[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Argëtim
Ecja pas hijes së burrit

Gjenerata e re ankohen se nuk janë të kënaqur me jetën e tyre. A thua si është jetuar dikur? A u ka “shkuar mendja” gjysheve tona të ankohen? A kanë qenë ato “pa gojë” apo...

Ajshe E. 93 - vjeçare, nga një fshat i komunës P.

Kam lindur në fshat. Jam martuar 18 - vjeçare, sipas zakonit me dasëm të madhe dhe me shumë krushq. Një kohë kam nusëruar në shtëpi të burrit, e pas ca muajve shitën tokën dhe u nisëm për në Turqi. Thoshin se atje jetohet mirë, po besa shkuam edhe të ikim prej shkaut. Edhe atëherë shkonin njerëzit larg vendit të vet sikur sot që po shkojnë në Zvicër dhe në Gjermani. Ne u kthyem pas disa muajve, prapë e blemë me para vendin tonë se atje për ne vend nuk pati! Po, po, ja edhe sot po shkojnë atje në skaj të dynjasë, disa po ikin prej zullumit, disa për të jetuar më mirë e disa, besa, po ikin edhe prej vjehrrive e bashkësive familjare! Është bërë shumë milet, shtrenjt gjithçka...
Po pyesni: si jemi martuar atëherë?
Atëherë jemi martuar fjalë pas fjale, duke e kryer këtë punë mësiti. Ne femrat ishim të mbyllura me çarçaf. Viheshim në “shenjë” nëpër dasma, e ashtu të mbuluara mund të ishim edhe të shëmtuara. Pak binte në sy kjo gjë, kurse më vonë kur “mbuloheshim” me shami na dukeshin flokët!
Punën tjetër e kryente mësiti. Si thoshte ai, ashtu duhej të ishte... Atij i besohej shumë!
Sot po martohen “vetë”, po i dinë të gjitha. Pajtohem që po i shihni vetë burrat para martesës, po disi tepër “po njoftoheni”. Ani, folni një herë me ta, merruni vesh dhe le të vijë mësiti ta marrë fjalën!
Kam lindur 8 fëmijë. Ka qenë kohë e varfërisë së madhe. Shkonim me gratë për të punuar në fushë. Korrnim grurin me djep në shpinë. Në pikë të diellit, me çarçaf të zi.
Atëherë s’ke guxuar ta kthesh kryet prapa. Kur ke dalë me vjehër, burrë apo kunat, lehtë ke mundur ta humbish rrugën, se na duhej të nguteshim t’ua ndjekim hijen e burrave!
Si ka qenë atëherë, sot është lehtë për gruan!
Posa e kemi parë burrin në oborr, i kemi lënë djepat për t’i “ndihmuar” t’i heqë këpucët e t’i lajë duart.

Hamide K. 89 - vjeçare
nga një fshat i komunës I, “Jam martuar 20 - vjeçare. Për atë kohë “pak e vjetër”. Babai nuk “ishte ngutur” të më martojë kush e di se pse. U martova afër shtëpisë së babait, në familjen 40 - anëtarëshe. Asnjëherë nuk munda ta ngre kryet lart nga puna. Linda dhe rrita 9 fëmijë të gjithë të shëndoshë. I bëra pa doktor, në shtëpi. Sot gratë - me nga një fëmijë dhe po u vjen vështirë. Kemi gatuar në magje, s’kemi ditur çka është lodhja.
“Fjala e burrit ka qenë ligj për ne gratë. Fëmijët s’kemi guxuar t’i ulim me burra në sofër, e besa as vetë s’jemi ulur...”
Kemi lindur fëmijë si bie fjala sot, e nesër i kemi kryer të gjitha punët. Derisa i është ndier vaji i fëmijës askush nuk e ka ditur se doli në këtë botë!
Sot janë doktorët madje edhe nuk po iu pritet. Po shkojnë po e marrin vesh çka do të lindë? Nuk duhet për t’u përzier në punë të zotit se...
Eh, sot lehtë jetohet. Lum ai që është sot i ri e i gëzon këto kushte. Po më pyet: a i kemi parë burrat atëherë? Jo, moj bijë, po ne as fytyrën nuk ia dinim mirë, se ka qenë marre të shikohet burri në sy! Të shëtisim si sot krah për krah me burra të tuaj para se të martoheni as ëndërr nuk e kemi parë! Ne atëherë kemi “shëtitur” vetëm deri në gjini...
Sot është mirë që jeni “barazuar” me burrat, por, moj loke, nuk po dihet kush çka është! Sa i përket xhelozisë, burrat tonë s’kanë pasur arsye për këtë se nuk na linin të dalim përtej derës! Sot ka edhe dashuri, edhe xhelozi e besa edhe tradhti. Po bëhen, moj loke, të gjitha se po më doket se tash keni liri të madhe prej burrave.
Po, po edhe atëherë ka ndodhur që burrat janë martuar nga disa herë, por gratë s’kanë bërë zë se s’kanë guxuar. Sot kush rri në ortake, edhe mirë është që nuk rri!

Zarife B, 88 - vjeçare, nga një fshat i komunës V.

“Jam martuar 16 - vjeçare me dëshirën e babait e të axhallarëve. As që më ka pyetur kush se a dua apo jo të martohem, as që kam folur me kënd për atë punë! Ka qenë marre, moj bijë, atëherë të flasësh për burra! Po të tregoj tash drejt: kur u martova burri nuk m’u duk i mirë. Ishte i zi, shumë më i vjetër se unë, vështirë, fjalë pak, i mrrolshëm. Po, megjithatë prej punëve të shumta as që më binte në mend t’ja shikoj fytyrën. Linda 7 fëmijë, krejt rrush, njërin pas tjetrit. Nuk guxoja t’i lë të qanin se burri kërkonte shërbim dhe duhej ta bënte pushimin e mbrëmjes e të psditës në qetësi. Punët e shtëpisë ne gratë i krynim natën. Shpesh bile na zinte drita duke larë rroba...
Ditën kishim punë të tjera. Më pyesni: a ka qenë burri i vështirë! Po unë, moj loke, kurrë s’ia kam bërë punën për tu bërë nervozë, si po thoni tash ju të rinjt! E kam pasur në kokë atë bindjen se unë s’duhet të flas përveç kur të më pyes ai diçka. E sot po i shoh nuset e mia e të kojshive, folin besa edhe bërtasin, kurse burrat nuk ndihen të gjallë! Sot gratë jetojnë tepër mirë, po disi po më duket se s’kanë fort rehati me burra. Edhe pse veshët gati sa s’më kanë lënë, po dëgjoj kur burri flet një fjalë e gruaja dhjetë. Po më duket disi se sot gratë janë “shliruar” shumë prej burrave. Atëherë për ne jeta ka qenë më e vështirë, por mendoj se kemi jetuar më të qetë se ka ekzistuar respekti...
Sot është mirë që po shihen vajza me djalin para se të “merren”, por po më duket se tepër po iu zgjat “njoftimi” e kur po martohen vështirë po “përshtaten”... Po, po, edhe në kohën time ka pasur raste kur janë parë djali me vajzën, po rrallë, shumë rrallë!

Shpresa Ejupi - Zhuja

 


 

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]