Shpërndaje në:

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev nuk do të merr pjesë në bisedimet e filluara mes 4 liderëve të partive politike dhe me ndërmjetësim të euro-komisarit Johanes Han, që ishin planifikuar të vazhdonin më 10 qershor në Bruksel. Vendimi radikal i opozitës vjen pas deklaratës së sotme të komisarit fqinjësi të mirë dhe zgjerim Han të bërë gjatë vizitës në Uashington, ku theksoi se proceset zgjedhore në Maqedoni janë vlerësuar pozitivisht nga misioni mbikëqyrës i OSBE-së. Zaev vlerëson se qëndrimi i tillë i euro-komisarit është i njëanshëm dhe tendencioz, për shkak se edhe OSBE-ja, por edhe bisedat e përgjuara konfirmojnë se proceset e fundit zgjedhore kanë qenë të manipuluara.

“Bëj me dije se nuk do të marr pjesë në mbledhjen e caktuar me euro-komisarin Han, më 10 qershor në Bruksel. Deklarata në Uashington e Johanes Hanit, komisarit për zgjerim të BE-së, përmban elemente tendencioze dhe është e papërshtatshme për periudhën përgatitore, para mbledhjes vendimtare në Bruksel. Befason vlerësimi i euro-komisarit Han se raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në vend kanë qenë në përgjithësi pozitive. As OSBE/ODIHR, as Bashkimi Evropian deri tani nuk kanë konstatuar se Raporti për zgjedhjet në Maqedoni është pozitiv”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev tha gjithashtu se arsye shtesë për këtë vendim të tij janë edhe veprimet e fundit të Prokurorisë, por edhe dhuna që ishte evidentuar periudhën e fundit, ndaj disa kritikuesve të pushtetit.

“Pas bisedimeve më 2 qershor në Shkup, është ngritur një tjetër aktpadi kundër meje, edhe atë për marrje ryshfet, edhe pse padia penale nga MPB-ja kundër meje ishte për tentim për marrje ryshfeti. Është bërë diversion të veturës së djalit të Zoran Verushevskit me të cilën udhëtojnë fëmijë, janë bërë bastisje të reja në shtëpitë e të paraburgosurve, janë djegur vetura, janë sulmuar kritikët e pushtetit”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Menjëherë pas takimit të 2 qershorit në Shkup, LSDM-ja kishte bërë të ditur se asgjë nga ajo që është akorduar, nuk do të vlejë nëse nuk merren vesh për Qeveri kalimtare. Argumenti i tyre kryesor për Qeveri kalimtare ishin dëshmitë e publikuara për manipulimin e disa proceseve të fundit zgjedhore.