Beqir ELSHANI: Qafa e Pulës" -
anekdota.
BABAI ME TRE DJEM
Një ditë babai me tre djemtë
e vet hyri në ordinancën e mjekut
dhe tregoi për hallet e djemve që
i mundojnë.
- Ky i pari është qorr dhe nuk po
e sheh shkaun që i ka hyp përmi; ky
i dyti është shurdhan dhe nuk po i
dëgjon topat e UÇK-së; kurse
ky i treti nuk po mundet me i durue këta
dy, - tha plaku duke pritur këshillën
e mjekut.
- Për këta dy të parët nuk
ka shpëtim, kurse këtë të
tretin dërgoe në UÇK, - e këshilloi
mjeku.
HALLET E ARDIANIT
- Ky është qeni im, quhet Larosh,
mirëpo unë e thërras Lari; ashtu
siç quhem unë Ardian, por më
thërrasin Ani. Një vogëlush entuziast
që e miklonte qenin, e pyeti në ishte
qen i Sharrit.
- Jo, nuk është qen i Sharrit, megjithëse
njeh disa shqisa të kufizuara. Nuk është
i zoti t´i ruaj delet që vazhdimisht
m'i ka ngrënë ujku, ndaj nuk ka asnjë
nishan në trup.
- Po kjo medale në qafë, ç´do
të thotë? - pyeti vogëlushi i
habitur.
- Këtë e ka kujtim prej vjedullës
që nuk ka reaguar kur ma kulloti kollomboqin
në arë.
PACIFISTËT DHE QENTË EKATUNDIT
Një ditë në Breshan të Therandës
shkoi shtabi i UÇK-ës për të
bërë një vizitë në
repartin ushtarak të anës së
Malishevës. Ata të Shtabit iu drejtuan
ushtarëve:
- A i keni marr pushkët të gjithë?
Një nga ushtarët iu përgjegj:
- Të gjithë i kemi marrë, përveç
pacifistët, hoxhallarët dhe qentë
e katundit që s´i kanë marrë
pushkët.
FOTOGRAFIA DHE KUNDËRMIMI
Dy gra bisedonin në kursin e gjuhës
angleze.
- Moj motër, çka jam në zor
prej mysafirëve të shpeshtë që
vijnë gati për çdo mbrëmje,
dhe m´u këputën këmbët
duke u shërbyer me çaj e kafe, -
i tha shoqes së vet gjatë pushimit
në klasë.
- Atëherë vendose fotografinë
e Titos në mur, mbase mysafirët fyhen
dhe nuk vijnë më që t´ju
bezdisin, - ia ktheu shoqja e saj.
- Uh të marrsha të keqen. Ne fotografinë
e Titos e kemi në ballë të dhomës,
mirëpo as kjo nuk ndihmon.
- Atëherë bëj së pakut një
erë të keqe që kundërmon
dhe mysafirët do të thyejnë qafen,
- e përmbylli e dyta.
DRENICAKU DHE PRISHTINASI
Një fshatar nga Drenica shkoi në tregun
e Prishtinës për të shitur të
vetmin dem që kishte.
I afrohet një pacifist nga që interesohet
për të blerë. Në fillim
i duket shtrenjtë, mirëpo më
vonë drenicaku e ul pazarin dhe ia shet
më lirë me një kusht.
- Po ta shes më lirë, me kusht që
kur ta pren demin, të m´i japësh
brirët.
Pacifisti i kënaqur për pazarin mendoi
sikur drenicaku është mjeshtër
thikash dhe i tha:
- Mos vallë, je mjeshtër thikash?
- Jo, nuk jam mjeshtër thikash, - ia ktheu
drenicaku, - por në pranverë kam mejdan
me shkaun, ndaj më duhen brirët si
simbol i mbrojtjes dhe paratë për
të blerë barut.
ARKATARI DHE PUSHKA E ADEMIT
Tërë ditën brodhi në qytet
pas trepërqindëshit arkatari i ri
që kishte zëvendësuar të
vjetrin pasi ishte zbuluar se kishte dorë.
Krejtë po vjedhin si dikur n´atë
koperativën tonë, thoshte ai.
Ishin orët e vona të ditës dhe
autobusët po rralloheshin në tranzitin
urban. Hipi në tremdhjetshin që e
dërgonte në lagjen e tij. Në
banesë kumboi zili dhe motrat e vogla fluturimthi
ia hapën derën. Çantën
bosh e gjuajti në tavolinën e dhomës.
- Si vajti mbledhja e trepërqindëshit,
sot? - e pyeti nëna të birin.
- Ligsht, nënë. Ç´prej
se po flet pushka e Adem Jasharit, askush nuk
po paguan më trepërqindësh.
DIALOG ME IRREDENTISTIN
- A thua, Musë, qysh mundem për t´i
dalluar irredentistët? Ata të komitetit
na thanë që duhet të ruhemi nga
irredentistët meqë janë të
rrezikshëm, - i tha një punëtor
i "Dukagjinit" të Gjakovës
kolegut të punës.
- Po, pikërisht une jam një nga ata
irredentistët, prandaj ruaju prej meje.
- Mos, pash zotin! Po nuk ka burr më i
mirë se ti!
- E, pra, të tillë janë të
gjithë irredentistët, - e informoi
kolegu i tij.
PARTIA E PUNËS
Një avokat i Prishtinës njoftoi se
kishte formuar partinë opozitare, Partia
e Punës, që i thonin "pë-pë".
Një bashkëbisedues i pranishëm
në këtë bisedë e pyeti se
a ka të interesuar për "pëpë-në"?
Avokati iu përgjegj pa ngurrim dhe tha:
- Asnjë!
- Mbase pse është parti enveriste
dhe njerëzit ikin?
