Dossier
Anëtari i shoqërisë mbretërore
gjeografike italiane Baldacci hedh dritë
mbi realitetin shqiptar të asaj kohe. Projektet
e Europës dhe lakmitë e fqinjëve
Pse u nda Shqipëria
në fillim të shekullit XX
Si u tkurr Shqipëria e madhe nga 92 mijë
kilometra katrorë në 28.000
ANTONIO BALDACCI (Romë, 1917)
Në hyrje të librit voluminoz “Intireraret
shqiptare”, bëhet e njohur se autori
i tij prof. Antonio Baldacci është
një ndër autorët që kanë
dhënë një ndihmesë të
madhe për të njohur Shqipërinë,
“këtë vend ende plot mister
dhe poezi”. Ky mbrojtës i palodhur
i të drejtave të popullit shqiptar,
ka studiuar pa ndërprerje Shqipërinë
në të gjitha aspektet, si natyralist
dhe etnograf i shquar. “Panorama”
po i jep sot lexuesit kreun e parë të
këtij libri, që është një
shqyrtim i përgjithshëm mbi Shqipërinë
e asaj kohe.
“Konferenca e Londrës, që e
cungoi atë që duhej të ishte
Shqipëria e pavarur, i jepte Shtetit të
ri një sipërfaqe me rreth 28.000 km2,
me 800.000 banorë. Kjo nuk ishte Shqipëria
e Madhe që dëshironin patriotët.
Ata do të donin të katër ish-vilajetet
turke të Shkodrës (10.800 km2), të
Janinës (17.000 km2), të Kosovës
(32.900 km2) dhe të Manastirit (28.500
km2), së cilës i shtonin edhe një
pjesë të vilajetit të Selanikut
(rreth 3.000 km2), pra gjithsej 92.200 km2,
me një popullsi prej rreth më se dy
milionë e gjysmë banorë. Por
kjo kërkesë e tyre ishte një
aspiratë e tepëruar, sepse, ndërsa
është e vërtetë që
shteti i përkufizuar nga Konferenca e Londrës,
nuk përmblidhte të gjithë familjen
e madhe të shqiptarëve. Është
e vërtetë edhe se, brenda këtyre
kufijve të pretenduar, intensiteti i grupeve
të shqiptarëve zvogëlohet, sa
më tepër ato largohen nga bërthama
qendrore e përbërë nga Shteti
i ri, deri në atë shkallë sa
ato lejoheshin brenda popullsisë greke
dhe sllave, që përbënin shumicën.
Krijimi i një shteti shqiptar të madhësisë
mesatare, siç u projektua nga Evropa,
dhe e banuar thuajse vetëm nga shqiptarë,
ushqente shpresën se do të mënjanonin
kërkesat këmbëngulëse fetare
dhe politike në dobi të njërës
ose tjetrës propagandë, dhe duke nxjerrë
në pah një ndjenjë civile, do
të sigurohej mirëqenia e atdheut të
përbashkët. Tre besimet sunduese në
Shqipëri, myslimanët, ortodoksët
dhe katolikët, të cilave mund t´u
shtohet edhe besimi i bektashinjve (rrethet
administrative të Krujës, Beratit,
Tepelenës, Gjirokastrës) duhet të
binden për nevojën absolute që
të ecin në një rrugë, që
ua kërkon interesi më i lartë
i atdheut. Rrëmbimi karakteristik i popullit
shqiptar (ai thotë se e ka zemrën
në grykë), sqima dhe ambicja e tij,
frut i asaj lirie, që i hap rrugën
mungesës së çdo frenimi dhe
nënshtrimi të trashëguar prej
shekujsh, duhet të ndreqen për t’i
shërbyer këtij parimi më të
madh, me qetësi e mend në kokë,
sepse vetëm kjo mund të shpjerë
në veprimtarinë e madhe të shtetit.
Do të ishte e dëshirueshme që
të hynte si pjesë e Shqipërisë
edhe pjesa më e madhe e vllehëve dhe
veçanërisht ajo masë kompakte
e Pindit, që iu dha Greqisë dhe që
rrjedhimisht do të shkojë drejt zhdukjes.
