AKTUALITETE -EXKLUSIVE PËR RTVZIK |
AKTUALITET |
A ekziston identiteti kosovar? 1. Shpesh herë individë të ndryshëm, të cilët mundohen të mbrojnë tezën e nevojës apo arsyeshmërisë së krijimit të një identiteti të ri kombëtar brenda hapësirës kombëtare shqiptare, marrin si shembull krijimin e dy kombeve nga populli gjerman, përkatësisht krijimin e austriakëve dhe gjermanëve nga një substrat etnik. Krahasimi është sa i pavend aq edhe i pabazuar historikisht dhe shkencërisht. Gjermanët për një kohë të gjatë jetuan në shumë shtete të lidhura mes tyre përmes lidhjesh të ndryshme konfederale dhe federale. Piemonti' i të gjithë gjermanëve, për një kohë të gjatë, ishte Perandoria Austriake e udhëhequr nga dinastia më e vjetër në Evropë, Habsburgët. Gradualisht vendin e kësaj fuqie në botën gjermane filloi ta merrte Prusia. Forcimi ushtarak dhe politik i Prusisë dhe suksesi në luftërat e shumta që pati (si lufta franko-prusiane), e sidomos lufta kundër Austrisë që e bëri me qëllim që ta dominojë botën gjermane, e vendosi atë në gjysmën e dytë të shekullit të 19 në pozicionin e shtetit kryesor gjerman. Nën udhëheqjen e Bismarkut ky shtet bëri unifikimin e shteteve gjermane në një shtet të vetëm, duke lënë Austrinë jashtë këtij bashkimi gjerman, thjesht për shkak të luftës për pushtet. Pra mos-hyrja e Austrisë në shtetin e ri gjerman erdhi si pasojë e luftës për pushtet të klanit të Habsburgëve dhe të pushtetarëve prusianë të prirë nga Bismarku. Kështu krijimi i dy kombeve gjermane fillimisht u bë si pasojë e luftës së klaneve, e më pas, unifikimi nuk ndodhi për shkak të dy luftërave botërore që i shkaktuan pikërisht shtetet gjermane: Gjermania dhe Austria. Madje pas Luftës së Parë Botërore, megjithë dëshirën e austriakëve për t'iu bashkangjitur Gjermanisë (në vitin 1919 Parlamenti i Republikës së Austrisë Gjermane, siç quhej Austria në atë kohë, me vetëm një votë kundër e shpall bashkimin me Gjermaninë), me vendime të posaçme të Konferencës së Parisit të imponuara nga fuqitë që dolën fituese të kësaj lufte, nuk u lejua një gjë e tillë. 2.Po kthehemi tek pyetja fillestare: a ekziston identiteti kosovar? Nuk ka dyshim se identiteti kosovar ekziston. Mirëpo ai ekziston vetëm në kuadër të hapësirës kombëtare shqiptare, pra është një pjesë e tërësisë kombëtare. Është identitet regjional me veçantitë e veta kulturore që është krejt e zakonshme për çdo komb. Është identitet si identiteti i shkodranit, labit, devollasit, apo i tropojanit. Ky identitet, duke qenë gjithsesi i fuqishëm dhe specifik e ka pasuruar dhe e pasuron vazhdimisht kulturën tonë kombëtare duke i dhënë asaj larminë dhe bukurinë e saj. Ndarjet e shumta dhe të gjata që ka pasur kombi shqiptar kanë lënë gjurmë në zhvillimin e tij. Këto gjurmë ishin pengim në komunikimin dhe në zhvillimin normal dhe të përbashkët të kombit tonë. Mirëpo këto gjurmë nuk kanë qenë aq të thella sa që ndarjet e dhunshme t'i shndërrojë në ndarje që do të krijonin dy identitete të pavarura kombëtare. Identiteti kosovar në kuptimin e identiteti si komb i veçantë nuk ekziston as sot, nuk ka ekzistuar as dje, e nuk ka kurrfarë nevoje as objektive, as politike e as historike që të ekzistojë nesër. 