Shpërndaje në:

Interesimi i semi-maturantëve shqiptarë për t’u regjistruar në Shkollën e Mesme të Kimisë ‘Marija Kiri Skllodovska’ në Shkup si duket ka shqetësuar tej mase Lupço Celeskin, drejtor i kësaj shkolle. Ai tentoi që edhe në mënyrë fizike të qërojë hesapet me ekipin e Televizionit ALSAT-M me qëllim pengimin e informimit të opinionit të gjerë rreth numrit të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Celeski madje tha se atij nuk mund t’i bëjë asgjë as Ministri i Arsimit e as kryeministri Gruevski.

“Jo jo nuk ka xhirim këtu, shkoni tregoni ministrit, mundeni edhe kryeministrit t’i tregoni. Urdhëroni, nga oborri dilni jashtë. Mua do më incizoni apo po e kërkoni profesorin Bilgin. Unë jam ai që jep informacione, e jo ti apo dikush tjetër! Unë jam përgjegjës këtu dhe tjetër nuk ka kompetent. Lirisht dilni, nuk u kam ftuar, fund i tregimit! Ligji është në duar të mia…”, u shpreh Lupço Celeski, drejtor i Shkollës së mesme të kimisë ‘Marija Kiri Skllodovska’.

Nuk është në duar tua, ju jeni vetëm një drejtor, ligjin dikush tjetër e zbaton. Edhe juve ju ka vendos në këtë pozitë!

“Kush më ka emëruar, këshilli i shkollës, nuk kam frikë as nga kryeministri e as nga ministri e as nga askush. Unë zgjedh televizione për të cilat jap deklaratë, nga të di unë vallë mos jeni ashtu ose kështu televizion!”, tha Lupço Celeski, drejtor i Shkollës së mesme të kimisë ‘Marija Kiri Skllodovska’.

Bilgin Hajredini, përgjegjës i paraleleve shqipe në ‘Marija Kiri Skllodovska’ thotë se drejtori përmes këtyre skandaleve dëshiron të frikësoj nxënësit shqiptarë të cilët si asnjëherë më parë kanë shprehur interesim për të regjistruar në këtë shkollë.

“Kjo që ka shqetësuar drejtorin është se nxënësit shqiptarë janë vetëdijesuar nga promovimi që kemi bërë ne si profesor shqiptarë që t’u bëjmë apel semi-maturantëve që të mos regjistrohen nëpër paralelet maqedonase pasi që kemi paralele shqip dhe pse ato të qëndrojnë bosh, e ato në maqedonisht të mbushen. Numri i paraleleve maqedonisht viteve të fundit ka rënë dukshëm, kanë formuar 5 paralele edhe atë me një numër të vogël të nxënësve diku 86-87 nxënës, kurse ne vërtet i kemi 4 paralele por të gjitha janë të mbushura me nga 34-35 nxënës që ndjekin mësimin në shqip”, deklaroi Bilgin Hajredini, përgjegjës i paraleleve shqipe në ‘Marija Kiri Skllodovska’.

“Është shkollë shumë e mirë, i ka gjitha gjërat që nevojiten, ka laborator ku ne bëjmë prapsën. U apelojë të gjithë nxënësve që mos të regjistrohen vetëm në gjimnaze, le të vijnë tek kjo shkollë pasi ka këtu ka gjëra të mira që mund të mësohen”.

“U apelojë nxënësve që të regjistrohen këtu pasi kjo shkollë është një shkollë në të cilën ka drejtime shumë të mira, si unë që kam zgjedh drejtimin laborant, ka drejtime edhe tjera si optikë, farmaci…”.

Ndërkohë pak metra larg ‘Marija Kiri Skllodovskës’ gjendet Shkolla e Mesme e Qytetit të Shkupit ‘Vllado Tasevski’. Drejtoresha e kësaj shkolle për dallim nga Lupço Celeski pa asnjë hezitim foli para kamerës së Televizionit ALSAT-M.

“Shkolla e Mesme e Qytetit të Shkupit ‘Vllado Tasevski’ këtë vit 2015-2016 sipas konkursit, do të hapë 15 paralele, edhe atë 11 paralele në maqedonisht dhe 4 në gjuhën shqipe. Në total këtë vit, në shkollën tonë është planifikuar të regjistrohen 500 nxënës”, tha Biljana Gligorova, drejtoresh e Shkollës së Mesme të Qytetit të Shkupit ‘Vllado Tasevski’.

Drejtorët e Shkollave të mesme profesionale edhe këtë vit kanë apeluar deri tek prindërit dhe nxënësit që të regjistrohen në drejtimet profesionale për të pasur një zanat më të sigurt në të ardhmen.