Beqir ELSHANI: Tregime humoristike -exklusive për RTVZIK
MISHI I FAZANIT
Disa burokratë të kuqë ulen në restorantin "Ballkani" të Therandës dhe kërkojnë mish
fazani. Asnjë kamarier nuk guxon t’i shërbej, meqë nuk kishin mish fazani. Më në
fund, shkon shefi dhe u thotë:
- Urdhëroni! Çka dëshironi?
- Mish fazani, përndryshe mblidhi çaklat prej detyrës, - tha njëri prej burokratëve.
- Po, menjëherë. Ju keni fat, posa më erdhën katër fazana nga gjuetia në pyll. Ndaj
besoj se ju mjaftojnë, - tha shefi i restorantit që nuk kishte si t’i hiqte qafet.
Shefi shkoi në kuzhinë, mori katër pula, dhe i fërgoi duke i skuqur bojgjake, saqë
të kënaqte syri t’i shikosh. Pas pak kamarieri ua mbushi tavolinën pushtetarëve,
mirëpo këta gjatë ngrënjes kuptuan se ishin mashtruar.
- Kamarier, këta nuk janë fazanaaa!… ia behën burokratët e paknaqur.
Atëherë në vend të shefit del një kamariere serbe me fshesë në dorë dhe u thotë:
- Kush dreqin jeni ju?! Bahuni sa nuk ju rash me këtë fshesë bythëve...
Këta po dinin çka është tuta prej shkaut dhe menjëharë ikën prej restorantit.
PROFESORI I MATE-MATIKËS
- Unë jam profesori juaj i mate-matikës, - kështu u paraqit mësimdhënësi i ri para
nxënësve të gjimnazit, që kishte zënë vendin e profesorit të porsalarguar si
irredentist. Ndërkohë prej çantës së vet nxori një grusht kokrra fasule për ushtrime
matematikore dhe i derdhi mbi tavolinë.
- Sigurisht që ju jeni ndonjë magjistër, shoku profesor? – e pyeti njëri nga
nxënësit në klasë.
- Unë jam më shumë se magjistër! Unë e kam kryer shkollën e partisë, - tha i
ashtuquajturi profesor duke shkopsitur setrën sa për t’ju dukur kravata në gjoks.
- Po talleni, shoku profesor! Atëherë si e mësuat mate-matikën pa e kryer së pakut
akademinë? – pyeti njëri nga nxënësit në klasë.
- Mate-matikën e mësova tek sekretari i komitetit komunal, - tha i ashtuquajturi
profesor i ri.
ZONJA DHE TIGRI
Një zonjë bërtet nga dritarja e dhomës dhe kërkon ndihmë:
- Ndihmë!... Një macë e madhe më ka hyr në dhomë.
Kalimtarët në rrugë e zënë për tallje dhe qeshin. Në këtë rrëmujë afrohet një
polici, por edhe ky tallet. Polici, si me qesendi i drejtohet zonjës:
- Eshtë macë me dy këmbë, apo me katër këmbë?
- Ju po talleni. Eshtë macë e madhe me gëzofin vija-vija, - tha zonja e frikësuar.
Ndërkohë një gjahtar kalon rrugës, papritmas ia rrëmbeu armën policit dhe ia shkrepi
"bam" në dritare.
- Po budallenjë që jeni, është tigri në dhomën e zonjës, prandaj nga frika thotë se
është macë e madhe, - tha gjahtari.
Nga dritarja tigri u përplas në tokë. Kur gjahtari ktheu shpinën, pa se kishte
mbetur vetem me zonjën dhe tigrin shtrirë përtokë.
FUSHATA E VOTIMEVE
- Votoni për mua, kam përvojë në shumë parti me shumë flamuj. Jam i zoti të vjedh
ditën me anën e kodit sekret dhe jam mik me Unmikun. Me Osebenë mbaj kumbari. Djali
im i lustron këpucët e kryeadministratorit të Unmikut sa herë që udhëton për
Beograd; falë zotit, fiton mirë. Hajnisë ia kam pa hajrin dhe kam bërë investime të
mëdha, prandaj pas fitores do të bashkëpunojë me Afganistanin. Investitorët e
Afganistanit më kanë premtuar ngritjen e një fabrike për prodhimin e qerpiçëve dhe
hashashit për të harruar hallet tona, - kështu tha lideri i një partie politike në
prag të fushatës së votimeve.
