Djali që u paraqit 13 vjet si vajzë
Den Hasani nga Prizreni lindi me organe të
brendshme të gjinisë femërore,
ndërsa ato të jashtmet i kishte mashkullore.
Dashuria e tij me vajzën Andrea. Operacioni
i parë në Stamboll.
Den Hasani, i lindur më 14.06.1979 në
Prizren. Menjëherë pas lindjes mjekët
i pyesin prindërit se a kanë fëmijë
të tjerë përveç tij. Ata
u tregojnë se i kanë edhe dy vajza më
të mëdha. Qëllimi i pyetjes së
tyre ishte që ta dinë se a kanë
tjetër djalë, sepse ky fëmijë
që u kishte lindur i kishte organet e brendshme
të gjinisë femërore, kurse ato
të jashtmet ishin mashkullore. Nëse
e lejonin që të jetonte, atëherë
jeta e tij do të zgjaste 7 vjet, kurse nëse
do ta bënin operacion, kishte gjasa që
të jetonte normalisht. Problemi qëndronte
aty se operacioni nuk mund të bëhej
në Kosovë dhe ishte tepër i shtrenjtë.
Pasi babai i Denit ishte tregtar i pasur dhe kishte
dëshirë që ta kishte një djalë,
u tha mjekëve se do të bënte çmos
që djali i tij të bëhej djalë
në kuptimin e plotë të fjalës.
Kështu operacioni caktohet për në
vitin 1987 në Stamboll. Deni rritet dhe duke
u rritur përngjet më shumë si vajzë.
Të gjithë e pranojnë si vajzë
dhe po ashtu regjistrohet në shkollë
me emër të vajzës, Adelina Hasani.
Duhet cekur se për këtë e dinin
vetëm familja e Denit dhe askush tjetër.
Kështu që në vitin 1987 shkon në
Stamboll, ku i nënshtrohet operacionit të
parë. Ky operacion ishte deri diku i suksesshëm,
por megjithatë pamja e Denit ende i gjasonte
femrës. Kthehet në Prizren dhe fillon
shkollën. Në shkollë të gjithë
e thërrisnin Dina. «Unë e ndieja
veten çuditshëm, sepse askush prej
tyre nuk e dinte se unë isha mashkull»,
thotë Deni. Ai ishte i hutuar atë kohë,
sepse e ndiente veten edhe si femër, po edhe
si mashkull. Kjo gjendje e tij ishte mjaft e mjerueshme.
Ai kishte simpati edhe ndaj femrave, edhe ndaj
meshkujve. Nuk dinte as vetë se çfarë
gjinie po i takonte në të vërtetë.
Të gjithë e njihnin si femër, e
ky fillonte nganjëherë të mendonte
se është femër, por kur shkonte
në shtëpi, familja e trajtonte si mashkull.
Mirëpo, si çdo njeri që përshtatet
në rrethana të ndryshme, Deni po ashtu
filloi të pajtohet me fatin e tij, i luante
dy role, bile i luante shumë mirë. Dikur
edhe i hyri në qejf.
Çka e bëri atë që prapë
ta ndiente veten më shumë si mashkull?
Kur doli në klasën e pestë, në
klasë i erdhi një vajzë shumë
e bukur, e quajtur Andrea Sherri. Menjëherë
u bënë shoqe të mira dhe tërë
kohën e kalonin së bashku.
«Shpeshherë ajo është ulur
në prehrin tim gjatë pushimit të
gjatë, duke mos ditur asgjë për
mua e duke menduar se unë jam shoqja e saj
më e ngushtë, unë vetëm se
isha i dashuruar në të», i kujton
Deni ato ditët e tij më të vështira
në jetën e tij. Andrea e kishte hapur
zemrën e saj dhe i kishte treguar atij krejt
për jetën e saj, e ky ndihej se po e
tradhtonte që nuk po ia tregonte të
vërtetën.
