Dossier
Uest, në hulumtimet e tij nëpër
arkiva për Jugosllavinë, zbardh planin
e Titos për Serbinë e Madhe ku përfshihej
edhe Shqipëria
Vitet e fundit të marshallit “legjendar”
Tito dhe plani i tij për Kosovën
Riçard Uest
Titoja dhe Partia e tij Komuniste nuk morën
pjesë në përmbysjen e 27 marsit.
Ai u përpoq të mbajë për
vete një pjesë të meritës
për shtyrjen e fillimit të planit
“Barbarosa”: “Tani, disa historianë
nuk pranojnë se incidenti jugosllav ia
prishi Hitlerit planin e sulmit kundër
Rusisë. Por, fakti mbetet fakt. Operacioni
i planifikuar për në maj ngriu deri
më 22 qershor dhe si rezultat ushtria gjermane,
në fund të fundit, u mbërthye
në hyrjet e Moskës dhe të Leningradit
në kohën e ngricave më të
ashpra”. Pasi e pushtoi Jugosllavinë,
Gjermania filloi të caktojë kufijtë
e rinj.
Rajhu i Tretë mbajti për vete Slloveninë
Veriore, kurse Italisë i mbeti pjesa e
saj jugore, bregdeti dalmat dhe Mali i Zi. Shqipëria
e varur nga Italia mori krahinën e Kosovës.
Bullgaria i “ktheu” vetes pjesë
të Thrakës dhe të Maqedonisë,
që i kishin kaluar pas Luftës së
Dytë Ballkanike Greqisë dhe Serbisë.
Hungaria shtiu në dorë tokat pjellore
të Vojvodinës. Ajo çka mbeti
nga Serbia u la në dispozicion të
Komandës Supreme të Vermahtit, e cila
nuk kishte ndërmend ta zgjidhte problemin
me ceremonira.
Spastrimet etnike për krijimin e Serbisë
së Madhe
Historianët bashkëkohorë serbë
dhe admiruesit e huaj të Mihajlloviçit
thonë se ai (Titua), gjoja, i dënoi
masakrat kundër myslimanëve (shqiptarë
e boshnjakë), të ndodhura në
Foçë, më 1941 dhe të përsëritura
në të gjithë Sanxhakun, Malin
e Zi dhe në pjesën lindore të
Bosnjë-Hercegovinës. Por dokumentet
dëshmojnë se Mihajlloviçi e
miratoi idenë e “Serbisë së
Madhe” dhe të “pastrimit etnik”
të tokave të saj nga përfaqësuesit
e fiseve dhe feve të tjera. Në një
letër të daktilografuar, drejtuar
njërit prej oficerëve të tij
madhorë, të datës 20 dhjetor
1941, Mihajlloviçi numëron detyrat
luftarake që qëndronin para reparteve
të tij. Ndërmjet tyre: Të krijohet
Jugosllavia e Madhe dhe brenda saj “Serbia
e Madhe”, etnikisht e pastër, ku
të bëjnë pjesë Serbia, Mali
i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Srema, Banati
dhe Baçka. Të luftojmë për
t´u futur në jetën tonë
kombëtare të të gjitha territoreve
sllave, që ndodhen nën pushtetin e
italianëve dhe të gjermanëve
(Trieste, Goricia, Istria dhe Korushka), si
dhe të territoreve në Bullgari, në
Shqipërinë e Veriut, duke përfshirë
Shkodrën. Të kryhet pastrimi i territorit
shtetëror nga të gjitha pakicat kombëtare
dhe elementët e huaj. Të krijohet
kufiri i përbashkët i drejtpërdrejtë
ndërmjet Serbisë dhe Malit të
Zi… dhe të pastrohet Sanxhaku nga
popullsia myslimane dhe Bosnja nga popullsia
myslimane dhe kroate”. Në qoftë
se ky dokument nuk është i falsifikuar,
Mihajlloviçi në fund të vitit
1941 e njollosi veten me po atë fanatizëm
“etnik”, ose më drejt fanatizëm
fetar, si edhe armiku i tij katolik Ante Paveliçi.
