Çfarë vlerash kultivon politika jonë?
 |
|

|
Autori i Lajmit: Gezim Tushi
Në ditet tona nuk flitet më me konceptet e politikës së përgjithshme. As për politikë të bazuar në koncepte personale. Tani, në të gjitha vendet demokratike, politika afirmohet, publikohet dhe zbatohet si politikë vlerash. Politika, që nuk kultivon vlera dhe nuk bazohet në vlera, është politikë kaotike që nuk i shërben askujt. Nuk duhet mohuar që pavarësisht defekteve, orientimit të partive politike shqiptare, gjithnjë ato kanë tentuar që në thelbin e programit të tyre politik të vendosin një prioritet çështjesh kryesore që kanë vlerë të veçantë. Por politika shqiptare, partitë politike ende e kanë të vështirë të evidentojnë në mënyrë definitive, cilat janë vlerat prioritare, cilat janë bazamenti politik i programeve të tyre. Kjo situatë duket fare lehtë duke testuar jo vetëm anëtarët e thjeshtë të partive politike, të cilët pa dyshim, që vështirë e kanë të theksojnë se për cilat vlera lufton partia e votuar, por edhe elemente të lidershipit, nuk janë në gjendje të evidentojnë vlerat kryesore mbi të cilat mbështetet programi politik. Në të vërtetë, ka një korelacion të ngushtë, midis vlerave që përbejnë bazën e politikave së partive, qoftë në pushtet apo në opozitë, dhe pastaj mbi ketë bazë ndërtohet dhe funksionon struktura e jetës demokratike. Meqënëse tani jemi në një vit intensiv politik dhe elektoral, partitë kanë filluar të skicojnë idetë e para për vlerat që ato do të afishojnë në programin e tyre për investiturën elektorale, të katërvjeçarit të ri, 2005-2009. Në muajt që po vijnë do të zhvillohen kongreset jozgjedhore ose zgjedhore, për Partinë Socialiste, Partinë Demokratike apo aktivitete të natyrave dhe përmasave të ndryshme të të partive më të vogla politike. Nuk ka shumë rëndësi forma me të cilën do të shpallen programet politike, rëndësi kanë vlerat që do të shpalosen si prioritare, impaktet që ato parashikojnë të sjellin me konsolidimin e strukturës demokratike të shoqërisë shqiptare. Për një program të ri elektoral, për të bërë realitet premtimet që do të jepen dhe për garancinë e realizimit të tyre, janë dy faktorë bazë, të domosdoshëm dhe të pandarë që duhen përcaktuar. Dhe të dyja pothuajse do të përcaktohen në të njëjtën kohë. E para, cilat do të jenë vlerat e programit politiko-elektoral të çdo partie dhe e dyta, cila do të jetë klasa politike si aktore e realizimit të këtij programi politik. Natyrisht nuk flasim për politikë vlerash, po nuk duhet të themi se duhet t'i shpikim ato dhe as të endemi si çifuti në shkretëtirën e tyre. Në të vërtetë, demokracia shekullore europiane i ka përcaktuar gurët kilometrikë të vlerave, si cilësi universale për çdo vend që synon të jetë i lirë dhe demokratik. Vlerat më të larta pozitive, ato që duhen synuar, por jo thjeshtë në programet literale të partive politike në vendin tonë, mund të jenë lumturia, drejtësia dhe solidariteti. Ky trekëndësh i vlerave do të ishte i domosdoshëm të vendoset në qendër të programit politik, për të realizuar pastaj disa objektiva konkrete të zhvillimit, të mirëqënies dhe vazhdimit më të shpejtë të ritmeve të zbutjes së varfërisë, për vendosjen e drejtësisë jo vetëm në kuptimin politik, penal dhe civil, por si koncept që mundëson shanse të barabarta për të gjithë dhe përjashton çdo tendencë të shkeljes së rregullave të barabarta të lojës në politikë, në ekonomi e kudo. Dhe më në fund, një vlerë e madhe, që për fat të mirë kohët e fundit ka filluar të evidentohet si prioritet i politikave të partive krysore, është kultivimi i ndjenjës së solidaritetit qytetar sidomos për njerëzit në nevojë, për forcimin e opinionit publik si barrikadë kundër të keqes në shoqëri dhe zhvillimit të ndjenjave të të jetuarit në komunitet. Është një gjë shumë e mirë, në qoftë se këto vlera do të bëhen fondament i platformave elektorale të partive politike, sepse pavarësisht nga renditja e tyre në programet me orientim të majtë, të djathtë apo të qendrës, pavarësisht nga prioritet e vendosjes së këtyre vlerave (këtu ndryshon e majta nga e djathta) shoqëria shqiptare, në rrugën e integrimit europian dhe të plotësimit të standarteve të integrimit, duhet të bazohet, të respektojë dhe të realizojë këto vlera shembullore, të demokracisë europiane. Kështu që, klasa politike shqiptare, politologët dhe intelektualët e saj, që do të punojnë për kristalizimin dhe përkthimin programor të tyre, duhet të iniciojnë një fushatë ndërgjegjësimi dhe konceptimi të vlerave politike prioritare, që nxisin dhe nuk pengojnë, që ofrojnë dhe nuk e largojnë ëndrrën ende të parealizuar, euroatlantike të shqiptarëve. Partitë kanë përgje-gjësi tani, pikërisht tani, në kohën e hartimit të programeve dhe projekteve të partive politike, të orientohen mbi bazën e vlerave që janë të domosdoshme, afatgjata, që përbëjnë dhe kultivojnë cilësi e vlera të qytetërimit universal. |