- Jo, për atë! - plotësoi avokati,
- Partia ime e Punës nuk ka asgjë
të bëjë me enverizmin, por sepse
askush nuk do të punojë, bre, vëlla.
Të gjithë e duan të gatshme prej
Amerikës.
ME ASNJËRIN
Një reporter me mikrofon në dorë
iu drejtua një burri në bulevardin
e qytetit dhe e pyeti:
- A është më mirë të
ndeshesh me ujkun , apo me ariun.
Burri u luhat dhe më në fund, tha:
- Me ariun.
Pastaj reporteri takoi një vogëlush
me çamçakëz në gojë
dhe e pyeti: - A është më mirë
të ndeshesh me ujkun, apo me ariun?
- Me asnjërin, - tha vogëlushi duke
u larguar së prapthi nga reporteri.
ZOTËRIU I KUQ
Në Vushtrri ka qenë dikur një
skamnor i papunë, prandaj punonte me mëditje
- argati tek të pasurit. Një ditë
kryetari i komitetit komunal e godit për
t´ia pastruar nevojtoren në vilen
e tij. Në fund, kur shërbëtori
e kryen punën, drejtohet tek zotëriu
i kuq - kryetari i Komitetit komunal për
t´i treguar dhe i kërkon pagën
për punën e kryer. Megjithatë
zotëriu i kuq nuk ia paguan tërë
mundin duke i thënë se i ka hequr
vetëm dhjetë kova m... nga nevojtorja.
Argati më kot mundohet për ta bindur
kryetarin e komitetetit se i ka hequr 12 kova
m... Argati i revoltuar nga sjellja e keqe e
kryetarit grykës del në qytet ku ishte
ditë tregu, dhe thotë:
- Merreni me mend, kryetari i komitetit m´i
hangri dy kova me m...
QAFA E PULËS
- A e di ti se cila copë e mishit të
pulës është më e mirë?
- e pyeti shokun gjatë gostisë në
kafene të qytetit.
- Qafa e pulës, - u përgjegj shoku
i tij që dikur kishte punuar kurir në
komitet.
- Mirëpo, tani, ti nuk je më kurir
në komitet.
- Megjithatë ish kryetari i komitetit është
bërë ministër, dhe unë kryej
të njëjtën detyrë.
AEROPLANËT E NATO-s
- A e di ti, përse aeroplanët e NATO-s
fluturojnë 10 000 metra mbi Kosovë?
- e pyeti njëri shokun e vet kur pa aeroplanin
në qiell.
- Sepse kanë frikë nga mortajat serbe,
- u përgjegj shoku i tij.
- Jo, porse tregojnë respekt ndaj bjeshkës
së Korabit.
USHTARI ÇETNIK PA KËMBË
Në spitalin e qytetit u shtrua një
çetnik që kishte mbetur pa këmbë
nga minat që kishte hasur. Palltoja ushtarake
e çetnikut ishte e stolisur me medale
të ndryshme nga Beogradi për vrasjen
e shqiptarëve. Një ushtar amerikan
sikur donte ta qesendisi serbin e plagosur me
një fotografi të Millosheviqit, që
kishte nxjerrur nga xhepi i mbrendshëm
i palltos së çetnikut. I plagosuri
qante dhe kthente kokën mënjanë.
Ushtari amerikan këtë "lojë"
e përsëriti disa herë duke ia
treguar fotografinë e Millosheviqit çetnikut
serb, gjersa më në fund hyri motra
medicinale dhe e qortoi ushtarin amerikan:
- Ju, a po doni me e tranue tani të shkretin
shka që ka mbet pa këmbë.
- Jo, por desha të provoj refleksin e tij
pas aksidentit dhe konstatova se e ka në
rregull, - tha ushtari amerikan.
PYETJE NGA GJEOGRAFIA
Një ditë arsimtari i gjeografisë
e pyeti nxënësin se me cilin shtet
kufizohet Kosova në veri.
- Me Serbinë, - u përgjegj nxënësi
entuziast.
- Kjo është një mesele e vjetër;
tani Kosova kufizohet me Rusinë, - e korigjoi
arsimtari.
MUQIBABA
Një ditë profesori i gjeografisë
gjatë orës mësimore e pyeti nxënësin,
i cili ishte i biri i ish-kryetarit të
komitetit komunal.
- Si quhet katundi në mes të Gjilanit
dhe Preshevës?
- Mu-qi-baba! - u përgjegj nxënësi
duke mbajtur gishtin ne hartën fizike të
Kosovës.
- Qëndro djalosh, mos u dorëzo! -
i tha profesori që dikur ishte larguar
prej punës si irredentist nga babai i tij.
BERISHËT, NJERËZ TË BESËS
Në Shirokë të Therandës
dy fshatarë serbë pritnin autobusin
për në Prizren, andej pari kalon një
bari me tufën e dhenve i cili tradicionalisht
tungjatjetohet.
- Berishët janë njerëz të
besës, - iu drejtua i pari të dytit.
I dyti u ngrys në fytyrë dhe ndërhyri:
- A nuk e din ti, që Berishët janë
në burg për Kosova Republikë?
- Mos, more! Edhe kta po lypin republikë,
a? S´u met asnji shiptar i nershëm.
KAMIONI SHQIPTAR DHE SHKAU CINIK
Një serb, përndryshe mirëmbajtës
i rrugëve, kishte hasur një kamion
me rimorkio nga Shqiperia, prandaj i kishte
thënë italisht, se për shkak
të borës së madhe nuk mund të
ngjitet tek Qafa e Duhlës. Të nesërmen
ky serb tregon ngjarjen para kolegëve se
si e ka takuar një shofer me kamion nga
Shqiperia dhe se si e ka informuar italisht.