E vërteta është se ai, sidoqoftë,
nuk e miratonte zhdukjen e njerëzve për
shkak të përkatësisë së
tyre në një fe tjetër. Me fjalën
“pastrim”, ai kuptonte jo vrasje,
siç e kishin ustashët.
Vitet e fundit të marshallit Tito
Dymbëdhjetë vjetët e fundit të
jetës së Titos ishin mbushur me shqetësime
për çështjen kombëtare,
që rrezikonte edhe vetë ekzistencën
e Jugosllavisë. Në një çast
hidhërimi në vitin 1971, ai pranoi
atë që thoshin gjithnjë armiqtë
e tij: “Kur të mos jetë Titoja,
çdo gjë do të shembet”.
Në luftën e tij për të vendosur
në vend paqen dhe për t’i mbajtur
jugosllavët në “vëllazërim
dhe bashkim”, ai pësoi disfatë.
Dhe kjo ishte e para disfatë në jetën
e tij. Në vitet ´30, ai ishte në
krye të udhëheqjes së PKJ, kur
shumica e rivalëve të tij ishin zhdukur
me urdhër të Stalinit. Në vitet
e Luftës së Dytë Botërore,
ai luftoi dhe fitoi në betejat kundër
gjermanëve, italianëve, çetnikëve
dhe ustashëve dhe u bë kryetar i Jugosllavisë
komuniste. Në vitin 1948 sfidoi trimërisht
Bashkimin Sovjetik, e bëri Jugosllavinë
një shtet të pavarur dhe arriti t’i
sigurojë vendit një nivel të
mirë të lirisë dhe lulëzimit.
Ai bëri dyluftim me mbretin dhe e mundi.
Ai i qëndroi ballas dhe me sukses gjithë
botës tjetër komuniste. Por, vetëm
intolerancën fetare nuk e mposhti dot.
Ai e pushkatoi Mihajlloviçin, por nuk
mundi të çrrënjosë prirjen
e serbëve për të dëbuar
“turqit”. Ai e futi në burg
Stepinacin, por nuk mundi të zhdukë
dëshirën e kroatëve për
të “pastruar” vendin nga “serbosllavët
dhe nga “skizmatikët”. Sigurisht,
Titoja e ka vrarë mendjen se si mund të
largohet nga kjo botë me dinjitet, duke
rritur zëvendësin e tij, por për
këtë e pengoi disfata që pësoi
në përpjekjet e tij për të
rregulluar marrëdhëniet ndërmjet
kombeve brenda Jugosllavisë. Praktikisht,
ai nuk i kishte më miqtë dhe shokët
e paraluftës, te të cilët mund
të mbështetej. Moshe Pijade vdiq.
Gjilasi dhe Rankoviçi kishin rënë
nga fiku. Kishte mbetur vetëm Kardeli i
ashpër dhe gjithmonë i zymtë.
Megjithëse kroat, ai gëzonte popullaritet
të madh ndërmjet serbëve, dhe
akoma më të madh ndërmjet myslimanëve.
Kurse politikanët e tjerë jugosllavë
respektoheshin vetëm brenda kufijve të
republikës së tyre.
Vitet ´60-të dhe përpjekjet
për “atdheun” e tij, Kroacinë
Prej fundit të viteve ´60, Titoja
po u kushtonte gjithnjë e më pak vëmendje
qeverisjes së vendit, duke i ruajtur fuqitë
e veta për çështje të
tilla madhore, si Çekosllovakia dhe nacionalizmi
kroat. Ai kurrë nuk interesohej për
ekonominë dhe duke u plakur merrte vendime
gjithnjë e më të nxituara në
këtë fushë, gjë që
çoi në rritjen e theksuar të
borxheve ndaj bankave ndërkombëtare.
