AKTUALITETE -EXKLUSIVE PËR RTVZIK |
AKTUALITET |
Deputeti Hysni Shaqiri sqaron largimin nga partia e Ali Ahmetit: BDI nuk është në rrugë të drejtë
Unë nuk kam dalë për ta rrënuar partinë. Atë e them në mënyrë shumë të sinqertë. Nuk kam dalë për t`iu hakmarrë asaj. Kërkoj që BDI të vetëdijësohet dhe të ndryshojë kursin e veprimit. Marrëveshja e Ohrit është një dokument që ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, me ose pa BDI-në, me ose pa opozitën. Por, do të kisha vlerësuar se kjo parti duhet të krijojë identitetin dhe planveprimin e saj politik për në të ardhmen, se ndryshe nuk bën Javën e kaluar Hysni Shaqiri ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Parlamentit të Maqedonisë dhe nga partia e Bashkimit Demokratik për Integrim ka kaluar në deputet i pavarur. Dorëheqjen me shkrim e ka deponuar në Kuvend dhe ai pritet ta diskutojë këtë më 24 janar. Ndërkohë, në një intervistë për Lobin ai shpjegon arsyet e këtij veprimi, të kualifikuar nga shumë analistë si i papritur. LOBI: Zoti Shaqiri, ndarja juaj me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) ishte e papritur. Rrethanat dhe koha në të cilën ndodhi kjo ka nxjerrë në sipërfaqe shumë dilema dhe misteriozitet. Çka, në të vërtetë, ndodhi me ju? Shaqiri: Këtë çështje dua ta lidhi që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001, pas shpërbërjes së ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas përfundimit të konfliktit lindi edhe procesi politik i jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit. Meqë kam qenë deputet deri në mars të vitit 2001 dhe më pas kalova në radhët e UÇK-së, me përmbylljen e luftës isha para dy obcioneve: ose të rri në shtëpi, ose t'i kyçem procesit për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila garanton zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Në momentin e themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, me sugjerime të ndryshme dhe me vendimin tim përfundimtar u kyça në këtë subjekt të dalë nga lufta dhe nga radhët e UÇK-së. Sidomos zonat e përfshira në luftë përjetuan dëme dhe shkatërrime të mëdha. Andaj, e ndjeva për obligim ta vazhdoj aktivitetin tim politik, i arsyeshëm se përfaqësuesit e zonave që u përfshin në konfliktin e vitit 2001 duhej të kyçeshin në subjektin e dalë nga lufta. Unë kam menduar se në kuadër të kësaj partie do të ketë një qasje të drejtë dhe serioze në interes të të gjithë qytetarëve dhe sidomos përkushtimin për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, zhvillimin e zonave të luftës, përkujdesja për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për t'i kyçur në disa sfera të ulëta të ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore. Mirëpo, gjithçka ndodhi e kundërta dhe BDI nuk arriti t'u përmbahet obligimeve kryesore që ka patur për t'i realizuar. Rënia dhe ngritja e kryengritësit politik Ali Ahmetit i kam thënë qysh në Shipkovicë se raportet me mua në partinë e re duhet të jenë të sinqerta dhe pa interesa të ndryshme..., thotë Hysni Shaqiri, deputeti me stazh më të gjatë në Parlamentin e Maqedonisë, i njohur edhe si kryengritësi i palëkundur politik në skenën e partive politike shqiptare, duke rrëfyer për veprimin e tij politik në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai thotë se qysh të enjten e kaluar, 6 janar, i ka thënë sy me sy Ahmetit se nuk e ka ndër mend të jetë pjesë e një subjekti politik që dita-ditës po dështon në planin e jetësimit të obligimeve të shenjta, të konflikit të vitit 2001, sidomos në planin e jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit, përkujdesjen për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës dhe zhvillimin e zonave të krizës. Një pjesë e opinionit dhe politikanëve maqedonas pak a shumë nuk e preferonte këtë figurë politike shqiptare që doli në shesh sidomos gjatë krizës së luftës së vitit 2001, me apelin e tij për rreshtim në radhët e UÇK-së. Nëse dëshironi ta gjeni Hysni Shaqirin, këtë mund ta bëni vetëm se në vijën e parë të frontit përkrah forcave të UÇK-së, me këto fjalë të shkruara në letrën e tij drejtuar mediave, deputeti i radhëve të Partisë Demokratike Shqiptare tronditi opinionin në vend. Fjalët e këtij politikani që tanimë fotografohej me uniformën ushtarake dhe kallashnikovin në dorë, gjatë kësaj periudhe ishin thekset kryesore të edicioneve