Shpërndaje në:

Kreu i opozitës, Zoran Zaev ka rikthyer publikimin e dëshmive për siç thotë veprimet kriminale të pushtetit aktual. Bombat e sotme i janë kushtuar punës së zyrtarëve të BDI-së, përfshirë edhe kreun e saj. Ai tha se nga bisedat e regjistruara dëshmohen veprime të shumta kriminale. Sipas Zaevit, paraja dhe pushteti kanë qenë parësore për partinë e Ahmetit.

Kreu i opozitës tha se nga bisedat e regjistruara dëshmohet qartë se mbetja në pushtet është parësore për BDI-në dhe se kjo sipas tij dëshmohet edhe nga lëshimet që kjo parti ka bërë në favor të VMRO-së. Zaev publikoi biseda mes zyrtarëve të BDI-së për tender të ndryshëm, kërcënime e presione për pozicione në parti, por edhe ruajtjen e privilegjeve në pushtet.

Nga disa biseda të publikuara sipas Zaevit dëshmohet partizimi i skajshëm i Universitetit të Tetovës. Kërcënime e fyerje mes vet zyrtarëve të BDI-së si dhe bisedime për keqpërdorime lidhur me Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë. Në një bisedë publikohet edhe një konfirmim i një takimi mes Fatmir Besimit dhe Boris Tadiqit në SHBA.

 

Kryetari i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, akuzoi krerët e partisë shqiptare BDI, se qëndrojnë në qeverinë e Nikolla Gruevskit vetëm për të realizuar interesat personale dhe për t’u pasuruar.

Udhëheqësi opozitar publikoi disa biseda të përgjuara telefonike, që – sipas tij – dëshmojnë përfshirjen e drejtuesve të Bashkimit Demokratik për Integrim në skandale të shumta kriminale.

Sipas Zaevit, në një bisedë telefonike dëgjohet vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke ndërmjetësuar me drejtuesin e degës partiake në Çair, Bekir Asani, për t’i shitur një biznesmeni një objekt me çmim 1000 euro për 1 metër katror.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Nëse mund t’ia nxjerrim 1000 për metër katror, mirë është.

Bekim Asani, kryetar i BDI-së në degën e Çairit: Do të flasim me të, sepse ai është në Turqi. Ai është i interesuar dhe, nëse ia dalim, do të ishte mirë. Mendoj që nuk ia vlen ta mbajmë.

Ali Ahmeti: Për 1000, hiç mos pyet.

Bisedat e përgjuara telefonike, sipas Zaevit, nxjerrin në sipërfaqe kërcënimet, presionet, ofendimet dhe inatet midis vetë funksionarëve të BDI-së.

Biseda 1 mes Musa Xhaferit, zv.kryeministër, dhe Bekim Asanit, kryetar i BDI-së në degën e Çairit.

Musa Xhaferi, zv.kryeministër: Ne, disa gjëra, politikisht i lëmë në hava…

Bekim Asani, kryetar i BDI-së në degën e Çairit: Unë i thashë sot atij shokut të Izetit. Të parin që do vras me kallash, atë do vras.

Musa Xhaferi: Ruaje gjakftohtësinë…

Biseda 2 mes Musa Xhaferit, zv.kryeministër, dhe Ali Ahmetit, kryetar i BDI-së.

Musa Xhaferi, zv.kryeministër: Ne kemi marrë edhe Artan Grubin, më duket.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Edhe Vetëvendosjen e kemi marrë…

Musa Xhaferi: Ti ke menduar për atë djalin, por ku e ka mendjen ai, sepse ai nuk është aq i kollajshëm për ta fut në mulli. Ai është si kali Shemës.

Udhëheqësi i socialdemokratëve maqedonas, Zoran Zaev, publikoi edhe disa materiale, ku zyrtarët e BDI-së pranojnë se kanë politizuar skajshmërisht Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Xhevat Ademi, deputet i BDI-së: Dje larguan Ejupin, ndoshta një ditë do largojnë një tjetër. A mos duan këta ta pastrojnë UT-në prej BDI-së?

Kreu i LSDM-së tha se, nga materialet e përgjuara zbulohet edhe patriotizmi i rremë i BDI-së. Në një bisedë telefonike, zv.kryeministri për Integrim, Fatmir Besimi, pranon se është takuar fshehurazi në SHBA me ish-Presidentin serb, Boris Tadiç.

Biseda 1 mes Musa Xhaferit, zv.kryeministër për “Marrëveshjen e Ohrit”, dhe Fatmir Besimit, zv.kryeministër për Integrimin Europian.

Musa Xhaferi, zv.kryeministër: Më treguan për në Amerikë, çfarë keni bërë ju… me Tadiçin.

Fatmir Besimi, zv.kryeministër për Integrimin: Mos i beso atij…

Musa Xhaferi: Jeni takuar me Tadiçin andej…

Fatmir Besimi: Po, po.

Biseda 2 mes Musa Xhaferit, zv.kryeministër për “Marrëveshjen e Ohrit”, me një bashkëbisedues.

Musa Xhaferi, zv.kryeministër: Ai dinte gjermanisht dhe më tha se ishte me prejardhje sllave. Unë desha t’i thoja se, jam unë më zi se ti…

Bashkëbiseduesi: Edhe unë ashtu jam…

Musa Xhaferi: Më shka se shkijet.

Në njërën nga bisedat e publikuara nga udhëheqësi i opozitës maqedonase dëgjohet sesi ish-zv.ministri i Transportit, Tahir Hani, ankohet se mbi 80% e projekteve të BDI-së janë larguar nga programi i ministrisë.

Ndërkohë, nga disa biseda të tjera dalin në sipërfaqe keqpërdorimet, që – sipas Zaevit, – kanë bërë zyrtarët e BDI-së në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë. Menjëherë pas këtyre akuzave ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, duke përgënjeshtruar të gjitha akuzat e bëra në konferencën për media të Zaevit.