AKTUALITETE -EXKLUSIVE PËR RTVZIK |
AKTUALITET |
| Shkruan: Fadil SHYTI Lëvizjet politike të diplomacisë ndërkombëtare, përmes GNK-së (Grupi Ndërkombëtar i Krizave), këto ditë e kanë thyer (të paktën teorikisht), status-quon politike të pushtetarëve unmikas dhe vazalëve të tyre pacifistë në Prishtinë, e kanë zgjuar gjithashtu nga gjumi dimëror edhe politikën europiane e cila për Kosovën, po e luan lojën e dyfytyrëshe politike, në raportet me Beogradin sipas parimit të dinakrisë shekullore: "ngrihe perin e mos e këput" ose "ndiqe hajnin e mos e kap"!... Si duket këta politikanë, të parët servilë para presioneve të Beogradit, ndërsa të dytët servilë para presioneve UNMIK-ut dhe aspak novatorë por tepër të ngathët në hapërimet politike; popullit të Kosovës po i kushtojnë tepër shtrenjtë. Kosovën, tani e kanë rënduar plagë të mëdha të luftës dhe të pasluftës: plagët e luftës siç dihet nga të gjithë ende nuk janë shëruar për faktin që Serbia ende po tregohet e pamëshirë si kurdoherë me shqiptarët; ajo ende nuk po ia këthen mijëra trupa të shqiptarëve të vrarë e të tretur në varrezat masive në territorin e saj, ende nuk po tregon ku i ka hedhur ato qindra shqiptarë nëpër furrat brenda e jashtë Kosovës, ende nuk po tregon ku i ka vendosur kurthet e minave, fushave dhe maleve të Kosovës dhe rreth kufirit shqiptaro-shqiptar, (me Shqipërinë londineze), ende nuk po i dorëzon kriminelët e luftës që kanë kryer krime në Kosovë dhe më tej; Bosnjë dhe Kroaci, ende nuk po ia këthen Kosovës dëmet ekonomike gjatë luftës, që mesiguri arrijnë në miljona dollarë, pastaj Serbia ende nuk ka kërkuar falje për të gjitha ato krime, masakra dhe dëbime masive që ka bërë në Kosovë dhe më gjerë. Nga kjo mund të konstatojmë që Serbia edhe pse e veshur me petkun e farsës demokratike, ajo deri tani ka mbetur e rrezikshme për rajonin, ithtare e ideve fashiste të parardhësve të saj. Përkundër të gjitha këtyre fajeve të pakufishme, çka e bënë edhe më tragjike faktin është se: OKB-ja, ende nuk ia heq Serbisë nga kujtesa(konventat ndërkombëtare), Rezolutën 1244, kjo e cila ia njeh Serbisë sovranitetin mbi Kosovën!!! Nuk ia heq Kosovës, lakun nga fyti me të ashtuquaturën Kornizë Kushtetuese, me të cilën Kosovës i kufizohen shumë të drejta legjislative dhe ekzekutive. Kosova ende nuk e ka nxjerrë Kushtetutën e saj, ku mund të shprehej edhe për Vetëvendosjen si e drejtë legjitime e çdo populli liridashës. Rezolutës 1244 ecila është sanksionuar në Mbledhjen e Rambujes, tani i ka kaluar koha, për faktin që në atë Konferencë është përcaktuar një afat tre vjeçar, pritjeje e pastaj populli i Kosovës do të shprehej lirisht me një Referendum për ardhmërinë e tij. Tani, po shihet që kjo nuk ndodhi as nuk po lejohet nga bashkësia ndërkombëtare, që kjo e drejtë të realizohet!... Ky afat është tejkaluar në kohë dhe me hapa tjerë drejt stabilizimit politik në Kosovë. Pastaj, kjo Rezolutë u shkelë shumë herë nga Serbia dhe UNMIK-u. Rasti më flagrant është enklavizimi i Kosovës për kaq vite, ndarja e Mitrovicës, Marrëveshja Serbi-Maqedoni, për coptimin e trojeve shqiptare, privilegjet që i janë bërë nacionalitetit serb rreth zgjedhjeve në Kosovë, kur ata janë manipuluar nga pushtetarët serbë të Beogradit etj... Shikuar nga këto padrejtësi, plus krimi që u krye mbi fëmijët shqiptarë, ndodhën ngjarjet tragjike të marsit 2004. Po, tani shtrohet pyetja; çfarë ndryshimi u bë