[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Intervista

Moisiu: Problemet mes partive do të zgjidhen para zgjedhjeve


(Marrë nga Zëri i Amerikës)

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu shprehu besim se problemet që kanë lindur në fushatën për zgjedhjet vendore do të kapërcehen. Në një intervistë që i dha “Zërit të Amerikës”, ai tha se forcat politike janë ndërgjegjësuar se nuk mund të vazhdohet më në zgjedhje me mënyrat e mëparshme. Presidenti Moisiu ishte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si dhe për takime me komunitetin shqiptar të Nju Jorkut dhe Detroitit. Ai u intervistua nga “Zëri i Amerikës” para se të largohej nga Shtetet e Bashkuara.


Zëri i Amerikës: Zoti president, ju keni thënë se statusi i Kosovës nuk mund të shtyhet pafundësisht. Çfarë ju shqetëson që keni bërë një deklaratë të tillë?

President Alfred Moisiu: Shtyrja pafund e statusit të Kosovës, të cilën ia përmenda në mënyrë të veçantë edhe sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotit Kofi Annan, krijon hapësirë për veprimin e ekstremistëve të të dy krahëve; krijon hapësira për ngjarje të reja të papëlqyeshme, të cilat mund të na krijojnë situata që do të jetë vështirë të menaxhohen. Prandaj, standardet duhen, por edhe duhet qartësuar mirë se çfarë duhet arritur dhe deri kur. Në të njëjtën kohë duhet punuar për statusin sepse ai nuk mund të shtyhet në pafundësi. Kjo është e rrezikshme.


Zëri i Amerikës: Zoti president, ju keni folur vazhdimisht për rëndësinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, i keni quajtur ato madje pasaporta e Shqipërisë për në Evropë. Megjithatë, ju keni shfaqur shpresën se ato do të zhvillohen me sukses. Çfarë ka ndryshuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara në Shqipëri që ju bën të shpresoni?

President Alfred Moisiu: Në radhë të parë, Parlamenti shqiptar ka miratuar një kod të ri zgjedhor, ku është pasqyruar gjithë përvoja, negative dhe pozitive e zgjedhjeve të kaluara nën mbikëqyrjen e OSBE-së. Së dyti, duhet të them se vetë forcat politike janë ndërgjegjësuar se nuk mund të vazhdohet më në zgjedhje me mënyrat e mëparshme. Sigurisht, unë së bashku me gjithë prezencën ndërkombëtare në Tiranë, jemi duke punuar që këto gjëra të kuptohen sa më drejt dhe sa më mirë. Është e vërtetë se kanë lindur disa probleme kohët e fundit, por unë shpresoj që ato probleme do të kapërcehen sepse është në të mirë të Shqipërisë në radhë të parë. Disa gjëra do të ishte mirë që të mos kishin ndodhur sepse ato në fakt i kanë ulur kredencialet e vendit tonë. Megjithatë deri në zgjedhje, kam bindjen se politika shqiptare do t’i kapërcejë problemet dhe do të hyjë në zgjedhje normalisht ashtu siç duhet, në mënyrë të tillë që me gjithë mend t’i tregojmë opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar se Shqipëria di të bëjë zgjedhje, se Shqipëria i njeh rregullat e lojës dhe se politika shqiptare do ta çojë vendin drejt demokracisë.


[an error occurred while processing this directive]
 
[an error occurred while processing this directive]