Shpërndaje në:

Me marrëveshjen tetë pikëshe të liderëve të katër partive maqedonase VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH-së me eurokomisionarin për zgjerim Johannes Hahn, shqiptarët fitojnë atë “që e kanë fituar pas vitit 2001” – nënshtrimin e vullnetshëm politik, poshtërimin politik të radhës dhe lakun në qafë për poshtërim të ardhmërisë së tyre; kurse “përfaqësuesit” e shqiptarëve, që u erdhi ora të delegjitimohen gjer në përmbysje, morën shpërblimin: shansin për abolimin e tyre nga krimet korruptive e të tjera kësodore dhe shansin për mbetjen e tyre në skenën politike për të bërë bashkë me maqedonasit edhe më tej “ortakërinë” politike mbi poshtërimin ndaj shqiptarëve. Mbetja dhe shansi për ardhje prapë në qeveri e këtyre është një fitore e dyfishtë veçmas për palën maqedonase, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike në Maqedoni, Nijazi Muhamedi.

Ai thekson se, marrëveshja është vetëm një kornizë në parim, e cila ende nuk është e sigurt se përbën një marrëveshje të dakortësuar.

“Mund edhe të bjerë në ujë e tëra, kur do vije në rend dite, më 10 qershor dhe më vonë formula e qeverisë së koalicionit të zgjeruar me një kryeministër pa emrin e Gruevskit, që është kryekushti i kërkesës së opozitës maqedonase. Marrëveshja e djeshme faktikisht është njëherësh edhe një sinjal i nënkuptueshëm inkurajimi për Gruevskin që të qëndrojë në pozicionin e tij të deklaruar disa herë se, nuk mund të ketë qeveri kalimtare pa emrin e tij si kryeministër. Janë lajthitjet e opozitës maqedonase në strategjinë e “shpërthimit” mediatike të “bombave” dhe të këtij megaskandali përgjimesh që kryeministrin Gruevski, prej një humbësi të madh që duhej të ishte, si humbën për një ditë shumë homologë të tij në vende të tjera që u zunë në skandale kësodore; e bënë jo humbës, por edhe “partner” të barabartë në këtë lojë politike”, thotë ai për gazetën “Bota sot”.

Muhamedi pohon se, kjo marrëveshje, në këtë pjesën e munguar për interesat e shqiptarëve, është e definuar kështu dhe nuk do pësojë ndryshime dhe mbi këtë marrëveshje do ngritët “mini-programi” i qeverisë së ardhme pikërisht edhe me interesat dhe kërkesat e munguara të shqiptarëve.

‘“Shpërthimet” mediatike të “bombave” të Zaevit, të cilat janë shpërthime të vogla dhe të seleksionuara për të mos dalë në shesh thellësia e dëmtimit të këtij regjimi dhe atij parashikues mbi shqiptarët, megjithatë krijuan një imazh tronditës mbi ca pjesë të katrahurës së madhe shkaktuar mbi shqiptarët. Inkursioni policoro-ushtarak i regjimit në Kumanovë, ku duhej të përshihej kërkesa për hetim ndërkombëtar dhe mbrojtje ndërkombëtare të të burgosurit të atij grupi; rasti “Monstra”, vrasjet e mistershme që përbëjnë një gjenocid politik të qartë të ish ushtarëve të UÇK-së në Maqedoni (nga përfundimi i Konfliktit 2001 dhe gjer para do kohe numri ka arritur mbi 600), dhe të tjera raste makabre e gjykimesh të pafajshme drakonike; rastet e “ortakërisë koloniste” maqedono-“shqiptare” në Maqedoninë perëndimore, ku janë përshirë edhe përfaqësues zyrtarë ose politikë të Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, etj, gjithë këto raste, pra, kanë mbetur jashtë kornizës së marrëveshjes, dhe me këtë nënkuptohet se janë “aboluar”, dhe këto raste po dalin se e kanë pajtuar Gruevskin e Zaevin, përveç tjerash. Ndërkaq, këto raste të mospërfshira e shpërfaqin edhe një herë horrllëkun antishqiptar të “rilegjitimuar” të “përfaqësuesve të shqiptarëve” në qeveri dhe në parlament”, thotë Muhamedi.

