 |
Adem Demaçi: INTERVISTË DHËNË GAZETËS “KOSOVA
SOT”-5. 3. 2004 KS-
Z. Demaçi, cili është motivi
që ju shtyu që mu tani të angazhoheni në skenën
politike kosovare? A.D.- Motivi i vetëm është që të ndalet
trendi i rrëshqitjes së Kosovës drejt rikolonizimit
serb i cili po bëhet hapur.Në këtë proces
të rrezikshëm janë duke marrë pjesë jo
vetëm UNMIK-u i cili e ka edhe për detyrë që të bëjë një gjë të tillë,
por edhe institucionet e “kornizuara” të Kosovës.
KS- A mund të na thoni për lexuesit “Kosova Sot” se
cilët janë njerëzit e kabinetit tuaj të ngushtë partiak?
A.D.- Nuk ka ende as “kabinet” as udhëheqje të organizatës
sonë. Është vetëm grupi nismëtar,
i cili dita ditës po vjen duke u zgjeruar me anëtarë të rinj.
Këta janë ata që po e pranojnë dhe po
e mbrojnë Projektplatformën e organizatës
sonë duke dhënë ndihmesën e tyre që ajo
të bëhet më e kompletuar dhe më e përsosur
duke marrë formën definitive të Platformës
politike. Por, rritja e zgjerimi i grupit nismëtar,
nuk do të përfundojë me kaq. Para nesh janë edhe
dy dokumente fort të rëndësishme siç janë Projektprogrami
dhe Projektstatuti i organizatës sonë. Edhe rreth
këtyre dokumenteve do të zhvillohen diskutime interne
e publike, kështu që rritja e zgjerimi i grupit
nismëtar do të vazhdojë edhe më tutje.
KS- Cilët emra janë të kyçur në Forumin
Qytetar të Kosovës? A.D.- Ne nuk kemi ndërmend
që të tubojmë njerëz rreth emrave të mëdhej,
por rreth platformës objektive dhe të saktë,
rreth programit që ofron zgjidhje të drejta për
individët dhe për mbarë qytetarët e Kosovës,
si dhe rreth statutit i cili do të ofrojë një organizim
minimalisht burokratik dhe maksimalisht aktiv, kreativ dhe
dinamaik. Ne po krijojmë sistem qytetarësh të vetëdijshëm
politikisht, të vetëdijshëm për të drejtat,
por edhe për obligimet e veta qytetare. Ne po krijojmë sistem
i cili nuk do të jetë grup, grumbull ose “kope” qytetarësh
që shkon pas Iksit ose Ipsilonit që, me rënien
e Iksit ose Ipsilonit, shpartallohet edhe grupi, grumbulli
ose “kopeja”. Ne jemi duke krijuar asi sistemi të organizimit
politik e qytetar i cili, gjatë funksionimit të vet
dinamik, vazhdimisht, do të përmbushet e do të përtrihet
me kuadro gjithnjë e më cilësore dhe i cili
do të mbijetojë të gjitha “furtunat” që do
t'i dalin përpara. KS- Pse mu emri Forumi Qytetar i
Kosovës? A.D.- Sepse ky ëahtë emnuesi më gjerë i
cili brenda vetes mund të përfshijë pjesëtarë nga
të gjitha kombësitë dhe të kombit shqiptar,
nga të gjitha shtresat dhe klasat, nga të gjitha
moshat dhe nga të gjitha besimet. KS- Çfarë alternative
të re politike po i ofroni elektoratit kosovar? A.D.-
Liria, pavarësia e demokracia e vërtetë në frymën
qytetare nuk kanë alternativa. KS- Sa keni në konsolidimin
e partisë tuaj dhe në cilat qendra keni më shumë përkrahje?
A.D.- Për këtë kohë shumë të shkurtër
kemi arritur shumë më tepër se sa kemi besuar.
