Shpërndaje në:

Aktivistët qytetarë dënojnë ashpër dhunën e tepruar të policisë së Maqedonisë ndaj emigrantëve në afërsi të Gjevgjelisë. Zdravko Savevski nga shoqata ‘Solidariteti’, thekson se brutaliteti i tepruar i policisë maqedonase është kundër normave të së drejtës ndërkombëtare, që obligon shtetet të pranojnë dhe ndihmojnë emigrantët e ikur nga vendet në luftë.
“Kriza është mjaft serioze. Ajo që është fakt nga e drejta ndërkombëtare, është se secili shtet në botë ka obligim që t’i strehojë emigrantët të cilët ikin nga ndonjë luftë. Ata braktisën vendin e tyre jo për shkak se deshën, por për shkak të luftës dhe obligim i çdo shteti është që tu ndihmojë, dhe Maqedonia nuk përjashtohet gjithashtu. Policia dhe armata maqedonase iu kanë lejuar vetes të tregojnë brutalitet në ndaljen e emigrantëve, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe për këtë shkak duhet të veçohen ata policë që përdorën dhunë dhe të dënohen për këtë gjë”, tha Zdravko Savevski, shoqata ‘Solidariteti’.

Savevski madje dyshon nëse reagimi i tillë i autoriteteve ka për qëllim sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar rreth emigrantëve në Maqedoni, me qëllim përfitimin e fondeve ndërkombëtare për tejkalimin e krizës. Ai thekson se Maqedonisë i duhen ndihma, por nuk është kjo mënyra për përfitimin e tyre.

“Nuk është mënyra e duhur të tregojmë se ne na duhet ndihmë, duke reaguar në mënyrën në të cilën u reagua. Tjera janë mënyrat dhe tjera janë përgjegjësitë; jo vetëm të Maqedonisë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare”, u shpreh Zdravko Savevski, shoqata ‘Solidariteti’.

Në fillim të gushtit Bashkimi Evropian ndau 100 mijë dollarë ndihmë për Maqedoninë. Paratë i janë dhënë kryqit të kuq për të mbuluar nevojat elementare ushqimore, higjienike dhe për veshmbathje. Ndryshe, BE-ja ka ndarë 2.4 miliard dollarë për menaxhim me krizën e refugjatëve për periudhën 2014-2020. Fondet janë parashikuar vetëm për shtetet anëtare të BE-së, por do tu zgjatet dora edhe shteteve kandidate. Italia dhe Greqia kanë marrë më së shumti nga këto fonde, si shtetet më të prekura nga fenomeni i emigrantëve.