Popullsia vllahe, që ka jetuar gjithmonë
në marrëdhënie të shkëlqyera
me popullsinë shqiptare, dëshiron
bashkimin me Shqipërinë, ku me qytetërimin
e saj më të madh dhe veprimtarinë
e shquar në fushën e blegtorisë,
të bujqësisë, të mjeshtërive
dhe të tregtisë, do të mund të
ishte me dobi të pakufishme. Vllehët
kanë të zhvilluar shpirtin e nismës
të stërgjyshërve të tyre
të lashtë romanë dhe po të
mos ishin të detyruar të jetonin jashtë
aspiratave të tyre, do të përfaqësonin
një nga bazat më pozitive të
rendit ballkanik. Mbretëria mesjetare bullgaro-rumune
është në këtë vështrim
shumë interesante. Ne, italianët,
do të kënaqeshim, në qoftë
se aspiratat vllahe do të plotësoheshin,
sepse politika e qeverisë sonë, veçanërisht
në njëzet vjetët e fundit, është
përputhur gjithmonë me atë të
Rumanisë në mbrojtje të romanizmit
ballkanik. Sulltani Abdyl Hamid u ka dhënë
vllehëve, në saje edhe të nismës
sonë, koncensionet më të mëdha.
Patriotët arumuno-maqedonë kujtojnë
edhe sot me mirënjohje të thellë
iradën perandorake të vitit 1905,
që i nderuari Fortis ia arriti ta siguronte
nga sulltani plak…”
Përbërja e popullsisë shqiptare
“Grupi më i madh dhe interesant i
arumunëve të Ballkanit është
ai që njihet me emrin e fisit të frashëriotëve,
që banojnë në krahinat e Korçës,
Beratit dhe Përmetit në Epir, zonë
që grekët duan t’ia shkëpusin
Shqipërisë. Këta frashëriotë,
që janë shpërndarë edhe
në Maqedoni dhe Thesali, kanë ruajtur
të paprekur, gjatë të përpjetave
dhe të tatëpjetave të shekujve,
karakterin latin të idiomës së
tyre, të zakoneve dhe të veshjeve…
Ndërkaq vllehët e Pindit i kaluan
përfundimisht Greqisë dhe jo Shqipërisë,
siç kërkonin ata vetë. Greqia
nuk u mjaftua me Pindin, por sulmoi me propagandën
e vet edhe atë pjesë të Epirit
që i ishte njohur Shqipërisë,
me Gjirokastrën dhe me pjesën e mbetur
nga vilajeti i vjetër i Janinës, si
dhe me pjesën perëndimore të
Manastirit, që nuk e kishte marrë
Serbia. Gjirokastra ishte qyteti më vital
i Shqipërisë së jugut, që
përfshinte zonën ekstreme të
sigurimit përballë Greqisë. Ky
qytet duhej të përbënte një
qendër tërheqëse me rëndësi
shumë të madhe për popullsinë
e shpërndarë shqiptare nëpër
territorin grek. Për sa i takon krahinës
së Gjirokastrës, le të kujtojmë
se gazetat greke zhvilluan një fushatë
për të mbështetur, kundër
së vërtetës, pretendimin se shumica
e popullsisë së kësaj krahine
ishte greke. Por, më 1896, konsulli i përgjithshëm
italian në Janinë, komendatori Millelire
i shkruante ambasadorit në Kostandinopojë
se bejlerët dhe shefat e tjerë shqiptarë,
nëpërmjet një italo-shqiptari,
i quajtur Fanti, me origjinë nga krahina
e Gjirokastrës, i kishin deklaruar se të
gjithë, pa dallim, myslimanë dhe të
krishterë, nuk do t’i bashkoheshin
kurrë Greqisë dhe se, në rast
të kundërt, do ta digjnin vendin dhe
do të vrisnin fëmijët e tyre.
Unë që po shkruaj e njoh vërtetësinë
e këtij dokumenti, sepse duke udhëtuar
shpesh nëpër Epir me komendatorin
Millelire, dëgjoja çdo ditë
aspiratat dhe ndjenjat e shqiptarëve të
vilajetit të Janinës në atë
kohë”.