|
Me fjalë të tjera le t'i lëmë shakatë e rrugicave të vjetra romantike e nacionaliste, gjestet e bujshme dhe mburrjet butaforike, duke akuzuar njëri-tjetrin me dogma të vjetra që vazhdojnë të shiten për vlera, por që nuk vlejnë për jetën e re të qytetërimit europian. Ajo që duhet vërtetë të konservojnë si vlerë të përjetëshme të paasgjësueshme, që duhet mbrojtur dhe zhvilluar me çdo kusht janë gjuha, kultura, historia. Të tjerat, të gjitha janë në rrugën e statifikimit të vlerave të qytetarit europian, si njësi e re njerëzore. Në qoftë se nuk do të nisemi nga respektimi i ca vlerave të reja në politikë, ekonomi, arsim; në qoftë se nuk kuptojmë imperativat që kemi përpara dhe për realizimin e të cilave, vazhdojmë, për fat të keq, të jemi të vonuar, atëhere na lind e drejta të akuzojmë politikën, se vazhdon të na udhëheq, duke mbetur në një udhëkryq midis një të kaluare të vjetër dhe një të ardhmje të panjohur. Besoj kjo duhet kuptuar mirë, po qe se duam të dalim nga entropia e politikës që lëviz brenda vehtes dhe vjen vërdallë e pa i dalluar vlerat për të cilat kemi shumë nevojë dhe që duhet të jenë imperativ kategorik për të gjitha partitë shqiptare. Jemi të detyruar të ecim me kujdes në një terren vlerash që përcaktojnë raportet midis globalizmit dhe identitetit kombëtar. Pa dyshim, përcaktimi i vlerave të politikës shqiptare, për katër vitet që vijnë, vendosja e prioriteteve është njëra anë e politikës që ka karakter teorik dhe programor. Vlerat nuk realizohen vetevetiu. Ato kthehen nga vlera, si ide dhe ideale, në materiale, përmes institucioneve të rëndësishme të shtetit dhe shoqërisë. Kjo është pjesa më e vështirë për politikën shqiptare. Senatorja amerikane, ish gruaja e parë e SHBA, Hillari Klinton thotë: Ndërtimi dhe mbrojtja e një shoqërie të lirë është një stol me tri këmbë, këmba e parë është qeveria demokratike, e dyta është ekonomia e tregut të lirë, ndërsa e treta është shoqëria civile. Pa këtë strukturë demokratike të konsoliduar dhe funksionale të jetës shoqërore nuk ka shoqëri të lirë, shoqëri të bazuar në vlera. Qeverisja e mirë, e drejtë dhe e ndershme, profesionale, meritokratike e antikorruptive, ekonomia e tregut të lirë larg çdo nuancave të diktaturës eko-nomike që pengon zhvillimin dhe që politikanët e konsiderojnë po aq të dëmshme sa diktatura politike, dhe konsolidimi i qytetarisë, komunitetit, opinionit publik dhe zhvillimi i togave të vogla, të shoqërisë civile do të ishin kusht për të patur një lidhje funksionale midis politikave, vlerave dhe institucioneve demokratike të shtetit shqiptar. Në këtë relacion pozitiv të përcaktimit të vlerave dhe konsolidimit të strukturës demokratike, është i mundur procesi i vlerësimit, i cili dallon edhe ato dukuri që shfaqen si antivlerë sociale. Kur politika bazohet në vlera, atëhere do të jemi më të sigurt se do të evidentohen politikanët, që në politikë hyjnë si aktorë të luftës kundër së keqes dhe jo të pajtimit me të. Edhe politikanët e mirë janë vlera, që i duhen shoqërisë dhe pa të cilët nuk është i mundur realizimi i objektivave të politikave shqiptare për të dalluar atë që është e mirë me atë që është e gabuar. Politika e keqe dhe politikanë të këqinj janë ata që pajtohen me të keqen. Në qoftë se partitë politike do të bëjnë politikë vlerash, atëherë mund të progresojnë duke patur njëkohësisht vlerat që përmendëm më lart si masë konkrete e vlerësimit të politikës shqiptare si të suksesshme apo të dështuar. Tani elektorati është në pritje. Partitë duhet të përcaktojnë e të deklarojnë në cilin drejtim duhet të lëvizin, cilat vlera politike, ekonomike e sociale do të kenë si prioritet deri në vitin 2009.
|