informative dhe të shtypit të vendit. Një analist politik shkruante se pikërisht rreshtimi i Shaqirit në radhët e UÇK-së është një betejë e humbur dhe një grusht i rëndë për Qeverinë dhe për Maqedoninë si shtet i brishtë në 2001-shin. Hysni Shaqiri, historiani i diplomuar nga fshati Hotël i komunës së Likovës në radhët e UÇK-së nuk kishte ndonjë pozicion të lartë ushtarak, por ai vazhdimisht ishte shoqëruar me Xhemal Jasharin, alias komandant Xhemën, vëllain e ish-komandantit Ismet Jashari-Kumanova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 2001 tankset kishin rrethuar tërë rajonin tim të Likovës dhe atëherë braktisa kolltukun e parlamentarit, për të qenë përkrah njerëzve të mi dhe jo për të pretenduar diçka më shumë që ka të bëjë me karrierën time politike. Sot të jeni të bindur se nuk më vjen aspak keq që po e lë kolltukun e nënkryetarit, thotë Shaqiri, duke shtuar se i vjen keq që ka humbur kohë me BDI-në sa i përket përpjekjeve për zhvillimin e zonave të krizës dhe zgjidhjen e kushteve për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në konfliktin e vitit 2001. Ky ish-profesor i njohur në rrethin e Kumanovës thotë se pjesën më të mirë dhe më të lirë të jetës së tij e ka kaluar gjatë punës së tij në gjimnazin e Gjilanit. Ardhja e tij në Maqedoni e nxit ate që të kyçet në radhët e Partisë së Prosperitetit Demokratik, e cila në atë kohë ishte një lëvizje politike e shqiptarëve në Maqedoni. Në vitin 1991 ai zgjidhet deputet i Parlamentit të Maqedonisë, duke përfaqësuar interesat e elektoratit të zonës së Likovës. Njohësit e zhvillimeve politike të asaj periudhe kur vendi ishte në fazën e parë të tranzicionit theksojnë se Hysni Shaqiri ishte i revoltuar nga disa udhëheqës të PPD-së, të cilët kishin filluar të gëzonin benificionet e pushtetit me socialdemokratët e Cërvenkovskit dhe të harronin çështjen e ndjeshme për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. "Qysh në fillim kam parë se nuk ecin punët mirë dhe më në fund shpërtheu gjithçka, duke nxjerrë në pah edhe mospajtimet me udhëheqësinë e PPD-së, sidomos në planin e nxitjes së çështjeve që kanë të bëjnë me zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve", thekson Shaqiri, duke mos potencuar imtësira sa i përket se kush tradhtoi dhe zhvilloi pazarllëqet politike nga ana e PPD-së gjatë asaj periudhe në Maqedoni. Shaqiri në vitin1993 braktis PPD dhe fillon të veproj si deputet i pavarur, duke u rreshtuar pranë fraksionit të PPDSH-së të Arbër Xhaferit. Edhe në radhët e fraksionit të Xhaferit dhe më vonë të Partisë Demokratike Shqiptare, Shaqiri filloi të shpreh pakënaqësi për politikën e udhëheqjes së këtij subjekti politik. Ai në fund të vitit 2000 acaron marrëdhëniet me nënkryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, sidomos në aspektin e realizimit të obligimeve politike për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Kalimi i deputetit të zonës së Karadakut në radhët e UÇK-së më 27 mars 2001 ishte tronditje e re për PDSH-në. Pas kumtimit të lajmit, nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, atëherë vizitoi të nesërmen Likovën, me ç'rast siç bëhet e ditur ai kishte takuar me uniformë Shaqirin në ambientet e komunës së Likovës, për ta bindur ate dhe për t'i dhënë garanca që të kthehet në skenën politike dhe të angazhohet që në rrugë politike të zgjidhen problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Duke marrë parasysh se shumë pak është bërë për zgjidhjen e problemeve në zonat e krizës, me ç'rast gjatë luftës toka e Karadakut të Kumanovës u bë shkrumb, konstatova se duhet të tërhiqem nga BDI-ja, sepse kjo parti e ka patur obligim të përkujdeset për këto rajone, thotë tani deputeti Shaqiri, duke shtuar se është i gatshëm të ballafaqohet me sfidat e reja politike në Maqedoni. "Të gjitha problemet i kam parashtruar, por nuk arritëm mirëkuptim për forcimin e strukturave të BDI-së, gjë që do të ishte në interes të tërë popullatës. Assesi nuk kam tentuar që të arrij diçka që është në interesin tim personal. Shpresoj që dorëheqja ime të përmisojë gjendjen në strukturat e BDI-së, kurse unë edhe më tutje të jem në fuksion të zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, të reformave dhe procesit integrues të Maqedonisë, është ky mesazhi i fundit i Hysni Shaqirit drejtuar bashkëveprimtarëve të tij politik.
