[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Humor 8

A N E K D O T A

Beqir ELSHANI-MALMÖ-exklusive për RTVZIK

PARTIA E PUNËS
Një avokat i Prishtinës njoftoi se kishte formuar partinë opozitar: Partia e Punës, që i thonin "pë-pë".
Një bashkëbisedues i pranishëm në këtë bisedë e pyeti se a ka të interesuar për "pëpë-në"? Avokati iu përgjegj pa ngurrim dhe tha: - Asnjë!
- Mbase pse është parti enveriste dhe njerëzit ikin?
- Jo, për atë! - plotësoi avokati, - Partia ime e Punës nuk ka asgjë të bëjë me enverizmin, por sepse askush nuk do të punojë, bre vëlla. Të gjithë e duan të gatshme prej Amerikës.

RRENA NË PRAG TË ZGJEDHJEVE
Një ditë, në prag të zgjedhjeve opozitare, u shtyen në garën e rrenave se cili nga dy udhëheqësit opozitarë di për të kurdisur rrenën aktuale. I pari foli Thaçi dhe tha:
- Kosova do të bëhet krahinë autonome.
Ata të LDK-së u pajtuan se me të vërtetë është rrenë.
Pastaj i erdhi radha Rugovës dhe tha: - Kosova do të bëhet shtet i pavarur.
- Kujdes, kjo nuk është rrenë, ia pritën ata të PDK-së, ndaj e pësuat.

MASA E MËKATEVE
Një ditë imami i qytetit organizoi një piknik testimi me disa ish udhëheqës që kishin marrë më qafë punëtorët dhe s´kishin lënë gjë pa bërë në dëm të popullit. Dikur ata kishin plaçkitur ndërmarrjet e Kosovës dhe kishin larguar shumë punëtorë shqiptarë si nacionalistë. Tani këta ish udhëheqës ishin rehabilituar në besimtarë të fesë islame. Imami këshilloi që secili të futet në plazhin e liqenit të Badocit aq sa ka bërë mëkate dhe Zoti ua falë mëkatet, ku në fund gishti i imamit mbeti në drejtim të qiellit.
Ish udhëheqësit sharruan gjer te zogu i këmbës dhe disa gjer në gju, por kurrësesi gjer në bel dhe në gjoks se lëre më gjer në fyt. Në mesin e tyre qëlloi një arkatar që ishte fundosur i tëri në ujë dhe sakaq imami ia nxori kokën në ajër dhe i tha:
- Kaq shumë mëkate paske bërë i shkreti, saqë don edhe të mbytesh në ujë.
- Jo, - ia ktheu arkatari, - unë nuk kam bërë mëkate, mirëpo nuk mund t´i shikoj sesa të pafytyrë që janë këta burokratë, dhe nuk duan që së pakut të sharrojnë gjer në bel.

KURTHI DHE HAJNI
- Pranë kotecit të pulava kam hapur një gropë si kurth; nëse dhelpra ia mësyen, bie në gropë, pastaj kapaku me mekanizëm mbyllet dhe unë e zë. Gëzofin e ka të mirë kafsha, - i tregoi plaku fqiu të vet.
- Mirëpo, po qe se bie hajni me dy këmbë, atëherë ç´do t´i bësh? - ndërhyri fqiu.
- Po qe se bie hajni, i them: zoti t´ marroftë!
- Sa për marren, ti mbete pa pula!
- Ndoshta! Por nëse e zë djali im, Batoni, ai nuk e marron si unë. . . - përfundoi plaku.

MUQIBABA
Një ditë profesori i gjeografisë gjatë orës mësimore e pyeti nxënësin, i cili ishte i biri i ish sekretarit të Komitetit komunal të qytetit.
- Si quhet katundi në mes të Gjilanit dhe Preshevës?
-Mu-qi-baba! - u përgjegj nxënësi duke mbajtur gishtin ne hartën fizike të Kosovës.
-Qindro djalosh, mos u dorëzo! - i tha profesori që dikur kishte qenë i larguar prej punës si irredentist nga babai i tij.

AUTOINATÇE
Vizitori shqiptar i drejtohet një prishtinasi me kasketë në kokë dhe e pyet se ku gjindet objekti që e kërkonte.
Qytetari në fillim e shikoi dhe ia priti: - Jeni shqiptar? Fol shqip, vëlla të paça!
Vizitori shqiptar u zu ngusht dhe sa për t´u arsyetuar para prishtinasit, tha: - Më falni! Unë ju pash me kasketë në kokë, ndaj ju drejtova serbisht.
Atëhere kalimtari ia priti: - Edhe dhjetë kasketa në i mbafsha në kokë, fol shqip se je në Kosovë!
Kalimtari i turpëruar uli kokën dhe vazhdoi duke thënë autoinatçe: -Mirë ma bëre, mu thaftë goja në folsha më serbisht.

