AKTUALITETE -EXKLUSIVE PËR RTVZIK |
AKTUALITET |
| Xhevat Bislimi Liria nuk duron kushte Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i datës 24 janar 2005, përbën përmbledhjen më të mirë të shqetësimeve ndërkombëtare për gjendjen në Kosovë dhe parashikimin e një «shpërthimi» të ri nëse «Bashkësia ndërkombëtare nuk bënë diçka këtë vit për aspiratat e shqiptarëve për pavarësi». Për dallim nga klasa «institucionale» e Kosovës, e cila gjendjen në Kosovë e sheh të mbjellur me lule, Raporti i GNK-së është i prerë në vlerësimet e tij: «Viti 2005 ose do të sjellë përparim në zgjidhjen e statusit të ardhshsëm që konsolidon paqen dhe zhvillimin, ose ekziston rreziku që Kosova t'i kthehet konfliktit dhe të gjenerojë jostabilitet rajonal». E veçanta e këtij raporti është se argumenti më i fuqishëm për tezën dhe propozimin e Grupit të Krizave Ndërkombëtare për njohjen e shtetit të Kosovës me disa kushtëzime janë «trazirat e përgjakshme» të marsit. Emri i atij që dikush vazhdon ta quajë president i Kosovës-LDK-së, edhe pse ky «president» më shumë se kushdo tjetër e ka lakuar fjalën «pavarësi», nuk është përmendur askund. Kërkesa e tij për «pavarësi formale» nuk tërhoqi vëmendjen e botës dhe as nuk e motivoi atë asnjëherë të merret me Kosovën. Sepse ky e kishte me të tallur, prandaj edhe bota tallejë me të, duke e varur kërkesën e tij në bisht të qenit Ishte populli i Kosovës që me revoltën e tij spontane dhe me kërkesa sado që të paartikuluara e lëvizi edhe njëherë përpara diplomacinë botërore, e cila e lexoi qartë mesazhin e ngjarjeve të marsit 2004, për çështjen e Kosovës. Sipas këtij Grupi gjendja në Kosovë kërkon «shërim» të shpejtë. Kjo merret vesh nga kërkesa që ky Grup i drejton Grupit të Kontaktit (prej gjashtë shtetesh) për të dal «sa më parë që është e mundur me një deklaratë, ku qartë do të ofrohejë një afat kohor për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës » Tri janë kushtet që propozohen t'i vihen lirisë së Kosovës dhe popullit të saj: E para, Kosova do të zotohet në mënyrë eksplicite se nuk do të bashkohet me Shqipërinë apo ndonjë vend apo territor fqinj përveç se në kuadër të integrimeve në BE; E dyta, do të ketë një numër gjyqtarësh ndërkombëtarë të emëruar në gjykatat më të larta të Kosovës si dhe palë të caktuara ndërkombëtare do të kenë të garantuar një prezencë që siguron se para këtyre gjykatave të nxjerren çështjet themelore që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave dhe obligimet e tjera të dakorduara dhe miratuara më herët; E treta, Kosova do të pranonte një prezencë ndërkombëtare monitoruese - Misioni Monitorues i Kosovës - që do t'i raportojë bashkësisë së gjerë ndërkombëtare dhe do të rekomandojë masat gjegjëse nëse Kosova tërhiqet nga zotimet. Ana e mirë e këtij raporti është se i propozon Bashkësisë ndërkombëtare që t'i tërhiqet vrejtja Beogradit se «treni po ikën, me ose pa ju». Një përparim tjetër i rëndësishëm është edhe propozimi që ky Grup i bënë Bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-së dhe Bashkimit Evropian) për njohjen e sovraniteti të Kosovës edhe nëse nuk pajtohen Serbia dhe Rusia. Kosova nuk mund të mbetet peng i tyre. Më e forta është se raporti u propozon vendeve të Bashkimit Evropian dhe ShBA-së që ta njohin sovranitetin e Kosovës edhe nëse këtë nuk e bënë (gjë që do të ishte e dëshirueshme) Këshilli i Sigurimit me një rezolutë të veçantë. Në qarqet diplomatike ndërkombëtare thuhet se GNK-ja ka ndikim në politikën amerikane, por deri diku edhe në politikën evropiane. Kjo u vërtetua edhe në takimet që u mbajtën në Strasburg dhe Bruksel pikërisht për këtë Raport dhe përkrahja që iu dha propozimeve të paraqitura në të. Kjo përkrahje ka shqetësuar dhe tronditur seriozisht edhe Beogradin dhe politikën e tij shoviniste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Përsëri