Shpërndaje në:

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti thotë se qeveritë në Tiranë e në Prishtinë janë larg prej pritjeve dhe nevojave të shqiptarëve në Maqedoni.“Për ngjarjet në Kumanovë Qeveria e Shqipërisë kishte qëndrim shumë më të mirë e më të drejtë, sesa Qeveria e Kosovës. Megjithatë, qeveritë në Tiranë e në Prishtinë janë larg prej pritjeve dhe nevojave të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët ndonëse janë një e treta e popullsisë atje, vazhdojnë të jenë të shtypur politikisht, të shfrytëzuar ekonomikisht e të diskriminuar kulturalisht. Dhuna dhe padrejtësia ndaj shqiptarëve në Maqedoni nuk ngjajnë vetëm kur ka ballafaqime të armatosura, siç ishte ai në Kumanovë, por për çdo orë të çdo dite”, deklaroi Kurti për Telegrafin.

Sipas tij, Shqiptarët e Maqedonisë kanë paguar çmimin më të madh.  “Ata kontribuan sikurse të gjithë shqiptarët e tjerë për pavarësinë e Shqipërisë para më shumë se një shekulli dhe për pavarësinë e Kosovës para më shumë se shtatë viteve, por mbeten jashtë të dyjave, pra edhe jashtë Shqipërisë edhe jashtë Kosovës”, theksoi ai.

Sipas Kurtit, 6 për qind e serbëve në Kosovë, kanë më shumë të drejta se shqiptarët në Maqedoni.

“Tash, shumë më tepër të drejta kanë 6 për qind të popullsisë në Kosovë, që janë serbë sesa një e treta e popullsisë në Maqedoni që janë shqiptarë. Në përgjithësi, ka asimetri të theksuar të të drejtave të shqiptarëve ku ata nuk janë shumicë, me të drejtat e pakicave të tjera kombëtare te shqiptarët ku këta janë shumicë”, u shpreh ai.