Një nga punëtorët shqiptar e
kupton cinizmin e shkaut dhe i thotë.
- Ty duhet rrahur me pendrekun bullgar, i cili
harron të ndalet me dyzet goditje, prandaj
ia nis prej fillimit. Në mesin e shqiptarëve
jeton dhe punon, kurse italianët dy vjet
kanë qenë pushtues, prandaj italisht
ke dijtur të flasësh, kurse shqip
nuk ke dijtur.
- Krejt bota ma q... nanën, n'folsha ma
me shiptar, - tha shkau cinik.
PAMFLETET NË GJIMNAZ
Për shkak të pamfleteve "Kosova
Republikë" që viheshin nga nxënësit
dhe studentët, mësimdhënësit
ishin të detyruar të mbanin kujdestari
në shkollë edhe gjatë natës,
ku rëndomë kujdestaronin nga dy veta.
I pari i tha të dytit, se a dëshiron
të ruaj mbrenda në shkollë, apo
në oborrin e shkollës.
- Do të ruaj mbrenda! Mos më kanë
lënë mendtë të ruaj edhe
jashtë e të mërdhihem në
këtë shiun e natës, - u përgjegj
kolegu i tij.
- Atëherë, unë po dal të
ruaj në oborr, kurse ti ruaj mbrenda, -
tha i pari dhe shkoi drejt shtëpisë
së vet.
RROFTË GOMARI!
Për ditën e rinisë, zakonisht
gjatë muajit maj, përcillej stafeta
e rinisë. Këtë manifestim e përcillnin
nxënësit së bashku me mësuesit.
Gjersa masa me ovacione brohoriste "Rroftë
shoku Tito", një nxënës
thoshte vetëm "rroftë".
Mësuesi e qortoi nxënësin se
duhet thënë "Rroftë shoku
Tito", dhe jo vetëm "rroftë".
Nxënësi luhati kokën kinse kuptonte
dhe vazhdoi brohoritjen: "Rroftë mësuesi,
Rroftë mësuesi".
- O, gomar, jo rroftë mësuesi, por
rroftë Tito, - e qortoi mësuesi duke
i rënë me gishtin e tij të gjatë
dhe të rëndë si plumbi në
kokë.
Atëherë nxënësi u revoltua
edhe më shumë nga goditjet që
merrte në kokë dhe brohoriti edhe
më me zë që kishte: "Rroftë
gomari!" "Rroftë gomari!"
AKADEMIKU HARBUT
Një ditë ish kryetari i Akademisë
së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
përndryshe përmbysës i kushtetutës,
Syrja Pupoci, urdhëroi që nga fondi
i bibliotekës të hiqet Fjalori i Gjuhës
së Sotme Shqipe, botuar në Tiranë.
- Përse të hiqet? - tha me mospajtim
profesor Rexhep Qosja.
- Sepse aty përmendet fjala harbut që
bie në kundërshtim me normat e sistemit
jugosllav, - tha Syrja Pupoci.
- Megjithate, këtu nuk duket asgjë
e keqe?
- Si nuk duket! I tillë jam unë, ndaj
kur e shoh këtë fjalë, më
djeg këtu, - tha Pupoci duke vurë
dorën në zemër.
DEMONSTRIMI I NEUROPSIKIATRIT
Një ditë, polici shqiptar e zuri djaloshin
therandas duke brohoritur "Kosova Republikë".
Meqë djaloshi ishte i moshës rinore,
e dërgojnë në neuropsikiatri
të Shkupit.
- Çfarë halli ka çuni? Është
djali yt? - pyeti neuropsikiatri.
- Jo, rujna zot! Ky nuk është normal,
prandaj del dhe bërtetë në rrugë
"Kosova Republikë", - shtoi polici.
Ndërkohë neuropsikiatri me telefon
kërkoi një pacient nga pavionet e
tij.
I sëmuri mental posa hyri në ordinancë,
bërtiti: - Unë do t´ju mbys.
Ty, polic, ta q... Jugosllavinë. A e di
ti se kush jam unë? - Në çastin
kur deshi ta kapi për fyti policin shqiptar,
neuropsikiatri e nxori jashtë.
- Mund të shkoni, kurse herën tjetër
eja vetëm, - mori përgjigje polici
shqiptar që nga frika ishte bërë
dyllë.
AUTOINATÇE
Vizitori shqiptar i drejtohet një prishtinasi
me kasketë në kokë dhe e pyet
se ku gjindet objekti që e kërkonte.
Qytetari në fillim e shikoi dhe ia priti:
- Je shqiptar? Fol shqip, vëlla të
paça!
Vizitori shqiptar u zu ngusht dhe sa për
t´u arsyetuar para prishtinasit, tha:
- Më falni! Unë ju pash me kasketë
në kokë, ndaj ju drejtova serbisht.
Atëhere prishtinasi ia priti:
- Edhe dhjetë kasketa në i mbafsha
në kokë, fol shqip se je në Kosovë!
Vizitori, i turpëruar, uli kokën dhe
vazhdoi duke thënë autoinatçe:
- Mirë ma bëre, mu thaftë goja
në folsha më serbisht.
ËNDRRA E SHAIP RESHTANIT
- Pash anërr se u bana shka, - tha Shaip
Reshtani i cili kundërshtonte kolonizmin
serb në Kosovë pas çlirimit
nga fashizmi italian.
- Ma zo ma keq, Shaip, inshalla të del
mbarë! Po qysh e ndjeve vetin kur u bane
shka? - i thanë të pranishmit.
- Njësoj, - tha Shaip Reshtani - vetëm
se kur i shihja shiptarët me kapuça
të bardhë i kisha tullusum.
