Martesa „për letra“
„Nëpër qytetet evropiane të
rinjtë shqiptarë plot jetë dhe
energji, shetisin krah për krah me ndonjë
plakushë apo invalide, kurse vajzave tona
u tretet bukuria dhe rinia duke pritur për
një ofertë martese. Ç’tragjedi“!
Atje nënshkruhet një kontratë
martese, e këtu në Kosovë, edhe
për pesë vjet shtohet ankthi i pritjes.
Femrat tona presin e presin, e vitet lënë
gjurmët e tyre të pashlyeshme: ato vyshken,
fëmijët rriten pa etër, e një
ditë, kur ata do të kthehen, ndoshta
do të jenë të huaj dhe s’kanë
ç’ti thonë më njëri
- tjetrit.
E ç’është më e keqja,
numri i këtyre martesave „për
letra“, shtohet dita - ditës.
Për rubrikën „Përjetime“,
kësaj radhe do të rrëfejë
një mashkull. Është ky Blerimi
20 - vjeçar, nga Gjilani, të cilin
autoritetet gjermane këto ditë e kthyen
në Kosovë, pa i lënë kohë
as t’i merrte plaçkat e veta. Shkakun
do ta mësoni nga goja e tij.
E braktisa shkollën
Isha në vitin e tretë të shkollës
së mesme, kur vendosa të shkoja në
Gjermani. Në klasën tonë kishim
mbetur vetëm tre meshkuj në mesin e
23 femrave. Të gjithë shokët kishin
ikur. S’kisha as shoqëri. Më kot
u munduan prindërit të më ndalnin,
se nuk ishim keq nga gjendja materiale, e kisha
një vëlla në Gjermani, por s’mundën
të ma thenin mendjen.
Rruga ishtë plot mundime dhe të papritura.
Agjenisitë tona premtojnë shumë
e pak bëjnë. S’kaloi java qyshse
kisha arritur në një qytet gjerman e
unë u pendova. Kushtet për beqarët,
s’ishin aspak të mira. Flinim pesë
vetë në një dhomë të
zhveshur, ku kishte edhe minj. Për fat, vëllai
më merrte shpesh në banesen e tij, se
do të çmendesha. Në këto
kushte duhej të rrija edhe gjashtë muaj
derisa të më dilte e drejta e punës
dhe të vendosesha në banesë tjetër.
U martova „për letra“
Ndërkohë, bëra çmos t’ia
tërhiqja vëmendjen një vajze gjermane.
Ishte 22 - vjeçare dhe punonte në
një dyqan ushqimesh. Pa kaluar muaji që
u njohëm, u martuam, edhe pse prindërit
e saj s’ishin të kënaqur që
vajza e tyre të martohej me një të
huaj. Gjatë ceremonisë së martesës,
shpenzova shumë, por të gjitha i pagoi
vëllai. Kështu u vendosa në banesën
e saj të rregulluar bukur dhe me shije dhe
gjeta punë në një restoran.
S’kishim asgjë të përbashkët
Sa kaluan ceremonitë e martesës, ajo
i caktoi rregullat shtëpiake: gatimin, larjen
e enëve dhe të ndërresave, pastrimin
e dhomave dhe çdo gjë tjetër
duhej t’i bënim bashkë: një
ditë unë, një ditë ajo. Në
fillim e pata vështirë, por i bëja
ashtu si dija vetë të mos kthehesha
në atë dhomë neveritëse. Ndoshta
për ta kjo ishte e zakonshme, ndoshta ashtu
edhe duhet të jetë, por mua më
dukej vetja si shërbëtor. U shërbeja
edhe mysafirëve të saj. Pastaj nisën
mosmarrëveshjet rreth të hollave. Të
gjitha shpenzimet i paguanim përgjysmë,
e unë s’mund të ndaja asgjë
për familjen time. Në Kosovë isha
vetëm një herë. Pas tri ditësh
më telefonoi të kthehesha, se përndryshe
do të m’i prishte letrat.
Ditët monotone kalonin njëra pas tjetrës
me grindje e mospajtime. Isha i bindur se s’mund
të jetoja pesë vjet me një grua
me të cilën s’më lidhte asgjë:
as dashuria, as zakonet, as mentaliteti, por shpresoja
të mblidhja ca të holla e të mos
kthehsha duarthatë në shtëpi.
Më lajmëroi në polici
Më në fund, kisha grumbulluar ca të
holla dhe shpresoja t’i nisja për Kosovë,
kur ajo propozoi të blenim mobile të
reja për gjithë banesën, se ato
që kishim gjoja ishin demoduar. Më kot
u përpoqa t’ia mbushja mendjen se unë
duhej ta ndihmoja familjen, kjo gjë i dukej
absurde. Në grindje e sipër,atë
e kapi histeria dhe niste të më qëllonte
me çdo gjë që i gjendej pranë.
Më s’u përmbajta, më hipi
gjaku në kokë, e kapa për flokësh
dhe e qëllova me grusht në fytyrë.
Doli me tërbim dhe pas një ore u kthye
me dy policë dhe prindërit e saj të
cilët më fyen, më shanë, më
quajtën njeri të egër, duke u treguar
policëve fytyrën e maviosur të
gruas sime. Kurrë s’e kam ndjerë
veten më keq dhe kurrë më tepër
se atë natë s’dëshirova të
isha në shtëpinë time. Në
burg më mbajtën tre muaj, derisa vëllai
prapë pagoi për mua. Me aeroplanin e
parë më kthyen në Kosovë,
pa më lënë kohë as t’i
mblidhja plaçkat e mia.
S’më vjen keq që më kthyen,
qyteti im më duket më i dashur se asnjëherë
më parë, por më dhimbsen ato dy
vjet të humbura kot.
Fatime BERBATI
|