Shpërndaje në:

Ndihmat e shumta të destinuara për në Lagjen e Trimave në Kumanovë, kanë bërë që mes banorëve të lindin përçarje. Individ, por edhe familje, denoncojnë padrejtësi nga ana e shtabit emergjent, në ndarjen e ndihmave. Sipas tyre, ndihmat që destinohen për familjet, nuk ndahen në bazë të asaj se cila familje sa dëm ka, por në mënyrë proporcionale. Kjo nxit reagimin e banorëve pasi që ndihma i ndahen edhe familjeve shtëpitë e të cilave nuk kanë besuar dëme të mëdha materiale.

Por nga shtabi emergjent për tejkalimin e krizës, thonë se ndihmat nuk ndahen për rinovimin e shtëpive, por për nevojat e familjeve dhe se çdo ndihmë e destinuar, ndahet proporcionalisht për të gjitha familjet.

‘Ndihmat e para që kanë ardhur nga diaspora, pra nga Unioni i imamëve të Zvicrës kanë bërë kategorizim dhe menjëherë filluan të paraqitën pakënaqësi tek banorët, pasi që dikush është ndier i lënë pas dore. Ne kemi thënë se dëmet materiale i paguan Qeveria, përjetimet shpirtërore janë diçka tjetër, ato janë të barabarta për të gjithë, qoftë për fëmijë qoftë për pleq. Duke i pasur parasysh këto fakte, ne kemi shkuar me ndarje proporcionale. E drejta ekskluzive i takon donatorit, mirëpo në bazë të parimit të sjellë paraprakisht, donatorit nuk i pengojmë dhe ndihmën e destinuar ia dorëzon familjes së cilës ia dedikon. Ndërsa, ne, që të tjerët mos të ndjehen keq, ia kompensojmë ndihmën nga fondi tjetër’, tha Shaban Demiri, Koordinator i shtabit.

Ndërkaq, në lagje ka ende familje dëmi i të cilave nuk është vlerësuar aq sa duhet nga Komisioni për verifikimin e dëmeve.

‘Po kemi dëme. Unë këtu kam jetuar. Është e vjetër e kuptoj, mirëpo tani po lëviz dyshemeja dhe është rrezik të qëndrojmë brenda, nuk është më për vendbanim kjo shtëpi. 1200 euro shteti na e ka vlerësuar. Nuk jam e kënaqur pasi që me 1200 euro nuk e rinovoj dot’, tha një banore.

Nga ana tjetër, përveç instalimit të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret nga Institucionet, drejtë rinovimit të shtëpive të shkatërruara gjatë aksionit policor më 9 dhe 10 maj.Adrian Kerimi