[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Analizë

Dy vjet pas nënshkrimit të Paktit politik të Ohrit, kriza e Kumanovës dhe e Likovës reflekton pasojat e mosimplementimit të marrëveshjes

Marrëveshja e Ohrit apo fija e perit ku varet fati i Maqedonisë

Nga Ilir Kulla

Kriza e sapo nisur e rajonit të Kumanovës në Maqedoni riktheu edhe një herë tjetër vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar te shteti i ri dhe i brishtë ballkanik, Maqedonia, apo siç thotë anglezi Pady Ashdoën, kryeadministrator i Misionit Ndërkombëtar në Bosnje, Maqedonia tregoi dhe një herë që mbetet fuçi baruti. Gjithsesi, gjatë këtyre ditëve të krizës u vu re se të gjitha palët ankesat dhe pretendimet i kishin me Marrëveshjen e Ohrit. Qeveria e Maqedonisë akuzoi njerëzit e armatosur se duan të prishin Marrëveshjen e Ohrit, të ashtuquajturit rebelë akuzuan qeverinë se nuk po zbaton Marrëveshjen e Ohrit, partitë politike u ankuan se nuk është zbatuar Marrëveshja e Ohrit, faktori ndërkombëtar bëri apel për qetësinë e situatës dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, madje dhe AKSH sqaroi me anë të faqes së vet në internet se nuk mjafton Marrëveshja e Ohrit për zgjidhjen e problemit në Maqedoni. Në këto kushte, duke parë që të gjitha palët e implikuara në krizë mbështeten tek Marrëveshja e Ohrit, pavarësisht kushteve të ndryshme dhe pikëvështrimeve po aq të ndryshme që kanë rreth Marrëveshjes së Ohrit, na lind detyrimi të shpjegojmë edhe një herë ç'është Marrëveshja e Ohrit, ku mbështetet ajo, sa është zbatuar, cilat janë palët në marrëveshje dhe sa të predispozuara janë ato për Implementimin e kësaj marrëveshje?

Marrëveshja e Ohrit lindi si nevojë e domosdoshme për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Maqedoninë e vitit 2001, në kohën e konfliktit të armatosur dhe krizës politike që kishte pllakosur këtë vend në atë kohë. Marrëveshja synonte të vendoste raporte të drejta dhe përfundimtare në mes kombësive që jetojnë në shtetin e Maqedonisë si qytetarë të atij shteti. Gjithashtu, synonte t'i jepte fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 mes UÇK-së dhe forcave qeveritare të asaj kohe. Marrëveshja e Ohrit u arrit në sajë të presionit që bëri faktori ndërkombëtar te palët në konflikt, por, gjithashtu, edhe si rrjedhojë e përcaktimit politik të qartë që pati popullsia shqiptare e Maqedonisë në kryengritjen e vitit 2001, me qëllim rritjen e të drejtave dhe të përfaqësimit politik të shqiptarëve atje si faktor shtetformues në Maqedoni, faktor i cili deri në atë kohë, pavarësisht përmirësimit progresiv të kushteve, ishte parë si faktor i dorës së dytë dhe gjithësesi minoritete me të drejta të kufizuara. Një tjetër element diskriminues kishte qenë arsimi dhe feja e shqiptarëve. Ndaj, në shtetin e ri që nuk kishte as dhjetë vjet që ishte formuar, shqiptarët nuk kishin ende të sqaruar pozicionin e tyre brenda shtetit maqedonas. Ndaj, Marrëveshja e Ohrit u pa nga të gjithë jo vetëm si një shans historik dhe politik, por dhe si mundësi konkrete për përmirësimin e pozitave juridike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Le t'i marrim pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të shohim sa janë realizuar ato dhe me anë të këtij vështrimi mbi fakte le të bëjmë një analizë mbi realitetin politik të krizës në Maqedoni.

