“Dhjetë amanete për shqiptarët”
 |
|

|
Autori i Lajmit: Qamil Buxheli
Në gjysmën e parë të bllokut të shënimeve të zonjës Doris Pak, që u gjend në ambientet e Hotel “Rognerit”, ndryshe nga pushtetarët dhe politikanët tanë, që thonë “kemi qamet suksese, por kemi edhe ndonjë të metë, “princesha evropiane”, shprehej pa dy kuptime: “Keni vërtet ndonjë sukses, por keni edhe shumë të meta”. Në këto radhë nuk do të ndalemi dot te sukseset, se lexuesit i kanë mësuar përmendësh nga fjalimet e intervistat e pushtetarëve dhe politikanëve tanë. Ata e dijnë mirë,se “qeveria jonë është më e mira në botë, ”klasa jonë politike nuk e ka shoqen gjëkundi”. Do shkëputim nga blloku vetëm disa shënime me anë të të cilave, pas takimeve të shumta që ajo kish patur me taksapaguesit dhe tagrambledhësit shqiptarë, dashur pa dashur, në mënyrë konfidenciale, “princesha” nxin realitetin tonë objektiv. Me qenë se këto shpifje e trillime hidhen poshtë edhe nga plot miq të huaj, brenda e jashtë vendit, për hir të transparencës, po publikojmë vetëm disa nga shpifjet dhe trillimet e saj. Për shembull:
“Në mjediset, dritaret dhe muret e disa dikastereve, zyrave dhe institucioneve u befasova kur pashë plot lule vërtetë prej letre dhe pa erë, por qamet të bukura të kuqe, blu, të bardha, të kaltëra… Më tërhoqën veçanërisht disa lule të verdha kungujsh të varur, të ngashëm me kungujt e Tankanikës, që kur ushqehen mirë, arrijnë të peshojnë nga 120 deri në 140 okë.
U befasova në një rast, kur disa shqiponja ishin ngarkuar të vrisnin miza, kurse ca harabelë të lëviznin trarët. Por më e bukur ishte gjetja kur njerëz që vuanin nga pagjumësia qenë ngarkuar të bënin roje nate…”
…”Mbresa të thella më lanë dy deputetë vëllezër-opozitarë”, të cilëve u qenë ngrirë damarët e qafës dhe ecnin si thengla, me kryet kthyer njëri nga e majta, tjetri nga e djathta. Nga sa mora vesh, kjo thagmë kish ngjarë sepse gjatë 12 vjetëve të pularizmit..Më falni, desha të them pluralizmit, këta “binjakë siamezë” nuk flisnin e nuk e shikonin njëri-tjetrin në sy”.
…”Një gjë që s'më del nga mendja, është se shqiptarët në vitet e demokracisë kanë mësuar të flasin në disa gjuhë, jo vetëm me të huajt, por edhe me vetveten, në një gjuhë të re që vetëm ata e marrin vesh. Flitej madje se Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë do të nxjerrë së shpejti një abetare në këtë gjuhë”.
…”Qe një befasi për mua, kur vura re, se ndryshe nga shumë vende të botës, ku bëhen greva e demonstrata për pakësimin e orëve të punës nga 8 në 4 ose 5, këtu or byrazer, qindra-mijëra njerëz e kanë realizuar e tejkaluar me kohë këtë gjë se nuk punojnë fare. Ata e kanë vënë në pozitë të vështirë Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut se nuk ka me se të merret.
…..”Ç'të them pastaj për drejtësinë! Një mrekulli e vërtetë. Isha e pranishme në një gjyq në Durrës. Bashkë me disa “cironka të korruptuara” gjykohej edhe një “Peshkaqen”, që kishte bërë kërdinë në llojin e vet. Në fillim të seancës dyshova se mos gjykatësit, falë ndërhyrjeve nga e majta dhe e djathta, nga mezi apo nga ana, e falnin “Peshkaqenin“, por jo vëllezër dhe motra, gjykatësit e të tri shkallëve u treguan të pamëshirshëm: e dënuan “Peshkaqenin” me mbytje në Adriatik në një vend më të thellë”.
