Shpërndaje në:

Gardhi i punuar i hekurt që u shfaq mes shtyllave të betonit në pjesën e prapme të ndërtesës së qeverisë nuk ka kryqe, thonë nga qeveria e cila përmes një njoftimi për opinion përgënjeshtron informacionet e disa mediave se gardhi rreth qeverisë përmban simbole fetare. Sipas zyrës për Punë të Përgjithshme të qeverisë e cila është përgjegjëse për vendosjen e gardhit, dekorimet në majë të gardhit të objektit të qeverisë janë zambak në stilin arkitektonik. Nga qeveria thonë se kjo mund të vërehet nga çdo qytetar në çdo kohë në qoftë se shikon gardhin

“Që nga fillimi i procesit të ndërtimit të gardhit është paraparë si zbukurim në majë të gardhit të vendoset zambak i stilit arkitektonik që mund të ilustrohet qartë nga grafika në zgjidhjen ideore dhe në projektin për ndërtim, që e dorëzojmë si material shtesë. I njëjti zambak në stilin arkitektonik mund të shihet në gardhin tashmë të ndërtuar….”,  thuhet në njoftimin për mediat të qeverisë. Reagimi i qeverisë vjen pasi shumë media e portale njoftuan se gardhi është punuar me shufra hekuri të cilat në maje përmbajnë kryqin, simbol i krishterizmin. Ndryshe, gardhi i hekurt i lartë rreth dy metra për të cilin do të shpenzohen 700 mijë euro filloi të vendoset rreth qeverisë para dy ditëve. Kjo është hera e parë që qeveria të rrethohet me gardhë ndërkohë që në vende tjera si në Shqipëri dhe Greqi gardhet e tilla janë larguar me arsyetimet se godinat qeveritare janë pronë e qytetarëve.