Në Prishtinë, natyrish, kemi zgjerimin më të madh,
por edhe qendrat tjera gjithnjë e më tepër
po interesohen dhe po afrohen. KS- Ku dhe si do t'i siguroni
financat e partisë që ju drejtoni? A.D.- Qytetarët
tanë janë të vetmit në të cilët
mbështetemi për të gjitha e, edhe për
finanacat. KS- Sa jeni optimistë se subjekti politik
të cilin e përfaqësoni do të krijojë identitet
të theksuar në opinion dhe do të mbledhë pas
vetes elektorat, i cili do të bëjë kthesa
për të cilat angazhoheni me programin tuaj? A.D.-
Ne nuk jemi as optimistë, as pesimistë, ne jemi
realistë, të matur, por punëtorë të palodhshëm.
KS- Cilat janë mangësitë e politikës
aktuale të lidershipit kosovar nga të cilat vlerësoni
se mund të përfitojë Forumi Qytetar? A.D.-
Dështimi i tyre i plotë në të githa fushat
ka bërë dhe po bën që të ngritet
me shpejtësi vetëdija politike e qytetarëve
tanë. Ne na duhen qytetarët me vetëdije të lartë politike
dhe të këtillë do të kemi çdo
ditë e më tepër. KS- Flitet se Partia juaj
nuk do të marrë pjesë në zgjedhje kët
vit. A Qëndron ky pohim? A.D.- Për këtë çështje
do të vendosin në kohën e duhur organet udhëheqëse
të organizatës sonë. KS- Çfarë prisni,
cili do të jetë interesimi i kosovarëve për
të votuar në zgjedhjet e kësaj vjeshte? A.D.-
Kosovarët janë të paparashikueshëm. KS-
Po për sistemin elektoral me lista të mbyllura çka
mendoni? A.D.- Listat e mbyllura favorizojnë “deshët” partiakë të cilët
janë të gatshëm që t'u prijnë “deleve” drejt “pusit” të robërisë serbe.
13.KS- Çka mendoni rreth faktit se votuesi kosovar është jo
vetëm konservativ, por edhe i tillë që voton
për personalitete e jo për programe që ofrojnë partitë politike
A.D.- “Delet” shkojnë pas “dashit”, ndërsa qytetarët
e vetëdijshëm politikisht shkojnë pas ideve
e programeve përparimtare. 14.KS- Si do ta nxirni Kosovën
nga kolapsi ekonomik dhe nga “Vdekja Klinike” e dinamikës
së punësimit të brezit të ri nëse
fitoni shumicën e votave në zgjedhjet e vjeshtës?
A.D.- Për të gjitha këto, kur të vijë koha
dhe kur të krijohen kushtet, në bazë të programit
përkatës, do të vendosin organet e zgjedhura
nga anëtarësia e organizatës sonë. 15.KS-
Cili është çelësi i krijimit të shtetit
të Kosovës sipas programit tuaj politik kur dihet
se edhe subjektet e tashme që kanë bërë emër
premtojnë bërjen e shtetit të pavarur të Kosovës?
A.D.- Ne po flasim e do të flasim për liri e pavarësi
dhe do të veprojmë në funksion të lirisë e
të pavarësisë, kurse ata që thoni ju,
për shkak se kanë hyrë në “kafaz” dhe
në “saksi” vetëm flasin për liri e pavarësi,
ndërsa nuk bëjnë as nuk mund të bëjnë asgjë konkrete
për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
16.KS- Ju z. Demaçi mbaheni mend si njeriu i vetëm
që i tha asokohe “jo” Rambujesë. A mund të zgjidhet çështja
e statusit final pa bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare?
A.D.- Së pari, nuk jam vetëm unë ai që kam
kundërshtuar shkaurjen në Rambuje. Të njëjtën
gjë e kanë bërë edhe disa nga bashkëpunëtorët
e mi në Zyrën e UÇK-së, si Albin Kurti,
Skender Kastrati, Fehmi Baftiu, i ndjeri Sami Peja, Milot
Caka, Blerim Reka, pastaj njëri nga intelektualët
më të shquar të Kosovës z. Esat Stavileci,
etj. Së dyti, me bashkësinë ndërkombëtare
mund të bashkëpunohet si vazal e ekzekutor i verbër,
por edhe si partner dinjotoz, syçelë e kreativ.