* * *
Preambula e Kushtetutës së Maqedonisë ishte pika më e vështirë e kësaj Marrëveshjeje. Në Preambulën e mëparshme kushtetuese ishte parashikuar që shteti maqedonas ishte shteti i maqedonasve dhe i minoriteteve të tjera, ndër të cilat dhe ai shqiptar. Në Preambulën e Marrëveshjes së Ohrit u parashikuan dy variante. I pari parashikonte ta konsideronte Maqedoninë shtet të Maqedonasve dhe të Shqiptarëve, që banohej dhe nga minoritete të tjera, të cilat kishin të drejta të garantuara nga Kushtetuta etj. Ky variant, pavarësisht se i pëlqeu VMRO-DPMNE, atëherë partia më e madhe në vend me orientim probullgar dhe nga një pjesë e faktorit shqiptar prezent atje, konkretisht PDSH-së, u hodh poshtë me ngulmimin e faktorit ndërkombëtar, sepse krijonte premisat për një ndarje të mëvonshme të Maqedonisë në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ndërkohë, u propozua varianti që më pas u miratua, ai i të konsideruarit të Maqedonisë shtet të qytetarëve të vet pavarësisht nga kombësia, pra, shtet të maqedonasve, shqiptarëve, turqve, ashkalinjve, etj. Ky variant u mbështet nga LSDM-ja dhe PPD-ja dhe mori miratimin e UÇK-së dhe drejtuesit politik të saj Ali Ahmeti. Në atë kohë, pavarësisht se UÇK-ja nuk ishte palë pjesëmarrëse në Marrëveshje, ajo, falë Marrëveshjes së Prizrenit në mes partive politike shqiptare dhe UÇK-së, mund të thuhet se ishte pala vendimtare e faktorit shqiptar në Marrëveshje. Në krizën e ditëve të fundit duket se pikërisht qytetarët e kombësisë maqedonase, si pjesëtarët më të mëdhenj në numër të qytetarëve të Maqedonisë, nuk kanë arritur ende të kuptojnë se tashmë nuk ka Maqedoni të maqedonasve, por ajo është e njëjtë për të gjithë qytetarët e saj, ndaj ligjet, të drejtat dhe detyrimet janë njësoj për të gjithë. Në rastin Çakalla kjo provohet më së miri. Nuk mund të ndëshkohen qytetarët e një vendi në mënyrë kolektive nga shteti i tyre, pavarësisht fajit që mund të ketë bërë një individ apo një grup i tillë, pavarësisht motiveve të këtij faji. Në rastin konkret shteti ndëshkon qytetarët e vet, me ushtrinë e vet, për shkak të kombësisë së ndryshme të shqiptarëve, duke gjetur si argument një individ apo një grup të vogël individësh, kriminelë të akuzuar por ende të paprovuar. Në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm kjo ndërhyrje ushtarake motivohet me arsyen e mbrojtjes së Integritetit Territorial të Maqedonisë, të sanksionuar nga Marrëveshja e Ohrit, duke u dhënë atributet e ruajtësit të Maqedonisë qytetarëve të saj të kombësisë maqedonase, dhe duke i atribuar qytetarëve të saj të kombësisë shqiptare qëllimin e shkatërrimit të tërësisë territoriale të këtij shteti. Fatkeqësia qëndron te fakti se këtë mendësi e kanë të gjithë liderët politikë të kombësisë maqedonase në shtetin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