3. Në radhë të parë pjesa e kombit shqiptar që mbeti jashtë Shqipërisë londineze, nuk e ka rreshtur luftën për bashkim me shtetin amë, që nga momenti i mbetjes së saj jashtë saj. Kjo luftë e vazhdueshme politiko-ushtarake është ndër elementet kryesore për të vërtetuar tezën e pjekurisë kombëtare shqiptare të pjesës së mbetur të kombit. Gjatë kësaj periudhe kërkesat e shqiptarëve nën regjimet jugosllave kanë qenë të ndryshme që nga kërkesa për shkëputje të menjëhershme, e deri tek ajo për republikë në kuadër të federatës jugosllave por që kanë pasur një qëllim dhe synim të vetëm, krijimin e kushteve që populli shqiptar vetë të vendosë për fatin e tij në mënyrë të lirë dhe pa presione. Për këtë ideal kanë vdekur bijtë më të mirë të Kosovës dhe të Shqipërisë, për këtë ideal me qindra mijëra të rinj kanë vuajtur burgjeve të Serbisë. Vetë lufta e UÇK-së e pati për qëllim bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhe megjithë ndërrimet që pësoi ky qëllim në mes të luftës (u shndërrua nga qëllim për bashkim me Shqipërinë në qëllim për pavarësinë e Kosovës administrative) betimi zyrtar i ushtarëve deri në ditët e fundit të ekzistencës së UÇK-së ka qenë betimi për luftë deri në bashkim me Shqipërinë. Dhe ky ideal politik e kombëtar edhe sot është i brumosur në zemrat e atyre ushtarëve dhe të shumë subjekteve politike të Kosovës, por kam bindjen edhe në vetëdijen e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Pra angazhimi i vazhdueshëm politiko-ushtarak për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë që nga viti 1913 e deri më sot është argumenti më i mirë se identiteti kosovar si identitet i kombit nuk ekziston. 4. Në anën tjetër çdo komb duhet të ketë një histori të veten, duhet të ketë një kulturë, letërsi, muzikë, gjuhë të veçantë në të cilën duhet të bazohet (në aspektin e gjuhës ka përjashtime, si p.sh. anglezët, amerikanët, australianët, irlandezët, një pjesë e kanadezëve flasin gjuhën angleze, por përbëjnë kombe të ndryshme, por në përgjithësi kombet dallohen kryesisht për nga gjuhët që flasin). Po ky kombi kosovar me çka do të krenohej? Me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që ishte vazhdimësia politiko-ushtarake e Rilindjes Kombëtare Shqiptare? Me Isa Boletinin dhe Hasan Prishtinën që luftuan për pavarësinë e tërë tokave shqiptare nga Perandoria Osmane dhe më pas, pas mbetjes se Kosovës nën Serbi, për bashkimin me Shqipërinë? Me Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin që synim kishin gjithashtu bashkimin me Shqipërinë? Me pikturën e krijuar në Kosovë që i ka fillet tek pas Luftës së Dytë Botërore (LDB)? Me letërsinë që zë fill gjithashtu pas LDB (me ndonjë përjashtim të rrallë)? Me muzikën folklorike dhe popullore që është aq e ngjashme dhe në shumë raste e ndikuar nga muzika e Shqipërisë? Me veshjen tradicionale kombëtare që është identike sidomos me veriun e Shqipërisë zyrtare? |
Nuk mund të krijohen kombet me vendime administrative, qofshin edhe të atyre që na shiten si miqtë tanë. Kombet janë krijuar nëpër një proces të gjatë historik. Dhe megjithë vëshirësitë, kombi shqiptar e ka kapërcyer fazën e pjekurisë kombëtare. Në vetëdijen e shqiptarit të Kosovës është e ngulitur thellë figura e Skënderbeut si hero kombëtar, e Naim Frashërit si poet kombëtar, e Kadaresë si shkrimtari më i madh shqiptar, e Agollit si poeti i popullit etj.. E tërë historia e Kosovës është e mbushur me luftëra për pavarësinë e Shqipërisë dhe më pas për bashkim me të. Realisht as Shqipëria nuk mund të paramendohet pa