[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Argëtim
Ngushëllimin e geta në pije

„Gjithnjë do të më kujtohet ajo ditë kur u nënshkrova në fletën e shkurorëzimit. Më dukej se me atë nënshkrim e shleva gjithë jetën time të deriatëhershme. Kurse për fillim tjetër s’kisha fuqi fare.“

E pasigurt qëndroja pas atyre dyerve të rënda të gjyqit, ku lashë jetën time të copëtuar në mijëra thërrime që s’do të bashkohen më kurrë. Po tani? Mbeta e vetmuar, u shkurorëzova nga njeriu që për mua ishte çdo gjë, të cilit ia kisha dhuruar vitet më të bukura të jetës sime dhe dy djem të hareshëm. Mezi shkova në banesë, duke mbajtur lotët me zor. Kur u lëshova në shtrat, larg shikimit të njerëzve, lotët më s’patën të ndalur. Në derë trokiti djali im dhe më pyeti a mund të më ndihmonte. Jo, askush s’mund të më ndihmonte më. E mbulova kokën me nënkresë dhe, e çliruar nga vaji, humba në kujtime“, shprehet e mallëngjyer Teuta, që pas 20 vjetësh u nda nga burri.

Isha shërbëtorja e tij

Tani, pas 20 vjetësh, më kujtohet dita kur për herë të parë u njoha me burrin tim. Që atë ditë u dashurova. Isha e re atëherë, isha vetëm 20 vjeçe, e ai ishte 10 vjet më i vjetër. Qe një djalë i bukur dhe argëtues, prandaj koha që kaloja me të shkonte shumë shpejt. Isha e lumtur si asnjëherë më parë. Mendoja se gjithnjë do të ishte kështu dhe mezi prisja fejesën. Kur u martuam dhe u vendosa në shtëpinë e tij, më s’ishte asgjë si më parë. Më pritën dy gra të liga: nëna e tij, vejushë dhe motra, lëneshë. Ngadalë dhe me pabesi na larguan nga njëri-tjetri. Në fillim nuk e hetova fare, por burrin tim gjithnjë e pengonte diçka, pas shpifjeve të nënës dhe motrës së tij. Isha e pafuqishme. Edhe pse mundohesha të isha grua e përsosur, në sytë e tij bija gjithnjë e më poshtë.
Dashuria jonë po mbytej, entuziazmi im kishte rënë kaherë, por kujdesi për fëmijët më bënte të mbahesha dhe të mos ua varja veshin. As në banesën e re, ku ishim vetëm ne, s’ishte më mirë. Kot u mundova, më s’munda t’i përmirësoja marrëdhëniet tona. Ai ishte vazhdimisht në ndonjë udhëtim zyrtar, fëmijët ishin rritur e unë isha çdo herë e më e vetmuar. Me të gjithë ishte i mirë dhe zbavitës, vetëm për mua s’pati kurrë një fjalë të mirë. Isha vetëm shërbëtorja e tij. Më vonë kuptova se kishte dashnore. Tani u bëmë fare të huaj për njëri-tjetrin.“

Shpëtimin e gjeta në gotë

„Ai s’kthehej deri pas mesnate, fëmijët ishin rritur dhe kishin shoqërinë e tyre, kurse unë rrija qyqe vetëm. Ndoshta do të befasohet shumëkush, por unë nisa të pija. Në fillim nga dy-tri gota, pastaj pija derisa dehesha fare. Atëherë flija dhe harroja çdo gjë. Secili zgjim ishte zhgënjim edhe më i madh. Kur isha esëll, më vinte turp për veprimet e mia, por vetëm e dehur mund t’i harroja nënçmimet dhe tradhtinë që ma bënte ai. Jeta jonë u bë e padurueshme. Më s’bërtiste vetëm ai, unë ia ktheja me të njëjtën masë. E dehur merrja guxim t’ia thosha ato që s’guxoja kur isha esëll. Fëmijët iknin nga shtëpia. Pas gjithë atyre vuajtjeve, djali arriti ta kryente fakultetin. Tani janë të punësuar dhe të pavarur. Pasi ikën ata, vuaja edhe më shumë.
Kot më lutnin të shkurorëzohesha dhe ta lija pijen, unë s’doja të dëgjoja fare. Piva pesë vjet me radhë derisa përfundova në spital.

U shkurorëzova

Pas gjithë atyre vuajtjeve, e kuptova se burri im ishte një mashkull vetjak, të cilit gruaja i duhej vetëm për t’i kënaqur nevojat e tij personale. Donte që e gjithë bota të sillej rreth tij, e ai s’qe në gjendje t’i dhuronte askujt dashuri, se shpirti i tij është i zbrazët. U shkurorëzuam. Nga pasuria jonë e përbashkët s’më dha asgjë. As për fëmijët s’brengoset fare, ndoshta pse ata gjithnjë ishin në anën time. Pijen e braktisa përgjithnjë dhe gjeta qetësi shpirtërore. Shpesh e pyes veten: Athua bëra mirë që u shkurorëzova apo më mirë do të ishte ta mbaja familjen bashkë?“

F.B.

 

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]