Shokët e mi e unë kemi zgjedhur bashkëpunimin
me bashkësinë ndërkombëtare si partnerë dinjitozë,
syçelë e kreativë. Dhe, po shihet se nuk
kemi gabuar. Sa për ilustrim, ata që nuk i ka lënë kujtesa,
le t'i krahasojnë ato që fliste dhe ato për çka
përpiqej Z.Hollbruk para pesë-gjashtë vjetësh
dhe këto që po thot sot për zgjidhjen e çështjes
së Kosovës. 17.KS- A janë standardet për
Kosovën rruga e qëlluar drejt finalizimit të vullnetit
politik të popullit shqiptar si shumicë në Kosovë?
A.D.- Shumica e standardeve që kërkohen të përmbushen
nga kosovarët janë gjëra të mrekullueshme.
Mirëpo, me çka t'i realizojnë kosovarët
këto standarde kur këta nuk e kanë as lirinë as
shtetin e tyre. Kjo që kërkojnë miqët
tanë nga ne i ngjanë asaj sikur të kërkosh
nga dikush që të bartë ujë me shoshë!
18.KS- Çfarë zgidhje premtoni për minoritetet
e Kosovës? A.D.- Jo vetëm që premtojmë,
por me këmbëngulje do të punojmë për
statusin më të avansuar të mundshëm të kombësive.
Qëndrimi ynë ndaj kombësive në Kosovë do
të jetë pasqyra e gjallë e demokracisë sonë humaniste.
Prandaj ne kësaj çështjeje i japim rëndësinë e
dorës së parë. 19.KS- A keni ndonjë vizion
të qartë me të cilin do t'i qaseni zgjidhjes
së nyjës së fortë ndarëse të Mitrovicës?
A.D.- Mitrovica e ndarë është argumenti më i
fortë se hegjemonizmi serb nuk ka hequr dorë nga
projekti i vet i dytë lidhur me çështjen
e Kosovës. Projekti i parë është aneksimi
i terësishëm i Kosovës. Nëse nuk do të mund
të realizohet projekti i parë, atëherë do
të hyjë në fuqi, projekti i dytë, projekti
i ashtuquajtur i z. Dobrica Qosiq, për copëtimin
dhe sakatosjen definitive të Kosovës. Së pari
do të tentohet që të krijohen në Kosovë sa
më shumë territore etnikisht të pastra serbe.
Pastaj, nën pretekstin e decentralizimit, këto
territore do të kërkojnë kompetenca shtetërore.
Pas kësaj, këto territore, do të bashkohen
në një terësi dhe në fund do të shpallin
shkëputjen e tyre nga territori i Kosovës dhe bashkimin
e vet me shtetin serb. Prandaj të gjithë qytetarët
e Kosovës duhet të zgjohen nga gjumi dhe të organizohen
sa më shpejt e sa më mirë në mënyrë që të pengojnë realizimin
e projekteve djallëzore të çetnikëve
dhe neofashistëve të serbisë. 20.KS- Cili është opinioni
juaj për dialogun teknik shqiptaro-serb? A.D.- Pas shkarjes
së thellë politike, me rastin e zgjedhjeve parlamentare
serbe edhe në territorin e Kosovës më 28 dhjetor
2003, ky është vazhdim i shkarjes teknike e ekonomike
të Kosovës drejt shtetit serb. 21.KS- Me cilin
nga subjektet politike do të hynit në aleancë eventuale,
poqese në zgjedhjet e ardhshme do të dalë ndonjë rezultat
i ngushtë i cili do ta kërkonte edhe krijimin e
aleancave të ndryshme për krijimin e institucioneve
të reja? A.D.- Për të gjitha këto çështje,
në kohën e vet, do të vendosin organet kompetente
dhe të autorizuara të Organizatës Politike
Paqësore, në formim, FORUMI QYTETAR I KOSOVËS.
|