Ky defekt nuk duhet t’i ngarkohet sistemit
komunist në tërësi, përderisa
disa vende të Evropës Lindore, dhe
para së gjithash Çekosllovakia dhe
Republika Demokratike Gjermane i harxhonin paratë
me kujdes, ndërkohë që shumë
vende kapitaliste, si Filipinet, Brazili dhe
pjesërisht Britania shquheshin për
hovardhallëk në përdorimin e
borxheve të marra. Veprimet e pamatura
në çështjet financiare ishin
një dobësi personale e Titos, ndoshta
e trashëguar nga i ati. Megjithëse
Gjilasi dhe të tjerë e kanë kritikuar
ashpër Titon për pallatet, kështjellat
dhe vilat në dispozicion të tij, duhet
thënë se këto rezidenca dhe ndërtimet
e tjera monumentale, ai nuk i ndërtoi për
të përjetësuar lavdinë e
tij. Le të marrim bashkëkohësit
e Titos. Stalini ndërtoi një qiellgërvishtës
grotesk, në formën e një torte
dasme, si Pallatin e Kulturës dhe të
Shkencës në Varshavë. Mao Ce
Duni, për t’i dhënë sa
më shumë hapësirë sheshit
Tjenanmen, e fshiu nga faqja e dheut qendrën
mesjetare të Pekinit. Çaushesku,
për të ndërtuar Pallatin e Versajës
dhe “Fushat e Eliseut”, prishi një
të tretën e Bukureshtit të vjetër.
Madje edhe në Britaninë dhe Francën
demokratike udhëheqësit politikë,
njëri pas tjetrit, kanë ndërtuar
qendra madhështore kulturore dhe aeroporte,
biblioteka kombëtare të panevojshme,
madje edhe tunelin nën La Mansh, si përmendore
të lavdisë së tyre. Mania për
të ndërtuar, karakteristike për
shumicën e politikanëve, nuk e preku
Titon. Ai kënaqej me shtëpitë
që mbetën nga pronarët e mëparshëm.
Në vend të ndërtimit të
përmendoreve të shtrenjta, Titoja
e rriti lavdinë e tij në një
mënyrë tjetër, pa prekur arkën
e shtetit: Ai u dha emrin e tij disa qyteteve.
(Titograd, Titovo-Uzhice etj.)
Ser Fitcroi Maklin jep disa histori anekdotike
nga jeta e Titos në takimet me Margaret
Theçerin dhe princin e Uellsit.
Kur pas vizitës në Kinë, Theçeri
vizitoi Jugosllavinë, ishte ende udhëheqëse
e opozitës. Po bisedonin për Kinën
dhe ra fjala edhe për gruan e Maos. “Sigurisht
- tha Titoja, duke e parë Theçerin
drejt e në sy - unë nuk u besoj grave
që ngatërrohen në politikë”.
Dhe Theçeri ia preu menjëherë:
“Unë nuk ngatërrohem në
politikë, unë jam vetë politika”.
Titoja e pëlqeu shumë këtë
ndërhyrje të mprehtë dhe marrëdhëniet
ndërmjet tyre u rregulluan.
Në kohën e vizitës zyrtare të
princit të Uellsit në Jugosllavi,
Titoja nuk e la t’i shkonte rasti për
të përulur një personalitet me
gjak mbretëror. Princin e shoqëronte
Maklini, i cili i dha Titos disa shishe me uiskin
e famshëm me sodë “Makfen”.
Princi u habit kur pa se i nxorën “Çivas
regal” dhe i tha Titos: “A nuk mund
të hapim ndonjë shishe nga ato që
solli Fitcroi?”.
“Ah, jo! – u përgjigj Titoja
– ato do t’i mbajmë për
raste të veçanta”.