në llogari të shqiptarëve? A u shëruan plagët e pasluftës si: papunësia, diskriminimi klasor i klasës punëtore, mungesa e duhur e ndihmave për të pastrehët, pensionistët, për invalidët e luftë çlirimtare, ndihmat për familjet e dëshmorëve, ndihmat për ata/ato, qindra e mijëra të ish- burgosur politikë që shumë prej tyre jetojnë në kushte të vështira, pastaj ndalja e persekutimit të ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, hedhja e tyre burgjeve duke u ngritur akuza të paqena, krejtësisht të montuara... Jo, asgjë pozitive nuk u bë për ta qetësuar shpirtin e plagosur të Kosovës me Vise. Prandaj, si rezultat i kësaj politike antishqiptare ironizuese, pasuan paralajmërimet për trazira të reja nga analistëtv politikë shqiptarë dhe të huaj se: "nëse nuk bëhet së shpejti një zgjidhje për Kosovën, mund të priten sërish në vitin 2005-të, trazira të reja"! Fatmirsisht, këto nuk kanë rënë krejtësisht në vesh të e shurdhër: "GNK", më në fund doli me ca propozime. Dihen tani, qëndrimet e GNK-së. Ato, do të sqarohen dhe përpunohen edhe më tej nga kancelaritë e huaja ndërkombëtare, tani veç është hedhur zari, për më tutje do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve politike rreth Kosovës dhe për shqiptarët. Por, "GNK", sipas qëndrimeve që doli tani përkundër përpjekëjeve për t´u shuar zjarri i mundshëm në Kosovë, kinse për të ecur përpara çështja e Kosovës, ka lënë shumë për t´u dëshiruar! Ky Grup duhet ta heq nga rendi, pikën famëkeqe, ku popullit të Kosovës i ndalohet Ribashkimi me Shqipërinë, duke pretenduar (ndaluar) këtë popullit të Kosovës, i ndalohet Vetëvendosja, dëshira e tij për të vendosur vetë për ardhmërinë e tij. |
Populli i Kosovës, gjatë shekujve, ka hequr shumë prej politikave gjenocidale të krajlëve të Serbisë dhe të shteteve përreth, prandaj ka ardhur koha që sot o kurrë: të vendosë me një Referendum popullor për Republikën e Kosovës të Pavarur, pa trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, mendoj për Preshevën me vise, apo dëshiron që t´i Ribashkohet vendit amë, Shqipërisë? Të deklarohet në Referendum: a dëshiron Kosova të mbetet sërish e copëtuar pa trojet etnike shqiptare apo dëshiron që këto troje të Ribashkohen në një shtet shqiptar në Ballkan? Duke e bërë këtë bashkësia ndërkombëtare do të bënte një vepër madhore politike duke ia njohur të drejtën një kombi të lashtë në Balllkan të vendosë vetë për fatet e veta. Kështu, do të mbylleshin njëherë e përgjithmonë rrugët e trazirave dhe luftërave të reja, me ketë diplomacia euro-atlantike do të lirohej përgjithmonë nga barra e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Në të kundërtën, në këtë hapësirë të Ballkanit, shqiptarët do ta kenë të pazgjidhur fatlumnisht, përfundismisht fatin e tyre, prandaj rajoni dhe më tej sërish do të ballafaqohet me trazira e lutëra të reja dhe kjo jo për qejfin e shqiptarëve "terroristë", "luftënxitës" e të tjerë, por për fajin e politikës ndërkombëtare dhe vendeve fqinje; Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë, shtete këto që i kanë grabitur shumë territore Shqipërisë Etnike. Kosova, nuk mund të integrohet në Europë, pa një potencial të fuqishëm ekonomik, politik, ushtarak, etj. Pastaj, shqiptarët si mund të integrohen në Europë, pa u integruar fillimisht kombëtarisht, si një komb i barabartë me kombet tjera?! Integrimi i shqiptarëve nuk e rrezikon aspak rajonin