pushtet që të merret me avancimin sa më të shpejtë të proceseve, në rastin konkret, me implementimin e gjithë atyre pak ligjeve favorizuese për të cilat kanë aq shumë nevojë qytetarët shqiptar dhe që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe jo mbyllja në vetvete dhe sjellja inferiore ndaj partnerit strategjik, sjellje me të cilën janë ngopur qytetarët shqiptar.- Sado e vështirë dhe sado e mundimshme që duket rruga të cilën po e ndjek PDK, kjo megjithatë është rrugë e ardhmerisë dhe domosdo që do të kurorëzohet me fitore,- thotë kryetari i PDK-së, Kastriot Haxhirexha në intervistën ekskluzive në LOBi me rastin e dyvjetorit të themelimit të Partisë Demokratike Kombëtare




Bedri SADIKU


LOBI: Dr. Kastriot, në emër të lexuesve të LOBI-it, ju përgëzojmë për dyvjetorin e themelimit të Partisë Demokratike Kombëtare. Dalja e kësaj partie të re në kohën e vlimeve, të krizës dhe të luftës në Maqedoni, duke patur parasyshë kuadrot dhe angazhimet tuaja atëherë, premtonte në nxitjen e procesit. Megjithatë, sikur nuk doli kështu? Cilat mendoni se janë sukseset e punës dhe të veprimtarisë së PDK-së këto dy vjet që shkuan?
HAXHIREXHA: Edhe unë shfrytëzoj rastin që të përshëndes të gjithë lexuesit e revistës suaj. PDK u themelua në vigjilie të kryengritjes së armatosur që zhvilloi populli ynë në Pranverën e vitit 2001, që erdhi si rezultat i sjelljes së papërgjegjshme të elitave politike ndaj problemeve të shumështresuara me të cilat përballeshin qytetarët tanë. Është fakt se kjo parti arriti të grumbullojë reth vetes shumë kuadro kompetente nga rrethe të ndryshme, sepse, me Programin dhe Platformen e saj ajo ofronte një qasje dhe formë të re të zgjidhjes së problemeve të akumuluara decenie me radhë. Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar shumë shpejt e pamë të arsyeshme të reduktojmë në maksimum aktivitetet partiake. Më vonë punët shkuan ashtu siç shkuan… Është vlerësim i përgjithshëm, dhe jo vetëm i PDK-së, se në zgjedhjet e kaluara shumë pak u votuan programet partiake apo struktura e listave zgjedhore. Kur t’i shtohen këtij momenti edhe parregullsitë e tjera të procesit zgjedhor, nga të cilat më së shumti u dëmtua PDK, del shumë e qartë situata e pavolitshme në të cilën u gjetëm pas zgjedhjeve parlamentare. Përkundër kësaj, mendoj se PDK në dy vitet e ekzistimt dhe veprimit të saj arriti suksese të lakmueshme, veçanërisht me debatimin e shumë temave, të cilat deri më atëherë ishin tabu.


LOBI: Një kohë më të gjatë , nga zgjedhjet e këndej, sikur pak jeni në skenë, sikur jeni "zhdukur" përkohësisht. Pse ndodhi kështu, për shkak të rezultateve të dobëta, apo se nuk po mund ta gjeni veten në skenën e re politike të Maqedonisë?
HAXHIREXHA: Ndonëse në pamje të parë fitohet kjo përshtypje, e vërteta është paksa më ndryshe. Edhe në këtë periudhë ne kemi qenë në kontakt me strukturat partiake, kemi pasur takime pune me kryesinë qëndrore si dhe kontakte me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë. Mendoj se PDK jo vetëm që e gjen veten ne "skenën e re" politike (e them në thonjza, sepse duket se shumëcka është e vjetër ), por nga dita në ditë krijohet hapësirë gjithnjë e më e madhe për këtë parti.


LOBI: PDK ishte kundër Marrëveshjes së Ohrit, por u deklaruat , në rastin e miratimit të saj, se nuk do ta pengoni atë. Cili është vlerësimi juaj për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe cili është vlerësimi për punën e Qeverisë, pas kalimit të më shumë se 100 ditëve të para të saj?
HAXHIREXHA: PDK pati qëndrimin e saj kritik ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe atë marrëveshje e shihte si dokument të mirë për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur, por jo edhe si dokument me të cilin zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet politike shqiptare-maqedonase. Tashmë, kur nga nënshkrimi i asaj Marrëveshjeje ka kaluar më shumë se një vit e gjysëm, është vlerësim i përgjithshëm se implementimi i saj po shkon me një intenzitet shumë të ulët, për çka vërejtje kanë dhënë edhe ndërkombëtarët.