Sëmundja vdekjeprurëse dhe si i shërbyen
murgeshat në çastet e fundit të
jetës
Titoja u sëmur në fillim të janarit
të vitit 1980. Atë e shtruan në
një spital në Lubljanë, ku kirurgët
i amputuan në fillim një këmbë,
pastaj edhe këmbën tjetër. Atë
e vizituan djemtë e tij dhe Jovanka, e
cila e përjetoi me hidhërim të
madh sëmundjen e të shoqit. Titos
i shërbenin murgeshat katolike. Ka shumë
të ngjarë që kjo të jetë
bërë me kërkesën e tij.
Kjo rrethanë i bëri shumë njerëz
të mendonin se Titoja kurrë, të
paktën në shpirtin e tij, nuk hoqi
dorë nga feja. Atëherë u kujtuan
se në një bisedë me një
klerik në vitin 1945 ai tha: “Unë,
si katolik…”. Gjilasi ka shkruar
se Titoja nuk e ka përjashtuar idenë
e pavdekësisë. Mjekët e ruajtën
jetën e Titos deri më 4 maj. U krijua
përshtypja sikur i gjithë vendi i
trembet ikjes së tij nga kjo jetë.
Në varrim ishin të pranishëm
shokët e tij të luftës, ndërmjet
të cilëve edhe Dikini dhe Maklini,
si dhe Margaret Theçeri, që ishte
bërë kryeministre, Brezhnjevi, zëvendëspresidenti
i SHBA (presidentin Karter e kritikuan që
nuk vajti vetë) dhe shumë udhëheqës
të vendeve të “botës së
tretë”, ndër të cilët
edhe Kenet Kaunda, që e qau me lot. Trupin
e Titos e vendosën në mauzoleum, afër
rezidencës së tij në Dedinjë,
në periferi të Beogradit.
Roli i vërtetë i Josif Broz Tito
për Jugosllavinë
Në kohën kur mjekët përpiqeshin
të zgjatnin ditët e jetës së
Titos, pasardhësit e tij bënin thirrje
dhe luteshin që të ruhej uniteti i
vendit.
Nderimi i Titos, që filloi në malet
e Bosnjës në vitin 1943, vazhdoi edhe
më vonë, gjatë gjithë jetës
së tij. Për këtë qëllim
organizoheshin veprimtari të ndryshme zyrtare,
si për shembull stafeta në ditëlindjen
e tij. Në shkolla mësohej biografia
e Titos dhe fjalimet e tij. Në muret e
institucioneve zyrtare, nëpër dyqane,
kafene vareshin portretet e Titos dhe pllakate
me citate nga fjalimet e tij. Për të
thureshin këngë. Vetë Titoja
merrte masa që kjo fushatë të
mos tepërohej, të mos dilte jashtë
kufijve të arsyes dhe të mos kthehej
në kult të personalitetit, siç
kishte ndodhur me Hitlerin, Stalinin, Mao Ce
Dunin. Për nder të tij nuk u ngritën
pallate, nuk organizonte manifestime madhështore
si atë të Nurenbergut. Në bisedat
private, Titoja ishte kurdoherë i thjeshtë
dhe komunikues. Në seritë e intervistave
televizive të viteve ´70, Titoja
të krijonte përshtypjen e një
babaxhani dhe jo të një sundimtari
të tmerrshëm a të një mbreti-diell.
Dhe vetëm pas vdekjes së tij, nderimet
që filluan t’i bëhen e ngritën
në shkallën e kultit. Dukej sikur
Jugosllavia do të ruhej vetëm në
sajë të një çudie të
mbinatyrshme, sikur Titoja do t’i ndihmonte
edhe nga bota tjetër. Në ambientin
e udhëheqjes kolektive, të cilën
si me shaka e quanin “Titoja dhe tetë
gnomët”1 , lindi parulla absurde:
“Pas Titos – Titoja”. Çdo
vit, për dhjetë vjet me radhë,
pas vdekjes së tij, më 4 maj, në
orën 15 e 05 minuta në të gjithë
vendin binin sirenat dhe e gjithë popullsia
duhej të ngrinte në vend, në
heshtje, për dy minuta. Përfaqësuesit
e ushtrisë vinin në varrin e njeriut,
të cilin gjithmonë e quanin “kryekomandanti
ynë suprem”. Më 1989, Organizata
e veteranëve propozoi për të
katërtën herë kandidaturën
e Titos për t’i dhënë titullin
Hero i Popullit.