kushte për lirinë e Kosovës Prania e një numri të kufizuar gjyqtarësh ndërkombëtarë në gjykatat më të larta të Kosovës dhe prania e një «misioni ndërkombëtar mbikëqyrës» nuk paraqet ndonjë shqetësim për shqiptarët, sepse shteti i Kosovës nuk do të ndërtohet asesi mbi bazën e shtypjes dhe të shkeljes së të drejtave të pakicave kombëtare. Ky shtet dhe shqiptarët përgjithësisht nuk do të ndjekin politikën e mbylljes dhe të izolimit, por do të jenë të hapur për bashkëpunim dhe marrëdhënie miqësore me shtetet fqinje dhe me Bashkësinë Ndërkombëtare, sidomos me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian. Kushti tjetër që «shtrëngon» Kosovën «të zotohet në mënyrë eksplicite se nuk do të bashkohet me Shqipërinë përveç se në kuadër të integrimeve në BE» është mjaft i diskutueshëm dhe do të duhej të ishte i përkohshëm. Bashkimi kombëtar (zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare) do të duhej t'i paraprinte bashkimit me BE-në. Kjo do të ishte rruga më e natyrshme e përmbylljes së procesit të unifikimit të kombit shqiptar tashmë të formuar si një njësi unike gjeografike, historike, gjuhësore, kulturore, psikologjike dhe gati edhe ekonomike e tregtare. Për hirë të ruajtjes së njëfarë ekuilibri dhe të njëfarë paqeje mjaft të brishtë mund të pranohet (nëse e pranojnë shumica e shqiptarëve) edhe «formula» e bashkimit kombëtar krahas bashkimit me BE-në. Çështja e respektimit të pakicave (kuptohet, sidomos e asaj serbe) është çështje (kusht) më shumë politike se sa çështje e lirive dhe të drejtave të pakicave. Plotësimi i këtij kushti është i lidhur ngushtë me «disiplinimin» dhe shtrëngimin e Beogradit. Nëse Beogradi nuk e pranon realitetin e ri, shtetin e Kosovës, atëherë do të vazhdojë avazi i vjetër me pakicën serbe, e cila do të mbetet instrument i politikës shoviniste. Pastaj, që të nis të shkruhet një faqe e re në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, Beogradi duhet t'i kthejë menjëherë kufomat e gjetura deri më tash dhe t'i gjejë edhe të tjerat. Të tregojë se sa kufoma shqiptarësh janë djegur në furrat e ndryshme në Kosovë apo Serbi. Beogradi duhet t'i kërkojë falje popullit shqiptar për krimet dhe plagët (dhunimet, etj.) e shkaktuara gjatë luftës së fundit dhe të paktën për ato të shkaktuara që nga viti 1912 dhe të paguajw për dëmet e shkaktuara gjatë luftës. |
Kusht «sine qua non» për marrëdhënie «noramle» me Serbinë duhet të jetë edhe respektimi i të drejtave dhe lirive (pa kushte) të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre të pushtuara nga Serbia. Për këtë, nëse bota është e interesuar për paqe dhe qëndrueshmëri të përherëshme, Serbia duhet të detyrohet ose të kushtëzohet. Këto ditë e tërë Evropa po kujton holokaustin dhe po nderon viktimat, e barabarisë naziste. Kanë kaluar 60 vjet nga ky tmerr që kishte pllakosur Evropën dhe botën, por kujtesa është ende e freskët, kurse pesha e tij mjaft e rëndë edhe sot e kësaj dite në marrëdhëniet midis popujve dhe shteteve. Parlamenti evropian dhe parlamentet e shteteve të ndryshme vazhdojnë të miratojnë rezoluta dhe deklarata që dënojnë dhunën, terrorin dhe gjenocidin (holokaustin) nazist, sidomos ndaj hebrenjve. Gjermanët vazhdojnë edhe sot t'u kërkojnë falje hebrenjve. Kjo është gjë e mirë. Nuk duhet të harrohet e kaluara nëse nuk duam të na përsëritet. E mora këtë shembull për të dal te çështja e Kosovës. Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta ketë parasysh se dhuna, terrori dhe gjenocidi (holokausti) serb në Kosovë, në thelb nuk ndryshonin shumë nga dhuna, terrori dhe gjenocidi (holokausti) nazist ndaj hebrenjve. (Kujtoni djegien e kufomave të shqiptarëve të vrarë nga «nazistët» serbë). Tokat e pushtuara shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi (pas LDB-së edhe nga Maqedonia) janë përplotë me varreza masive të mbushura me shqiptarë të vrarë e të masakruar. Njësoj edhe me dëbimin. Më shumë se gjysma e kombit shqiptar jeton në Turqi dhe në vende të tjera të botës. Vetëm pas vitit 1981 janë detyruar t'i lënë shtëpitë e tyre (janë dëbuar) rreth 500 mijë (nuk ka të dhëna të sakta, mund të jenë edhe më shumë) shqiptarë që ishin të pushtuar nga serbo-maqedono-malazezët. Këto fakte janë lehtë të verifikueshme nga cilido studjues i huaj i paanshëm. Duke pasur parasysh këtë mur gjaku, që është ngritur pa dëshirën dhe vullnetin e popullit tonë, midis shqiptarëve dhe serbëve, Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të kërkojë (siç po bënë nganjëherë) dhe as të besojë se shqiptarët do ta harrojnë holokaustin, duke fshirë me gomë kujtesën e tyre historike dhe t'i përqafojnë serbët. Ajo që mund të bëhet dhe që duhet të kërkojë e të pres Bashkësia Ndërkombëtare (pas atyre hapave që duhet të bëjë Serbia e që i thamë më lartë) është nxjerrja e ligjeve me të cilat do të garantoheshin pa kushte të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës pa dallime kombëtare, fetare, gjinore, e të tjera. Në këtë kuadër edhe të gjitha liritë dhe të drejtat për pakicën serbe dhe për pakicat tjera joserbe në pajtim me ligjet dhe standardet ndërkombëtare. T'u ofrohet siguri e plotë dhe të krijohet klimë mirëkuptimi në tërë hapësirën e Kosovës, duke garantuar edhe lëvizje të lirë dhe pa asnjë frikë për cilindo qytetar të Kosovës. Mirëpo, Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta kuptojë se këto standarde dhe garanci për pakicat dhe qytetarët e Kosovës përgjithsisht nuk mund t'i arrijë as ofrojë njeriu që nuk ka bërë asgjë për lirinë e tij (lëre më për lirinë e Kosovës), Rugova. Ai që nuk ndjehet në likurën e tij i lirë dhe i sigurtë si mund t'ua garantojë lirinë dhe sigurinë të tjerëve? Vetëm njerëzit që u përpoqën tërë jetën e tyre për lirinë dhe të drejtat e Kosovës mund t'i përmbushin këto standarde dhe kushte. Prandaj, kjo është edhe një çështje tjetër për të cilën duhet të mendojë më thellë Bashkësia Ndërkombëtare, e cila duhet të mbështesë atë klasë politike që u përpoqë dhe vazhdon të përpiqet për ndërtimin e një Kosove demokratike, të lirë dhe të drejtë për të gjithë, pa dallim. Klasa politike që bashkëpunoi ngushtë me regjimet totalitariste të Beogradit dhe e cila ka edhe përgjegjësinë e saj për holokaustin serb në Kosovë e më gjerë duhet të shkojë njëherë e përgjithmonë nga skena dhe ta lerë të qetë Kosovën në rrugën e saj të pushtimit të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit evropian. Kjo klasë me mendësi totalitariste (e veshur në rroba demokratike) ka dhënë prova të mjaftueshme se nuk është e zonja të reformohet, por është e «zonja» ta mbajë peng procesin Shqiptarët e Kosovës me të drejtë po presin me shpresë të madhe vizitën e Kryetarit Xhorxh Bush në Bruksel. Ardhja e tij mund të hap një faqe të re në historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar. SHBA-ja ishte e para që njohu dhe mbështeti UÇK-në dhe luftën e Saj. Ajo angazhoi qindra avionë luftarakë modernë në përkrahje të luftës së UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe. Ta do mendja se ajo do të jetë e para që do ta njohë dhe pranojë edhe shtetin e Kosovës. Bushi e tha edhe në fjalimin e tij (ditën e marrjes së mandatit të dytë) se SHBA-ja do të vazhdojë të angazhohet për një botë të lirë e demokratike. Besojmë se populli shqiptar gjatë gjithë historisë ka dëshmuar se është në anën e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Populli ynë gjatë gjithë ekzistencës së tij asnjëherë nuk i ka rënë në qafë dhe nuk i ka vënë kushte lirisë dhe të drejtave të popujve tjerë. Prandaj presim që edhe liria e popullit shqiptar më në fund të jetë pa kushte, ndërsa ne të vazhdojmë ta ndryshojmë veten që t'i zëmë ose të paktën t'u afrohemi vendeve dhe popujve të qytetëruar |
| |