e Ballkanit, përkundrazi e stabilizon këtë dhe Europën. Ne, shqiptarët, asnjëherë gjatë historisë nuk kemi bërë luftëra kolonialiste, nuk kemi pasur orekse ekspansioniste, për pushtime të tokave të huaja, prandaj kjo është edhe një dëshmi e fuqishme që na takon e drejta, sipas parimit: NJË KOMB NJË SHTET ! E, për t´u arritur stabilizimi i fuqishëm politik, ekonomik, ushtarak etj, Kosovës i duhet Ribashkimi me Shqipërinë dhe me viset tjera shqiptare, atëherë do të krijohej një baraspeshë e shteteve fqinje në rajon që pastaj secila do të mbahej në kufijt përcaktues etnik, me forcat e veta dhe natyrisht me marrëdhënie të mira politike, ekonomike, ushtarake etj, ashtu do të integroheshin denjësisht të gjitha këto shtete në familjen e madhe euro-atlantike. Po, për t´u arritur kjo baraspeshë kërkohet doemos një përpjekëje e madhe diplomatike nga shteti shqiptar, pra nga qeveria e Tiranës dhe nga institucionet e Kosvës, të gjithë njëzëri kërkohet sa më parë që është e mundur të mblidhen dhe të diskutojnë për hapat e mëtejmë e të vendosin për qëndrimet që do të merren nga shqiptarët si komb, anekënd trojeve shqiptare. Për këtë çështje madhore fajlën e vet duhet ta japin të gjitha shtresat e gjëra popullore e në veçanti inteligjencia përparimtare me në krye dy Akademitë në: Tiranë, Prishtinë, UT i Tetovës dhe partitë shqiptare në Ulqin dhe Preshevë . Kjo, Vetëvendosje për ardhmërinë të kërkohet të ndihmohet dhe më tej nga diaspora, për faktin kur dihet që i kemi miljona shqiptarë që kanë emigruar nëpër botë. Prandaj, jashtë vendit, ekziston një potencial i fuqishëm njerëzor që ka një bagazh të madh politik dhe ekonomik, mbetet detyrë e pushtetarëve shqiptarë që këtë forcë reale ta vënë në lëvizje, ta ofrojnë dhe të bashkëpunojnë me të, që lobi shqiptar në botë ta thotë fjalën e vet dhe ta kryej detyrën që i takon ndaj Atmëmëdheut. Bashkësia ndërkombëtare duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptoj që drejtësia historike ndaj shqiptarëve si komb, duhet të realizohet sipas parimeve të drejtësisë së Vetëvendosjes deri në shkëputje nga shetet e huaja! Përndryeshe, kjo bashkësi sikur deri tani do të ballafaqohet edhe ajo me detyra që zor se do t´i kryej me sukses, për stabilizimin e rajonit të nxehtë të rajonit të Ballkanit. Këmbanat e alarmit po bien!... Tani, për ne shqiptarët kërkohet zgjim, ofensivë diplomatike, vigjilencë e madhe për t´ju shpëtuar kurtheve të tradhëtive të reja!... Për t´i arritur fitoret tona të cilat i kemi ëndërruar në shekuj! Këto fitore s´na i fali as nuk po na i falë askush, ato do t´i fitojmë me djersën dhe gjakun tonë, do t´i fitojmë nëse këmbëngulim të bëjmë politikë vërtetë kombëtare e jo t´i realizojmë vetëm huqet e politikës ditore ndërkombëtare, prandaj, ka rrezik që këto fitore sërish do t´na ikun nga duart, po nuk dijtëm t´i kanalizojmë veprimet, ta projektojmë strategjinë gjithëkombëtare së bashku, si një trup, për një Shqipëri Etnike në Ballkan. Diplomacia botërore nuk ka kohë të mirret me çështjen tonë, sa herë ne do të dëshironim, ajo po mirret me këtë, kur kjo po ballafaqohet me luftërat tona çlirimtare, prandaj t´i shfrytëzojmë rrethanat e krijuara, para se të na bëhet vonë!... Ta bëjmë Shqipërinë tonë të Ribashkuar, ashtu siç e dëshiruan të parët tanë! Ashtu, siç na e lanë amanet dëshmorët që ranë në shekuj, për Shqipërinë Etnike. Jepi Shqipëri! Suedi. 29.01.2005 |
| |
