E mori burrin e motrës
Vetëm një muaj pas vdekjes së
motrës, Shegës, nga kanceri, Vlora u
martua me burrin e saj, duke i lënë
të gjithë të habitur.
Për ne edhe ajo ka vdekur, thonë prindërit
e saj.
Shega ra në shtrat nga ca dhembje të
padurueshme. Pas shumë analizash dhe vizitash
mjekësore, u konstatua se ajo kishte kancer.
Burri, Sokoli dhe prindërit e saj u tronditën
shumë. Shegës s’i treguan, s’donin
t’ia shtonin edhe më tepër vuajtjet.
Tre muaj, sa qëndroi në spital, e vizituan
çdo ditë dhe u kujdesën të
mos i mungonte asgjë. Ndërsa motra e
saj, Vlora, e pamartuar, u kujdes për shtëpinë
dhe fëmijët e saj, tërë kohën
që ajo mungoi. Kur kuptuan se Shegës
i kishin mbetur edhe pak ditë nga jeta, e
sollën në shtëpi. Pas dy javësh,
ajo mbylli sytë përgjithmonë, duke
lënë katër jetima pa dashurinë
e nënës.
Ky rrëfim do të përfundonte me
kaq, ashtu siç përfundoi jeta e shkurtër
e Shegës, sikur të mos ndodhte një
e papritur që shkaktoi habi dhe thashetheme.
Pafytyrësia e dhëndrit
Vetëm një muaj pas vdekjes së
gruas, Sokoli ua bëri një vizitë
prindërve të saj dhe kërkoi dorën
e Vlorës. Ata mbetën pa gojë nga
kjo pafytyrësi e dhëndrit. Ende s’e
kishin marrë veten nga vdekja e vajzës
së madhe, fytyra e hequr e së cilës
s’u hiqej nga mendja dhe ky propozim ua
shtoi edhe më tepër plagët. Vlorës
s’i thanë gjë, por shpirtin e
tyre të lënduar nisi ta brejë dyshimi.
Pas një jave, pa bekimin e prindërve,
Vlora iku në shtëpi të Sokolit,
duke i lënë të gjithë të
habitur. Në fshat u fol gjatë për
këtë martesë të pazakonshme
dhe u gjykua ashpër veprimi i saj.
Ka kaluar viti e prindërit ende s’e
kanë shkelur pragun e saj.
Për ne edhe ajo është e vdekur
«Qyqja unë, si ma pruni Zoti kështu
në pleqëri. Ç’na bëri
ajo vajzë, he mos i qoftë hallall gjiri
që ia kam dhënë»,- mallkon
e ëma zemërplasur.
Kjo që na gjeti na bëri ta harrojmë
Shegën. S’guxoj të dal as në
derë të shtëpisë nga fjalët.
E gratë flasin vesh më vesh e përhapin
thashetheme. Bile njëra më tha në
sy: «Vetë e ke fajin, si e le vajzën
dy - tre muaj nën një kulm me dhëndrin»?!
Po ku e dija unë e shkreta, unë mendova
për të mirën e fëmijëve.
Do t’i fusja duart në zjarr se ai do
të mund ta keqpërdorte mirësinë
tonë. I kam besuar dhe e kam dashur si djalin
tim.
Disa të tjerë më ngushëllojnë
e më thonë të mos mërzitem
se këso rastesh ka pasur edhe përpara,
bile me pëlqimin e dy familjeve, por kjo
s’më lehtëson aspak. Atëherë
njerëzit ishin të prapambetur, të
paarsimuar. Tani, kur vajzat shkollohen dhe janë
të lira ta zgjedhin vetë burrin, s’duhet
t’i përsërisin ato gabime, bile
duhet t’i largojnë.
S’është lehtë t’ia
kthesh shpinën fëmijës, por ajo
ma plasi zemrën. Kujtimi i Shegës s’më
lë t’ua bëjë hallall».
Do të ishte me interes të dëgjonim
edhe rrëfimin e Vlorës, mirëpo
ajo, sapo i trokitëm në derë dhe
i treguam shkakun e vizitës sonë, na
e mbylli derën me këto fjalë: «Pak
i kam hallet e mia! Mos ma shtoni mërzinë»!
F.B
|