KURTHI DHE HAJNI
- Pranë kotecit të pulave kam hapur
një gropë si kurth; nëse dhelpna
ia mësyen, bie në gropë, pastaj
kapaku me mekanizëm mbyllet dhe unë
e zë. Gëzofin e ka të mirë
kafsha, - i tregoi plaku fqiu të vet.
- Mirëpo, po qe se bie hajni me dy këmbë,
atëherë ç´do t´i
bësh? - ndërhyri fqiu.
- Po qe se bie hajni, i them: zoti t´
marroftë!
- Sa për marren, ti mbete pa pula!
- Ndoshta! Por nëse e zë djali im,
Batoni, ai nuk e marron si unë... - përfundoi
plaku.
RRENA OPOZITARE
Një ditë, në prag të zgjedhjeve
opozitare, u shtyen në garën e rrenave
se cili nga dy udhëheqësit opozitarë
di për të kurdisur rrenën aktuale.
I pari foli Thaçi dhe tha:
- Kosova do të bëhet krahinë
autonome.
Ata të LDK-ës u pajtuan se me të
vërtetë është rrenë.
Pastaj i erdhi radha Rugovës dhe tha:
- Kosova do të bëhet shtet i pavarur.
- Kujdes, kjo nuk është rrenë,
- ia pritën ata të PDK-ës, -
ndaj e pësuat.
DOKTOR PORTOKALLI
Në ambulancën e qytetit dikush kishte
ngrënë portokall dhe lëvoret
i kishte hedhur në vrimën e tualetit.
Doktor Dauti, u neverit kur pa lëvoret
në vrimën e tualetit, shkoi për
të zënë dëmtuesin me presh
në dorë, duke thënë se me
ëndje do të hante një portokall.
Një nga ata ishte mjeku serb dhe u përgjegj:
- Më vjen keq, zoti drejtor, kisha portokallin
e fundit që e hëngra.
Prandaj doktor Dauti e qortoi mjekun serb:
- Doktor Portokalli, shko nxirri lëvoret
nga vrima e toaletit dhe vëri në shportë.
SHEQERI DHE SHPRESA
Ishte kohë e vështirë dhe shpeshherë
ndihej mungesa e artikujve kryesor të ushqimit,
sidomos i vajit dhe sheqerit. Një fshatar
kishte zbritur në qytet për të
blerë sheqer. Për fat të keq
nuk kishte mbetur asnjë kokërr sheqer
në shitore, atëherë fshatari
iu drejtua tregtarit:
- A ka shpresë, që sheqeri do të
vijë së shpejti.
- Shpresë ka, mirëpo sheqer nuk ka,
- iu përgjegj tregtari.
KAMERA E MSHEFTË
Një gazetar i televizionit nisi të
provokojë kalimtarët në qytet
me anën e kamerës së msheftë.
Takoi një nga kalimtarët dhe i tha
se dëshironte të këmbente valutën
1000 marka.
Kalimtari pranoi, mirëpo kur pa se kartëmonedha
prej 1000 markash ishte e falsifikuar, refuzoi
të këmbej, atëherë gazetari
i tregoi se është kamera e msheftë.
Qytetari duke u larguar i dha një shpullë
në fytyrë duke i thënë:
- Unë jam kamera ashiqare.
MOSMARRËVESHJE
Një teknolog nga Mitrovica punonte në
fabrikën e gomës në Therandë,
hyri në zyrë ku punonin dy referentë
shqiptarë. I pari e pyeti se prej nga është.
- Nga Mitrovica e Titos, - u përgjegj teknologu.
Referenti i parë nga habia u ngrit në
këmbë kur dëgjoi fjalën
i MëTë-s, kurse i dyti mbylli sytë.
Teknologu reagoi: - Mbase po ua vret veshin
emni Mitrovica e Titos?
Atëherë referenti i parë, sa
për të dalur nga ankthi politik, tha:
- Jo, aspak, por kur ti the se je i Mitrovicës
së T..., në shenjë nderimi unë
u ngrita në këmbë.
- Mirëpo, ky tjetri përse e mbuloi
fytyrën me duar? - ndërhyri me pyetjen
plot gjemba teknologu nga Mitrovica.
- Unë u tremba, sikur shoku im që
u ngrit, donte të godas kur the se je nga
Mitrovica e T..., prandaj e mbulova fytyrën.
FSHATARI ME TËRFURK
Një shofer ia shkeli gjelin fshatarit,
pastaj i kërkoi falje dhe tha se do t´ia
paguante. Fshatari me tërfurk i tha shoferit
se nuk u bë nami, vetëm se duhet paguar
dëmshpërblimin prej 1000 markash.
Shoferi pagoi dëmin dhe vazhdoi rrugën.
- Sa bujar që ishte shoferi, pagoi pa fjalë,
kurse gjeli nuk i bën as 10 marka, - i
tregoi gruas së vet që vështronte
e habitur.
- Shkova të grij qepë se plasa, -
ia ktheu gruaja.
DEFEKTI DHE GRUSHTET
- Televizori im nuk punon mirë, vazhdimisht
më duhet të godas këtë rradake
me grusht, - u ankua qytetari tek mjeshtri,
dhe vazhdoi: - Nëse e godas një herë
me grusht, më del Shtajneri; nëse
e godas dy herë, më del Hakrepi; nëse
e godas tri herë, më del Kushneri.
- Mos u brengos, unë ta rregulloj TV-aparatin
që pa e goditur me grusht të del Rugova.
- Mosni, se i mshoj përtokë, - tha
hallexhiu shqiptar.
PAPAGALLI DHE PARLAMENTI
- Unë i dua papagajtë, - tha mysafiri
posa filloi të pi kafe tek miku.
I zoti i shtëpisë menjëherë
e lëshoi programin e tvsh-ës, ku mbahej
mbledhja e Parlamentit Shqiptar. Pas një
ore mysafiri tha:
- Qite në ndonjë kanal të hajrit,
se këta po ma çajnë kryet.