Graqia dhe pretendimet e saj
“Greqia, shumë përpara luftës
së dytë ballkanike, ia doli të
bëjë me ndihmën e kishës,
të shkollës, të agjentëve
të qeverisë dhe atyre tregtarë,
si dhe me anë të rrugëve të
lundrimit, një politikë imperialiste
në tërë Epirin deri në Seman,
dhe me mbarimin e kësaj lufte kërkoi
që patjetër e gjithë kjo zonë
të njihej si greke. Por, kjo shpresë
perëndoi: si rezultat i kundërshtimit
të vendosur të Italisë dhe të
Austrisë. Teza e tyre, e mbështetur
më parë nga aleatët, domethënë
teza e copëtimit të plotë të
Shqipërisë, e detyroi Greqinë
të zvogëlojë pretendimet, duke
kërkuar vetëm zotërimin e gjirit
të Vlorës, por jo të shkëmbit
të Sazanit (që Greqia gjithnjë
e ka konsideruar, kundër çdo të
drejte dhe kundër çdo argumentimi
gjeografik, se është pjesë e
ishujve të Jonit), dhe duke kërkuar
që kufiri greko-shqiptar të fillonte
nga bregu i Adriatikut, rreth 15 kilometra në
jug të vetë gjirit, për të
mbërritur në drejtimin veri-lindje
në liqenin e Ohrit dhe të bashkohej
atje me kufirin serb. Nga njëra anë
Italia dhe Austria dhe nga ana tjetër Greqia
u bindën më në fund ta dredhojnë
kufirin në Pargë dhe pastaj në
Kalamas, në mënyrë që kufiri
i ri të mbaronte në kepin e Stilos.
Me të drejtë, dy fuqitë e Adriatikut
refuzuan të bëjnë lëshime
të mëtejshme, edhe pse të dyja
ishin fort të interesuara për rindërtimin
e një shteti shqiptar të pavarur,
që të ishte në mënyrë
të mjaftueshme i fortë dhe vital,
edhe pse deshën që kanali i Korfuzit,
që ka një rëndësi të
madhe strategjike, të mos binte tërësisht
në duart e Greqisë, që ishte
kthyer në një fuqi talasokratike jo
e papërfillshme. Dihet veprimtaria e parreshtur
e intrigave që ka zhvilluar më pas
Greqia për të penguar ravijëzimin
e kufirit jugor të Shqipërisë
dhe për t’i marrë shtetit të
ri shumë nga rajonet e tij më pjellorë
dhe më të populluar (pa të cilët
ai nuk mund të jetonte), duke dhunuar hapur
parimin e kombësisë së popullit
shqiptar. Vendi, mbi të cilin Greqia ka
drejtuar lakminë e saj mund t’i vërtetojë
shkencës dhe diplomacisë, mbi bazën
e parimit të kombësisë, se Greqia
nuk ka ndonjë të drejtë që
t’ia vlejë të shqyrtohet. Neve
nuk do të na mungojë respekti për
Greqinë, duke thënë se nuk ka
kursyer asnjë mjet për të shkombëtarizuar
për qëllimet e veta megalomane Epirin
verior dhe qendror, siç kishte bërë
më parë për Epirin jugor. Një
studiues i çështjes epirote ka shkruar
këto kohët e fundit: “Është
një fakt i padiskutueshëm se në
Shqipërinë jugore po zhvillohet prej
shumë vjetësh nga grekët një
veprimtari e zellshme dhe këmbëngulëse
për asimilimin dhe shkombëtarizimin
e popullsisë shqiptare. Grekët, nëpërmjet
dhuratave të bollshme të helenëve
pasanikë të shpërndarë nëpër
botë, kanë mundur të mbjellin
dendur në Shqipërinë jugore shkollat
dhe kishat e tyre, dhe duke vlerësuar edhe
faktin se shumë shqiptarë të
jugut ndjekin besimin greko-ortodoks, kanë