kryengritjet e Kosovës, pa rolin e Isë Boletinit, të Hasan Prishtinës të Bajram Currit e Hoxhë Kadrisë në luftërat për pavarësi si dhe në mbrojtjen e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe të demokratizimit të tij, pa Adem Demaçin e UÇK-në, pa Adem Jasharin që është ndër vlerat më të mëdha të kombit tonë. Pa dashur të bëj krahasim, por më shumë për ilustrim të realitetit të sotëm, mund të thuhet se Kombëtarja shqiptare në futboll (përfaqësuesja e vetme e tërë shqiptarëve ne fushën e sportit në botë) sot nuk mund të paramendohet pa Besnik Hasin, e nesër sigurisht as pa Mehmet Dragushën e Lorik Canën etj.. ************ 5. Pra megjithëse jetuam dhunshëm ndaras, vlerat që e bëjnë kombin komb, që i bëjnë njerëzit të ndihen të një gjaku i zhvilluam dhe i kishim të përbashkëta. Megjithë përpjekjet e regjimeve pushtuese, që të krijojnë kombin kosovar (edhe përmes ndarjeve në shprehje si ata janë albanci, ndërsa ju shiftari), ne i rezistuam. Dhe me përpjekje të mëdha arritëm që vlerat si Skënderbeu, Naim Frashëri, Rilindja Kombëtare, lufërat për pavarësi të shtetit shqiptar, prejardhja jonë ilire, gjuha letrare, t'i fusim si vlera që fëmijët i mësuan që nga dita e parë në shkollë si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Madje në Kosovë, shumë normalisht, këto ishin më të përforëcuara, si reaksion ndaj shtypjes së vazhdueshme dhe përpjekjeve për asimilim dhe tjetërsim kombëtar. Në fund të fundit vetë krijimi i Universitetit të Prishtinës si një nga të arriturat tona më të mëdha, u bë edhe me ndihmën e intelektualëve nga Shqipëria, gjë që la gjurmë të thella në vetëdijen e studentëve dhe intelektualëve tanë. Lirisht mund të shtrohet pyetja se a mund të paramendojmë ne shqiptarët e Kosovës letërsi të ndarë, letërsi që nuk do të kishte pjesë të sajën përbërëse Ismail Kadarenë dhe veprën e tij letrare. Vepra e Kadaresë konsideroj është ndër vlerat tona më të mëdha. Çdo shqiptar ndjehet krenar për të, sepse është vlerë që e ka pranuar si të veten edhe bota bashkëkohore. Le të paramendohet situata hipotetike kur ne nuk do ta konsideronim Kadarenë pjesë të letërsisë sonë. Nuk do ta konsideronim pjesë tonin njeriun i cili më shumë se të gjithë autorët tanë ka botuar jashtë për Kosovën, i cili më shumë se cilido autorë ka influencuar mbi shkrimtarët e Kosovës, i cili më shumë se kushdo ka influencuar mbi ngritjen politike të një brezi të tërë intelektualësh që kanë bartur dhe mbajnë ende barrën e luftës për lirinë e Kosovës. Pra edhe në drejtimin kulturor tërë lufta e intelektualëve të Kosovës ka konsistuar në forcimin e identiteti shqiptar dhe jo në krijimin e një identiteti të ri. 6.Disa fjalë edhe për çështjen e kulturës. Shpesh është zënë në gojë se Tirana e përçmon Prishtinën në aspektin kulturor dhe se ka filluar të ndjehet një lloj inferioriteti kulturor i Prishtinës ndaj Tiranës. Nuk ka dyshim se niveli i komunikimit megjithëse kohëve të fundit është rritur ndjeshëm, lë shumë për të dëshiruar. Në relacionet kulturore nuk ka vend për krijimin e inferioritetit të Prishtinës ndaj Tiranës. Vetëm ata që vetë nuk përfaqësojnë ndonjë vlerë të mirëfilltë mund të ndjehen inferior karshi Tiranës. Mos të harrojmë se shumë nga vlerat që Tirana promovon kanë edhe pjesën kosovare në to. Shumë nga personalitetet e shquara të kulturës shqiptare sot që janë produkt i Tiranës kanë prejardhje