|
[an error occurred while processing this directive]
|
| Tregime |
Miftar KURTI
UNË KAM NEVOJË PËR TY, L...
Stina e dimrit erdhi
prapë. Një pëlhurë e bardhë, qefin, u kishte rënë për
fytyrë maleve dhe fushave të këtyre anëve. Nuk mbahej mend
për një kohë të gjatë të kishte rënë borë kaq
e madhe. Akoma binte. Rrugët kishin filluar të mbylleshin. Trenit,
tek i cili varej shpresa e tij e fundit, po i shihej veç vagoni i m(b)ramë...
Edhe kësaj radhe ishte mashtruar keq... Vetë ishte fajtorë. Nuk
do duhej pritur kaq gjatë. Ishte mërtisur nga acari. E uli kokën.
Ishte hera e parë që e kishte zënë veten në faj...
Deri kur kështu!? Dëshprim guri... pëlcet në heshtje. Jeni
ju L...? Po. Ja, kjo është për ju. E hapi zarfin. Nisi të lexoj.
,,I dashur L... Letrën e mora të mërkurën, u pamë të enjten,
por siç e pe edhe vetë, nuk pata mundësi, nuk më lejuan
të qëndrojë më gjatë pranë teje... Nëse dëshiron,
kuptohet nëse ke edhe mundësi, të martën, më 22 dhjetor...
E di se rruga për të ardhur deri tek unë është e gjatë,
e vështirë. Por e di se ti je i denjë për këtë rrugë,
në këtë natë të mar(rë)të..., në këtë dhjetorë të ftohtë... …Unë kam
nevojë për ty... Eja…” E jotja L… Derisa i doli letrës në fund,
një zjarr po e digjte përbrenda, e duart po i binin përthonjësh. Ç'kemi
të re ushtar L...? Borë e zjarr, komandant. * * * Mbath e vesh e shtrëngu
Veç L... në fjalë me i dalë. Dy hapa para, një prapa.
Frynte erë. Acar i vërtetë. Borë e madhe po binte. Pa e
qitur mirë hapin bora ia mbulonte gjurmët. Le të bjen dhe frynë...
Zagarët, as ujqit nuk më bien dot në gjurmë, tha me vete.
...Fshati... pothuajse i tëri ishte shndërruar në gërmadhë nga
armiku... Mure të shtëpive të derdhura nëpër oborr...
Oxhaqet kishin ngritur kokën përpjetë si Këndues... Qëndronin
në këmbë të palëkundur, përkundër borës
së madhe që po binte mbi supet e tyre. Zjarri vetëm i kishte
nxirë... Bora e bardhë e nata e zezë e përzier me zjarr,
donin ta mbërthenin ngadalë me shokëzen... lylakun... lakun e
vet... Në hyrje të fshatit, rrëzë një mali çufurrak,
në një lëndinë të borëtuar..., edhe varrezat sikur
kishin ngritur krye. Aty u ndal pak... Ishte mbushur frymë... Avull i shkonte...
Pikonte edhe djersë... Flokët, të bëra kaprroz nga bora
dhe të ftohtit, iu rrënqethën kur para i doli... O Zot...!, thirri.
Varri i ri dhe dëshira për të qenë sa më parë pranë saj...
ia bën mishmash ndjenjat. I ngjante një anijeje mes dallgësh,
erërash, furtunash. Anija e priste kapitenin... Ishte hisja..., nisja e
drita e tij... Në fund të fshatit, disa shtëpi veshura nga ploja
ngjyrë plumbi, mbështetur për kodre, ende qëndronin në këmbë.
Atje ishte pikëcaku i këtij të dashuruari..., të dëshiruari.
Erdhe!? Çfarë ftohti. Të pa kush? ...Veç (i) lumi. Eja
afër...zjarrit. Nga zjarri... në zjarr... me zjarr i zjarrmuar po
vij. Nuk ke të ftohtë? Hiç... Ti po ridhesh. Ndaj kam nevoj
për zjarrin tëndë L... Kishin kaluar vijën e kuqe..., të ngurimit.