mundur të arrijnë suksese të
theksuara. Atje ku nuk kanë mjaftuar shkollat,
kishat dhe paratë, kanë hyrë
në skenë bandat greke për të
ushtruar akte të prepotencës dhe brigandazhit
në dëm të popullsisë shqiptare,
që nuk pranon të braktisë gjuhën,
zakonet dhe aspiratat kombëtare. Beteja
për kombësinë është
shpërthyer nga grekët jo rrallë
në Shqipërinë jugore dhe gjatë
shumë viteve me metoda të ashpra,
të përdorura nga vetë grekët,
nga bullgarët dhe nga serbët në
krahinat e Maqedonisë”. Populli shqiptar
i braktisur në fatin e vet, pa shkolla,
pa kishat e veta, pa ndihma materiale dhe morale
të përshtatshme për të kundërbalancuar
punën sekrete dhe të hapur të
të gjitha propagandave që e kanë
copëtuar, është gjetur i dobët
para propagandës panhelenike. Qeveria turke
i dërgonte toskët të shtypnin
revolucionet në Jemen dhe e shpopullonte
vendin. Shumë popullata të futura
në kurth dhe të lodhura nga qëndresa
binin lehtas pre e lakmisë greke. Por,
nuk u kthyen të gjithë helenë
në shpirt dhe shumë shqiptarë
të jugut që flasin greqisht jashtë
shtëpisë, brenda mureve të banesës
përdorin vetëm gjuhën kombëtare.
Ndryshe si mund t’i rezistosh propagandës
greke? Mjafton vetëm një shembull
i marrë rastësisht nga qindra e qindra
të tjerë. Më 20 qershor 1905,
një bandë brigandësh grekë
hynë në Plasë, një fshat
afër Korçës, i banuar sidomos
nga arumunë, grabitën kishën,
dogjën librat e shenjtë, terrorizuan
popullsinë dhe u larguan, pasi afishuan
këtë proklamatë për banorët:
“Njoftojmë banorët se kush do
të deklarohet me kombësi vllahe, ose
do të dërgojë fëmijët
e tij në shkolla vllahe, ose do të
lutet në kishë vllahe, do të
dënohet me vdekje dhe do t’i pritet
koka”.
Elementi shqiptar në vështirësi
“Kjo situatë e tmerrshme, në
të cilën gjendet elementi shqiptar
nga njëra anë dhe ai vllah nga ana
tjetër, të dy të braktisur në
fatin e tyre, ka krijuar një gjendje të
tillë, ku pushtimi grek i Epirit zyrtarisht
shqiptar, i ka vënë vetes qëllimin
që të shkatërrojë çdo
gjë që nuk është greke;
çdo gjë, dhe në rast nevoje
i gjithë vendi të mbytet në gjak.
Në këtë mënyrë, pas
disa vjetësh nuk do të dëgjohet
më në Epir asnjë fjalë shqip
ose vllahisht. Por, a e kujtojnë rastësisht
grekët pikëllimin që kish në
zemër historiani i tyre Phrantses, kur
thoshte i tronditur se Peloponezi ishte kthyer
tërësisht në shqiptar? Ata shqiptarë
kishin mbërritur aty nga Epiri, sikundër
dëshmojnë emrat që të ardhurit
e rinj u dhanë fshatrave të tyre dhe
që riprodhojnë të gjitha vendet
dhe emrat e Epirit, ata u bënë ushtarë
nga despotët dhe arkondët grekë
për t´u mbrojtur nga ndikimet e të
huajve dhe statistikat greke janë akoma
të detyruara edhe sot të rinjohin
mijëra e mijëra shqiptarë që
jetojnë në mbretërinë e
vjetër greke. Ne, italianët, mund
të provojmë me rapsoditë të
vërtetën që pohojmë. Në
kohën e pushtimit turk në Greqi, popullsia