URIME KËRSHËNDELLAT
- Urime kërshëndellat zoti Rexhep! - Kështu e uroi një shqiptar vendasin nga Kosova në Malme.
- Kujdes, unë jam mysliman dhe nuk i festoj kërshëndellat! - ia ktheu vendasi duke nxjerrë tespihët nga xhepi i thellë i palltos si argument bindës.
- Ç'metamorfozë! Kur ishe komunist e hajshe mishin e thiut, kurse sot po ia din edhe rendin fesë me tespih në dorë.

TEK DENTISTI
Është trishtim kur ta nxjerrë dhëmbin e parë, mirëpo edhe më e trishtim është kur ta nxjerrë dhëmbin e dytë,
- Po, pastaj? - pyeti njëri nga të pranishmit.
- Pastaj mësohesh.

MOSMARRËVESHJE
Një qytetar nga Mitrovica që punonte në fabrikën e gomës, hyri në zyrën ku punonin dy referentë shqiptarë. I pari e pyeti se prej nga është.
- Nga Mitrovica e Titos, u përgjegj qytetari që i shkëlqente fytyra nga dritarja përballë. Referenti i parë nga habia u ngrit në këmbë kur dëgjoi fjalën i MëTë-s, kurse i dyti mbylli sytë.
Mitrovicasi reagoi: - Mbase po ua vret veshin emni Mitrovica e Titos?
Atëherë referenti i parë, sa për të dalur nga ankthi politik, tha: - Jo, aspak, por kur ti thae se je i Mitrovicës së Titos, në shenjë nderimi unë u ngrita në këmbë.
- E, ky tjetri pse i mbylli sytë me duar? - ndërhyri me pyetjen plot gjemba qytetari nga Mitrovica.
- Unë u tremba, sikur shoku im që u ngrit, donte të godas kur thae se je Mitrovicës së Titos, prandaj e mbulova fytyrën.

PAMFLETET NË GJIMNAZ
Për shkak të pamfleteve "Kosova Republikë" që viheshin nga nxënësit dhe studentët, mësimdhënësit ishin të detyruar të mbanin kujdestari në shkollë edhe gjatë natës, ku rëndomë kujdestaronin nga dy veta.
I pari i tha të dytit, se a dëshiron të ruaj mbrenda në shkollë, apo në oborrin e shkollës.
- Do të ruaj mbrenda! Mos më kanë lënë mendët të ruaj edhe jashtë e të mërdhihem në këtë shiun e natës, - u përgjegj kolegu i tij.
- Atëherë, unë po dal të ruaj në oborr kurse ti ruaj mbrenda, - tha i pari dhe shkoi drejt shtëpisë së vet.

QAFA E PULËS
- A e din, se cila copë e mishit të pulës është më e mire? - e pyeti shokun e vet gjatë gostisë në kafene.
- Qafa e pulës, - u përgjegj i dyti që dikur kishte punuar kurir në komitetin komunal.
- Mirëpo tani, ti nuk je kurir në komitet.
- Megjithatë ish kryetari i komitetit është bërë drejtor i tregtisë dhe unë kryej të njëjtën punë.

QORTIMI I PRIFTIT
Në oborrin e Kullës së Pizës qëndronte një femër, pothuaj lakuriq. Andej pari kalon një prift dhe e qorton.
- Vishuni zonjë, mos rrini lakuriq para syve të botës.
- Po u vesha unë, Kulla e Pizës rrëzohet, - reagoi zonja lakuriqe.
- Meqë qenka ashtu, atëherë vazhdoni të qëndroni lakuriq, - tha prifti duke u larguar në drejtim të kishës.