Më 1984 u miratua një ligj i posaçëm,
në bazë të të cilit dënoheshin
rëndë personat që shpalleshin
fajtorë për fyerjen e kujtimit të
Titos. Tetë qytete morën emrin e tij,
një për çdo republikë
dhe për krahinat autonome Vojvodinë
dhe Kosovë. U botuan dhjetëra artikuj
që ngrinin lart veprimtarinë e tij.
Si reaksion kundër këtij kulti pas
vdekjes, shumë shkrimtarë dhe veprimtarë
shoqërorë filluan të shkruajnë
për aspekte të ndryshme të jetës
në Jugosllavi, duke sulmuar edhe anët
e dobëta të jetës së Titos.
Libri i mrekullueshëm “Tito: historia
nga brenda” i Millovan Gjilasit, në
një farë kuptimi e ka humbur vlerën
e vet, duke dhënë disa paragjykime
të helmuara kundër Titos, duke u nisur
nga puritanizmi i vetë autorit. E akuzuan
për ekstravagancë në jetën
e tij personale, megjithëse ai, siç
e kemi thënë më sipër, kënaqej
me ato që trashëgoi nga Karagjorgjeviçët.
Si Çaushesku i Rumanisë dhe Markosi
i Filipineve, ai mori borxhe kolosale nga Fondi
Monetar Ndërkombëtar, por prej këtyre
borxheve përfituan jo vetëm ai, por
edhe e gjithë pjesa tjetër e popullsisë,
gjë që nuk ndodhi në Rumani ose
Filipine. Në kohën kur intelektualët
britanikë diskutonin për reputacionin
e Titos (e akuzonin edhe Fitcroi Maklinin se
kishte ndihmuar komunistin Tito për të
marrë pushtetin), jugosllavët u përballën
me problemin e pagesave për të shlyer
kuotat e borxheve të huaja. Në vitin
1983, qeveria u përpoq ta shtynte falimentimin,
duke kapitulluar plotësisht para FMN dhe
u katandis në një marionetë në
duart e tij. Në mes të vitit 1984,
inflacioni arriti 52 për qind dhe niveli
i jetesës qysh prej vdekjes së Titos
u ul 30 për qind. Papunësia përfshiu
15 për qind të fuqisë punëtore,
prej të cilëve gjysma ishin të
moshës deri 24 vjeç. Dinari filloi
rënien e tij katastrofike. Në vitin
1987, në Beograd, për një filxhan
kafe kamarierja të kërkonte një
milion dinarë. Të gjitha këto
u shoqëruan nga një sërë
skandalesh të zhurmshme, lidhur me demaskimin
e aferave në Bankën Kombëtare,
në korporatën e naftës, në
kompanitë e hekurudhave dhe… në
shitjen e jahtit të Titos. Filloi lëvizja
e popullsisë nga qyteti në fshat.
Të shpërngulurit nga Beogradi filluan
të merren me mbjelljen e kumbullave për
shlivovicë dhe me rritjen e derrave. Shumëkush
nuk e kupton se sa pushtet kanë historia
dhe feja në zemrat e njerëzve. Dhe
pikërisht këto çuan në
fillim të viteve ´90 në shpërbërjen
e Jugosllavisë dhe jo dështimi i komunizmit
ose gabimet ekonomike të Titos. Dhe megjithëse
shkaqet e katastrofës i kanë rrënjët
thellë në të kaluarën e
Ballkanit, unë dua ta bashkërendis
këtë të kaluar me tri ngjarje
të rëndësishme të vitit
1981, një vit pas vdekjes së Titos.