|
LOBI: A keni argumente për këto vërejtje? SHAQIRI: Në këtë rast do të përmend disa raste të dëmtimit të këtyre zonave në aspektin e zhvillimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore. Ndodhi edhe ajo që zonat e krizës gjithnjë kanë pasur ankesa sa i përket çështjes së punësimeve. Si shembull, fshati Hotël me katër mijë banorë ka vetëm një administrator, Sllupçani me katër mijë banorë ka vetëm një administrator, Vaksinca me katër mijë banorë fiton të drejtën për të pasur vetëm një administrator dhe shumë fshatra të tjera. Çështja e investimeve dhe zhvillimeve të rajoneve, sidomos në zonat e krizës. Do të përmendi ndarjen e disa mjeteve nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Do përmendi shifra konkrete. BDI le të dalë dhe të tregojë se sa ka investuar në rajonet e krizës dhe të shohim se sa mjete janë ndarë në zonat tjera. Le të dalin me projekte konkrete dhe të mos merremi me gënjeshtra. Popullata nuk ka njohuri për këto gjëra. Po ashtu do të përmendi se sa gurë themele janë vënë dhe në sa promovime të këtyre gurthemeleve kanë marrë pjesë zyrtarë të BDI-së në zonat e krizës; këtu kam parasysh të gjitha rajonet e krizës, të Shkupit dhe të Kumanovës, po dhe të fshatrave malore të Tetovës. Unë nuk flas asgjë në mënyrë paushalle, por jap argumente të fuqishme sidomos për zonën e Likovës, ku jam deputet i zonës. Një projekt infrastrukturor për fshatin Sllupçan kushtoi 28 milionë denarë, nga kryesia e BDI-së merret vendimi për 10 milionë denarë, ndërkaq në fund ndahen 8 milionë. Po ashtu për fshatin Hotël një projekt që kushtoi 8 milionë denarë, në kryesinë e BDI-së i mundësohen 4 milionë denarë, kurse më pas lëshohen mjete në vlerë prej 2,5 milionë denarë. Komuna e Likovës me 27 mijë banorë, nga buxheti i shtetit merr 180 mijë euro. Këto të dhëna janë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në muajin gusht të vitit të kaluar. Komuna e Likovës është komunë e krizës, nuk duhet ta harrojë këtë BDI. Kurse një komunë që është në rajonin e Kërçovës, e cila nuk ka qenë e përfshirë në krizë dhe që ka 10 mijë banorë ka marrë 250 mijë euro nga buxheti shtetëror. Më vjen keq të bëj krahasime tilla me komunat shqiptare, por këto i kanë bërë shqiptarët, pra BDI. Ata në anën tjetër tregojnë se ka sinqeritet dhe qasje të drejtë rreth problemeve që ballafaqohen zonat e krizës. SHAQIRI: Unë nuk kam qenë ai që dëshiroj të etiketojë dikë se cili është kuadër më profesional për udhëheqjen e institucioneve nga ana e BDI-së. Faktet flasin se në disa vende kanë dështuar kuadrot shqiptare të emëruara nga BDI. Në qoftë se jemi serioz dhe kemi obligime për të realizuar Marrëveshjen e Ohrit, atëherë ajo duhet të bëhet me kuadro profesionale dhe jo kuadro të dobëta dhe joprofesionale. BDI me këtë çështje është dashur të merret më herët, por më vjen keq se gjithnjë ka mbretëruar oportunizmi dhe një pjesë e kuadrove ka qenë servil dhe ka qenë e heshtur, duke u kënaqur me privilegje të caktuara institucionale. Problemet janë shtresuar dhe nëse ne i fshihemi këto dukuri, atëherë do të pësojë popullata. Nga ana tjetër, ka institucione të këtij shteti, me çrast strukturat e BDI-së nuk