[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Argëtim
Ç’do të më sjellë e ardhmja?

Edhe pak ditë Lëndita do të bëhet nënë. Do të lindë vajzë dhe do t’ia vërë emrin Vesë. Kjo është e tëra që mund t’i dhurojë foshnjës së saj, sepse ajo s’ka asgjë: as shtëpi, as punë, as të holla e as burrë. E deri në muajin e pestë të shtatzënësisë i kishte të gjitha dhe jetonte në Gjermani.

Disi e turpëruar, ajo e nis rrëfimin nga e para. Tregon për zhgënjimin nga dashuria e parë dhe për rrethanat në të cilat u martua.
«Kishte një muaj që kisha rënë në depresion dhe më s’më tërhiqte asgjë. Më kishte braktisur i dashuri, me të cilin kishim kaluar dy vjet të mrekullueshme. E gjithë kjo më dukej si një ëndërr e keqe dhe s’mund të besoja se ai ishte martuar me një tjetër. Kurse unë i besoja çdo fjale të tij dhe me të do të shkoja edhe në fund të botës. Kur i shihja dorë për dore, se ata s’banonin larg nga ne, doja të pëlcisja nga dëshpërimi, prandaj s’dilja me ditë të tëra. Dëshiroja të ikja diku larg nga ai, nga të gjithë e të nisja një jetë të re.

Fati më trokiti në derë
Fati më trokiti shumë shpejt në derë, së paku ashtu mendova, nëse vërtet isha në gjendje të mendoja dhe të gjykoja drejt në atë kohë. Një i afërm ma propozoi një djalë që kishte ardhur nga Gjermania të martohej me një vajzë shqiptare. Dola tri-katër herë me të dhe, pa menduar shumë, pranova të martohesha. Më bleu garderobë të shtrenjtë dhe pas një ceremonie të vogël, u nisëm për në Gjermani. Më pëlqeu kjo jetë e re dhe dëshiroja të jetoja ashtu si doja unë. Më mahniti qyteti, banesa, isha e lumtur që çdo gjë shkonte mbarë dhe në njëfarë mënyre i isha hakmarrur të dashurit tim.

Isha mashtruar, ai s’ishte për mua
Gjashtë muajt e parë kaluan për mrekulli. Sa nisa të mësohesha me të dhe me jetën bashkëshortore, ndryshuan gjërat.
Mua më gjeti punë e ai e braktisi punën e tij. Nisi të vonohej, s’kthehej deri pas mesnate. Jetonim nga paga ime që mezi na dilte deri në fund të muajit. Ashtu jetuam dy vjet, punoja tërë ditën dhe në fund s’kisha asgjë. Pa pikë turpi m’i merrte të hollat dhe me shoqërinë e tij rrinte nëpër kafene deri pas mesnate. Atëherë fillonin grindjet, në këto raste edhe më rrihte. Deri vonë më mashtronte se kërkonte punë, pastaj e kuptova se ai as që kishte punuar ndonjëherë. E kishin mbajtur prindërit. Vetë shkonte ku t’i tekej, kthehej kur t’i tekej, e unë s’guxoja të dilja nga banesa. Kisha vetëm një shoqe tek e cila më linte të shkoja vetëm një herë në muaj dhe më duhej të kthehesha në kohën e caktuar. Të gjitha i duroja në heshtje, s’guxoja t’i tregoja askujt, vetëm nëna e tij i dinte marrëdhëniet tona. Familjes sime nuk i tregova asgjë, shpresoja se kjo ishte një fazë kaluese dhe se çdo gjë do të rregullohej.

E braktisa
Kur mbeta shtatzënë, dukej i lumtur, ndoshta mua m’u duk ashtu. Edhe unë isha e lumtur dhe shpresoja që më në fund do të mbushej mend. Prapë u mashtrova. Ai s’kthehej me ditë të tëra. Dyshimi se ka gjetur tjetër më brente çdo ditë e më tepër. Nisa të frikohesha nga ardhmëria: si do t’i paguaja vizitat mjekësore, lindjen? Me se do ta mbaja foshnjën? Kurse ai më rrihte kur nuk i jepja të holla, s’brengosej fare se në bark kisha foshnjen e tij. Trupin e kisha plot njolla. Më në fund e kuptova se ai as që dëshironte fëmijë, se ishte i papërgjegjësi dhe s’do të përmirësohej kurrë. U telefonova prindërve të mi dhe ua tregova hallin tim. Ata më propozuan që të kthehesha menjëherë në shtëpi. Kur i tregova burrit tim se po e braktisja, as që u brengos. Në ndarje më tha: «Nëse do të lindë djalë, vërja emrin tim». Por sipas ultra-zërit, unë do të lindja vajzë dhe do t’ia lë emrin Vesë.
Tani rri te prindërit, të cilët më duan dhe mundohen të m’i lehtësojnë vuajtjet. Por, ata s’kanë as për vete, jetojnë nga ndihmat. Pas lindjes do të kërkoj punë. S’dua ta mërzis askënd me hallet e mia dhe t’i bëhem barrë. Sa frikohem nga ardhmëria!

Fatime BËRBATI

 

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]