- Më duket se ti në fillim the që
i do papagajtë, - ndërhyri miku.
- Unë mendova në papagallin zog, dhe
jo në këta llafazanë që
vetëm rrokullisin gurin, - tha mysafiri
i revoltuar.
KALLËZIMI I FILXHANIT TË KAFESË
- Djali yt do të bëhet hajni më
i madh i Kosovës, - kështu e nisi
kallëzimin e filxhanit të kafesë
fallxhesha para zonjës.
- Uh, m'i marrsh t´ligat. Ti po ma fyen
djalin, - ia ktheu zonja e shtëpisë.
- Pasha sytë e ballit, kështu shkruen
në filxhan, moj fisnike. Të njëjtin
fat ia kam treguar edhe gruas së kryetarit
të komunës. Bile ajo nuk kundërshtoi
kështu si ti. Asaj iu bë qejfi dhe
më pagoi mirë për parashikimin
e fatit, - tha fallxhesha duke dalur nga shtëpia
e zonjës.
LIGJI PORSI FIZARMONIKA
- Pse qanë kur unë i bie fizarmonikës?
Mos vallë, emocionohesh nga muzika? - iu
drejtua fizarmonicisti qytetarit përballë.
- S' janë emocione, por më kujton
ligjet e ish-Jugosllavisë që herë
hapeshin dhe herë mblidheshin porsi ky
rrësheku i fizarmonikës sate, - ofshani
qytetari.
KOMBËTARJA "BOTA SOT"
- Ti ke shkruar një hartim të bukur
në gjuhën shqipe, - kështu i
tha profesori nxënësit tek po ia dorëzonte
hartimin e vlerësuar. - Mirëpo çuditem
se si askund nuk e ke përmendur epitetin:
kombëtar.
- Zoti profesor, unë kam shkruar për
flamurin shqiptar, dhe jo për kombëtaren
"Bota sot", - shtoi nxënësi
me fytyrë të vrenjtur.
DAULLEXHIU DHE TIGRI
- Daullexhiu me dy shkopinjë dhe daullen
e tij ndeshet me kafshën e rrezikshme,
tigrin, cili nga këta duhet të dali
fitues? - pyeti europiani zezakun që e
shoqëronte gjatë një ekspedite
në Afrikë.
- Daullexhiu veçse e ka kryer punën,
përndryshe daullja pa lëkurën
e tigrit nuk do të kumbonte, - u përgjegj
zezaku.
SHATI PA RROTA
Një fshatar para se të hynte në
shitore e la shatin skaj trotuarit, ku bisedonin
një grup të rinjësh. Aty kishte
edhe disa biçikleta të mbyllur me
dry.
- Djema, ma ruani shatin gjersa të blej
kripë në shitore!
- Mos ke gajle, mixhë, se është
pa rrota dhe kurrkush s'ta merr!
MASA E MËKATEVE
Një ditë imami i qytetit organizoi
një piknik testimi me disa ish udhëheqës
që kishin marrë më qafë
punëtorët. Dikur ata kishin plaçkitur
ndërmarrjet e Kosovës dhe kishin larguar
shumë punëtorë shqiptarë
si nacionalistë. Tani këta ish udhëheqës
ishin rehabilituar në besimtarë të
fesë islame. Imami këshilloi që
secili të futet në plazhin e liqenit
të Badocit aq sa ka bërë mëkate
dhe Zoti ua falë mëkatet, ku në
fund gishti i imamit mbeti në drejtim të
qiellit.
Ish-udhëheqësit sharruan gjer te zogu
i këmbës dhe disa gjer në gju,
por kurrësesi gjer në bel se lë
më gjer në fyt. Në mesin e tyre
qëlloi një arkatar që ishte fundosur
i tëri në ujë, sakaq imami ia
nxori kokën në ajër dhe i tha:
- Kaq shumë mëkate paske bërë
i shkreti, saqë don edhe të mbytesh
në ujë.
- Jo, - ia ktheu arkatari, - unë nuk kam
bërë mëkate, mirëpo nuk
mund t´i shikoj sesa të pafytyrë
janë këta kodosha, dhe nuk duan së
pakut të sharrojnë gjer në bel.
URIME KËRSHËNDELLAT
- Urime kërshëndellat, zoti Rexhep!
- Kështu e uroi një shqiptar bashkëvendasin
e vet në Malme.
- Kujdes, unë jam mysliman dhe nuk i festoj
kërshëndellat! - ia ktheu bashkëvendasi
duke nxjerrë tespihet nga xhepi i thellë
i palltos si argument bindës.
- Ç'metamorfozë! Kur ishe komunist
e hajshe mishin e thiut, kurse sot po ia di
edhe rendin fesë me tespihe në dorë.
MAÇOKU PACIFIST
- Zotni maçok, e di ti përse po
të mbaj në shtëpi? - kështu
i tha pronari maçokut që fare nuk
gjuante mi.
- Mbase ti i do kafshët si hobi!, - u përgjegj
maçoku duke luhatur bishtin poshtë
e lartë.
- Po, të mbaj për të gjuajtur
mi, jo për hobi! Ka një vit që
ti fare nuk gjuan mi, por vetëm argëtohesh
me fshisën pas dere.
- Mirëpo a nuk e di ti që unë
jam pacifist, - shtoi maçoku tani duke
iu përçallur nëpër këmbë
pronarit, meqë e kuptonte fajin.
- Po shoh se si mijtë ma kanë invaduar
shtëpinë. Jashtë! Jashtë!
- bërtiti pronari duke hapur derën
e shtëpisë.