nga Kosova. Inva Mula është në këtë drejtim është shembulli më i mirë. (Sa të varfër janë në aspektin kulturor të gjithë ata që duan të krijojnë një komb të ri, e që nuk do të mund të jenë krenar me Inva Mulën, sepse nuk e konsiderojnë si pjesë të kulturës së tyre kosovare). E keqja më e madhe qëndron në faktin se që një kohë të gjatë në Prishtinë dhe në përgjithësi në Kosovë mbretëron një atmosferë mbytëse kulturore dhe intelektuale. Madje Tirana ka bërë shumë më shumë sesa ne këto vitet e fundit për promovimin e disa vlerave tona, që i bëjnë nder kulturës shqiptare, të cilat i kishim harruar. Mos të harrojmë Tirana e ngjalli Nexhmije Pagarushën duke e kthyer në skenën e jetës kulturore me tërë fuqinë e vlerave që ajo përfaqëson; mos të harrojmë se aktorin më të madh shqiptar Bekim Fehmiun, të harruar në Kosovë, Tirana e ngjalli si sfinksin dhe e ngriti më 2002 gati se në mit në spektatklin Ta duam më shumë Shqipërinë. Ishte edhe spektakli i madh Ethet e së Premtes Mbrëma që tregoi se këngët e këndej kufirit nuk janë fare inferiore dhe dëgjohen e këndohen nga rinia e Shqipërisë londineze. Grupet muzikore të të gjitha zhanreve janë mjaft të dëgjuara edhe atje. Majde kohët e fundti rapi kosovar është shumë i dëgjuar dhe kërkuar nga rinia e Shqipërisë. Të gjitha këto nuk do të thotë se janë të kënaqshme, përkundrazi, por janë fakte që mohojnë se në Tiranë ka ndonjë rezistencë të organizuar karshi Prishtinës, nëse eliminojmë nga ky trajtim ndonjë xhelozi dhe kapric artistësh. Kritika çka është e vërteta duhet t'u drejtohet institucioneve kulturore të shtetit shqiptar dhe atyre të Kosovës në mënyrë që më mirë dhe më me produktivitet t'i shfrytëzojnë rrethanat e krijuara në mënyrë që ta optimalizojnë bashkëpunimin dhe integrimin kulturor. Në veçanti një barrë e madhe u bie institucioneve të shtetit shqiptar që të jenë më aktive në mënyrë që kultura e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze të jetë më e pranishme në Shqipëri (të jetë një konkurente që avanason kulturën kombëtare) dhe kështu kjo kulturë të ndjehet sa më e integruar brenda kulturës kombëtare. 7. Përpjekjet për krijimin e një kombi të ri, janë edhe në kundërshtim me proceset e përgjithshme politike, ekonomike dhe kulturore në planin ndërkombëtar. Sado që kjo ide sot mund t'u flejë ndërkombëtarëve që janë në Kosovë për shkaqe politike, kjo tendencë do të ishte në kundërshtim edhe me vetë proceset e globalizimit dhe të integrimeve. Sot kur po jetojmë në kohën e heqjeve të kufijve të kuptimit tradicional, kur po jetojmë në kohën e kombeve të mëdha kozmopolite si amerikanët, britanezët, francezët e tjerë, krijimi i dy kombeve prej një kombi, fragmentarizimi i kombeve ekzistuese, është më shumë se absurd, është më shumë se konzervativ, është tërësisht reaksionar. 8. Nga aspekti racional por edhe ai strategjik, pra duke e lënë të kaluarën dhe duke u marrë me të tashmen dhe të nesërmen siguria e këtij identiteti të ri kombëtar gjithmonë do të ishte e rrezikuar. 