e dinë se kanë kuadro të saj. LOBI: Ju keni deklaruar se i keni thënë Ali Ahmetit që të ristrukturojë radhët e BDI-së. Përmenden edhe problemet që i keni shpalosur vazhdimisht për përçarjet dhe funksionimin e fraksioneve në degën e Kumanovës dhe Likovës. Cila është e vërteta në këtë drejtim? SHAQIRI: BDI me strukturat e saj udhëheqëse ka dalë në një atmosferë tollovie, pa zhvilluar zgjedhje dhe konkurrencë, sepse mundësitë kanë qenë të atilla pas konfliktit të armatosur. Mbi dy vite veprojmë në Qeveri dhe ende ato struktura kanë mbetur, të cilat nuk janë zgjedhur sipas rregullave dhe normave demokratike që i përcakton statusi i çdo partie. Askush nuk mund të udhëheqë me partinë në mënyrë individuale dhe klanore, duke shfrytëzuar anarkinë dhe ta quaj partinë si pronë të tij private. Partia nuk mund të udhëhiqet nga një grup njerëzish prej tre apo katër vetave kryesisht nga një rreth, fshat apo qytet. Dhe nuk mund të vlerësohet një subjekt si një pasuri apo pronë e dikujt apo ndonjë grupi të caktuar. Politika nuk bëhet vetëm në baza lokaliste, duke përqendruar politikën vetëm në një qendër të caktuar apo provincë. Nëse duam ta shikojmë çështjen shqiptare në mënyrë të drejtë, atëherë është e arsyeshme t'i numëroj gabimet që deri tani i ka bërë BDI-ja. Në pamundësi ta ndryshoj gjendjen, unë para disa ditëve Ali Ahmetit ia bëra me dije dorëheqjen time dhe i bëra me dije shumë probleme që janë shtresuar në radhët e kësaj partie. LOBI: Disa supozime që jepen nga radhët e BDI-së bëjnë të ditur se dorëheqja juaj ka ardhur si pasojë e problemeve dhe ndarjeve në degën e Kumanovës dhe ndikimeve të këtyre dy grupacioneve në prag të zgjedhjeve lokale... SHAQIRI: Me këtë rast shfrytëzoj rastin që t'i bëj apel zotit Ahmeti se pse ndodhi ngjarja dhe përçarjet në Kumanovë. Le të dalë vetë Ali Ahmeti dhe të më përgjigjet. Pse kuvendi u mbajt vetëm në Kumanovë dhe jo në vendet tjera. Kjo çështje ka hapur dilema te Hysni Shaqiri.Para se të mbahet kuvendi, tri herë thyhen zyrat e degës së partisë. Më pas me mbajtjen e kuvendit të degës zyra nuk demolohet.Domethënë, dikush është dashur që me demolimin e zyrave të krijojë kushte dhe rrethana për të bërë skenare për qëllime të caktuara. Nuk duhet të heshtim në këtë drejtim dhe duhet të bëjmë analiza. Unë mendoj se dikush ka dashur ta shohë Kumanovën dhe Likovën të përçarë. Në këtë drejtim nuk dua të përmend struktura të caktuara. Kam kërkuar zgjidhjen e problemeve, sepse e dimë se kryetari i degës, Hatip Demiri, u largua në mënyrë tepër të shëmtuar. Kjo ka qenë pjesë e një katrahure që e ka krijuar BDI në Kumanovë, por nuk ka qenë vetëm Kumanova, edhe në Shkup kemi një gjendje të njëjtë, në Strugë pati rrahje mes aktivistëve, etj. Atëherë, le të më përgjigjet Ali Ahmeti se pse ndodhën këto ndasi, këto ngjarje dhe kujt i shkojnë në favor këto zhvillime të qëllimshme? A e kanë merituar Kumanova dhe Likova, si zona të luftës, ta kenë këtë organizim politik të përçarë dhe të lënë në mëshirë? Parimi im është se për të bërë diçka, duhet të ketë unitet dhe jo aktivitete të dëmshme politike. Unë nuk kam tendenca për të dobësuar apo për të bërë diçka kundër BDI-së apo