KOHA E VËLLAZNIM-BASHKIMIT
Dikur, në kohën e vëllaznim-bashkimit,
shqiptari dhe serbi punonin në fabrikë.
Papritmas një hekur i trashë e qëllon
serbin dhe ia këputë krahun. Shqiptari
që rastisi pranë tij, filloi të
qajë.
- Shumë po të dhimbsem, pobratim!
- tha serbi me krah të këputur.
- Nuk e kam gajlen e krahut tënd, mirëpo
mua më pret burgu, kinse unë të
kam qëlluar me hekur, - ia sqaroi shqiptari.
- Kurrë nuk e bëj një poshtërsi
të tillë; vet u lëndova. Fundja-fundjes
hekuri ra prej së larti, - shtoi serbi.
- Kështu thua para meje, mirëpo posa
të takohesh me ata të Beogradit, ti
i han fjalët,- tha shqiptari duke fshirë
lotët.
ABRAKADABRA
Në Bibliotekën Shtetërore të
Stokholmit, librat e letërsisë në
gjuhën shqipe ishin të sistemuara
sipas abëcësë, ndaj Hasani, S.
me të vërtetat dhe mashtrimet e tij
vinte para autonomistit Pupovci S.
Të nesërmen hetova një ndryshim,
dikush i kishte bashkangjitur me shirit ngjitës
Hasanin me Pupovcin. Atëhere edhe unë
i bëra një shërbim të vogël.
Në mesin e të dyve e futa me forcë
edhe librin e Ivo Andriqit. Mbase ky shkau me
çmimin Nobel mund t´i ngrohë
së paku edhe miqtë e vet në Suedi.
REVOLUCIONI I BIMËVE
- Ju lutem, a e keni librin "Evolucioni
i bimëve" të Çarls Darvinit,
- kumboi zëri i studentit në librarinë
e qytetit. Pastaj ndihmëslibrari e pyeti
shefin e vet për librin që kërkonte
studenti.
- Zoti shef, a e kemi librin "Revolucioni
i bimëve" të Karl Marksit?
LEXUESI PASIV
Një lexues kërkon një libër
nga bibliotekari.
- Zoti bibliotekar, më epni librin "Tambli
i bardhë" të Pashko Vasës.
- "Bardha e Temalit" apo...? - e korigjoi
bibliotekari.
- Më falni, "E bardha e tamblit",
- tha lexuesi pasiv që mundohej të
korigjohej.
LEXUESI MBURRACAK
- Unë kam lexuar mbi 100 romane, - tha
një lexues mburracak.
- Atëherë, ti qenke shkrimtar, - ia
ktheu i dyti.
- Po të thoja se kam lexuar 1000 romane,
- çfarë do të më thoje
atëherë?
- Do të thoja se je bërë njeri,
- ia ktheu i dyti.
BISEDIM NËN ZË
Në Klubin shqiptar të Malmes mbahej
një mbledhje për Fondin humanitar
"Liria Kombëtare".
- Ky që po flet në mikrofon është
autor i dy librave që i ka botuar, - i
tregoi njëri shokut të vet shurdhan.
- A i ka martuar ato dy libra, ky që po
flet? - pyeti shurdhani, që fjalët
i kuptonte me anën e leximit të buzëve.
- Po, - tha profesor Egriu, që iu bashkangjit
bisedës, - dy ekzemplarë ia ka falur
bibliotekës së qytetit, kurse të
tjerat i kanë mbetur në shtëpi,
ngase askush nuk është i interesuar.
ANKETA KROATE
Në atë farë ish-Jugosllavinë
u ngritë aktakuza kundër fashistit
kroat, Artukoviç. Një gazetar bëri
anketë me disa qytetarë rreth gjykimit
të Artukoviçit.
- A jeni për dënimin e Artukoviçit,
apo për faljen e tij.
- Unë mendoj që ta falin, meqë
Jugosllavia gjithmonë i ka falur kriminelët
serbë të cilët janë restauruar
në komunistë, - tha i pari.
- Ky, që foli qenka tepër sentimental.
Unë mendoj që Artukoviçi të
ekzekutohet me bombë atomike në qendër
të Beogradit, - tha i dyti duke ngritur
vetullat e trasha.
GJYKATA SERBE
Gjykatësi i dënoi dy qytetarë
serbë për shkak se në kafene
kishin kënduar këngë të
huaja: shqip dhe kinezisht.
- I pandehuri i parë që ka kënduar
shqip dënohet me dhjetë vjet burg
të rëndë, kurse i pandehuri i
dytë që ka kënduar kinezisht
dënohet një muaj burg, - përfundoi
aktgjykimin gjykatësi serb.
- Zoti gjykatës, gjykimi juaj është
i padrejtë, - ndërhyri avokati mbrojtës.
- Avokati mbrojtës, dënohet me pushkatim!
- përmbylli gjykatësi dhe u largua
duke përplasur derën me rrëmbim.
NË KAFENENË E BOSHNJAKUT
Në kafenenë e boshnjakut, në
Tuzëll, hynë dy policë serbë
dhe si zakonisht kris sherri. Në mur dallojnë
njollat ku mungon fotografia e Titos.
- Pse e ke hequr fotografinë e Titos nga
muri? - e qortoi njëri nga policët
serbë.
- Një kroat më dha l000 marka me kusht
që fotografinë e Titos ta heqi prej
murit. Mirëpo nëse ju më epni
500 marka, unë e vendos përsëri.
- Ne të japim 1000 marka nëqoftëse
e vendos fotografinë e Millosheviqit.
- Kurrë nuk e vë syretin e bishës,
- tha boshnjaku, dhe menjëherë dy
policët iu vërsulën me shkopinjë
në shpinë.