* * *
Element i dytë i rëndësishëm i Marrëveshjes së Ohrit ishte amnistia e përgjithshme për të gjithë luftëtarët e ish- UÇK-së. Problemi i amnistisë pati tri faza vështirësie. Faza e parë kishte të bënte me faktin se kush kishte të drejtë të amnistohej dhe për çfarë kishte të drejtë të amnistohej. Pjesa maqedonase synonte të kalonte një amnisti e cila do t'u garantonte falje të gjithë atyre që kishin marrë pjesë në UÇK për periudhën e pjesëmarrjes në luftë. Kjo do të thoshte se numri më i madh i liderëve politikë të UÇK-së, përfshi Ali Ahmetin, nuk faleshin, pasi ata ishin dënuar në vitet e mëparshme, që nga koha e Jugosllavisë, për veprimtarinë e tyre politike, ndaj një amnisti e pjesshme nuk mjaftonte, duhej një falje e përgjithshme, për të gjitha kohët. Kjo u realizua pjesërisht, pasi u aplikua për komandantët dhe liderët politikë, por për një pjesë të madhe të njerëzve të tjerë shumë më pak të rëndësishëm, që nuk ishin aktivizuar edhe në luftë, nuk pati vlerë. Faza e dytë kishte të bënte me mënyrën e kalimit të amnistisë, me ligj apo me dekret të Presidentit. Amnistia me ligj do të pastronte kurrikulumet e të gjithëve, ndërsa falja e Presidentit do t'i hiqte ata nga detyrimet që kishin të bënin me konfliktin e vitit 2001. U gjet një formulë aspak e qartë, që synonte të kënaqte pak të gjitha palët. U miratua me ligj që të bëhej një dekret i Presidentit për falje. Ky mish-mash juridik ka lënë në trashgimni jo vetëm probleme të mëdha me njerëz dhe ish- luftëtarë që janë ende të kërkuar, por ka krijuar edhe skandale politike, si ai i ndalimit të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri, nga policia në kufirin e Maqedonisë me Kosovën, si i kërkuar nga Interpoli, pasi në kompjuter rezultonte i dënuar. Apo i arrestimit në kufi me Shqipërinë të Xhevat Ademit, vitin që shkoi, Sekretar i Përgjitshëm i PDK-së, për një urdhër arresti të Prokurorisë së Shkupit, të gushtit 2001. Gjithashtu, çështja e amnistisë ka krijuar probleme të madha sociale, pasi një pjesë shumë e madhe e ish-luftëtarëve janë të kërkuar, ngaqë në të kaluarën, para konfliktit, janë dënuar për çështje ordinere, si p.sh. një gjobë e mospaguar, mosvajtja për kryerjen e shërbimit ushtarak, apo ndonjë sherr ordiner. Është kjo arsyeja përse sot ka një numër të madh shqiptarësh të kërkuar për çështje ordinere, të cilët, duke qenë fshatarë të papunë, që duhet të paraqiten para drejtësisë, nuk shohin gjë më të mirë për të bërë sesa ajo e të dalit kaçak maleve.

* * *
Element i tretë i Marrëveshjes së Ohrit ishte çështja e decentralizimit admnistrativ të shtetit. Shqiptarët synonin që me anë të një ligji të përmirësuar ata të kishin të drejta përfaqësimi politik më të mëdha në zonat e banuara me shqiptarë. Këtu nuk flitej për zonat ku shqiptarët përbënin shumicën, si Tetova dhe Gostivari, por për zona ku shqiptarët përbënin një pjesë të rëndësishme, si Kumanova dhe për zona ku shqiptarët ishin pakicë, si Manastiri. Çështja e decentralizimit haste dy vështirësi. E para ishte funksioni i këtij ligji në përmirësimin e jetës së përditshme të shqiptarëve, në zonat ku ata nuk ishin shumicë dhe tjetra, financimi i komunave ku shqiptarët ishin shumicë. Gjithashtu problem tjetër ishte ndarja e re territoriale që do të bëhej në bazë të numrit të qytetarëve, në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Ndarja e re territoriale nga një anë i favorizonte shqiptarët, por nga ana tjetër u krijonte mundësi qytetarëve të kombësisë maqedonase të krijonin komuna në territore të rrethuara nga shqiptarë në formë enklavash, siç ishte rasti i Mavrovës. Në të njëjtën kohë, decentralizimi me të vërtetë i jep të drejta të rritjes së autonomisë të pushtetit lokal, por i jep atij detyrimin për sigurimin e të ardhurave për qeverisje vendore, duke ia hequr këtë detyrim finaciar pushtetit qendror. Me pak fjalë, qeverisë së Shkupit nuk i duhet se ç'bëjnë komunat dhe bashkitë shqiptare për të siguruar para për investime publike. Gjithsesi, decentralizimi është një pikë që ka përparuar dhe tashmë është gati të kalojë në Parlamentin e Maqedonisë si ligj përfundimtar.