ZONJUSHA PARA VDEKJES
Një zonjushë kishte marr udhën e vdekjes, ndaj i lutet zotit për larjen e mëkatëve, përkundrazi zoti i tha: "Ti je shumë e re, prandaj ngritu në këmbë se do të jetosh shumë vjet. Unë do të kujdesem për ty".
Zonjusha u gëzua nga fjala e zotit dhe nuk kishte më fare frikë nga vdekja. U bë e lumtur, ndaj bëri shpenzime të mëdha duke iu nënshtruar operacioneve plastike për zbukurimin e fytyrës dhe gjoksit.
Tani zonjusha ishte bërë e përkryer, sa që qytetarët mahniteshin pas bukurisë së saj, sikur të kishte pikur prej qiellit. Një ditë, papritmas një makinë e shkel për vdekje. Zonjusha, para se të mbyllte sytë përgjithmonë, u ankua në zotin duke i thënë se nuk e mbajti premtimin e dhënë.
Zoti i tha: "Më fal, zonjushë, nuk të kam njoftur!"

KAMIONI SHQIPTAR DHE CINIZMI SERB
Një serb, përndryshe mirëmbajtës i rrugëve, kishte hasur një kamion me rimorkio nga Shqiperia, prandaj i kishte thënë italisht, se për shkak të borës së madhe nuk mund të ngjitet tek Qafa e Duhlës. Të nesërmen ky serb tregon ngjarjen para kolegëve se si e ka takuar një shofer me kamion nga Shqiperia dhe se si e ka informuar italisht. Një nga punëtorët shqiptar e kupton cinizmin e shkaut dhe i thotë.
- Ty duhet rrahur me pendrekun bullgar, i cili harron të ndalet me dyzet goditje, prandaj ia nis prej fillimit. Në mesin e shqiptarëve jeton dhe punon, kurse italianët dy vjet kanë qenë pushtues, prandaj italisht ke dijtur të flasësh, kurse shqip nuk ke dijtur.
- Kejt bota ma q. . . nanën, n'folsha ma me shiptar, - tha shkau që i urrente shqiptarët.

BERISHËT, NJERËZ TË BESËS
Në krye të Shirokës së Therandës dy fshatarë serbë pritnin autobusin për në Prizren, andej pari kalon një bari me tufën e dhenve i cili tradicionalisht tungjatjetohet.
- Berishët janë njerëz të besës, - iu drejtua i pari të dytit. I dyti u ngrys në fytyrë dhe ndërhyri:
- A nuk e din ti, që Berishët janë në burg për Kosova Republikë?
- Mos, more! Edhe kta po lypin republikë, a?. S´u met asnji shiptar i nershëm.

DEFEKTI DHE GRUSHTET
-Televori im nuk punon mirë, vazhdimisht më duhet të godas këtë rradake me grusht, - u ankua qytetari tek mjeshtri. - Nëse e godas një herë me grusht më del Shtejneri; nëse e godas dy herë më del Hakrepi; nëse e godas tri herë më del Kushneri.
- Mos kie kasavet, unë ta rregulloj TV-aparatin që pa e goditur me grusht të del Rugova.
- Mosni, se i mshoj përtokë, - tha hallexhiu shqiptar.

ARKATARI DHE PUSHKA E ADEMIT

Tërë ditën bredhi në qytet pas trepërqindëshit, siç e quante arkatari i ri që kishte zëvendësuar të vjetrin pasi ishte zbuluar se kishte dorë. Krejtë po vjedhin si dikur n´atë koperativën tonë, thoshte ai.
Ishin orët e vona të ditës dhe autobusat po rralloheshin në tranzitin urban. Hipi në tremdhjetshin që e dërgonte në lagjen e tij. Në banesë kumboi zili i derës dhe motrat e vogla fluturimthi ia hapën derën. Çantën bosh e gjuajti në tavolinën e dhomës.
- Si vajti mbledhja e trepërqindëshit, sot? - e pyeti nëna të birin.
- Ligsht, nënë. Ç´prej se po flet pushka e Adem Jasharit, askush nuk po paguan më trepërqindësh.

DAULLEXHIU DHE TIGRI
- Daullexhiu me dy shkopinjë dhe daullen e tij ndeshet me kafshën e rrezikshme - tigrin, cili nga këta duhet të dali fitues? - Pyeti europiani zezakun që e shoqëronte gjatë një ekspedite në Afrikë.
- Daullexhiu veçse e ka kryer punën, përndryshe daullja nuk do të kumbonte, - u përgjegj zezaku.

LEXUESI MBURRACAK
- Unë kam lexuar mbi 100 romane, - tha një lexues mburracak.
- Atëherë, ti qenke shkrimtar, - ia ktheu i dyti.
- Po të thoja se kam lexuar 1000 romane, - çfarë do të më thoje atëherë?
- Do të thoja se je bërë njeri, - ia ktheu i dyti.