HOXHA DHE POP-MUZIKA
Erdhi koha që edhe hoxhallarët të
shërbehen me magnetofon. Hoxha e kishte
kurdisur magnetofonin, kështu që në
kohën e caktuar vetëm me shtypjen
e sustës ezani ushton në minare. Mirëpo
një ditë shkojnë fëmijët
dhe e vendosin kasetën me muzikë argëtuese.
Si zakonisht hoxha e shtyp sustën, dhe
çka me ndie...?
Dy pleq e dëgjuan muzikën argëtuese
në vend të ezanit, dhe thanë:
- Janë tranue këta hoxhallarët
e sotëm.
HAJMALIA E HOXHËS
Një hoxhë shkruante hajmali, zakonisht
për gratë e pafatë që nuk
kishin fëmijë. Një nuse një
vit më parë kishte marr hajmalin e
lindjes tek i njëjti hoxhë.
- Çfarë halli ke, oj fisnike? -
e pyeti hoxha fatkeqen me foshnje në gji,
që bënte kinse nuk e njef. - Mbase
foshnja nuk e merr gjiun, apo ti nuk ke tamël
për foshnjen?
- Jo, hoxhë efendi, gjitë i kam plotë
dhe foshnja asht si drita, por si shumë
po të përngjanë ty, dhe burri
im nuk e don.
- Siç duket, burri yt nuk është
normal, - tha hoxha që u prish në
fytyrë.
VNESHTI I PLAKUT
Jetonte dikur një plak dhe kishte një
vnesht, ndaj nuk kishte krahë për
ta punuar. Një grup të rinjsh venin
kalaveshët me rrush në hardhitë
cub të plakut. Plaku shkonte i mblidhte
dhe i hante me kënaqësi. Të nesërmen
të rinjtë e pyetën plakun se
a po jep vneshti rrush.
- Po jep zoti, shyqyr, - u përgjegj plaku
duke mos iu falenderuar të rinjëve
që e nderonin.
Atëherë të rinjtë e ndërprenë
furnizimin e hardhive të tij me rrushë
dhe pas një kohe e pyetën përsëri:
- A po jep vneshti rrush, mixhë?
- Zoti po jep, mirëpo dreqi po ma merr,
- tha plaku me inat.
LUTJA E LLAFAZANIT
Ishte dimër i ftohtë, prandaj rrallë
qarkullonin automjetet për shkak të
dëborës së madhe në rrugë.
Një fshatar ishte mërdhirë gjer
në asht duke pritur autobusin. Për
fat kalon profesor Bajram Kurti me automobil
dhe e merr. Fshatari, i ngazëllyer për
fatin, filloi të flas dokrra:
- Përpak sa nuk plasa prej së ftohtit,
mirëpo iu luta zotit dhe zoti ma plotësoi
dëshirën.
Me të dëgjuar këto fjalë
të fshatarit llafazan, profesori pas dy-tri
kilometrash rrugë kthehet përsëri
në vendin e njëjtë ku e mori
dhe i tha:
- Zbrit prej kerrit dhe vazhdo t´i lutesh
zotit, mbase të vjen ndonjë autobus.
Fshatari doli kokulur, por tani ofshani duke
thënë "mu thaftë goja që
fola". Megjithatë profesori e pranoi
dhe e mbarti falas gjer në fshat.
PËRSHËNDETJE E SINQERTË
- Përshëndetje e sinqertë është
kur mysafirin e përshëndet me shtrëngim
dore dhe me shikim në fytyrë, - i
tha vëllau motrës që ishte kthyer
nga Gjermania.
- Uh, vëlla! Ti po mendon se ktu asht si
në Gjermani? Me ba me ia shtrëngue
dorën kusherinit të burrit tim, ai
vjen dhe më futet në dhomë, -
tha motra duke shprehur mospajtimin.
KOHA E PROVIMEVE
Nëse vjen në kabinetin tim pasdite
në provim, ta jap notën gjashtë,
nëse vjen në banesën time, ta
jap notën dhjetë, - i shkroi profesori
studentes në letër e-mail.
- Por nëse vi me polic, ç' notë
do të më japësh? - iu drejtua
studentja.
- Atëherë, gjeje një profesor
tjetër, - ia ktheu përgjegjen profesori.
KOKA SA NJË BUKLIÇE
Një fshatar shkoi në tregun e Prizrenit
për të blerë pëlhurë
për pajen e bijes së tij. Iu afrua
tregtares dhe kërkoi dhjetë kute pëlhurë.
Tregtarja e mati dhjetë herë rreth
kokës së vet dhe ia dha fshatarit.
Fshatari pa që tregtarja e kishte kokën
e vogël sa një bukliçe dhe
pëlhura doli shumë e shkurtër.
E mati për kokën e vet që e kishte
dy herë më të madhe se tregtarja
dhe pëlhura i doli gjashtë kute.
Gruaja tregtare u zu ngusht dhe tha: - Ne s'e
kemi ba me mat për kryet t' kalit.
- Njëmend e kam kryet e madh, veçse
edhe koka jota sa një bukliçe po
të shiton, - tha fshatari duke refuzuar
blerjen.
BISEDË FOLKLORIKE
Dikur vinin profesorët e Universitetit
të Tiranës për të mbajtur
leksione në Universitetin e Kosovës.
Një ditë bibliotekari, Haxhi Krasniqi,
takohet me profesor Ramadan Sokolin dhe bisedojnë
rreth çështjes së folklorit.
Sekretari serb i Shkollës së Lartë
u çartë nga inati kur i pa dhe i
thotë bibliotekarit kinse urgjent po e
thërret drejtori. Bibliotekari shkoi tek
drejtori dhe i tha:
- Urdhëroni, shoku drejtor, ju më
thirrët!
- Jo, unë fare nuk të thirra! - tha
drejtori i habitur. Bibliotekari u hidhërua
dhe shkoi drejt e në zyre të sekretarit
shovinist.
