Shpërndaje në:

DSK-ja ka kryer shpërdorime, shkelje ligjore, shpërdorim të sistemit, ndërhyrje në organet shtetërore. Të gjitha këto bëhen të ditura nga raportit i KE-së, i përpiluar nga ekspertët e udhëhequr nga drejtori i drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, Rejnahrd Pribe. Raporti hedh poshtë edhe arsyetimet e Gruevskit për përfshirje të shërbimeve të huaja, duke nxjerrë se autore e përgjimeve është vetë DSK-ja. Shkaqet për zvarritjen e skandalit në Maqedoni, sipas ekspertëve, është përqendrimi i fuqisë në duart e shërbimit kombëtar për siguri (DSK) dhe shpërqendrimi i mekanizmit për mbikëqyrje nga vetë DSK-ja. Kjo është ndër fjalitë e para të raportit të përpiluar nga grupi i ekspertëve të Komisionit Evropian, ku theksohet se DSK-ja, për nevojat e pushtetit është vënë mbi ligjin dhe mbi çdo institucion apo organ tjetër që duhet të ishte i pavarur.

“Sipas vëzhguesit ndërkombëtarë, DSK-ja punon jashtë mandatit të saj ligjor në emër të pushtetit me qëllim për të kontrolluar bartësit e funksioneve të larta shtetërore në administratën publike, prokurorinë, gjykatësit dhe kundërshtarët politik, e për pasojë ka ndërhyrë edhe në pavarësinë e gjyqësorit dhe institucionet e tjera. Në aspektin e pajisjeve teknike, DSK-ja ka monopolin e shfrytëzimit të pajisjeve për përgjim, në zbulim dhe në hetime penale. Ekskluzivitetin në përndjekje e realizon dhe monitoron në emër të vetë, DSK-ja, si edhe në emër të policisë, drejtorisë së doganave dhe policisë financiare. Prandaj edhe DSK-ja i posedon mjetet për ndërhyrje në hetimet penale dhe në mënyrë indirekte nënvlerëson/varrosë pavarësinë e drejtuesit të hetimit (prokurorit). Lidhja familjare në mes të politikanëve në pozita të larta dhe funksionarëve të lartë në DSK, si dhe në Prokurorinë publike, krijojnë ambient të rrezikshëm për konflikt interesi”, thuhet në raport.

Ish drejtori i DSK-së Goran Mitevski thotë se si në pjesën e konkluzioneve ashtu dhe në atë të rekomandimeve, Komisioni Evropian ia lë autorësinë për përgjimet vetëm DSK-së dhe haptazi ka kërkuar që kësaj drejtorie t’i kufizohen kompetencat aktuale.

“Tani, me këtë dokument të zyrtarëve të Komisionit Evropian, vërtetohet se deklaratat e kryeministrit se përgjimet janë kryer nga shërbimet e huaja si dhe disa zyrtarë tjerë në MPB, dhe se kjo është kryer nga një kombe që ka lëvizur në një trajektore dhe ka përgjuar liderë opozitarë dhe funksionarë qeveritarë, kësaj radhe qartazi vërtetohet se është shfrytëzuar aparatura e DSK, urdhri është dhënë direkt nga funksionarët në DSK dhe MPB-së dhe nuk ka dilema se është bërë keqpërdorim total në përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve në Maqedoni”, deklaroi Goran Mitevski, ish drejtor i DSK-së.

Duke analizuar përmbajtjen e bisedave të përgjuara, raporti mes të tjerash konstaton edhe shumë nga akuzat që kishte bërë opozita dhe ekspertët vendorë si:

– shkelje e të drejtave themelore të individëve të prekur

– shkelje e Konventës për marrëdhënie diplomatike të vitit 1961 (Konventa e Vjenës) duke pasur parasysh se diplomatët gjithashtu janë përgjuar në mënyrë ilegale

– Ndërhyrje e qartë direkte e funksionarëve të lartë qeveritarë dhe partiakë në aktivitete ilegale përfshi edhe manipulimet zgjedhore, korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe autorizimeve, konfliktin e interesave, kushtëzimet, presionin ndaj të punësuarve në sektorin publik për të votuar për një parti të caktuar me kërcënime se do të përjashtoheshin nga puna), vepra penale, shkelje të rënda të procedurave për furnizime publike me qëllim të marrjes së profitit të palejuar, nepotizëm dhe mbrojtje.