…”Del që Shqipëria zë vendin e parë në botë edhe për numrin e partive. Ka këtu parti të majta me program të djathtë, parti të djathta me program të majtë, parti të mesit me program të anës, parti të anës pa program fare, parti me kryetar, po pa anëtar, njëri mban vulën, tjetri mban rrogën. Ç'është e bukur, anëtar e këtyre partive nuk njohin fare as statusin e as programet e partive. Shkojnë pas berihajt.
|
|
Gjatë turnesë dëgjova këtë dialog interesant midis anëtarëve të dy partive kundërshtare:
-Mora vesh se je daltonist.
-Unë daltonist?! Shiko mos je vetë. Unë jam marksist-leninist puro.
-Po ç'bëre mor tutkun! -i tha kryetari i gjykatës kriminelit.
-Mirë babanë, se gjen ndonjë baba tjetër, po nënën? A vritet nëna? Pa na thuaj si ngjau?
-Po, ja –u përgjigj krimineli. -Babanë e vrava se gërhiste qamet dhe më linte pa gjumë. Kurse nënën se më tha: “Po ç'bëre, mor humbameno, nuk qe ai gërhiste, por unë”.
-Me burgim të përjetshëm! -thirri gjykatësi. -Thuaj fjalën e fundit!
-Të keqen, -ia ktheu krimineli. -Kini mëshirë për një jetim që ka mbetur fillikat pa nënë e pa baba!”
Në bllokun e përshtypjeve, “princesha” Doris Pak radhit edhe plot episode të qëmtuara gjatë turnesë anembanë vendit. Po boll u zgjata me tërë këto shpifje dhe trillime, që u japin armë atyre që nuk duan që ne të integrohemi në Bashkimin Evropian. Të kthehemi, siç thonë francezët, në dhentë tona: në rrëfimin për turnenë, pikërisht në çastin kur ajo u kthye në aeroportin e Rinasit dhe po bëhej gati të largohej nga Shqipëria. Këtu vëllezër dhe motra ngjau thagma, që nuk mund ta lë pa përmendur.. Një person i paidentifikuar kishte telefonuar se në barkun e një Kali të kuq, që ishte shfaqur misteriozisht në pistën e aeroportit, na qënkish vendosur një sasi e madhe eksplozivi, i cili mund të të hidhte të erë, jo vetëm veturat e udhëheqjes sonë të dashur, por edhe aeroplanët që vazhdimisht sillnin dhe kthenin delegacionet e BE-së, OSBE-së të ODHIR-it, të NATO-s, të FMN-së dhe OPQESSHTTHUVYZH-ësë, delegacione që venin dhe vinin për të parë si ai plotësonte edhe në kushtet si Letonia, Lituania, Estonia etj për asocim-stabilizim, integrim e më tha të thashë, integrim e asocim që “topi bam e Muçua tutje”, na largohen çdo muaj si frutat Tantalit. Ç'është e vërteta, edhe herë të tjera qenë shfaqur në pistë lopë, dhën, ose dhi të pafajshme private, pa asgjë të dyshimtë në bark, që qenë mënjanuar para se të ngjiste ndonjë hata. Po qe herë e parë që shfaqej atje një kalë race i kuq i ngjashëm, siç u vërtetua me anë të AND-së me Kalin po me këtë ngjyrë që dikur Perandori romak Kaligula e kishte shpallur deputet…
Na falni, senator. Ndërsa policia me qen antieksploziv po bënte një kontroll të imët, “Princesha”, që i kish rënë pash më pash Shqipërisë dhe qe takuar me shumicën e tagrambledhësve dhe taksapaguesve, me një gjakftohtësi olimpike, u ul në hollin e aeroportit dhe, në një pergamen shkroi me dorën e saj në gjuhën esperanto “Dhjetë amanete për shqiptarët që janë kaluar” dhe “Dhjetë të tjerë për ata që ecin në këmbë”. Përmbajtjen e tyre do t'ua bëjmë të ditur një herë tjetër.
|