- Ua, ua, ua! Këtë… e duam. Fabrikat afgane janë më të mira, janë pa tym! -
brohoriti masa euforike.
SHATI DHE TRAKTORI
Në kuadër të zgjedhjeve për pushtet mbahet një takim para qytetarëve.
- Pyetja e parë është: Mua më ka ngjar dikur, që në vreshtat e Shirokës të mbetem pa
shat për prashitje, prandaj a parashikoni që partia e juaj në të ardhmen të ketë
mjaft shata për punëtorë? Kurse pyetja e dytë është se a do të kemi mjaftë rruaza të
qafës, meqë tani përveç grave, po i bartin edhe burrat? - parashtroi pyetjet njëri
nga qytetarët.
- Sipas pyetjeve që parashtruat, shihet se ju jeni melankolik. Partia jonë nuk do të
mirret me të kaluarën primitive. Dihet, shati e ka vendin në muze. Ne po shkojmë
drejt modernizimit të bujqësisë me traktora, me kombaja, me lopë që milen me aparate
etj., - deklaroi kryetari i opozitës. Sa i përketë pyetjes së dytë, shumë shtete na
kanë premtuar rruaza falas me vagona, nëse ne fitojmë në zgjedhje.
- Zoti kryetar, a ka mundësi që ato shtete të na dërgojnë traktora në vend të
rruazave? - shtoi një tjetër qytetar.
- Kjo nuk varet prej meje, por prej atyre shteteve që na kanë premtuar. Kuptohet që
asnjë shtet nuk ta falë traktorin, - përfundoi kryetari duke fshirë djersët prej
nervozës.
QENI DHE ZOTËRIU
Një ditë qeni, Trapi, vendosi të udhëtojë prej Malmes në Kopenhagë. Andaj Trapi
filloi të leh para zotëriut të tij. Të lehurit e Trapit ishte një kërkesë që edhe
vetë zotëriu e kuptonte dëshirën e tij.
- Unë dëshiroj të vizitoj Kopenhagën, - kështu tha qeni, Trapi, që e luhaste këmbën
e parë një shenjë lutje.
- Mjerisht, nuk mund të kalosh kah ura e gjatë e Oresundit, është rrezik për qentë,
- tha zotëriu.
- Mund të udhëtojmë së bashku me automobilin "Volvo" - tha qeni entuziast.
- Edhe po të më ftonte princesha daneze, unë nuk do të luaja vendit, - tha
kërcënueshëm zotëriu.
- Meqë qenka ashtu, atëherë po udhëtoj vetëm me "Volvo".
- Vetëm? Mos ke luajtur mendsh?! Ti nuk ke fare patent shoferi dhe policia mund të
dënojë, pastaj unë të paguaj gjobën për ty. A nuk e di, ti, që sipas ligjit suedez
qentë nuk kanë drejt të kenë patentë shoferi?!
- Atëherë do të udhëtoj me tren, - tha qeni që tashmë kishte vurë këmbët e para në
prehërin e zotëriut.
- Të udhëtosh me tren pa mua dhe pa pasaportë?! E pamundur! Policia të nxjerrë në
rrugë.
- Megjithatë mund të huazoj një pasaportë prej fqinjit tim, vetëm për një ditë
shetitje – shtoi qeni.
- Ç’ imagjinatë të hatashme ke. Nëse të zë doganieri, të burgos dhe kurrë më nuk
mund të shihemi, - e qortoi zotëriu, që tanimë shpresonte se qeni i tij, Trapi, do
të bindej.
- E di ti, që unë, si gjithë farefisi im mund të notoj deri në Danimarkë, - tha qeni
që tani me këmbën e djathtë, në shenjë revolte, i mëshonte zotëriut.
- Po, po! Unë i kuptoj dëshirat e tua, mirëpo mos harro se tani jemi në dimër dhe
deti është i ftohtë.
