Shpërndaje në:

Me një njësi zgjedhore do të shkatërrohet regjimi autoritar i Gruevskit dhe do t’i jepet fund sundimit të vetëm 2 partive politike në Maqedoni. Kështu theksoi sot kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, duke shtuar se ky model zgjedhor do të siguronte barazinë e votës si mes njësive zgjedhore, ashtu edhe votën brenda vendit me votën e diasporës. Lidhur me kundërshtimet e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së ndaj modelit me një njësi zgjedhore, Zaev theksoi se liderët e sinqertë nuk duhet pasur frikë nga partitë më të vogla.

“Unë jam i bindur se ia vlen të mendohet modeli me një njësi zgjedhore, atëherë vota e çdo qytetari do të vlejë njëjtë, atëherë do të vlejë njëjtë vota e qytetarëve në Maqedoni dhe në diasporë, shumë e vlefshme për Maqedoninë. Në këtë mënyrë do të kemi votim kushtetues, të barabartë, do t’i kthejmë institucionet demokratike në Maqedoni dhe asnjëherë më nuk do të përsëritet regjimi, sjellja diktatoriale me pushtet absolut, siç kishim deri tani në 9 vitet e fundit”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë, modeli me një njësi zgjedhore vazhdon të merr përkrahje edhe nga partitë e tjera politike. Lidhja Demokratike e deputetit Pavle Trajanov vlerëson se me një njësi zgjedhore pasqyrohet realisht vullneti i qytetarëve në Parlament. Përmes një komunikate, LD-ja thekson se modeli i shumicës me plus 17 deputetë, i propozuar nga kryeministri Gruevski, do të nxiste dhunë dhe do të krijonte kushte për vendosjen e sistemit autoritar.

“Lidhja Demokratike qëndron fuqishëm në përcaktimin për modelin proporcional me një njësi zgjedhore. Me këtë model sigurohet që përbërja e Parlamentit të përfaqësojë realisht vullnetin e qytetarëve, si dhe sigurohen kushte për demontimin e sistemit njëpartiak dhe rritjen e përgjegjësisë së Qeverisë. Lidhja Demokratike u bën thirrje partive, asociacioneve qytetare, ekspertëve, si dhe të gjithë atyre që janë për demokraci dhe sundimin e së drejtës, të përkrahin idenë që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore”, thuhet në komunikatën e LD-së.

Sistemi proporcional me një njësi zgjedhore u përkrah edhe nga partitë opozitare shqiptare, RDK, Besa dhe Lëvizja për Reforma në PDSH, dhe nga shumë parti më të vogla maqedonase.Benjamin Arifi