A të martohem?
Martesa - qelizë e familjes, institucion
apo pengesë? Përse i frikohemi? A është
martesa fundi i një jete pa obligime dhe
fillimi i një jete të re përplot
obligime, ngarkesa dhe angazhim maksimal që
jetën tonë ta ndryshojë, ta lumturojë
apo ta shkatërrojë?
Kompleksi martesor - alergjia martesore.
Që nga kohërat e kaluara, martesa është
konsideruar e shenjtë. Bashkimi mes burrit
e gruas - unitet lojal, tolerancë e ndërsjellë,
respekt dhe dashuri. Por, me kohë edhe ajo
ka humbur në vlerë, edhe pse në
realitet ka mbetur e njëjtë - qelizë
e familjes, e mbi të gjitha institucion.
Problemet dhe konfliktet, dhuna, jobesnikëria,
martesat alkoolike, traumat që reflektohen
te fëmijët, të gjitha këto
elemente sjellin shkurorëzimin, fjalët
e shqiptuara para altarit harrohen. Këto
dukuri që shoqërojnë martesat shkaktojnë
te femrat e pamartuara idinjatë, dozë
pasigurie. Prandaj nuk është e pavend
përse shkaktohet alergjia nga martesa. Femrat
e punësuara që dëshirojnë
të krijojnë karrierë, jetojnë
jetën e tyre të pavarur, e kanë
të vështirë t’u përshtaten
normave që i përcakton martesa. Kjo
ndoshta është arsyeja pse femrat e tilla
mbesin nënole apo nuk martohen fare. Në
anën tjetër, frika mos në martesë
do t’i humbin të gjitha. T’u
nënshtrohen diktateve të burrit, ta
kufizojnë vetveten nga disa privilegje që
i kanë gëzuar si femra të lira.
A është martesa fundi i një jete,
përmbyllje e një etape jetësore
dhe fillimi i jetës në çift,
ku më s’mund të mendosh vetëm
për vete, por edhe për tjetrin, t’u
përshtatesh kërkesave e dëshirave,
obligimeve e të krijosh nga ai bashkim -
pasardhës. Por, a do të lumturojë
apo do ta shkatërrojë jetën, kjo
varet nga ajo se a e zgjedhin personin e vërtetë
apo njeriun e gabuar! Në lidhje me të
gjitha këto sa i cekëm, biseduam me
disa femra që «vuajnë» nga
alergjia martesore.
- Blerina, 21 vjeçare, studente
Deri tani kurrë nuk kam menduar për
martesë. I kam shqyrtuar ofertat që
i kam pasur, mirëpo vazhdimisht më janë
sjellë në kokë pyetjet se a do
përshtatem, a jam e gatshme të bëhem
grua dhe t’i respektoj normat që dalin
nga martesa. Kam frikë se në martesë
do t’i humbas të gjitha.
Dëshira ime është t’i përfundoj
studimet dhe të punësohem diku. Nuk
dua të përfundoj si të gjitha shoqet
e mia. I ndërprejnë studimet, mbyllen
brenda katër mureve, lindin fëmijë
dhe me kaq përfundon gjithçka me to.
Nuk e dua jetën e mbyllur. Edhe në martesë
dua të jem ajo që jam, e pavarur, e
lirë, e shoqërueshme. Mbi të gjitha,
më frikëson humbja e lirisë. Nëse
nuk e ka vetëlirinë, njeriu nuk ka asgjë.
- Drita, 26 vjeçare, profesoreshë
Jam mësuar që nga koha e studimeve të
jem e lirë, e pavarur. Askush në familje
nuk më përzihet çka bëj,
ku shkoj, sa rri. Për martesë sot më
duket e vështirë të vendos. Unë
jam tip i femrës që nuk mund të
pajtohem me çdo lloj mashkulli, sidomos
me ata që mbahen të emancipuar e në
thelb janë prapanikë. Jam femër
e shkolluar dhe nuk më bëhet vonë.
Ose do ta gjej dikënd që më përshtatet,
më kupton ose nuk do të martohem fare.
Me diplomë fakulteti, e re dhe e bukur, nuk
dua të përfundoj në kuzhinë.
- Arijeta, 31-vjeçare, ekonomiste e papunë
Unë e urrej martesën. Kurrë deri
tani nuk kam menduar të lidhem me dikënd
seriozisht. Meshkujt te ne janë të «prishur»
moralisht dhe shpirtërisht, prandaj edhe
më shkaktojnë neveri, pothuaj shumica.
Jam mësuar të jetoj si princeshë,
në shtëpi i kam kushtet fenomenale,
nuk më mungon asgjë. Kujdesem për
prindërit e mi, dal rrallë dhe s’më
bëhet vonë për asgjë. Nëse
ndonjëherë vendos të martohem,
këtë hap do ta ndërmarr për
t’u mbyllur gojën gojëkëqinjve
që i shikojnë problemet e huaja dhe
s’u intereson përse i kam mbushur 31
vjet e s’jam martuar ende. Është
problem imi. Nëse do të martohem, këtë
do ta bëj për hir të prindërve,
e jo për veten time. Martesa për mua
është fundi i botës.
- Teuta, 23-vjeçare, i ka braktisur studimet
Pse, mos jam keq, kështu? Përse ta imponojë
martesën? Nëse nuk kam ndonjë lidhje,
si mund ta gjej fatin! Njerëzit janë
këtu të çuditshëm, vetvetiu
të shtyjnë të bësh marrëzira.
Të them të drejtën, kam frikë
të hyj në martesë, as që mund
ta paramendoj veten nuse, edhe pse e ëndërroj
vellon e bardhë. I kam lakmi femrat që
vendosin shpejt. Unë jam e papërcaktuar.
Analizoj shumëçka dhe vazhdimisht
më del minus. Prandaj, ka kohë që
për martesën kam krijuar averzion. Po,
ndihem e pafuqishme, e pavlerë. Shpresoj
se një ditë do ta takoj dikë, që
do të m’i ndryshojë këto
komplekse dhe atëherë do të votoj
për martesën.
Ilire ZAJMI
|