- Im Zotëri, ti po më gënjen, sepse unë e di që njeriu mund të shkojë edhe pa
pasaportë në Danimarkë. Për këtë më ka treguar edhe e dashura ime, e cila së bashku
me zonjën shpeshherë udhëtojnë për Kopenhagë. E di unë, e di… mirëpo ti je një
dembel, që vetëm rri kot në shtëpi. Falenderoju zotit që unë jam një qen i shkolluar
se përndryshe do t´i kisha lënë kockat në tokë.
HALLET E BIZNISMENIT
Një biznismen i shkruan redaksisë: E nderuara, Redaksi! Babai im, rahmet shpirtit të
tij, ka qenë njeri me autoritet në pushtet. Ai më ka lënë një fond bukur të madhë me
libra të Titos, që të kënaq synin kur i shikon: me ngjyra të kuqe dhe me shkronja të
arta që vezullojnë. Librat janë të ruajtura dhe askush nuk i ka prekur me dorë.
Një ditë shkova në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, jo për t´ua shitur
librat e Titos, por për t´ua falur. Merreni me mend, bibliotekarët më ndoqën me
shkop. Ai drejtori i Bibliotekës i ngrysi vetullat sikur t´ia kisha mbytur babën.
Bile njëri nga bibliotekarët që zyrën e kishte në krye të shkallëve, për fat të mirë
që arkitekti nuk ka lënë asnjë dritare të hapur se përndryshe deshi të më hidhte për
dritare jashtë. Prandaj kërkoj të më udhëzoni se kujt duhet t´ia dërgoj këta libra
të shkreta. Unë sot jam biznismen dhe fare nuk më interesojnë librat që m´i ka lënë
babai. Shpresoj që ju do të më gjeni ndonjë dashamir të librave të Titos.
Përshëndetje nga bamirësi.
Redaksia i përgjigjet kështu: Letrën tënde e lexuam dhe kuptuam hallin që të mundon.
Të njëjtin rast kishte edhe një qytetar nga ana e Karadakut. Mësuam se babai yt
kishte qenë njeri i pushtetit dhe se ka jetuar luks, që po e trashëgon ti. Ti
shkruan se librat janë të stolisur me ngjyra të bukura vezulluese, megjithëse ato
nuk janë asgjë tjetër pos gjemba që t´i vrasin sytë. Ke bërë mirë që fare nuk i ke
shfletuar, sepse në veprat e Titos vetëm djalli s’ka hyrë. Kuptuam që ti sot ke
zgjedhur profesionin e biznismenit, prandaj të urojmë punë të mbarë.
Na erdhi keq që bibliotekarët nuk të kishin nderuar së pakut me një llokum, si
dhurues i librave, mirëpo siç shkruan ti, të ndoqën si një langua. Megjithatë, ti
duhet t´i kuptosh bibliotekarët e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, sepse kanë
vuajtur të zitë e ullirit nga pushtuesi serb. Shkiet ua kanë plaçkitur ndëtesën,
kurse fondin e librave në gjuhën i kanë djegur. Këtë e di vetëm lëkura e tyre se
çfarë pasoja kanë vuajtur nga barbaria serbe. Për inat të kupolave të bardha të
Bibliotekës, që i ngjanë qelesheve shqiptare, shkiet këtë institucion e kanë bërë
për faqe të zezë, duke kthyer në stallë derrash. pijetore, shtëpi publike dhe depo
armësh. Megjithatë, bibliotekarët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si demokratë
dhe qytetarë europianë që janë, në mënyrë të kultururar duhej të kishin udhëzuar ty
që t´i dërgosh në Fabrikën e letrës në Lypjan për reciklazhë dhe jo të kërcënohen me
shkop. Mirë që paske shpëtuar pa e thyer qafën shkallëve tatëpjetë.
Meqë ti banon në Rrafshin e Dukagjinit, të këshillojmë që librat t´i dërgosh në
fabrikën e tullave në Landovicë. Shpresoj që ata pranojnë t´i marrin librat nga
shtëpia jote, meqë kohët e fundit ndihet mungesa e rrymës në Kosovë. Ti vetëm duhet
lajmëruar fabrikën e tullave dhe ata vijnë menjëherë t´i marrin me kamionin e
tyre.Planera din drömsemester på MSN Resor. Klicka här
|
|