[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Argëtim
Vrau gruan dhe e inskenoi si vetëvrasje

Të rralla janë martesat pa konflikte. Pothuaj është e pamundur që edhe në martesat e shëndosha të mos lindin probleme, drama dhe konflikte. Të dy bashkëshortët, nëse nuk e gjejnë mesin e artë e të bëjnë kompromis, konfliktet bëhen të paevitueshme dhe mbërrijnë deri te tragjedia, siç ndodhi me dramën familjare që do t’jua prezentojmë më poshtë.
Burri patriarkal, shpirtkazmë... i zhytur në probleme të natyrës ekonomike, rigoroz dhe ruajtës i tradicionalizmit në familje.
Gruaja, e urtë, punëtore, nënë e katër fëmijëve. Viktimë e dhunës, e maltretimeve, e dajakut... E përbuzur, e fyer... e rrahur, madje prej atit të fëmijëve të saj. Gruaja, duke mos e duruar dhunën që ushtrohej mbi të, tregon në shtëpinë atërore. Vëllezërit gjaknxehtë, të prekur në sedër, çohen dhe e rrahin dhëndrin. Mendonin se me këtë do t’i jepnin një leksion të mirë, për të mos e trajtuar më «robin» e vet si të dëshirojë: ta rrahë e ta përgjakë kurdoherë që i teket shpirligësisë së tij.
Me kaq për një kohë fashiten gjakrat dhe jeta fillon të rrjedhë normalisht. Por, inati dhe egoja nuk e lënë të qetë ndërgjegjen e traumatizuar të fshatarit dinak. Ai e vazhdon avazin e vjetër. Por, vëllezërit e saj sërish ia zënë pritën për ta mbrojtur të motrën. Duke vrarë mendjen për t’ia gjetur zgjidhjen fatlume të këtij konflikti pa shtegdalje, fshatari vendosi në momentin e ndritur dhe në mënyrë mjeshtërore duke e inskenuar si vetëvrasje. A është vrasje apo vetëvrasje - organet e hetuesisë që e bënë këqyrjen në vendin e ngjarjes nuk dhanë kurrfarë deklaratash pa i bërë analizat e hollësishme. Tekefundit ata as që i brengos kjo tragjedi apo shumë vrasje dhe vetëvrasje që kohëve të fundit kanë ndodhur në Kosovë, por ende sot e kësaj dite kanë mbetur krime të pandriçuara. Fajtori dënohet, fajtorin e dënon ligji. Në këtë rast si e gjykojnë fëmijët këtë akt barbar? Vërtet, a ka pasur arsye të fortë për ta vrarë gruan? Po cili mund të jetë shkaku që e shtyn burrin për ta vrarë të shoqen, ta vrasë nënën e fëmijëve të tij dhe ata t’i lërë në mëshirën e kohës, të rriten pa dashurinë dhe kujdesin e dorës së asaj që deri dje i ka përkundur në djep e u ka dhënë gji?
Ky lajm tronditi fshatin, rrethinën, tundi nga vendi nënat, tmerroi etërit dhe natyrisht i rrëqethi engjëjt e pafajshëm - fëmijët!
E fëmijët, si do ta vazhdojnë jetën me të atin - dorasin e nënës?!
Në këtë kohë, në këtë vend... edhe nënat vriten... si zogjtë në fluturim!
Jeta vazhdon më tej me njollën që nuk shlyhet kurrë: nënën e ka vrarë babai.

I. Z.

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]