LEXUESI PASIV
Një lexues kërkon një libër nga bibliotekari.
- Zoti bibliotekar, më epni librin "Tambli i bardhë" të Vaso Pashës.
- "Bardha e Temalit" apo. . .? - e korigjoi bibliotekari.
- Më falni, "E bardha e tamlit", - tha lexuesi pasiv që mundohej të korigjohej.

BABAI ME TRE DJEM
Një ditë babai me tre djemt e vet hyri në ordinancën e mjekut dhe i tregoi për hallet e djemve që i mundojnë .
- Ky i pari është qorr dhe nuk po e sheh shkaun që i ka hyp përmi; ky i dyti është shurdhan dhe nuk po i dëgjon topat e UÇK-së; kurse ky i treti nuk po mundet me i durue këta dy, - tha plaku duke pritur këshillën e mjekut.
- Për këta dy të parët nuk ka shpëtim, kurse këtë të tretin dërgoe në UÇK, - e këshilloi mjeku.

FOTOGRAFIA DHE KUNDËRMIMI
Dy gra bisedonin në kursin e gjuhës angleze.
- Moj motër, çka jam në zor prej mysafirëve të shpeshtë që vijnë gati për çdo mbrëmje, dhe m´u këputën këmbët duke u shërbyer me çaj dhe kafe, - i tha shoqes së vet gjatë pushimit në klasë.
- Atëherë vendose fotografinë e Titos në mur, mbase mysafirët fyhen dhe nuk vijnë më që t´ju bezdisin, - ia ktheu shoqja e saj.
- Uh të marrsha të keqen. Ne fotografinë e Titos e kemi në ballë të dhomës, mirëpo as kjo nuk ndihmon.
- Atëherë bëj së pakut një erë të keqe që kundërmon dhe mysafirët do të thyejnë qafen, - e përmbylli e dyta.

HALLET E METIT
- Ky është qeni im, quhet Larosh, por unë e thërras Lari, ashtu siç quhem unë Mehmet, por më thërrasin Meti. Një vogëlush entuziast që e miklonte qenin e pyeti në ishte qen prej Sharrit.
- Jo, nuk është qen prej Sharrit, megjithëse njeh disa shqisa të kufizuara. Nuk është i zoti t´i ruaj delet që vazhdimisht ia ka ngrënë ujku, ndaj nuk ka asnjë nishan në trup.
- Po kjo medale në qafë, ç´don të thotë?! - pyeti vogëlushi i habitur.
- Këtë e ka kujtim prej vjedullës që nuk ka reaguar kur ma kulloti kollomboqin në arë.

ZOTËRIU I KUQ
Në Vushtrri ka qenë dikur një skamnor, i papunë dhe punonte me mëditje - argati tek të pasurit. Një ditë kryetari i Komitetit komunal e godit për t´ia pastruar nevojtoren në vilen e tij. Në fund kur shërbëtori e kryen punën drejtohet tek zotëriu i kuq - kryetari i Komitetit komunal, për t´i treguar dhe i kërkon pagën për punën e kryer. Megjithatë zotëriu i kuq nuk ia paguan tërë mundin duke i thënë se i ka hequr vetëm dhjetë kova m... nga nevojtorja. Argati më kot mundohet për ta bindur kryetarin e komitetetit se i ka hequr 12 kova m...Argati i revoltuar nga sjellja e keqe e kryetarit grykës del në qytet ku ishte ditë tregu, dhe thotë: - Merreni me mend, kryetari i komitetit m´i hangri dy kova me m...

PACIFISTËT DHE QENTË E KATUNDIT
Një ditë në Breshanc të Therandës shkoi shtabi i UÇK-së për të bërë një vizitë të reparteve ushtarake të anës së Malishevës. Ata të Shtabit iu drejtuan ushtarëve.
- A i keni marr pushkët të gjithë?
Një nga ushtarët iu përgjegj:
- Të gjithë i kemi marr, përveç pacifistët, hoxhallarët dhe qentë e katundit që s´i kanë marr pushkët.

BISEDIM NËN ZË
Në Klubin shqiptar të Malmes mbahej një mbledhje për Fondin humanitar "Liria
Kombëtare".
- Ky që po flet në mikrofon është autor i dy librave që i ka botuar, - i tregoi njëri shokut të vet shurdhan.
- A i ka martuar ato dy libra, ky që po flet? - pyeti qytetari shurdhan, që fjalët i kuptonte me anën e leximit të buzëve.
- Po, - tha profesor Egriu, që iu bashkangjit bisedës. - Dy ekzemplarë ia ka falur bibliotekës së qytetit, kurse të tjerat i kanë mbetur në shtëpi, ngase askush nuk është i interesuar.