* * *
Elementi i katërt është gjuha zyrtare që do të përdoret në dokumentet zyrtare, në shkolla, në rrugë, nëpër institucione, në dokumentacionet e udhëtimit etj. Në të kaluarën ishte e ndaluar të përdorej shqipja nëpër ambientet publike. Më pas, me ardhjen në fuqi të PDSH-së dhe të Arbër Xhaferrit, u lejua të përdorej në disa rajone ku shqiptarët ishin në shumicë të theksuar, si Tetova dhe Gostivari, por sërish ndalohej në pjesën më të madhe të vetën. U gjend një kompromis, që do të shkruhej në të dyja gjuhët dhe, në pasaportën e udhëtimit në tri gjuhë, në maqedonisht, shqip dhe anglisht. U vendos që të përdoreshin të dyja gjuhët edhe në institucione, por dhe në ambientet publike, ashtu si në sinjalizimet rrugore etj. Ky ligj ishte në favor të shqiptarëve dhe përmirësonte në mënyrë të dukshme pozitat e shqiptarëve. Në të vërtetë kjo ishte arritje, megjithatë qeveria Cervenkovski është treguar shumë e ngathët dhe rezultatet ende nuk shihen.

* * *
Një tjetër element kyç është punësimi i drejtë i shqiptarëve në administratën shtetërore. kjo ishte arritje, megjithatë, qeveria Cervenkovski është treguar shumë e ngathët dhe rezultatet ende nuk shihen.

* * *
Përdorimi i flamurit kombëtar është një tjetër element i rëndësishëm. Gjithsesi, në Marrëveshje është paraparë jo vetëm si përdorim i flamurit, por si përdorim i simboleve kombëtare. Edhe në këtë pikë ka përparime, por shqiptarët kërkojnë më shumë dhe maqedonasve i duket shumë. Sido qoftë, ka një liri të pakufizuar për shqiptarët në territoret me shumicë shqiptare në përdorimin e simboleve kombëtare. Megjithatë, Marrëveshja parashikon se simbolet, ashtu si gjuha, duhet të jenë të shtrira në të gjithë Maqedoninë ku jetojnë shqiptarë, pavarësisht nga numri i tyre.
Në Marrëveshjen e Ohrit u vendos që përfaqësimi në administratë do të jetë, në të gjitha nivelet, në bazë të raporteve sasiore të ndarjes së popullsisë. Ndaj, një nga veprimet kryesore që duhej të bëhej ishte numërimi i popullsisë. Shqiptarët pretendojnë të jenë rreth 33%, maqedonasit mendojnë se shqiptarët nuk janë më shumë se 20%, ndërkohë OSBE mendon se numërimi përfundimtar do të nxjerrë 26%-28%. Ndaj është llogaritur që dhe punësimi në administratën shtetërore do të bëhet me këto raporte. Nga një përllogaritje e afërt del se, nëse kjo gjë do të zbatohet, atëherë do të ketë 20000-30000 më shumë shqiptarë të punësuar në të gjithë administratën, nga nivelet e larta deri tek ato të ulëta. Megjithatë, FMN, duke mos pasur aspak parasysh Marrëveshjen në fjalë, një nga kushtet që i ka vënë Maqedonisë është ai i reduktimit edhe për 30.000 veta të tjerë në administratën shtetërore. Ndaj është e vështirë të kuptohet se ku do të gjenden paratë për një buxhet me numrin e shtuar të shqiptarëve në administratën shtetërore. Gjithsesi, tashmë disa gjëra kanë ndryshuar për mirë në shumë zona të banuara me shqiptarë. Tashmë shefat e policisë apo policët, doganierët apo shefat e doganave, madje dhe oficerë në forcat e armatosura dhe në shërbimet e fsheta janë shqiptarë, ndonëse numri i tyre ende është i kufizuar.

