 |
Ali AHMETI
A kemi mësuar diçka nga e kaluara?
Duke pasur parasysh se: - me zgjedhjet parlamentare 2002 ne
kaluam një nga periudhat më dramatike të historisë
së Maqedonisë - fillimi i konfliktit, konflikti,
bisedimet në Ohër dhe në fund nënshkrimi
i Marrëveshjes-kornizë dhe implementimi i saj; -
dhe se në zgjedhje populli mbështeti ato obcioneve
politike që ishin pro Marrëveshjes - kornizë
dhe pro implementimit të saj, si bazë për zhvillimin
e Maqedonisë.
1.
Ngjarjet e 18 muajve të kaluar - çfarë i
ndodhi Maqedonisë, ku nuk veproi si duhet e ku ndodhën
gabime eventuale, a mësuam diçka prej gjithë
kësaj (shtetasit e Maqedonisë dhe bashkësia
ndërkombëtare);
2.
Si është situata momentale, ku jemi vonuar dhe çka
duhet të bëhet? Duke pasur parasysh atë që
u tha më lart, a duhet që partitë të cilat
i fituan zgjedhjet, Parlamenti i ri dhe Qeveria, t'i marrin
parasysh rrethanat dhe në bazë të këtyre
rrethanave t'i definojnë prioritetet për veprim
gjatë katër viteve të ardhshme;
3.
Në rast se arrihet koncensus për të ardhmen
e Maqedonisë, çfarë duhet të përmbajë
ajo dhe si do të duhet të realizohet?
1.
Në Maqedoni, vitin e kaluar, shqiptarët për
shkak të mospërfilljes të kërkesave të
tyre dhe diskriminimit të skajshëm deri në
përjashtim nga jeta politiko-shoqërore në Maqedoni,
u detyruan që me armë në dorë të
kërkojnë avancimin e të drejtave të tyre
e të trajtohen si të barabartë në shtetin
e vet. Fillimi i konfliktit në vete, kur një djalë
i ri shqiptar u vra nga policia në Tanushë, ilustron
më së miri pozitën e shqiptarëve në
Maqedoni dhe arbitraritetin e policisë, të përbërë
nga më se 98 % maqedonas. Revolti që pasoi, përkrahja
e pjesës dërrmuese të popullit që iu dha
Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, forcës
së armatosur e cila i priu kësaj revolte, ishte
rezultat i politikës së gabuar që me dekada
ushtrohej ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe
në Maqedoninë e pavarur.
UÇK-ja qysh në fillim të konfliktit të
armatosur, me anën e Komunikatës nr. 6, shpalli
botërisht kërkesat dhe përcaktimet e saja për
pozitë të barabartë të shqiptarëve
në Maqedoni, gjithnjë duke respektuar integritetin
e shtetit.
A kemi mësuar diçka nga e kaluara? Ne shpresojmë
se komuniteti ndërkombëtar ka mësuar se në
Evropë nuk mund të lejohet mospërfillja e të
drejtave të njeriut dhe dëshira e një populli
për të qenë i barabartë; se komuniteti
maqedonas në këtë shtet ka kuptuar se pa integrimin
e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të ketë
paqe dhe stabilitet dhe që shqiptarët kanë
kuptuar se ardhmëria e tyre është në integrime.
2.
Zgjedhjet e 15 shtatorit në Maqedoni, nga mënyra
si u zhvilluan - të lira, demokratike, pa incidente dhe
me pjesëmarrje të madhe të popullit, treguan
që qytetarët e Maqedonisë janë më
të pjekur politikisht se udhëheqësit e tyre
të deritanishëm, se ata po përcaktohen për
ndryshime, për një ardhmëri më të
mirë të Maqedonisë. Me votën e tyre dhënë
me shumicë opozitës, maqedonasit dënuan politikën
e deritanishme të partisë në pushtet, parti
kjo e cila, ndër të tjerat, vazhdimisht predikon
nacionalizëm dhe shovinizëm ndaj shqiptarëve.
Shqiptarët me përcaktimin e tyre për BDI-në,
u përcaktuan për paqe, stabilitet dhe integrime,
që mund të arrihen me jetësimin e plotë
të Marrëveshjes së Ohrit, që është
prioritet i angazhimit politik të kësaj parte. Nëse
ka vullnet politik të dyanshëm për implementimin
e Marrëveshjes-kornizë dhe për integrimin e
plotë të shqiptarëve në këte shtet-
dhe ne mendojmë që ky vullnet ekziston te fituesit
e zgjedhjeve - padyshim që do të arrihet deri te
një platformë dhe program të përbashkët
qeveritar për zhvillim ekonomik dhe integrim të
Maqedonisë në BE dhe NATO.
3.
Ndër parimet themelore të veprimit politik të
Bashkimit Demokratik për Integrim janë toleranca,
koncensusi dhe partneriteti. Duke rikthyer dhe ngritur mirëbesimin
ndëretnik me tolerancë, duhet arritur deri te koncensusi
për sa u përket çështjeve themelore
të funksionimit të shtetit për një qeverisje
si partnerë në të ardhmen. Kushti themelor
për të arritur deri te partneriteti, si qeverisje
e përbashkët me ndarje të përgjegjësisë
për këtë shtet, është vullneti politik
i politikanëve dhe subjekteve udhëheqëse të
shtetit dhe ndërtimi i koshiencës te qytetarët
- te shqiptarët, ndjenja e lojalitetit ndaj këtij
shteti, si qytetarë me të drejta dhe obligime, ndërsa,
te maqedonasit, pranimi i shqiptarëve si bashkështetas
të barabartë të tyre dhe pranimi i realitetit
multietnik të Maqedonisë.
|