AEROPLANËT E NATO-s
- A e din, pse aeroplanët e NATO-s fluturojnë 10 000 metra mbi Kosovë? - e pyeti njëri shokun e vet kur pa aeroplanin në qiell.
- Sepse kanë frikë nga mortajat e shkive, u përgjegj i dyti.
- Jo, porse tregojnë respekt ndaj bjeshkës së Korabit.

ME ASNJERIN
Një reporter me mikrofon në dorë iu drejtua një burri në bulevardin e qytetit dhe e pyeti:
- A është më mirë të ndeshesh me ujkun , apo me ariun.
Burri u luhat dhe më në fund, tha - me ariun.
Pastaj reporteri takoi një vogëlush me çamçakëz në gojë dhe e pyeti: A është më mirë të ndeshesh me ujkun, apo me ariun
- Me asnjërin, - tha vogëlushi duke u larguar së prapthi nga reporteri.

DIALOG ME IRREDENTISTIN
- A thua, Musë, qysh mundem për t´i dalluar irredentistët? Ata të komitetit na thanë që duhet të ruhemi nga irredentistët meqë janë të rrezikshëm, - i tha një punëtor i "Dukagjinit" të Gjakovës kolegut të punës.
- Po, pikërisht une jam një nga ata irredentistët, prandaj ruaju prej meje.
- Mos, pash zotin! Po nuk ka burr më i mirë se ti!
- E pra te tillë janë të gjithë irredentistët, - e informoi kolegu i tij.

DRENICAKU DHE PRISHTINASI
Një fshatar nga Drenica shkoi në tregun e Prishtinës për të shitur të vetmin dem që kishte.
I afrohet një pacifist nga që interesohet për të blerë. Në fillim i duket shtrenjtë, mirëpo më vonë drenicaku e ul pazarin dhe ia shet më lirë me një kusht.
- Po ta shes më lirë, me kusht që kur ta pren demin, të m´i japësh brirët.
Pacifisti i kënaqur për pazarin mendoi sikur drenicaku është mjeshtër thikash dhe i tha: - Mos vall, je mjeshtër thikash?
- Jo, nuk jam mjeshtër thikash, -ia ktheu drenicaku, - por në pranverë kam mejdan me shkaun, ndaj më duhen brirët si simbol i mbrojtjes dhe paratë për të blerë barot.

PYETJE NGA GJEOGRAFIA
Një ditë arsimtari i gjeografisë e pyeti nxënësin se me cilin shtet kufizohet Kosova në veri.
- Me Serbinë, - u përgjegj nxënësi entuziast.
- Kjo është një mesele e vjetër; tani Kosova kufizohet me Rusinë, - e korigjoi arsimtari.

KULLA E PIZES DHE "PAQJA"
Paqja shkoi dhe e vizitoi Kullën e shtrembër të Pizës. Paqja u mahnit nga qëndresa shumëshekullore e ndërtesës së shtrembër para së cilës janë rrënuar disa objekte më të forta arkitektonike dhe më moderne në botë. Atëhere Paqja e nderoi me emrin e vet, në mënyrë që kjo ndërtesë e qëndrueshme të quhet "Kulla e Paqes".
- Faleminderit për nderimet e tua, mirëpo "Paqja" nuk mund të jetojë gjatë. "Paqja shumë herë është rrëzuar hundë e buzë, kurse unë, edhepse jam e shtrembër themelet i kam të forta. Nuk thonë kot: Rri shtrembër e fol drejt.

KALLËZIMI I FILXHANIT TË KAFESË
- Djali yt do të bëhet hajni më i madhë i Kosovës, - kështu e nisi kallëzimin e filxhanit të kafesë fallxhesha para zonjës.
- Uh, m'i marrsh t´ligat. Ti po ma fyen djalin, - ia ktheu zonja e shtëpisë.
- Pasha sytë e ballit, kështu shkruen në filxhan. Të njëjtin fat ia kam treguar edhe gruas së kryetarit të komunës, moj fisnike.. Bile ajo nuk kundërshtoi kështu si ti. Asaj iu bë qejfi dhe më pagoi mirë për parashikimin e fatit, - tha fallxhesha duke dalur nga shtëpia e zonjës.

