[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Intervista
Zhvillimet "në favor të ndarjes"
Ushtarë të NATO-sKa patur kritika se KFOR-i nuk ka qenë në nivel të detyrës
Botuesi i të përditshmes Koha Ditore, Veton Surroi, thotë se zhvillimet e fundit në Kosovë po forcojnë obsionin e ndarjes së saj. Seladin Xhezairi bisedoi me zotin Surroi dhe fillimisht e pyeti se si e vlerësonte ai këtë përshkallëzim më të ri të dhunës ndëretnike?

Zoti Surroi : Unë mendoj se kemi të bëjmë me një krizë të përgjithshme të modelit qeverisës në Kosovë i cili ka sjellë në stagnim dhe i cili, fatkeqësisht, fillimisht krijoi momentin që një incident, një shprehje e dhunës të akumulojë kaq energji shkatërruese. Më pastaj, unë besoj që kemi mbërritur edhe në fazën e dytë kur kjo dhunë është e dirigjuar dhe organizuar qartazi. E organizuar me pretendime që, nga njëra anë të frikësojë popullatën serbe dhe ta dëbojë atë nga pjesa e Kosovës qendrore, duke shkatërruar edhe objektet religjioze serbe dhe, nga ana tjetër të drejtojë mllefin e popullatës kundër UNMIK-ut dhe KFOR-it, gjëra këto deri tani absolutisht të pa paramendueshme.

BBC : Në këtë rrafsh, shtrohet edhe çështja e përgjegjësisë të faktorit ndërkombëtar ashtu dhe e institucioneve vendore. Ishin në nivel të detyrës këto organizma apo?

Zoti Surroi :Absolutisht jo. Është shumë e qartë dhe kritikat që i bëhen UNMIK-ut ç'prej kohësh, për zvarritje e të tjera nuk janë marrë parasysh. UNMIK-u mendon ende se mund të kontrollojë situatën, kurse kjo gjendje tregoi se nuk mund ta kontrollojë atë. Por, po ashtu u tregua se në Kosovë nuk ka as autoritet politik e as autoritet institucional vendor i cili, gjithashtu, do ta merrte situatën në dorë, kështu që kemi pasur gjatë 72 orëve të fundit shprehje të qartë të anarkisë.

BBC : Zoti Surroi, sa janë të qëndrueshme arsyetimet e përfaqësuesve të institucioneve vendore se nuk mund të kërkohet përgjegjësi prej tyre sepse, sikundër thonë, nuk kanë kompetenca?

Zoti Surroi : Kjo është pjesërisht e vërtetë, por po ashtu është pjesa tjetër e së vërtetës që këto institucione nuk kanë demonstruar as invencion politik, as energji, as vullnet të mjaftueshëm, që të marrin kompetenca. Dhe, është shumë vështirë që këtyre institucioneve të zbehta dikush t'u japë diçka kur nuk shihet se e meritojnë shumë.

BBC : Karshi kësaj, zyrtarë të lartë serbë, krahas riangazhimit për kantonizimin apo ndarjen e Kosovës, këto ditë kanë lënë të kuptohet qartë se janë të interesuar për rikthimin ushtarako-policor në Kosovë. Si e shikoni këtë disponim të palës serbe?

Zoti Surroi : Kthimi ushtarako-policor është formë presioni ndaj UNMIK-ut, ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj vetë kosovarëve për të përfituar nga kjo gjendje. Regjimi serb, jo vetëm ky, por që prej Milosheviqit, pra kjo është qeveria e tretë, reagon pothuajse në formë të njëjtë konceptuale, për ruajtje - mbajtjen e institucioneve paralele, për të instrumentalizuar popullatën serbe në Kosovë kundër administrimit ndërkombëtar dhe kundër ngritjes institucionale kosovare dhe për mbajtjen e ndarjes fizike të Kosovës si një pozicion negociator në negociatat e ardhshme rreth statusit, në mënyrë që të pengohet pavarësimi i plotë i tërësisë tokësore kosovare.

BBC : Dhe, kur është fjala për këtë, mendoni se këto zhvillimet e fundit do të zvarrisin ose përshpejtojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës?

Zoti Surroi : Është problemi i faktorit kohë, por njëri prej problemeve i cili del tani në sipërfaqe, pas kësaj dhunës së këtyre ditëve, është se gjithnjë e më fuqimisht do të forcohet obsioni i ndarjes së Kosovës, pikërisht për shkak të dëbimit të popullatës serbe me dhunë nga Kosova qëndrore dhe ky do të jetë njëri prej problemeve shumë të theksuara edhe në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por edhe në formën e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

 


[an error occurred while processing this directive]
 
[an error occurred while processing this directive]