Martoi djalin me dashnoren e vet
Dëgjoj atë natë të gjatë
rrëfime gjithfare dhe nuk mund t’u
besoj veshëve që midis nesh ndodhin
këto gjëra. Nuk u besoj veshëve
por u besoj atyre që më tregojnë
se ne kur e ndërrojmë vendin dimë
të bëhemi të tillë sa e vërteta,
aq e rëndë, të na duket e pamundshme.
Kush mund të kërkojë që atje
- në Perëndim, të kemi njerëz
idealë? Të tillë nuk jemi as këtu
- në vendlindjen tonë. Jeta e çdonjerit,
atje e këtu është botë individuale,
por, edhe kombëtare! Prandaj a kemi të
drejtë të lëmë këso përshtypje?
E vërteta për Ne dhe për ATA është
vetëm një - e vërteta shqiptare...
Dëgjoj, midis tjerash, për atë
burrin e botës që i ka kaluar të
pesëdhjetat, që ka grua dhe fëmijë
- tre djem e dy vajza, që tani trembëdhjetë
vjet jeton e punon në Gjermani, e vetëm
para pesë vitesh ka marrë me vete edhe
familjen. Asgjë e jashtëzakonshme do
të mendoni. Por, nuk është ashtu.
Gjatë vizitave në vendlindje, në
një fshat të komunës së Pejës,
ai njohu një vajzë të re gati moshatare
me vajzën e tij të madhe. Pak nga pak
dhe e bëri për vete... Pasuan vizitat
e shpeshta në fshat, peshqeshet e çmuara
nga Gjermania, bisedat e gjata telefonike nga
posta e Pejës. Kaloi viti, me mall e dashuri
të madhe për njëri-tjetrin, filloi
edhe viti i dytë i lidhjes së tyre,
për të cilën morën vesh familjet
e të dy palëve. Në familjen e burrit
reaguan të gjithë - gruaja që qante
e mallkonte se do ta linte pas aq vjet martese,
fëmijët, që deri atëherë
nuk ia kishin kthyer fjalën, dhe tërë
farefisi i tyre. Asgjë nuk bëri punë,
bile burri u egërsua edhe më tepër
kur i merrej në gojë dashnorja, sa u
kërcnua se do t’i kthejë të
gjithë në shtëpi e do ta sjellë
atë në Gjermani. Shtëpia heshti
nga frika. Midis nënës dhe fëmijëve
dëgjohej vetëm pëshpëritja
për ato që ndodhnin. Në këtë
heshtje të rëndë u martua vajza
e madhe që ishte e fejuar kaherë por
që sjelljet e babait përpak ia rrezikuan
martesën - miqtë nuk donin të kenë
punë me aso burri!
Në familjen e vajzës u bë më
pak rrëmujë. As nëna e as babai
nuk arritën ta bindin se nuk ka të drejtë
në atë dashuri, se ajo po bëhet
shkaktare e shkatërrimit të një
familje. Ajo nuk dëgjoi as me të mirë
e as me të keq, por vazhdoi me të vjetrën.
Pas dy verash që i kaluan së bashku
në Ulqin, filluan të bëjnë
plane edhe më serioze. Mbledhën dokumentet
dhe me ndihmën e tij dhe të parave,
u bë pasaporta e saj, por, përkundër
përpjekjeve vizën nuk mundën ta
sigurojnë. U ndanë të dëshpëruar,
ngase atë e priste puna në Gjermani,
por me premtime të forta se do të gjindet
zgjidhja. Dhe vërtet, posa mbërriu filloi
të hulumtojë - si ta sjellë dashnoren
në Gjermani. Garancë për vizë
turistike mund t’i siguronte, por kjo ishte
vetëm zgjidhje e përkohshme. Ishte edhe
mundësia e strehimit të saj si refugjate,
nëse do të vinte, por kjo nuk i pëlqente,
nuk dëshironte ta lejë nëpër
hajme /vendstrehime/ gjithqysh e me gjithkë
- frigohej se mund ta humbte ! Koka i bëhej
daulle nga planet e nga brengat që i silleshin
në mendje e nuk mund t’i bisedonte
me askë të afërt. Familja i ishte
bërë barrë - hynte e delte në
shtëpi me urrejtje se gruaja dhe fëmijët
ishin fajtorë që ajo nuk ishte këtu
- me të!
Koha kalonte shpejt e ajo mbetej larg. Asnjë
plan nuk i dukej i sigurt, prandaj filloi të
kërkojë mendime nga disa njerëz
që në mënyra të ndryshme,
për para, sillnin njerëz nga të
gjitha anët, edhe familje të tëra
nga Kosova. Për ta problemi ishte shumë
i vogël, bile me shumë mundësi
për zgjidhje. E ai, u mat e u çmat
dhe u vendos për njerën - atë më
morbiden!
Meqë kishte vizën C i dërgoi dashnores
garancion për vizë turistike dhe ajo
pas dy përpjekjesh arriti që ta marrë
vizën në Beograd. Menjëherë
pas kësaj i dërgoi të holla, ia
siguroi biletën e aeroplanit dhe pas dy ditësh
doli ta presë në aeroport. Ajo erdhi
me pak rraqe që kishte marrë me vete
dhe u vendos në banesën që i kishte
zënë ai me qira. Prej asaj dite familja
nuk ia pau sytë gjysmë viti, derisa
erdhi një mbrëmje, i mblodhi të
gjitha rreth vetes dhe ua kumtoi vendimin e tij
- djalin e madh 22-vjeçar do ta kurorëzojë
me dashnoren e vet për t’ia siguruar
vizën!!! Nuk lejoi pas kësaj kurrfarë
diskutimi - nëse nuk pranojnë, do t’i
kthejë të gjithë në Kosovë!
Ishte friga nga Kosova /pas qëndrimit 5-vjeçar
në Gjermani/, nga babai absolut, apo diç
tjetër - DIÇ e pakapshme - që
e shtyri djalin dhe tërë familjen ta
pranojnë këtë kusht - nuk e biseduam
me ta. Sidoqoftë, sot në të njëjtin
qytet, në të njëjtën ndërtesë,
në katin e pestë jeton familja - gruaja
dhe fëmijët, e në të gjashttin
jeton dashnorja 28 vjeçare që si nuse
e familjes ka fituar vizën - ndërsa
burri i botës që tani është
bërë edhe gjysh - i shetit katet pa
fije turpi! E, të gjithë e dinë
këtë, bile edhe të huajt!
... Dhe, nata bëhet ditë, me njerëzit
tanë në Perëndim, dhe rrëfimet
që të habisin, të shqetësojnë,
të turpërojnë... flasin për
neve jashtë vendlindjes.
N. LATIFI
|