Ai thekson se, marrëveshja kornizë e daljes nga kriza përbën një favor për dy partitë “shqipfolëse” që do jenë në qeverinë kalimtare të koalicionit të gjerë, se u jep në dorë një shans për të bërë pazarllëqe dhe maskarallëqe të reja me të drejta e shqiptarëve që mund t’i këmbejnë për interesa të partive të veta dhe për dobi të palës maqedonase.

“Këtu bëjnë pjesë: moskërkimi i ndryshimit rrënjësor i kodit elektoral, veçmas moskorrigjimi i njësive zgjedhore aktuale ,të cilat e kanë të montuar në kod gjenocidin statistikor demografik dhe elektoral; moskërkimi që tanë Maqedonia të përbëjë një zonë zgjedhore, përmes së cilës do të dilte më e shtuar pasha elektorale dhe politike përfaqësimtare e shqiptarëve në kohën kur regjistrimi i popullsisë është shtyrë, kurse kjo do të jepte një indikator shumë të përafërt me pasqyrën reale demografike jo vetëm të shqiptarëve; moskërkimi i pastrimit rigoroz të listave të votuesve, “pastrim” i cili zakonisht bëhet për nja 20 mijë, sa herë që është kërkuar, dhe mbi 150 mijë “votues të gjallë-vdekur maqedonas” ndahen si trofe ndërmjet dy partive politike maqedonase, si pritet të ndahen edhe tashti dhe me bekimin e këtij ‘trofeu” nga ana e përfaqësuesve shqiptarë. Të gjitha këto pika të moskërkuara për shqyrtim do shërbejnë si monedha kusuritjeje të pista ndërmjet tyre dhe për favore të pamoralshme gjithfarëshe”, shton Muhamedi.

Sipas tij, në aspektin politik, implementimi kësodore i kësaj marrëveshjeje që pritet të bëhet nga ana e qeverisë kalimtare, konsolidon jetën politike të demosit maqedonas dhe e shthur, por edhe e rikonfiguron sipas interesave politike maqedonase jetën politike të demosit shqiptar, hallakat potencën e tyre reale elektorale dhe politike, i shpërudh dhe i degradon politikisht ambiciet politike kolektive të shqiptarëve, duke krijuar edhe parakushtet e një cenzurimi jodemokkratik të ideve politike kolektive shqiptare si dhe parakushtet e një manipulimi shumë bastard për të “nominuar” ata “përfaqësues të shqiptarëve” në vend të “shqiptarëve që përfaqësohen me të zgjedhur nga vullneti të tyre””, thekson ai.

Muhamedi më tej thotë se, me këtë rast, duhet cekur edhe “përzierjen e pavend dhe të shëmtuar” nga Kosova dhe Shqipëria, përmes një argatërie të shëmtuar nga ca opinionistë, ca të vërtetë dhe ca të shpifur si emra, ca të rinj dhe ca që kanë përfituar materialisht nga përzierjet e tyre në të kaluarën, që i dalin në ndihmë projektit maqedonas për shthurjen e subjektivitetit politik shqiptar në Maqedoni, kur dalin e japin leksione nga pedagogjia e nënshtrimit me “koncepte abrakadabra” mbi organizimin politik shqiptar dhe shtetin “qytetar” maqedonas si formulë gjoja “ e deetnizuar” dhe “barazidhënëse’ edhe për shqiptarët, etj, etj.

“Janë poashtu edhe shumica e mediave të shtypit dhe ato elektronike që nga Shkupi dhe gjer në Prishtinë e Tiranë që për interesa të tyre të moçme apo të tashme materiale dhe korruptive që janë bërë telajo e këtyre “përzierjeve” kakafonike politike dhe që janë bërë edhe censorët dhe ndrydhësit e mendimit pluralist shqiptar, që i pengojnë dhe i censurojnë përpjekjet për të vënë në tryezë të debatit dhe në shesh të mediatizimit pozicionin shqiptar ndaj pozicionit maqedonas d he më shëmtueshëm veprojnë kur ndrydhin kundërvënien e pozicionit shqiptar ndaj pozicionit promaqedonas të “balashëve etnikë” shqipfolës…”, thotë Nijazi Muhamedi.