– indikacione për ndërhyrje të papranueshme politike në emërimin e gjykatësve, si edhe ndërhyrje në institucione të tjera, gjoja të pavarura, për përfitime personale ose partiake.

Raporti ka dalë edhe me rekomandime konkrete ku në fillim kërkon që DSK-së t’i merret roli ndërmjetësues dhe të mos ketë më qasje të drejtpërdrejtë në pajisjen teknike e cila mundëson qasje të sinjalit të komunikimit. “Ndërruesit e regjistrimit” duhet të zhvendosen në hapësirat e operatorëve të telekomunikacionit. Operatorët duhet që t’i aktivizojnë dhe drejtojnë sinjalet tek organet kompetente (policia, drejtoria e doganës dhe policia financiare) ose te organet e sigurisë vetëm pas marrjes së urdhrit gjyqësorë dhe vetëm për qëllimet e përgjimit ligjor”, thuhet në pjesën e konkluzioneve.

Kujtojmë se kryeministri Gruevski nuk e pranoi asnjëherë përgjegjësinë e përgjimeve, përkundrazi akuzoi shërbime të huaja.

Komisioni evropian ofron edhe ndihmë ekspertësh ndërkombëtarë për analizimin e të gjitha materialeve nga arkivat e DSK-së.

“Hetimet për veprat penale të zbuluara nga materialet e përgjuara duhet të shqyrtohen seriozisht, pa hamendje dhe frikë, në mënyrë jo selektive ku prioritet duhet t’u jepet atyre me keqpërdorime më serioze. Një hetim efektiv mund të kërkojë edhe sigurimin e dato-tekës dhe gjithë arkivit nga DSK-ja dhe operatorët e telekomunikimit, ndërkohë që hetuesit mund të shqyrtojnë edhe mundësinë për ndihmë dhe ekspertizë ndërkombëtare, për shembull në rikthimin e të dhënave të fshira”, thuhet më tej në raportin e sapo publikuar.

Në raport përfshihen edhe vërejtje serioze për sundimin e të drejtës, pavarësisë së gjyqësorit, korrupsionit dhe lirisë së mediumeve dhe sfera të tjera. Në sferën e gjyqësorit dhe sundimin e të drejtës, kërkohet të bëhet ndërhyrje në sistem, me disa masa me të cilat siç konstatohet, nevojitet në praktikë e jo vetëm në ligje, të sigurohet çlirimi i tërësishëm i gjyqësorit nga ndikimet politike. Për administratën publike, Komisioni Evropian kërkon që qeveria ta ndërpresë menjëherë aksionin për transformimin e marrëdhënies së punës së vullnetarëve, dhe përfundimisht ta publikojë listën me numra të saktë për të gjithë të punësuarit në administratën publike. Si pikë e tretë, në të cilën duhet të punohet menjëherë,  Komisioni thekson Kodin Zgjedhor dhe listën e zgjedhësve. Pastaj, për të normalizuar marrëdhëniet në Kuvend, KE-ja kërkon zbatimin e plotë të vendimeve të KE-së për ngjarjet e 24 dhjetorit 2012 të cilat u konsideruan si letë tualeti nga pushteti. Në fund, raporti për reforma urgjente, i kushton kritika qeverisë për median, sidomos çlirimit të Televizionit të Maqedonisë, ndërsa kërkon edhe publikimin e të dhënave për reklamimin qeveritar dhe mundësimin e qasjes te informatat me karakter publik.