Sa i takon punës së qeverisë për këto njëqind ditët e para dua të them se PDK, si parti opozitare, ka vërejtjet e saj dhe qëndrim kritik për shumë sjellje dhe veprime të Qeverisë. Mendoj se prijoritare për partitë në pushtet është të merren me sjelljen e atyre pak ligjeve favorizuese për të cilat kanë aq shumë nevojë qytetarët shqiptarë dhe që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Deri më tani shohim një mbyllje në vetëvete të pushtetarëve të BDI-së dhe sjellje inferiore ndaj partnerit, sjellje me të cilën janë ngopur qytetarët shqiptarë. Eshtë fakt se partia në pushtet nuk e mori mandatin vetëm për njëqind apo njëqind e njëzet ditët e para, por mos të harrojmë se ajo mes tjerash e mori edhe për ato ditë – ditë të cilat përcaktojnë strategjine dhe rrugën që do të ndjekë ajo në të ardhmen e që për momentin lë shumë për të dëshiruar.


LOBI: Po flitet se edhe në partinë tuaj nuk po shkojnë punët ashtu si duhet, pati dhe dorëheqje – nga Dega e Tetovës, për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhje, disa po thonë se edhe vetë ju do të tërhiqeni nga posti i kryetarit dhe se tërheqje nga postet kanë paralajëmruar edhe anëtarë të tjerë të Kryesisë. Çfarë ka të vërteta në gjithë këto pohime?
HAXHIREXHA: Fenomenet e dorëheqjes apo kalimit të funksionarëve partiakë nga njëra në partinë tjetër janë procese që karakterizojnë pothuajse gjithë partitë politike. Në rastin konkret dorëheqja e kryetarit të degës së PDK në Tetovë e motivuar nga rezultatet e dobëta në zgjedhjet e kaluara është e drejtë morale e tij dhe mendoj se aty nuk ka vend për spekulime. Sa i takon gjoja dorëheqjeve tjera nga radhët e Kryesisë Qëndrore të kësaj partie, mund të them se deri më tani pranë këtij organi nuk është deponuar asnjë kërkesë e tillë, përkundrazi në radhët e saj ekziston vullnet dhe gatishmëri që kjo parti të shkojë deri në kuvend apo kongres, ku natyrysht parashihet të ketë reformime dhe ristrukturime të saj.


LOBI: Pas gjithë asaj që ndodhi, edhe juve ju përfshinë në "listën e zezë" të Presidentit Bush. A ju bë nder me këtë juve dhe PDK-së, apo .... dhe a ka ndonjë të re në drejtim të heqjes nga ajo listë?
HAXHIREXHA: Qëndrimet e mia por edhe të PDK-së ndaj shumë proceseve me të cilat u përballëm ne si shqiptarë në dy vitet e fundit mendoj se kanë qenë nga arsyet kryesore të përfshirjes sime në atë listë. Nuk kam asnjë informatë në drejtim të diçkaje të re reth asaj liste.


LOBI: Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin e PDK-së me partitë simotra shqiptare në Maqedoni?
HAXHIREXHA: Ndonëse për momentin shumë i nevojshëm, fatkeqësisht, ai bashkëpunim pothuajse nuk ekziston. Nuk dua të pretendoj se ne si parti nuk kemi aspak faj për një situatë të tillë, por megjithatë për momentin PDK e ka tepër të vështirë të ndryshojë mentalitetin e trashëguar tek liderët dhe subjektet politike - mentalitetin e shndërrimit në kult dhe demonizimit të gjithë të tjerëve, sindrom ky veçanerisht i theksuar në periudhën kur partia është në pushtet. PDK do të mbetet edhe mëtutje parti e hapur dhe e gatshme për bashkepunim me partitë shqiptare, sa herë që kjo të jetë e nevojshme dhe në favor të qytetarevë tanë, konform përcaktimeve tona programore.


LOBI: A keni ndonjë mesazh për antarët dhe simpatizantët e PDK-së në këtë përvjetor të dytë të partisë tuaj?
HAXHIREXHA: Fillimisht dua të përgëzoj gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PDK për dyvjetorin e themelimit të partisë dhe, njëkohësisht, dua t’i inkurajoj se sado e vështirë, sado e mundimshme që duket rruga që ndjek PDK, megjithatë ajo është rrugë e ardhmerisë dhe domosdo që do të kurorëzohet me fitore.