9. Në situatën hipotetike të krijimit të një kombi të ri që do të ishte ai kosovar do të lindnin edhe disa probleme të tjera. Çka do të ishin banorët e Tetovës dhe të Shkupit, çka do të duhej të ishin ata të Preshevës dhe të Ulqinit? Pra do të lindnin probleme të pronësisë për një pjesë të mbetur të ish-shqiptarëve, që mund të jenë edhe kosovarë. Në radhë të parë në këtë moment kjo situatë do të vështirësonte pozicionin e tyre politik në vendet ku jetojnë sepse politikat shoviniste të Serbisë, IRJM-së dhe Malit të Zi, do të shfrytëzonin situatat e tilla për të vazhduar edhe më tej diskriminimin e tyre. Në mënyrë ironike do të mund të thuhej se lindja e këtij kombi të ri do të shtonte numërin e serbëve, malazezëve dhe sidomos të maqedonëve në raport me shqiptarët në Ballkan. Ja edhe një shembull se sa absurde dhe joracionale do të ishte krijimi i këtij kombi të ri. 10. Kjo ide-përpjekje e pushtuesve tanë, kohëve të fundit ka filluar të gjejë një përkraje edhe pse ende fillestare tek disa qarqe të caktuara të shoqërisë dhe politikës sonë në Kosovë. Fillimisht e depërtuar përmes idesë për shtetin e Kosovës (dhe teorisë së kombit-shtet), ka tendenca që kjo ide tani të depërtojë si arsyetim se kështu mund t'i mashtrojmë edhe ndërkombëtarët se ja krijuam kombin e ri dhe tani nuk ka rrezik të bashkohemi me Shqipërinë. Arsyetime të tilla janë qesharake dhe nuk i gëlltit askush. Krijimi i kombit kosovar nuk e shpejton procesin e krijimit të shtetit të Kosovës, por i hap rrugë Kosovës që të kthehet në gjirin e Serbisë përmes ndonjë lidhjeje federative. 11. Realisht shikuar një pjesë e politikanëve në Kosovë dhe në Shqipëri mund të jenë të interesuar në njërën mënyrë ose në tjetrën, të krijojë njëfarë identiteti kosovar (ndoshta jo tërësisht kombëtar), sepse frikësohet se procesi i bashkimit kombëtar do t'i lë jashtë loje. Klanet politike, të frikësuara se mund ta humbin rëndësinë e tyre në tërësinë unike shqiptare (për shkak të mungesës së vizioneve të qarta për të ardhmën, për shkak të pseudovlerave politike që përfaqësojnë, për shkak të servilitetit ndaj të huajve, por edhe nga frika e humbjes së influencës mbi monopolet ekonomike), mund të jenë një pengesë në rrugën normale të integrimeve ndërshqiptare që do të finalizohej me krijimin e shtetit unik shqiptar. Normalisht këto klane asnjëherë këtë nuk do ta pranonin dhe thonin shumë hapur dhe publikisht por do të punonin që të krijoheshin rrethanat e tilla që do të zvarrisnin këtë proces natyror dhe të pashmangshëm 12. Në këto rrethana politike të brendshme dhe në këto konstalacione të forcave në aspektin ndërkombëtar, nuk jam shumë i sigurtë se a ka mundësi që Kosova të jetë e pavarur si shtet dhe sa mund të zgjas ai proces. Por në të gjitha variantet proceset janë duke shkuar drejt krijimit të një shteti të bashkuar të shqiptarëve në Ballkan. Kjo do të ishte edhe zgjidhja që do të qetësonte rajonin. Çdo zgjidhje tjetër është riciklim i problemeve të vjetra ballkanike.Në fund të fundit integrimi i shqiptarvë në një shtet është jo vetëm e drejtë natyrore dhe historike e tyre, por edhe në përputhje të plotë me proceset nëpër të cilat po ec sot Evropa, e sidomos nëpër ato të cilat synon t'i ec nesër. *** Në fund normalisht do të ndërlidhem me fillimin. Identiteti kosovar mund të kuptohet vetëm si identitet regjional, në krahasim me regjionet e tjera shqiptare. Sepse në fund të fundit të pyesësh çdo njeri nëpër rrugët e Kosovës se çka e ndjen veten, sigurisht i habitur do ta kthente përgjigjen: shqiptar, po çka? E normalisht se në kuadër të këtij identiteti ai është edhe kosovar ashtu siç është edhe ballkanas, evropian, në fund të fundit njeri. Dhe kush më mirë se njerëzit e përcaktojnë identitetin e tyre. |
| |
