Gruaja që e priti burrin njëzet vjet
Në rrethin tonë nuk janë të
pakta gratë e braktisura nga burrat, të
cilat, për hir të fëmijëve,
bëhen fli. Njëra ndër to, që
rininë e kaloi si «grua pa burrë»,
papritmas përjetoi mrekulli: iu kthye burri
pas njëzet vjetësh.
Mrekullitë dhe gjërat e bukura nuk
ndodhin vetëm në faqe romanesh dhe në
shirit filmi, ku në fund gjithçka
përfundon me hepi end. Mrekullitë ndodhin
edhe në jetë, sepse jeta në gjiun
e saj ngërthen plot të papritura dhe
mistere.
Gruaja që kaloi dy decenie të jetës
duke pritur quhet Shyqerije Bytyqi, nënë
e dy fëmijëve, Afërditës,
e cila është martuar dhe ka fëmijë,
dhe Mirlindës, 21-vjeçare. Historia
e hidhur fillon herët, më 1977, kur
burri nën kërcënimin e arrestit
(pasi disa shokë të tij burgosen) e
lë punën e mësuesit dhe arratiset
në Belgjikë. Atje së shpejti merr
statusin e emigrantit politik. Meqë kishte
përvojë pune si mësues edhe atje
punon edukator në shkollën evropiane,
lidhjet me familjen i mbante të rregullta.
S'mungonin as thirrjet telefonike, as letrat...
Gruaja jetonte me shpresë se së shpejti
burri do t'i kthehej. Ajo u bë edhe burrë
edhe grua për fëmijët e saj, njërën
vajzë katërvjeçare, e tjetrën
një vjeçe ia pat lënë burri.
Burri i saj, Ganiu, pas një viti e gjysmë
qëndrimi në Belgjikë, emigron në
Amerikë.Shpresat për ta marrë gruan
me fëmijë ishin asfare. Por, gruaja
burrëreshë nuk dorëzohej. I përkushtohet
rritjes së vajzave, mirëqenies dhe edukimit
të tyre. Derisa vitet iknin e kontaktet me
burrin shkonin duke u zbehur, edhe fjalët
e botës dhe presioni brenda përbrenda
familjes rritej, sepse si mund të jetonte
gruaja pa burrë në shtëpinë
e burrit? Akuzat dhe fjalët edhe më
tepër e rëndonin peshën mbi kurrizin
e gruas, e cila stoikisht ballafaqohej me vështirësitë
që ia krijoi jeta. Thellë në shpirtin
e saj të munduar nga vuajtjet e malli, besonte
se ai ishte gjallë dhe do të kthehej...
por vitet kalonin e prej tij asnjë lajm,
asnjë gjurmë.
Ajo vendosi: rinia e saj perëndoi, do të
kujdesej deri në vdekje për vajzat,
edhe pse s'kishte trashëgimtar... Gruaja
e burrit të zhdukur jetonte vetëm për
fëmijët e saj, u bë si mumie e
gjallë duke i mbyllur sytë dhe veshët
ndaj akuzave të rrethit. Pas një kohe
të gjatë, në fshat u përhap
lajmi se Ganiu ishte gjallë dhe ishte martuar
në Amerikë. Ky lajm sa e gëzoi
aq edhe e tronditi gruan. Ishte martuar? Tekefundit,
s'ishte, çudi, ishin bërë 14-15
vjet prej ditës kur e kishte kaluar pragun
e shtëpisë.
Por, ndodhi e kundërta. Ganiu ishte i gjallë,
i zhdukuri jetonte në Nju-Jork dhe mohonte
se ishte i martuar. Përpjekja e Shyqerijes
për t'u takuar me burrin në Gjermani
dështoi. Ambasada amerikane nuk ua lëshoi
vizat e as Ganiu s'mund të hynte në
Gjermani. Kështu as pas shtatëmbëdhjetë
vjetësh pritjeje ajo nuk u takua me burrin.
E dëshpëruar, së bashku me vajzat
u kthye në Kosovë. Por, e gëzonte
fakti se ai ishte gjallë dhe ndoshta një
ditë do të kthehej. Martesa e Afërditës
kaloi në vaj, nusja nuk i përmbante
lotët. Po martohej si ndonjë vajzë
bonjake, që nuk e shijoi dashurinë atrore
kurrë. Vajza e «babait të humbur»
u bë nuse pejane, por më shumë
qau sesa u gëzua për këtë
akt solemn në jetën e saj.
Gjithçka po rridhte me ritëm monoton
në familjen e Bytyqve, kur këto ditë
marsi, një burrë dyzeteshtatëvjeçar,
ia behu te dyert e mëdha të oborrit.
Nuk e njohu njeri. Njeriu që u kthye në
vatrën e vet pas njëzet vjetësh
mori një grusht dhe e u zhgreh në vaj
si çilimi. Qanë edhe trarët e
shtëpisë nga gëzimi. U gëzua
i madh e i vogël. Lajmi mori dhenë:
u kthy nga Amerika, pas njëzet vjetësh,
Gani Bytyqi i Studençanit, heu po kush
do të besonte! Dhe gjithçka filloi
nga e para. Jeta mori kuptimin aty ku ishte këputur
filli pas kaq vjetësh. Takimi i përmallshëm
me nënën plakë e të shushatur,
me fëmijët kaloi në vaj. Vajza
e vogël u njoh me burrin e thinjur, babin
e saj, në moshën njëzetenjëvjeçare.
Vajza e madhe e njohu djalin me «gjyshin
amerikan». U njohën të gjithë.
U njohën e rinjohën. Gruaja, ajo që
priti njëzet vjet, e i mbeti besnike si hiri
zjarrit, e fitoi betejën.
Dhe jeta ka nisur prej fillimit. Këto ditë
i «humburi» po çmallet me njerëzit,
me tokën, me ajrin e vendlindjes. Ditët
kalojnë shpejt, njerëzit si varg lumenjsh
vijnë për të përshëndetur.
E netve të vona njerëzit e shtëpisë
i rrinë afër, sikur kanë frikë
mos po ik sërish.
Po, do të kthehet sërish në Nju-Jork,
ku punon si gatues picash në një restorant,
por kësaj radhe jo vetëm. Do të
shkojë me vajzën dhe gruan, atë
të durueshmen, të dlirën, që
ia fali tërë jetën pritjes.
Anglezët e kanë një thënie
që më pëlqen: «Gjithçka
është mirë, kur përfundon
mirë».
|