Shpërndaje në:

Lëvizja për Reforma PDSH ka reaguar lidhur me zbardhjen e një dëshmie që përmend Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferrin e BDI-së për mitmarrje me një vlerë prej 5 milionë eurove, nga “Magjar Telekom”.

“E kemi thënë edhe më herët, e përsërisim edhe tani. BDI nuk e kupton rëndësinë e parashtrimit të fakteve: Gjykatës së New-Yorkut nuk mund t’i hidhet baltë, e as t’i mohohet vërtetësia e materialeve të publikuara nga kjo Gjykatë. Dëshmitë e publikuara nga Gjykata e New-Yorkut për rrjetin kriminal-financiar që ka operuar në shtetet Balkanike, ku përveç emrave të biznismenëve grek dhe krerë të shërbimeve sekrete,  përmenden edhe emrat e dy figurave kryesore të BDI-së, flet mjaftë për konstatimin se këto dy kanë vënë në shit-blerje çdo gjë shqiptare, madje edhe idealet e shumë luftëtarëve që dhanë jetë për këtë komb”, thekson LR- PDSH.

Sipas kësaj partie, rasti “Magjar Telekom” vërteton përfundimisht se binomi Ahmeti-Xhaferi asnjëherë nuk kanë pasur pikësynim avansimin e të drejtave të shqiptarëve, por vetëm përfitimet personale të tyre.

“Ky binom është vënë nën hipotekë të të tjerëve, ndërsa funksionarët partiak i kanë vendosur nën hipotekë të tyre.  Në këtë mënyrë lidershipi i BDI-së ka vënë nën hipotekë tërë kauzën shqiptare, gjithë këto vite. Lëvizja për reforma – PDSH kërkon dorëheqjen e mënjëhershme të binomit Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri nga postet e tyre shtetërore dhe politike, e me këtë t’i hapet rrugë edhe hetimit të funksionarëve të tjerë partiak të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, duke pastruar njëherë e përgjithmonë politikën shqiptare nga logjika e shit-blerjes dhe përfitimeve të ulëta personale në kurriz të shqiptarëve”, thekson LR-PDSH.