e shumë fshatrave shqiptare emigruan në
Italinë e jugut dhe në këngët
e tyre kujtohet prejardhja nga Morea dhe riti
i tyre është akoma ai grek. Bregdeti
shqiptar qysh prej kohësh të lashta
ka qenë hyrje-dalja e tregtisë nga
Danubi në Adriatik dhe ka qenë, pra,
pikësynimi gjithnjë i lakmueshëm
i të gjitha aspiratave të popujve
danubianë. Në Mesjetë, si dhe
në lashtësi, rrugët e karvaneve
ndërmjet Danubit dhe Adriatikut kanë
qenë gjithmonë aktive, edhe nëpërmjet
gërmadhave, dhe vazhdonin t´u shërbenin
qyteteve kryesore që kishin porte të
rëndësishme si Durrësi, Antivari,
Kotorri, Raguza; ishin rrugë që vinin
nga Kosova, Metohia dhe Serbia, dhe mund të
quheshin arterie të bagëtisë
e të mineraleve që çonin në
vendet e perëndimit, si dhe të produkteve
të industrisë e të qytetërimit
perëndimor që çonin drejt vendeve
danubiane. Këto trafiqe, si të eksportit,
ashtu edhe të importit, lidheshin kryesisht
me Italinë. Trafiku me Bizantin dhe me
Selenikun ishte i kufizuar. Rruga e Zetës,
si dhe ajo nga Prizreni, Shkodra dhe Antivari
kishin rëndësi të madhe edhe
në kohën e turqve. Ura e Vezirit është
vepër e Bushatllinjve, po ashtu si edhe
ura më e vjetër e Mesit dhe shumë
të tjera. Në jug vazhdonte veprimtarinë
e vet rruga Egnatia, që fillonte në
Durrës. Nga kjo rrugë kanë mbetur
akoma gjurmët në terren dhe në
rrugët e karvaneve. Por, pavarësisht
nga dekadenca që pësoi vendi, për
shkak të braktisjes dhe të anarkisë,
këto dy rrugë të trafikut ndërmjet
lindjes dhe perëndimit, mbetën shumë
aktive deri në shekullin XIX. Dr. J.Muller,
që ishte për një kohë të
gjatë në shërbim të turqve
në fillim të këtij shekulli,
tregon se në territorin e Kosovës
dhe të Metohisë mbërrinin edhe
atëherë nëpërmjet rrugës
së Zetës produktet e kulturës
italiane dhe niseshin produktet e bujqësisë,
të blegtorisë dhe të minierave.
Deri në këta dhjetëvjeçarët
e fundit, tregtia ndërmjet Prizrenit, Shkodrës,
Adriatikut dhe Italisë ishte e leverdisshme,
dhe kjo pavarësisht se vendi në tërësi
ishte shpesh nën pushtetin absolut të
banditëve, megjithëse turqit ishin
kujdesur për sigurimin e rrugës, duke
vendosur gjatë kësaj arterieje pika
të shumta të rojeve. Rrugët e
karvaneve të Zetës dhe të Egnatias
janë rrugë të transmetimit të
emigracionit historik dhe të trafiqeve
italo-ballkanike, të cilat në aspektin
e fundit kanë humbur rëndësinë
e tyre primitive vetëm pas ndërtimit
të hekurudhës ndërmjet Beogradit
dhe Selenikut; atëherë karvanet filluan
të humbin rëndësinë e tyre
në dobi të Selenikut dhe në dëm
të Durrësit dhe të porteve të
Adriatikut: Kosova, Metohija dhe Maqedonia,
që më parë vinin në Adriatik,
ndërruan rrugë drejt Egjeut”.
Serbët e kishin lënë veriun
e Shqipërisë mes perëndimit e
lindjes
“Qytetërimi serb mesjetar ka lënë
në Shqipërinë veriore, vend i
tranzicionit ndërmjet qytetërimit
lindor dhe atij perëndimor, gjurmë
të dukshme, sidomos në kisha dhe kështjella.