Deni nuk sillte shokë e shoqe në shtëpi,
sepse frikësohej se do ta zbulonin të
vërtetën. Po ashtu askujt nuk ia jepte
numrin e telefonit, sepse familja e tij mund të
ndodhte që të gabonte. Por, një
shok i klasës së tij, Arsimi e kishte
gjetur numrin e Denit dhe e kishte thirrur në
telefon. Ishte lajmëruar nëna e Denit
dhe ishte habitur, duke iu përgjigjur se
Adelina nuk është në shtëpi.
Ky, i hutuar, nuk reagon dhe mendon se ka thirrur
gabimisht.
Në mbrëmjen e gjysmë maturës
Deni vendos që t’u tregoj të gjithëve
për fshehtësinë e tij. Ishte ngopur
më me mashtrime dhe frkësohej se, pasi
ishte fundi i shkollës, nuk do ta shihte
më Andrean. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore
që vendosi që të gjithë ta
dinë se ai në të vërtetë
ishte më shumë mashkull, edhe pse dukej
si femër.
Përfundoi klasa e tetë dhe mbrëmja
e gjysmë maturës do të mbahej në
restoranin «34» në Prizren. Duhet
cekur se Deni filloi të frikësohej se
nuk do ta kuptonin, sidomos Andrea. Por, ai e
dinte se herëdokur do të merrej vesh
e vërteta, prandaj ky ishte momenti më
i përshtatshëm.
Kështu Deni mblodhi forcë dhe së
pari i tregoi Andreas për këtë.
Ajo menjëherë iku e hutuar dhe nuk donte
të dëgjonte më për të.
Mirëpo, Deni i kishte thënë: «Ndoshta
më pranon si shokun tënd më të
mirë».
Pasi i tregoi asaj, shumë shpejt u përhap
lajmi në tërë Prizrenin. «Njerëzit
filluan të më shikonin thuajse isha
jashtëtokësor. Më parashtronin
pyetje të cilave as unë nuk dija t’u
përgjigjesha. Por, edhe pse e kisha vështirë,
disi e ndieja veten më të lirë»,
rrëfen Deni. Pas një jave, Andrea e
thërret Denin dhe i kërkon falje. Reagimi
i saj ishte tepër normal. Nuk shkoi as një
muaj dhe Andrea u dashurua në Denin. Ata
filluan të kalonin si dashnorë. Prindërit
e Denit nuk u pajtuan për këtë
në fillim, sepse Andrea i përkiste besimit
të krishterë.
«Kur nuk e dinte Andrea të vërtetën,
unë shkoja shpesh në shtëpi të
saj dhe nëna e saj gjithmonë më
thoshte sikur të ishe djalë unë
do ta martoja Andrean me ty, kështu që
dëshira e saj tani u bë realitet. Unë
dhe Andrea, edhe pse të rinj, e duam shumë
njëri-tjetrin», tha Deni.
Arsimi, shoku i ngushtë i Denit, tha: «Unë
jam befasuar mjaft me Denin, por pas këtij
rasti ne jemi bërë shokët më
të mirë. Ai dhe Andrea ishin shokë
të mirë, e tani dashnorë. Andrea
është një vajzë shumë
e mirë dhe e bukur. Ne të gjithë
po i themi që të konkurrojë për
Miss Prizreni, por Deni nuk po e lejon».
Atë ditë e takuam edhe Andrean, e cila
me të vërtetë ishte e bukur. «Jam
mësuar me Denin dhe nuk e jap atë për
asgjë. Ai është imi përgjithmonë»,
tha Andrea dhe u skuq e menjëherë shikimi
i shkoi te Deni.
Andrea është në vitin e tretë
në shkollë të mesme. Deni nuk e
ka vazhduar shkollën e mesme. Ai ka dëshirë
të bëhet muzikant. Prej vitit 1990 ka
filluar të ushtrojë në sintisajzer
dhe shpesh organizon mbrëmje argëtuese
në Prizren.
Tani janë mësuar me të dhe të
gjithë e njohin. Deni duhet ta bëjë
edhe një operacion në vitin 1998 në
Ankarë dhe pas atij operacioni do të
shërohet plotësisht.
Afërditë Hajdini
|