I MASKUARI DHE PUTHJA
Vura maskën në fytyrë dhe u drejtova për në bankën e qytetit. Posa desha të hyj në bankë, papritmas më doli një zonjushë, e cila më kapi për krahu dhe më puthi në buzët e vetme që i kisha të zbuluara. Nga dashuria e harrova qëllimin e plaçkitjes së bankës dhe maskën e hoqa nga fytyra. Për çudi pas kësaj zonjusha u shkëput prej meje dhe u zhduk.

KAMERA E MSHEFTË DHE ASHIQARE (Humor)
Një gazetar i televizionit nisi të provokojë kalimtarët në qytet me anën e kamerës së msheftë. Takoi një nga kalimtarët dhe i tha se dëshironte të këmbente valutën 1000 marka.
Kalimtari pranoi, mirëpo kur pa se kartëmonedha prej 1000 markash ishte e falsifikuar, refuzoi të këmbej, atëherë gazetari i tregoi se është kamera e msheftë.
Qytetari duke u larguar i dha një shpullë në fytyrë duke i thënë: - Unë jam kamera ashiqare!

ËNDRRA E SHAIP RESHTANIT
- Pash anërr se u bana shka, - tha Shaip Reshtani i cili kundërshtonte kolonizmin serb në Kosovë pas çlirimit nga fashizmi italian.
- Ma zo ma keq, Shaip, inshalla të del mbarë! Po qysh e ndjeve vetin kur u bane shka? - i thanë të pranishmit.
- Njësoj, - tha Shaip Reshtani - vetëm se kur i shihja shiptarët me kapuça të bardhë i kisha tullusum.

DOKTOR PORTOKALLI
Në ambulancën e qytetit dikush kishte ngrënë portokall dhe lëvoret i kishte hudhur në vrimën e tualetit. Doktor Malaj, u neverit kur pa lëvoret në vrimën e tualetit, shkoi për të zënë dëmtuesin me presh në dorë, duke thënë se me ëndje do të hante një portokall.
Një nga ata ishte mjeku serb dhe u përgjegj: - Më vjen keq, zoti drejtor, kisha portokallin e fundit që e hëngra.
Doktor Malaj e qortoi mjekun serb: - Doktor Portokalli, shko nxirri lëvoret nga vrima e toaletit dhe vëri në shportë.

KRIPA DHE SHPRESA
Ishte kohë e vështirë dhe shpeshherë ndihej mungesa e artikujve kryesor të ushqimit, sidomos i vajit dhe sheqerit. Një fshatar kishte zbritur në qytet për të blerë sheqer. Për fat të keq nuk kishte mbetur asnjë kokërr sheqer në shitore, atëherë fshatari iu drejtua tregtarit:
- A ka shpresë që sheqeri do të vijë së shpejti.
- Shpresë ka, mirëpo sheqer nuk ka, - iu përgjegj tregtari.

RROFTË GOMARI!
Për ditën e rinisë, zakonisht gjatë muajit maj përcillej stafeta e rinisë. Këtë manifestim e përcillnin nxënësit së bashku me mësuesit. Gjersa masa me ovacione brohoriste "Rroftë shoku Tito", një nxënës thoshte vetëm "rroftë". Mësuesi e qortoi nxënësin se duhet thënë "Rroftë shoku Tito", dhe jo vetëm "rroftë". Nxënësi luhati kokën kinse kuptonte dhe vazhdoi brohoritjen: "Rroftë mësuesi, Rroftë mësuesi".
- O, gomar, jo rroftë mësuesi, por rroftë Tito, - e qortoi mësuesi duke i rënë me gishtin e tij të gjatë dhe të rëndë si plumbi në kokë.
Atëherë nxënësi u revoltua edhe më shumë nga goditjet e njëpasnjëshme që merrte në kokë dhe brohoriti edhe më me zë që kishte:
"Rroftë gomari!" "Rroftë, gomari!"

AKADEMIKU HARBUT
Një ditë ish kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përndryshe përmbysës i kushtetutës, Syrja Pupoci, urdhëroi që nga fondi i bibliotekës të hiqet Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe botuar në Tiranë.
- Përse të hiqet? - tha me mospajtim profesor Qosja.
- Sepse aty përmendet fjala harbut që bie në kundërshtim me normat e sistemit jugosllav, - tha Syrja Pupoci.
- Megjithate, këtu nuk duket asgjë e keqe?
- Si nuk duket! I tillë jam unë, ndaj kur e shoh këtë fjalë, më djeg këtu, - tha Pupoci duke vurë dorën në zemër.


[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]