Megjithatë, Shqipëria ka mbetur në
varfëri dhe përzjerjet shqiptaro-serbe
mesjetare nuk janë të rrënjosura
thellësisht. Në malësitë
ka mundësi që serbët të
kenë qëndruar më tepër me
forcë se me ligje, ata nuk kanë lënë
gjurmë serioze të një asimilimi
të vërtetë, megjithëse toponimia
sllave është shumë e bollshme
përsa u takon malësive. Zbulimet e
fundit na bëjnë të njohur se
udhëheqësit shqiptarë kishin
mësuar mirë serbishten, si gjuhë
të qeverisë dhe të aferave, por
në familje kishin mbetur shqiptarë
të përkryer. Dhe ndoshta sundimi serb
u vendos fillimisht në fund të shekullit
XIII për të ngacmuar shpirtin shqiptar.
Në këtë kohë, në të
vërtetë, ne fillojmë të
kemi lajme për emigrime të shumta
të shqiptarëve që nuk e duronin
zgjedhën serbe në Shqipërinë
qendrore, gjë që del qartë në
kohët më të mira të qytetërimit
sllav, kur apostulli i pavarësisë
shqiptare, Karl Topia, shpërnguli krejt
Balshajt dhe i vendosi në tokat e fiseve
fisnike të Durrësit. Këto lëvizje
të fiseve malësore, që kanë
lënë gjurmë të pandërprera
në kujtesën e popullit, dhe që
u shtuan në shekullin XIV, kanë qënë
të detyruara, pa dyshim, nga përndjekjet
e serbëve. Gjatë sundimit turk gjendja
ka ndryshuar. Procesit të sllavizimit të
kryer nga serbët iu kundërvu një
proces shumë i fortë i shqiptarizimit,
në vazhdim të të cilit serbizmi
pothuajse u asgjësua. Por ndër shqiptarët
mbetën të ndjeshme zakonet dhe legjendat
e serbëve. Dhe ndërsa nga njëra
anë shohim ndikimin që serbët
kanë ushtruar në jetën intime
familjare të shqiptarëve, nga ana
tjetër vemë re se shqiptarët
u kanë dhënë serbëve normat
e së drejtës së tyre zakonore.
Nuk ka dyshim se kuçët, piperët
dhe vasojeviçët, siç tregojnë
rapsoditë, nuk rrjedhin nga familje shqiptare.
Martesa bëhen edhe sot ndërmjet serbëve
të Malit të Zi dhe shqiptarëve
katolikë të Shqipërisë kufitare.
Përkundrazi, mirditorët ruajnë
traditën se paraardhësit e tyre janë
me origjinë sllave, dhe kjo mbështetet
nga Hahni dhe Hequardi. Mendimi i shprehur nga
këta dy udhëtarë është
mbështetur nga dëshmitë e personave
të denjë për t’i besuar,
që i kanë vjelur këto kohët
e fundit nga goja e mirditorëve (ndërmjet
të cilëve edhe kapiteni Ndue Gjoni),
të cilët thonë se janë të
prejardhur nga tre vëllezër me origjinë
nga fusha e Kosovës. Sipas kësaj legjende,
një nga tre vëllezërit mbeti
në atdhe, i dyti erdhi në Mirditë
dhe i treti shkoi në Shalë”.
Përshtypje e rremë
“Edhe sot mirditasit dhe shalianët
konsiderohen si kushërinj me lidhje martesore
dhe, për më tepër, nuk do të
ndodhë kurrë që një mirditor
të marrë një vajzë nga Shala,
ose anasjelltas. E gjithë kjo tregon se
mbivendosjet e fiseve, të popujve dhe të
ndikimeve kanë qenë të vazhdueshme
si dallgët e një deti në stuhi
në këtë zonë kufitare ekstreme
të Ballkanit perëndimor dhe të
humnerave dinarike, të Alpeve shqiptare,
të Akroçeraunisë, ku popujt
më të ndryshëm janë përleshur
egërsisht për sundimin e detit dhe
të pasurisë, në kërkim të
vendqëndrimeve më të mira. Njeriu
nuk është ndalur kurrë, dhe aq
më tepër në këto anë,
ku instinkti bredh si endacak i shqetësuar,
ndoshta edhe nga vështirësitë
e jetës endacake që u ka krijuar mjedisi
i varfër në burime blegtorale ndërmjet
kullotave bregdetare dhe maleve”.
Përgatiti Artan Gambeta