[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Argëtim
Profesori puthte nxënësen

A po zvetnohet sistemi ynë arsimor për shkak të gjërave që s’kanë të bëjnë asgjë me vetë arsimin vendosni, më së miri ju vetë.

Profesori preciz si “Hitachi”
Ndër nxënësit e njërës prej shkollave të mesme të Prizrenit flitet me të madhe për njërin prej mësimdhënësve të tyre, të cilin grupi i nxënësve që na shërbeu si burim ashtu mes vete e quanin “Hitachi”. Sipas fjalëve të tyre, “profesor Hitachi” nuk nguronte që dëshirat e veta seksuale ti shprehte madje edhe publikisht. Gjatë takimeve me nxënës ai shfrytëzonte rastin që ashtu si në shaka t’i thoshte ndonjërit prej nxënësve të tij se do t’ia ngriste notën nëse ai ia siguronte ndonjë shoqe! Ky, sipas fjalëve të këtyre djemve (që për t’u ikur pyetjeve të padëshirueshme që mund të dalin me këtë rast dëshirojnë të mbesin anonimë) ishte vetëm fillimi, sepse me kalimin e kohës profesori në fjalë filloi t’i kushtëzojë edhe vajzat të cilave, në fund të vitit, si me mrekulli iu ngriteshin notat. Pothuaj se gjatë tërë vitit pa marrë parasysh sa mundoheshin ndonjë apo disa vajza të caktuara nëpër të gjitha paralelet tek ai profesor e kishin notën të dobët. Kjo u bë shkak që në mesin e nxënësve të qarkullonin shpotitë në stilin “Profesori ynë është i kalltë, e se si ai ia ka mësy N.N -it”, por kur në fund të vitit notat ngriteshin aq mrekullueshëm, e tëra më nuk ishte edhe aq interesante. Disa nga vajzat disi u mbyllën në vete dhe nuk ishin edhe aq fort të gëzuara për suksesin e arriturr. Të gjithë nga pak filluan të spekulonin për arsyet e vërteta, por askush nuk e kishte guximin ta thoshte tamam atë që e mendonte. Ndryshimet radikale në disponimin vlerësues të profesorit të gjithë mundoheshin t’i merrnin si rastësi, por kur gjatë eskursionit buzë Drinit, në fshatin Vërmicë, disa nga nxënësit patën guximin ta përcjellin dhe panë edhe vetë se si profesori e përkëdhelte e më vonë edhe e puthte një shoqen e tyre, më nuk kishte vend për dilema. “Profesor Hitachi” më nuk ishte edhe aq interesant dhe karizmatik. Ai ishte një psikopat. Ishte pak e vështirë të kuptohej se si një njeri buzë perëndimit të rinisë së tij, i martuar dhe prind të lëshohej në këso aventurash shumë lehtë komprometuese. Madje, pas kësaj profesori në fjalë shkoi aq larg sa që edhe filloi të flasë për përjetimet e tij, ku tregonte se si kishte arritur aq shumë sukses në “karierën” e tij prej Don Zhuani.
Për ne që patëm rastin ta dëgjojmë këtë rrëfim edhe në detajet, që kësaj radhe nuk po i botojmë, ishte e vëshirë të besohej se mund të ekziston një njeri i tillë, i cili, në kushte normale, nuk meriton asgjë tjetër pos burgut. Ishte e vëshirë të besonim, por kur filluam ta verifikonim tërë atë që dëgjuam mësuam se Këshilli i Profesorëve, në një sesion jo edhe aq të zakonshëm, profesorin në fjalë e shkarkoi nga detyra e tij me arsyetim mosvigjilencë në punë. Ishte ky një vendim i papritur që nuk u kundërshtua, edhe pse asnjëra nga arsyetimet nuk kishte të bënte asgjë me realitetin. I tërë problemi u zgjidh në heshtje, ndoshta edhe në stilin e “Cosa Nostras” siciliane. Thënë më shkurt, atij iu tha: ti e di dhe ne e dimë se ke keqpërdorur nxënëset dhe e tëra mund të marrë fund këtu. Procesi u mbyll me kaq, kurse, në të vërtetë, e tërë kjo u bë për t’iu shmangur skandalit që do mund të ndodhte, sikur ndonjë prind të zbulonte se shkolla në fjalë ishte shndërruar në një çerdhe të një maniaku.

Dashuri e ndaluar!
Ky nuk është rasti i vetëm, sepse raste të ngjashme mund të hasen edhe në shkollat e tjera jo vetëm të Prizrenit, por edhe në të gjitha qyteteve e tjera. Thënë më ndryshe, mungesa e mekanizmave kontrollues si dhe rënia pa arsye e kritereve e kanë bërë të veten. Shkaqet e vërteta të një situate kur nxënëset dhe studentet shqiptare bien viktima të epsheve të mësimdhënësve të tyre janë të ndryshme dhe nganjëherë mund të na vijnë edhe si të çuditshme. Por, megjithatë, një dukuri e tillë është realitet edhe te ne. Vitet e shkuara, e sidomos këto të fundit, kanë treguar se nëpër klasat e fëmijëve tanë ligjërojnë mjaft psikopatë, të cilët nuk mëdyshen aspak që ta keqpërdorin “autoritetin” e tyre për përfitime seksuale. Statistikat tregojnë se prej vitit në vit shtohet gjithnjë e më tepër numri i prindërve, të cilët nuk pranojnë t’i lëshojnë vajzat e tyre në shkollë. Arsyetimet janë të ndryshme, duke filluar nga fajësimi i sistemit jonormal arsimor, duke vazhduar më tej me gjoja frikën për degjenerim moral të vajzave, kurse rrallëherë nuk mungon edhe e një e vërtetë tjetër. Disa nga prindërit frikohen nga sjelljet jonjerëzore të disa prej mësimdhënësve, sjellje këto për të cilat heshturazi flitet mjaft sidomos kohëve të fundit. Është kjo një formë e “dashurisë së ndaluar” që, për fat të keq, tenton ta njollosë me të madhe sistemin tonë arsimor të ngritur me aq sakrificë dhe mund. Shumëkush pyetet se athua a do kthehemi në shkolla, por nëse (nuk)kthehemi a nuk duhet t’u kushtojmë rëndësi edhe problemeve të tjera në lidhje me arsimin. Athua edhe në këtë shtator, vetëm falë moskujdesit tonë, përsëri, në po të njëjtat klasa, po të njëjtët njerëz do t’i kërkojnë viktimat e tyre të reja? A do të gjenden edhe sivjet mësimdhënës të tillë që notën kaluese ta kushtëzojnë me një kundërshpërblim intim? A do ta pyesin përsëri veten nxënësit se si ndodhi që shoqes së tyre, në fund të vitit, aq shpejt t’i ngritet nota? A do të bëhen këto probleme edhe më aktuale apo ndoshta dikush do të ndërrmarrë diçka para se të fillojë ndonjë skandal i ngjashëm me atë të Mark Ditrus në Belgjikë.

Albatros Rexhaj


 
[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]