---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Barazia e plotë mes qytetarëve - garancia dhe rruga më e sigurtë për stabilizim, përparimin e zhvillimin të Maqedonisë


LOBI: Në Programin dhe Platformën e PDK-së ju thoni se angazhoheni për një Maqedoni federale a konfederale , që do të ishte zgjidhje më e mirë se ajo "e Maqedonisë "unitare". Qëndroni edhe më tutej parapa kësaj, apo ka ndonjë ndërrim në kursin politik të PDK-së.
HAXHIREXHA: Vetë qëllimi i themelimit të PDK-së ka qenë dhe mbetet kërekesa për barazinë e plotë të popullit shqiptar me ate maqedon edhe atë në çdo segment të jetës. Konform këtij përcaktimi është edhe Platforma dhe Statuti i kësaj partie - realizimi i të drejtave të njëjta për dy popujt më të mëdhenj këtu - pra të qenurit sovran dhe konstituiv nga njëra anë si dhe krijimin apo sigurimin e mekanizmave për mbrojtje maksimale institucionale të atyre të drejtave, pa pasur mundësinë që cilido popull të mund te ndikojë në të drejtat e popullit tjetër. Barazia e plotë mes qytetarëve të këtij vëndi është garanti më i mirë dhe rruga më e sigurtë për stabilizimin, përparimin dhe zhvillimin e tij. Mënyra më e mirë për realizimin e këtyre kërkesave është rregullimi i Maqedonisë sipas ndonjërës prej formave të shteteve federale. Evropa si dhe SHBA-të me qyteterimet dhe demokracitë e tyre të vjetra na japin shembuj të shumtë dhe të mirë për atë se si do të mund të bëhej dhe të dukej një Maqedoni federale. Jam i bindur se një vënd me një strukturë te tillë të popullsisë dhe mentalitetin ekzistues siç është Maqedonia e ka të domosdoshëm regullimin federal. Ky është realiteti dhe ardhmëria e këtij vëndi.


--------------------------------------------
Për UT-në dhe Fadil Sulejmanin


LOBI: Ndër ato kuadro që ishin kandidatë tuaj për deputetë ishte dhe ish-rektori i UT-së, Fadil Sulejmani, i cili me Bordin dhe Senatin e tij tani thotë se e shkarkoi Rektorin aktual të UT-së. Cili është vlerësimi juaj për këto që po ndodhin në UT dhe për vetë çështjen e zyrtaririzimit të UT-së. A keni ju ndonjë projekt për këtë punë.
HAXHIREXHA: Fillimisht dua të sqaroj disa bindje të cilat pa arsye janë krijuar tek një pjesë e opinionit tonë për atë se gjoja pas veprimeve të ish rektorit të UT qëndron PDK, meqë ishte ajo që edhe e kandidoi z. Sulejmani në listat e saj për deputetë. Një nga arsyet përse ne si PDK e kandiduam z. Sulejmani kanë qenë, në radhë të parë, sepse përmes tij kemi dashur të fusim mbrënda parlamentit maqedonas Universitetin e Tetovës dhe me këte të lehtësojmë procesin e zyrtarizimit të tij. Së dyti, ngaqë u përpoqëm që në njëfarë mënyre të vlerësojmë punën, përkushtimin dhe sakrificën e një intelektuali për realizimin e një projekti aq madhor, siç është UT. Sa i takon momentit aktual mendoj se me ngjarjet e fundit që po ndodhin atje po dominon mentaliteti i mbylljes në vetvehte dhe i paragjykimeve që manifestohet me mostolerancën, qoftë kjo e hapur apo e mbyllur ndaj kujtdo. Mosgatishmeria apo mbase edhe paaftesia e strukturave udhëheqëse të atij institucioni, por edhe i stafit pedagogjik që të bashkëpunojnë me gjithësecilin që sadopak mund të ndihmojë në rrugën e vështirë drejt zyrtarizimit të tij, e në rastin konkret me një autoritet të respektuar si prof. Abdyli nuk paraqet asgjë tjetër përpos papërgjegjësi morale dhe intelektuale. Çdonjëri që mund të thiret në vuajtjet, mundin dhe sakrificën e bërë për ate që ky Universitet të vijë deri këtu ku është, ndërsa sot me sjelljen e tij e vë në pikëpyetje tërë atë mund dhe sakrificë të qytetarëve tanë, duhet ta dijë se vepër e rëndë dhe e dënueshme në të gjithë kohërat dhe kulturat është edhe kur nëna lëndon apo mbyt fëmijën e saj, përkundër vuajtjeve, reziqeve apo edhe mundit të madh që ka dhënë derisa e ka nxjerë ate në dritë.

[an error occurred while processing this directive]
 
[an error occurred while processing this directive]