ndaj dikujt në prag të zgjedhjeve lokale. Qëllimi im është se kam dashur që përfundimisht t'i them BDI-së se nuk është në rrugë të drejtë dhe nuk u përmbahet rregullave të përcaktuara për plotësimin e obligimeve të saja politike. Me këtë politikë e kompromitoni luftën dhe jam i bindur thellë se në këtë drejtim nuk shkohet se do të pësojnë keq. Nuk duhet në këtë rast edhe të keqpërdorim vlerat e luftës, por realisht ne duhet të përballemi me problemet e krijuara te shumica e qytetarëve që ishin përfshirë në luftë. Ne nuk mund t'i zgjidhim problemet brenda natës, por duhet të kishim pasur qasje të drejtë për t'iu rrekur problemeve dhe t'i zgjidhim ato. Kjo dorëheqje nuk ka të bëjë aspak me zgjedhjet dhe nuk duhet që të keqpërdoret vendimi im. Popullata do të votojë për kandidatët e propozuar nga partitë politike dhe ajo di të zgjedh më të mirin. Sugjerimi im është që qytetarët të votojnë atë që mendojnë se është më e mirë për të ardhmen e komunave të tyre. LOBI: Si e vlerësoni marrëveshjen e arritur mes BDI-së dhe PDSH-së për zgjedhje lokale të lira dhe demokratike ? SHAQIRI: Marrëveshja mes BDI-së dhe PDSH-së është e mirë dhe duhet të përfillet dhe kjo marrëveshje do të ishte shumë e pafuqishnme nëse në fushatë do të ketë keqpërdorime të ndryshme. Përndryshe, çdo dokument që shkruhet dhe nuk respektohet do të jetë një letër e shkruar pa vlerë. Duhet të marrim parasysh çështjet, projektet dhe prioritetet për zhvillimin e komunave. Duhet të ketë konkurrencë të ndershme dhe profesionale. LOBI: Hysni Shaqiri prej 24 janarit deputet i pavarur, pa parti politike. Cili do të jetë aktiviteti juaj politik dhe çka parashikoni për BDI-në? SHAQIRI: Unë nuk kam dalë për ta rrënuar BDI. Atë e them në mënyrë shumë të sinqertë. Nuk kam dalë për t`iu hakmarrë BDI-së. Dëgjoj spekulime se çka do të bëjë më tutje Hysni Shaqiri, por e vërteta është se unë do të trajtoj problemet në mënyrë të drejtë. Unë do të qëndroj në politikë dhe do të jem i interesuar për qasje të drejtë rreth procesit politik në Maqedoni, sidomos në planin e jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit. Unë do të vazhdoj të them të vërtetën kudo në foltore dhe ambiente të tjera. Unë kam shumë obligime para elektoratit tim, se sa disa që rrahin gjoksin se kanë qenë në konfliktin e armatosur. Hysni Shaqiri në 2001 ka dalë me apel dhe ka ftuar popullatën për bashkangjitje në lufë dhe këtë nuk duhet ta harrojë askush dhe këtë e kam bërë në mënyrë të hapur në momentet më kritike të çështjes sonë. Nëse dikush flet për Marrëveshjen e Ohrit, atëherë le ta dijë se po ato zona që ishin të përfshira në konfliktin e vitit 2001 do ta mbrojnë po këtë marrëveshje. Këto gjëra nuk duhet të lihen në harresë. Nëse heshtim para disa gabimeve dhe fakteve të vërteta, atëherë biem në nivelin e tradhtisë dhe demagogjisë. Andaj, kërkoj që BDI të vetëdijësohet dhe të ndryshojë kursin e veprimit. Marrëveshja e Ohrit është një dokument që ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, me ose pa BDI-në, me ose pa opozitën. Por, do të kisha vlerësuar se kjo parti duhet të krijojë identitetin dhe planveprimin e saj politik për në të ardhmen.
|
| |