* * *
Tjetër element i rëndësishëm është informacioni publik. Tashmë nuk është vetëm gjuha shqipe që përdoret, por është arritur që kanali i tretë publik televiziv të jetë i tëri në gjuhën shqipe, i konceptur dhe drejtuar nga shqiptarë. Kjo është një arritje e mirë.

* * *
Arritja më e rëndësishme në Implementimin e Marrëveshjes, gjithsesi, ngelet legalizmi i Universitetit të Tetovës. Me ligjin e ri të miratuar nga Parlamenti Maqedonas bëhet e mundur që Universtiteti i Tetovës, në kuadër të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, jo vetëm të njihet si legal, por edhe të finacohet në një pjesë të mirë të vet nga buxheti i shtetit. Legalizmi i Universitetit të Tetovës zgjidh problemin e njohjes së diplomave të një numri të madh studentësh të diplomuar atje dhe i heq qeverisë maqedonase një nga pikat më të dobëta të së kaluarës së vet, atë kthimit të Universitetit të Tetovës në një simbol kombëtar dhe vatër të patriotizmit shqiptar në Maqedoni.

* * *
Marrëveshja ka 49 pika të rëndësishme, të cilat përmbledhin deri në detaje përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Maqedoni, por në tërësi edhe jetën e të gjithë qytetarëve atje. Marrëveshja në vetvete synon të kriojë një shoqëri multietnike në funksion të një shteti multietnik. Marrëveshja synon që këtë ta arrijë me një rrugë politike dhe juridike. Marrëveshja e Ohrit është një hap përpara për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, por nga ana tjetër në shumë çështje ka boshllëqe realizmi. Martesat multietnike në Maqedoni janë 0.5%, ndaj është e vështirë të mendosh krijimin e një shoqërie multietnike. Gjithashtu ndarja në bazë të besimit fetar është shumë e ndjeshme, ndërkohë që dhe territori nga lindja në perëndim duket se favorizon partizanët e politikës së ndarjes së Maqedonisë, apo të federalizmit të saj. Marrëveshja, në thelb, synon një Maqedoni me të drejta të garantuara për kombësitë dhe minoritetet, pavarësisht nga shtrirja gjeogra-fike e tyre. Ndërkohë, ka shumë forca politike, madje nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat sponsorizojnë idenë e një Maqedonie të ndara në dy pjesë dhe të federuara me njëra tjetrën, Maqedoninë e shqiptarëve dhe atë maqedonasve.


Marrëveshja e Ohrit lindi si nevojë e domosdoshme për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Maqedoninë e vitit 2001, në kohën e konfliktit të armatosur dhe krizës politike që kishte pllakosur këtë vend në atë kohë. Marrëveshja synonte të vendoste raporte të drejta dhe përfundimtare në mes kombësive që jetojnë në shtetin e Maqedonisë si qytetarë të atij shteti. Gjithashtu, synonte t'i jepte fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 mes UÇK-së dhe forcave qeveritare të asaj kohe


MARREVESHJA E OHRIT
Pikat e realizuara të Marrëveshjes së Ohrit

1- Legalizimi i Universitetit të Tetovës
2- Informacioni dhe televizoni publik në gjuhën shqipe
3- Rritja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në polici dhe në ushtri
4- Përdorimi gjuhës shqipe në pasaportat e udhëtimit
5- Amnistia për lidershipin e ish-UÇK-së

Pikat ende të parealizuara të Marrëveshjes së Ohrit

1- Amnistia për të gjithë anëtarët e UÇK-së dhe për krimet para konfliktit të vitit 2001
2- Numërimi i popullsisë
3- Decentralizimi administrativ
4- Rritja e pjesëmmarrjes së shqiptarëve në të gjithë administratën shtetërore
5- Përdorimi i simboleve kombëtare dhe i gjuhës shqipe në të gjitha ambientet publike të Maqedonisë

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]