|
Rruga që çon e s’kthen
Shkuan për një kohë të shkurtër,
e vitet po kalojnë. Mbetet e shkuar koha
kur vetëm meshkujt e merrnin rrugën
e kurbetit. Femra evropiane merr valixhet dhe
niset anekënd botës për pushime
dhe rekreacion. Femra shqiptare detyrohet që
nëpër male me borë edhe me fëmijë
ngryk, duke kaluar edhe lumenjtë e rrëmbyeshëm
me këmbë dhe rrëziqe të tjera
që mund t’i kushtojnë edhe me
jetë që t’i kalojë kufinjt
e shumë ilegalisht për të dalë
në Perëndim. Këtu ëndërron
se do të sigurojë ekzistencën me
punën e vet, se do të ngasë veturën,
se do të frekuentojë lokale të
bukura dhe qendra rekreacioni çfarë
i ka parë në televizor.
Çka i pret në Perëndim
Nga numri i përgjithshëm i femrës
shqiptare që e kanë braktisur Kosovën,
gratë e martuara janë numerikisht më
së shumti. Kuptohet, ato ndodhen së
bashku me familjet e tyre. Ato banojnë nëpër
hajme të refugjatëve. Kryesisht kanë
vetëm nga një-dy dhoma, varësisht
prej numrit të anëtarëve të
familjes, d.m.th. në një korridor janë
të vendosura deri në katër familje,
me vetëm një banjo. Ky grup i femrave
shqiptare bën një jetë të
vështirë.
Jeta në ato hajme t’i kujton kampet
e përqendrimit. Në dukje të parë
askush s’të ndalon asgjë, por
në thelb çdo gjë është
e ndaluar për femrat tona. Ato janë
të mbyllura nëpër ato kampe. Punë
nuk gjejnë. Ku të dalin, janë pa
asnjë centi në xhep. Të vetmin
argëtim i kanë ndejat nëpër
shoqe të hajmit. Thashethemet, intrigat,
zënkat, zhurmat, mosmbajtja e rendit dhe
e qetësisë, malli për atdhe, ua
bëjnë jetën ferr. Ato ëndërra
që i kanë thurrë në vendlindje
për Perëndimin, për çka
disa i kanë lënë edhe fushat e
arat, livadhet e bagëtinë, mund t’i
realizojnë vetëm duke i parë në
televizion, i cili është shumë
i pasur me programe. Por, shqiptarët pos
fotografive asgjë nuk kuptojnë, spese,
me përjashtim të rrallë, askush
nuk shfaq fijen e interesimit për të
mësuar gjuhën e vendit ku është
strehuar. Mu për këtë ato s’mund
të integrohen në jetën e vendasve,
s’mund t’i edukojnë dhe t’u
ndihmojnë fëmijëve të arsimohen
dhe të gjejnë punë. Një numër
shumë i vogël syrësh kanë
gjetur punë dy-tri orë në javë,
rrallë në ditë si pastruese nëpër
shtëpia, kafene, byro.
Beqareshat
Edhe beqareshat bëjnë një jetë
të vështirë. Pjesa dërmuese
e tyre banojnë nëpër qendra azilantësh-hajme
dhe ballafaqohen me vështirësi të
shumta. Kryesisht punojnë nëpër
hotele, restorane, piceri, fabrika etj. Me të
mbërrirë janë interesuar vetëm
si të punësohen. Ato që kanë
pasur fat të punësohen “me letra”
kanë pasur mundësi të marrin banesë,
ta rregulllojnë më mirë mënyrën
e jetesës dhe të qëndrojnë
në një shkallë më të
mirë sesa ato që punojnë në
të “zezë” dhe që banojnë
nëpër hajme. Pra edhe këto e kanë
vështirë të depërtojnë
në jetën e vendasëve. Në vend
që t’i kryejnë kurset e gjuhës
ta shfrytëzojnë moshën e re të
tyre që të rikualifikohen dhe të
punojnë në një rang më të
mirë të punës, u ka ndodhur e kundërta.
Vajzat e punëtorëve
Më mirë në këtë drejtim
qëndrojnë vajzat e punëtorëve
tanë me qëndrim të rregulluar.
Ato kanë kryer profile të ndryshme,
si motër medicinale, kompjuteriste, shitëse,
etj. Numerikisht këto të fundit janë
shumë pak. Komunitetet e tjera në këtë
drejtim qëndrojnë shumë para nesh.
Turqit ndoshta janë më të padëshiruarit
në Gjermani, po ata kanë hyrë në
jetën gjermane. Femrën e tyre e hasim
në të gjitha vendet kyçe, edhe
në rolin e udhëheqëses së
emisioneve televizive. Kjo kategori e femrës
sonë i ka edhe vështirësitë
e natyrës intime. Po t’i përcjellim
gazetat reviale do ta shohim se në çraport
janë me moshatarët e tyre shqiptarë.
Akuzat reciproke janë të pashmangshme.
Derisa të parat i akuzojnë djemtë
se nuk i përfillin duke rendur pas plakave
dhe të huajave për interesa personale
- rregullim qëndrimi, të dytët
i akuzojnë vajzat se nuk i duan azilkërkuesit,
po u interesojnë vetëm ata me qëndrim
të rregulluar. Derisa shkëmbehen këso
akuzash, këndi i njoftimeve shpesh del me
mosha të shtyera, sidomos i femrave.
Studentet
Nëpër qendrat e ndryshme universitare
do ta hasim pa dyshim edhe ndonjë studente
shqiptare. Sado që do të dëshironim
që ky numër të jetë më
i madhi ai mjerisht është më i
vogël, krahasuar me popujt e tyre ato mund
t’i ndjekin rrjedhat kulturore, shoqërore,
zhvillimore etj., të atij vendi. Përmes
tyre mund të dëgjojë dikush se
ç’janë dhe çka duan shqiptarët.
Do të ishte mirë që Universiteti
ynë ose Ministria e Arsimit t’i paraqitnin
drejtimet, profilet deficitare dhe nesër
ato të inkuadroheshin si kuadër deficitar
në zhvillimin e shpejtuar të atdheut.
Derisa femra shqiptare në Perëndim nuk
mund të gjejë forma organizimi që
të bashkëpunojë me shoqata të
grave dhe me ente e institucione ku i drejtojnë
gratë për të mirën e femrës
në Kosovë, do të ishte mirë
që ato së paku për veten të
bënin diçka. Nuk është mirë
që të presin vetëm ndonjë
festë kombëtare e të takohen. Mund
t’i shfrytëzojnë lokalet e shoqatave
dhe të klubeve shqiptare, madje edhe t’i
rezervojnë që së paku një
apo dy herë në javë të takohen.
Me siguri kanë nevojë për njëratjetrën.
Më lehtë do ta përballonin kurbetin.
Të gjitha kanë menduar se po shkojnë
për një kohë të shkurtër,
por vitet po kalojnë.
Sherif RAMABAJA, azilant Gjermani
|