Po i shpërthenin kopsat e ndjenjave të ç(d)lira... Çile
guri gojën. Hë...? Asgjë. Si kaloni andej? Nëpër urë.
Thash mos kaloni nëpër lum... Kush përpiqet të ecë në kurriz
të lumit laget. E kur lumi fle? Mbi kurriz të tij rëndon ura.
Siç rëndon mbi urë ajo kurorë telash gjëmborë,
thuaj. E kur ecim mbi urë...? Bëhemi dyfish mëkatar. Mëkatar
me lum, mëkatar me urë... Atëherë, çfarë të bëjmë?
Të fluturojmë? Jo të ecim në këmbët tona. Ato
vetë po na shpien te ura. Të gjitha rrugët të shpiejnë atje.
Punë mallkimi, thua? Që kur u muros nusja në urë, po. Sipas
kësaj legjende… …Mëkatet tona u shtuan, sepse u morën në qafë fëmija… Ti
ke dëgjuar… ... Kur ndahet fëmija nga nëna, ndalin rrezet dielli
dhe hëna… Ku i sheh sonte ato? Ende jemi larg... Ndaj duhet të nisemi… Pse,
do të vish edhe ti...? Nëse keni nevojë për mua... E, pse
erdha unë këtu? Fundja kush nuk ka nevojë për përqafimin
e diellit...? Edhe Ikari deshi ta përqafoj diellin, por mbet pa krah. Ra,
thua? Po. Anteu sa herë bie ngjitet. Edhe Feniksi digjet e bëhet hi,
por bëhet mal përseri. Ajo e ftoj të ulej në sofër.
Buka ishte gati. Jo, duhet të ecim... Atje presin L... Kaq rrugë ke
bërë... Kaq uri e etje ke... e hapin nuk e ndale kurrë. Edhe...
agjëruar më the se je… Ma jep në dorë… Kë ? Bukën. Është e
valë. Ashtu e ham ne andej. Ndanë lumi... Jo ndan ura. Jo ura por
guri. Mirë... Jo, hiç mirë. Matan... veç mace, dhi,
ujq, kuaj... arave e livadheve... Na merr malli ta takojmë një fëmijë...
Shtëpitë shkolla i kanë djegur... Matan... Dimër... Rrugët
përditë po mbyllen... Çfarë të bëjmë? Si
Prometheu. Jo. Pse? Ate po e djeg zjarri i vet. Mirë, bëjmë si
Laokoonti. Në asnjë mënyrë! Pse kaq prerë? Se ai u
pendua. Si? U pendua? Po. Për çfarë? U përpoq t'i bind
të vetët që mos t'i hapnin portat, në vend që të qëndronte
vetë roje në portë. Ata e dëgjuan...? Prandaj e lidhën,
e helmuan... Ndodhi ajo që ai nuk e ka dëshiruar kurrë... Domethënë...
Ra troja. Të cilës kaq shumë i duhesh L... Akrepat e orës
po ecnin me shpejtësi breshke. Nata... nuk di nëse po i kthehej vetes
apo po dilte nga vetja. Megjithatë ajo kishte marrë teposhtëzen...
Po e thyente qafën. Kishte mbetur edhe pak kohë... Duhej kthyer me
ag... Përjashta po frynte një erë e fortë. Po frynte dhe
po binte. Të dukej se pullazi po lozte nga vendi... Brenda valë...
Nata po i(a) zgjidh(te) këmbët... Ajo po (ia)mbath(te) (me) kalin...
E puthura e saj, si e puthura e bukulzës. Unë kam nevojë për
ty L... Edhe L… ka nevojë për ty. Maje atyre kreshtave ende po binte
borë. Eu(u)rop(ë)a. Dalim pak? Ku ? Në Abut*. Pse? Nuk dëgjon? Çfarë?
Gjëmë. Të kujt? Të gurëve brincak... Nuk po kuptoj....
As dëgjoj. As trokun e kalit!? |
|
|
|
|
[an error occurred while processing this directive]
|