E para ndër to ishin revoltat e shqiptarëve
në Kosovë, një vend që është
i shenjtë për serbët. E dyta,
ishte botimi i një libri në Zagreb,
ku trajtohej në një mënyrë
të re roli i arqipeshkvit Stepinac. Dhe
më në fund në Megjugorje, në
një fshat hercegovinas, që ka një
manastir françeskan, gjashtë të
rinj deklaruan se kishin dëgjuar dhe kishin
parë Virgjëreshën Maria.
Serbia, si nisi katastrofa pas vdekjes së
Titos
Pas vdekjes së Titos në Beograd u
përhap një fjalë e urtë:
“Sllovenëve u mbeti koleksioni i
automobilave, të prodhuar me porosi të
posaçme, kroatëve jahti, kurse neve
serbëve na mbeti skeleti i tij”.
Serbët filluan të përplasnin
këmbët që në fillim të
viteve ´70, kur Titoja i hoqi “liberalët”,
komunistët e prirur për reforma. Pastaj
ai i tronditi nacionalistët, kur u dha
statusin e autonomisë Vojvodinës dhe
Kosovës. Pas vdekjes së udhëheqësit,
Partia Komuniste serbe vazhdoi përndjekjen
e disidentëve-liberalë. Në shkolla
dhe në Universitetin e Beogradit vazhdonte
të jepej kursi i marksizmit në vëllim
të plotë. Njëkohësisht,
qeveria shtypte me ashpërsi çdo
shfaqje sado të përkorë të
nacionalizmit serb, për shembull, u ndalua
të këndohej kënga “Larg
në det”, kushtuar fatit të hidhur
të ushtarëve serbë në kohën
e Luftës së Parë Botërore.
Si rezultat i spastrimeve të vitit 1972,
kusht i domosdoshëm i suksesit në
karrierën e biznesmenit, në mjetet
e informacionit masiv ose në arsim ishin
cilësitë përkatëse “moralo-politike”.
Disidentët këtë e quanin “seleksionim
negativ”, sepse çanin lart vetëm
karrieristët dhe dogmatikët.
Sllobodan Millosheviç, lideri post-Tito
që fryu nacionalizmin serb
Produkt tipik i këtij sistemi ishte Sllobodan
Millosheviçi, president i ardhshëm
i Serbisë. Me origjinë nga Mali i
Zi, Millosheviçi u lind dhe u rrit në
qytetin Pozharevac. Prindërit e tij jepnin
mësim në shkollë. Në fëmijëri,
Sllobodani ishte nxënës shembullor
dhe në shkollë vinte gjithmonë
i veshur me një kostum të errët
të hekurosur me kujdes. Ai u shmangej njohjeve
me njerëz të këqij dhe qëndronte
i veçuar. Në shkollën e mesme
u njoh me gruan e tij të ardhme, Mirjana
Markoviç, që rridhte nga një
familje funksionari të lartë partiak.
Ajo zgjodhi karrierën e pedagogut të
sociologjisë marksiste. Por rinia e qetë
dhe pa telashe u errësua nga një tragjedi
e tmerrshme. Kur Millosheviçi studionte
në universitet, i ati vrau veten. Njëmbëdhjetë
vjet më vonë vrau veten edhe e ëma.
Millosheviçi e filloi karrierën
si ekonomist. Në fillim punoi si drejtor
i një uzine, pastaj u bë president
i bankës qendrore. Në këtë
kohë vizitonte shpesh Shtetet e Bashkuara.
Më vonë kaloi në detyra partiake,
u ngjit shpejt në sferat e larta dhe më
1984 u bë shef i organizatës së
partisë të Beogradit, kurse më
1986 e zgjodhën sekretar të parë
të Komitetit Qendror të Partisë
Komuniste Serbe. Megjithëse ai tanimë
ishte një njeri i botës burokratike
të politikës pastitoiste, opinioni
publik serb atë ose e injoroi, ose e përçmoi.
Transformimi i tij i mëtejshëm në
hero në sytë e shumë serbëve
ishte rezultat i krizës në Kosovë.