- Phu, bre, i biri i bushtrës! A u tute
që Kosovën po e fusë në
çantën e Ramadan Sokolit! - i bërtiti
bibliotekari i revoltuar.
TAMPONËT PËR VESHË
Një shqiptar nga Gjermania përgatitet
për të shkuar për të vizituar
Kosovën. Me vete merr edhe tamponët
për veshë, që i përdorte
gjatë punës në fabrikë.
- Përse po i merr tamponët me vete,
në Kosovë nuk ka fare zhurmë
fabrikash? - iu drejtua gruaja burrit.
- Eh, moj grua! Piskama e popullit shqiptar
për shkak të skamjes dhe mjerimit
është më e madhe se zhurma e
fabrikave gjermane.
RAKIA DHE DUHANI
Disa të rinj pinin raki, njëkohësisht
pinin edhe duhan në odën e babait
tim, Qazim Elshanit. Gjatë gostisë
e pyetën babain tim se a është
më i rrezikshëm duhani apo rakia.
- Të dyja janë të rrezikshme.
Mirëpo me pi rakinë me masë nuk
është e rrezikshme, kurse duhani nuk
ka masë, - tha babai im edhe pse asnjërën
nuk i përdorte.
KULLA E PIZËS DHE "PAQJA"
Paqja shkoi dhe e vizitoi Kullën e shtrembër
të Pizës. Paqja u mahnit nga qëndresa
shumëshekullore e ndërtesës së
shtrembër para së cilës janë
rrënuar disa objekte më të forta
arkitektonike dhe më moderne në botë.
Atëherë Paqja e nderoi me emrin e
vet, në mënyrë që kjo ndërtesë
e qëndrueshme të quhet "Kulla
e Paqes".
- Faleminderit për nderimet e tua, mirëpo
"Paqja" nuk mund të jetojë
gjatë. "Paqja" shumë herë
është rrëzuar hundë e buzë,
kurse unë, edhe pse jam e shtrembër
themelet i kam të forta. Nuk thonë
kot; rri shtrembër e fol drejt.
QORTIMI I PRIFTIT
Në oborrin e Kullës së Pizës
qëndronte një femër, pothuaj
lakuriq. Andej pari kalon një prift dhe
e qorton.
- Vishuni zonjë, mos rrini lakuriq para
syve të botës.
- Po u vesha unë, Kulla e Pizës rrëzohet,
- reagoi zonja lakuriqe.
- Meqë qenka ashtu, atëherë vazhdoni
të qëndroni lakuriq, - tha prifti
duke u larguar në drejtim të kishës.
DJALOSHI I VERBËR
Rreth tavolinës në kafene ishin mbledhur
disa djem e vajza dhe bisedojnë. Njëri
prej djemve ishte i verbët.
- Ndonëse jam i verbër, megjithatë
me anën e vështrimit në dorë
mund të përshkruaj personalitetin
e njeriut, - tha djaloshi i verbër që
nisi bisedën.
Ndërkohë një vajzë në
vend se t´ia afronte dorën, nga çanta
nxori gjarpërin plastik që e mbante
si kuriozitet dhe ia shtriu djaloshit në
dorë.
- Ti je gjarpër - klithi i verbëti
që pas zërit të tij buçiti
kafeneja.
Vajza që deshi të tallej me të
verbëtin u turpëruar dhe iku nga vendi.
I MASKUARI DHE PUTHJA
- Vura maskën në fytyrë dhe u
drejtova për të plaçkutur bankën
e qytetit. Posa desha të hyj në bankë,
papritmas më doli një zonjushë,
e cila më kapi për krahu dhe më
puthi në buzët e vetme që i kisha
të zbuluara. Nga dashuria e harrova qëllimin
e plaçkitjes së bankës dhe
maskën e hoqa nga fytyra. Për çudi
pas kësaj zonjusha u shkëput prej
meje dhe u zhduk, - tregoi fatkeqi.
ZONJUSHA PARA VDEKJES
Një zonjushë kishte marr udhën
e vdekjes, ndaj i lutet zotit për larjen
e mëkatëve, përkundrazi zoti
i tha: "Ti je shumë e re, prandaj
ngritu në këmbë se do të
jetosh shumë vjet. Unë do të
kujdesem për ty".
Zonjusha u gëzua nga fjala e zotit dhe
nuk kishte më fare frikë nga vdekja.
U bë e lumtur, ndaj bëri shpenzime
të mëdha duke iu nënshtruar operacioneve
plastike për zbukurimin e fytyrës
dhe gjoksit.
Tani zonjusha ishte bërë e përkryer,
sa që qytetarët mahniteshin pas bukurisë
së saj, sikur të kishte pikur prej
qiellit. Një ditë, papritmas një
makinë e shkel për vdekje. Zonjusha,
para se të mbyllte sytë përgjithmonë,
u ankua në zotin duke i thënë
se nuk e mbajti premtimin e dhënë.
Zoti i tha: "Më fal, zonjushë,
nuk të kam njoftur!"
TEK DENTISTI
Është trishtim kur dentisti ta nxjerrë
dhëmbin e parë, mirëpo edhe më
trishtim është kur ta nxjerrë
dhëmbin e dytë.
- Po, pastaj? - pyeti njëri nga të
pranishmit.
- Pastaj mësohesh.
SAPUNI DHE VULLKANI
Sapuni e pastron trupin, kurse alkooli e pastron
plagën, - tha një qytetar tek po bisedonte
me shokët.
- E turpin kush e pastron, zotnia ynë i
dashur? - papritmas ndërhyri një tjetër.
- Aferim, përveç kraterit të
vullkanit, as sapuni, as alkooli nuk e pastrojnë
më mirë.